Në Filipi, një skllave kishte brenda saj një demon. Ai e përdorte vajzën për të hedhur fall dhe pronarët fitonin shumë para prej saj. Kur Pavli dhe Sila erdhën në Filipi, ajo i ndoqi për shumë ditë. Demoni e bënte të bërtiste: «Këta njerëz janë skllevër të Më të Lartit Perëndi!» Më në fund, Pavli i tha demonit: «Në emër të Jezuit, dil prej saj!» Demoni doli nga vajza.

Kur pronarët e vajzës kuptuan se nuk mund të fitonin më para prej saj, u zemëruan shumë. I çuan zvarrë Pavlin dhe Silën para administruesve civilë dhe u thanë: «Këta njerëz po thyejnë ligjin dhe turbullojnë gjithë qytetin.» Administruesit dhanë urdhër që Pavli dhe Sila të rriheshin dhe të futeshin në burg. Roja i burgut i futi në pjesën më të brendshme e më të errët të burgut dhe i vuri në fallaka.

Pavli dhe Sila i këndonin lavde Jehovait dhe të burgosurit e tjerë i dëgjonin. Papritur, në mes të natës, ra një tërmet aq i fortë sa burgu u trondit nga themelet. Dyert e burgut u hapën në çast dhe të burgosurve iu zgjidhën vargonjtë dhe fallakatë. Roja vrapoi në brendësi të burgut dhe pa që dyert ishin hapur. I sigurt se të gjithë të burgosurit ia kishin mbathur, mori një shpatë për të vrarë veten.

Kur ja, Pavli i thirri: «Mos i bëj keq vetes! Jemi të gjithë këtu!» Roja i burgut vrapoi dhe ra përmbys para Pavlit e Silës. Ai i pyeti: «Ç’duhet të bëj që të shpëtoj?» Ata iu përgjigjën: «Ti dhe familja jote duhet të keni besim te Jezui.» Pastaj Pavli e Sila i mësuan rojës së burgut dhe atyre të shtëpisë së tij fjalën e Jehovait dhe të gjithë u pagëzuan.

«Njerëzit do t’ju kapin, do t’ju përndjekin dhe do t’ju dorëzojnë nëpër sinagoga e burgje, dhe do t’ju detyrojnë të dilni përpara mbretërve e guvernatorëve për hir të emrit tim. Kjo do t’ju japë mundësi që të jepni dëshmi.»​—Luka 21:12, 13