Izraelitët ikën nga mali i Sinait dhe udhëtuan përgjatë shkretëtirës së Paranit, drejt një vendi të quajtur Kadesh. Atje Jehovai i tha Moisiut: «Dërgo 12 burra, një për çdo fis, që të vëzhgojnë Kanaanin, tokën që do t’u jap izraelitëve.» Kështu që Moisiu zgjodhi 12 burra dhe u tha: «Shkoni në Kanaan e zbuloni nëse toka është pjellore. Shihni nëse njerëzit janë të dobët a të fortë, nëse jetojnë në tenda apo në qytete.» Të dymbëdhjetë vëzhguesit, përfshirë Josiun dhe Kalebin, u nisën për në Kanaan.

Pas 40 ditësh, vëzhguesit u kthyen dhe me vete kishin sjellë fiq, shegë dhe rrush. Ata raportuan: «Toka është e mirë, por populli është i fortë dhe qytetet kanë mure të larta.» Pastaj Kalebi tha: «Ne mund t’i mposhtim ata. Le të shkojmë menjëherë!» E dini pse e tha këtë Kalebi? Sepse ai dhe Josiu kishin besim te Jehovai. Por dhjetë vëzhguesit e tjerë thanë: «Jo! Njerëzit atje janë shumë të mëdhenj, si gjigantë! Ne dukeshim si karkaleca para tyre.»

Izraelitët u shkurajuan. Ata filluan të ankoheshin dhe t’i thoshin njëri-tjetrit: «Hajde zgjedhim një udhëheqës tjetër e të kthehemi në Egjipt. Pse duhet të shkojmë në këtë vend që të na  vrasin?» Josiu dhe Kalebi thanë: «Bindjuni Jehovait dhe mos kini frikë. Jehovai do të na mbrojë.» Por izraelitët nuk dëgjuan. Madje donin t’i vritnin Josiun dhe Kalebin!

Çfarë bëri Jehovai? Ai i tha Moisiut: «Pas gjithë gjërave që kam bërë për izraelitët, ata prapë nuk më binden. Prandaj ata do të rrinë në shkretëtirë për 40 vjet dhe aty do të vdesin. Vetëm fëmijët e tyre dhe Josiu me Kalebin do të jetojnë në tokën që u premtova t’u jepja.»

«Përse keni frikë, o besëpakë?»​—Mateu 8:26