Një ditë, kur ishte vetëm, Evës i foli një gjarpër. Ai e pyeti: «A është e vërtetë se Perëndia nuk ju lë të hani nga asnjë pemë?» Eva iu përgjigj: «Ne mund të hamë nga të gjitha pemët, përveç njërës. Nëse hamë frytin e asaj peme, do të vdesim.» Gjarpri i tha: «Nuk keni për të vdekur. Në fakt, po të hani, do të bëheni si Perëndia.» A i tha të vërtetën? Jo, e gënjeu. Ama Eva e besoi. Sa herë që e shikonte frytin, aq më shumë e lakmonte. Ajo hëngri nga fryti e i dha edhe Adamit. Ai e dinte që do të vdisnin po të mos i bindeshin Perëndisë. Megjithatë hëngri nga fryti.

Më vonë, po atë ditë, Jehovai foli me Adamin dhe Evën e i pyeti pse nuk iu bindën. Eva ia hodhi fajin gjarprit, ndërsa Adami Evës. Ngaqë Adami dhe Eva nuk iu bindën, Jehovai i përzuri nga kopshti. Në hyrje të kopshtit, ai vuri engjëj dhe një shpatë prej zjarri për t’u siguruar që të mos hynin më kurrë.

Jehovai tha se edhe ai që e gënjeu Evën do të dënohej. Faktikisht nuk ishte gjarpri që i foli Evës. Jehovai nuk i bëri gjarpërinjtë që të flitnin. Një engjëll i keq e bëri gjarprin të fliste. Ai veproi kështu që ta mashtronte Evën. Ky engjëll quhet Satana Djalli. Në të ardhmen, Jehovai do ta shkatërrojë Satanain që të mos i mashtrojë më njerëzit të bëjnë gjëra të këqija.

«Djalli . . . ishte vrasës që nga fillimi dhe nuk qëndroi i vendosur në të vërtetën, sepse e vërteta nuk është në të.»​—Gjoni 8:44