Timoteu ishte një vëlla i ri në moshë që shërbente në kongregacionin e Listrës. Babanë e kishte grek dhe mamanë judeje. Mamaja Eunikë dhe gjyshja Loidë, i mësuan Timoteut për Jehovain që kur ishte i vogël.

Kur Pavli vizitoi Listrën gjatë udhëtimit të dytë të predikimit, vuri re që Timoteu i donte vërtet vëllezërit dhe mezi priste t’i ndihmonte. Pavli e ftoi Timoteun të udhëtonte me të. Me kalimin e kohës, Pavli e stërviti Timoteun të ishte predikues dhe mësues i shkëlqyer i lajmit të mirë.

Fryma e shenjtë e drejtoi Pavlin dhe Timoteun kudo që ata shkuan. Një natë, në një vegim, një burrë i tha Pavlit të shkonte në Maqedoni e t’i ndihmonte. Kështu Pavli, Timoteu, Sila dhe Luka shkuan atje për të predikuar e formuar kongregacione.

Në qytetin maqedonas të Selanikut, shumë burra e gra u bënë të krishterë. Por disa judenj ishin xhelozë për Pavlin dhe shokët e tij. Mblodhën një turmë, i tërhoqën zvarrë vëllezërit te krerët e qytetit dhe thoshin duke bërtitur: «Këta burra janë armiq të qeverisë romake!» Jeta e Pavlit dhe e Timoteut ishte në rrezik, kështu që, gjatë natës, ikën në Bere.

Njerëzit në Bere ishin të etur për të mësuar lajmin e mirë dhe grekë e judenj u bënë besimtarë. Megjithatë, kur disa judenj erdhën nga Selaniku dhe nxitën trazira, Pavli iku në Athinë. Timoteu dhe Sila qëndruan në Bere për të forcuar vëllezërit. Më vonë, Pavli dërgoi përsëri në Selanik Timoteun për të ndihmuar vëllezërit që të përballonin përndjekjen e ashpër. Pastaj, Pavli e dërgoi Timoteun të vizitonte shumë kongregacione të tjera dhe t’i inkurajonte.

 Pavli i tha Timoteut: «Ata që duan t’i shërbejnë Jehovait do të përndiqen.» Timoteu u përndoq dhe u burgos për shkak të besimit. Por ishte i lumtur që mund të tregonte besnikërinë ndaj Jehovait.

Pavli u tha filipianëve: «Po ju dërgoj Timoteun. Ai do t’ju mësojë se ç’do të thotë të jetoni si shërbëtorë të Jehovait dhe do t’ju stërvitë në shërbim.» Pavli kishte besim te Timoteu. Ata punuan si miq dhe bashkëshërbëtorë për shumë vjet.

«Nuk kam askënd tjetër me një natyrë si e tija, që të kujdeset sinqerisht për punët tuaja. Pasi gjithë të tjerët po kërkojnë interesat e veta, jo ato të Krishtit Jezu.»​—Filipianëve 2:20, 21