Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 MËSIMI 28

Gomarica e Balaamit flet

Gomarica e Balaamit flet

Izraelitët ishin endur nëpër shkretëtirë për gati 40 vjet dhe kishin mposhtur shumë qytete të forta. Tani e kishin vendosur kampin në rrafshinat e Moabit, në lindje të lumit Jordan, dhe ishte momenti i duhur për të hyrë në Tokën e Premtuar. Balaku, mbreti i Moabit, kishte frikë se ata do të merrnin edhe vendin e tij. Prandaj i kërkoi një burri me emrin Balaam të vinte në Moab dhe të mallkonte izraelitët.

Por Jehovai i tha Balaamit: «Ti nuk duhet t’i mallkosh izraelitët.» Kështu Balaami nuk pranoi të shkonte. Mbreti Balak i kërkoi përsëri të vinte dhe i premtoi se do t’i jepte çdo gjë që dëshironte. Por prapë Balaami nuk pranoi. Atëherë Perëndia tha: «Mund të shkosh, por thuaj vetëm fjalët që do të të them unë.»

Balaami hipi mbi gomaricën e tij dhe u nis drejt jugut për në Moab. Ai kishte ndër mend t’i mallkonte izraelitët, edhe pse Jehovai i kishte thënë të mos e bënte. Engjëlli i Jehovait u shfaq në rrugë tri herë. Balaami nuk mund ta shihte engjëllin, por gomarica po. Herën e parë gomarica doli nga rruga dhe hyri në një arë. Herën e dytë u ngjesh pas një muri me gurë, duke ngjeshur kështu edhe këmbën e Balaamit. Në fund gomarica u shtri përtokë, në mes të rrugës. Në të tria rastet, Balaami e rrahu gomaricën me shkop.

Pas kësaj Jehovai bëri që gomarica të fliste. Ajo e pyeti Balaamin: «Përse më qëllon?» Balaami iu përgjigj: «Më bëre të dukem si budalla. Po të kisha një shpatë, do të të kisha vrarë.» Gomarica i tha: «Unë të kam shërbyer për vite. A jam sjellë ndonjëherë kështu me ty?»

Atëherë Jehovai bëri që edhe Balaami ta shihte engjëllin. Engjëlli i tha: «A nuk të paralajmëroi Jehovai që të mos e mallkoje Izraelin.» Balaami tha: «Gabova. Po kthehem në  shtëpi.» Por engjëlli i tha: «Mund të shkosh në Moab, por do të thuash vetëm fjalët që do të të thotë Jehovai.»

A nxori mësim nga kjo Balaami? Jo. Më pas, ai u përpoq ta mallkonte Izraelin tri herë, por në të gjitha rastet, Jehovai bëri që ta bekonte. Në fund, izraelitët e sulmuan Moabin dhe Balaami u vra. A nuk do të ishte më mirë sikur Balaami ta kishte dëgjuar Jehovain që në fillim?

«Ruhuni nga çdo lloj lakmie, sepse edhe kur dikush ka me bollëk, jeta e tij nuk varet nga gjërat që zotëron.»​—Luka 12:15