Krerët e priftërinjve e çuan Jezuin në pallatin e guvernatorit. Pilati i pyeti: «Ç’akuzë keni kundër këtij njeriu?» Ata iu përgjigjën: «Ai thotë se është mbret!» Pilati pyeti Jezuin: «A je ti mbreti i judenjve?» Jezui iu përgjigj: «Mbretëria ime nuk është pjesë e kësaj bote.»

Pastaj Pilati e dërgoi Jezuin te Herodi, qeveritar i Galilesë, për të parë nëse ai mund të gjente diçka kundër Jezuit. Herodi nuk gjeti dot asgjë të keqe te Jezui dhe e dërgoi prapë te Pilati. Atëherë Pilati i tha popullit: «As Herodi, as unë, nuk kemi gjetur asgjë të gabuar te ky njeri. Prandaj do ta liroj.» Turma bërtiste: «Vrite, vrite!» Ushtarët e rrahën Jezuin me kamxhik, e pështynë dhe e goditën. I vunë një kurorë me gjemba në kokë dhe me përqeshje i thoshin: «Tungjatjeta, o mbret i judenjve.» Përsëri Pilati i tha turmës: «Nuk gjeta asgjë kundër këtij njeriu.» Por ata thërrisnin: «Të vihet në shtyllë!» Prandaj, Pilati ua dha që ta ekzekutonin.

Ushtarët e çuan Jezuin në një vend që quhej Gólgotha, e gozhduan dhe pastaj ngritën shtyllën. Jezui u lut: «O Atë, fali se nuk dinë ç’bëjnë.» Njerëzit talleshin me Jezuin duke thënë: «Nëse je Bir i Perëndisë, zbrit nga shtylla! Shpëtoje veten.»

Një nga kriminelët në shtyllën përkrah Jezuit, i tha: «Më kujto kur të hysh në mbretërinë tënde.» Jezui i premtoi: «Ti do të jesh me mua në Parajsë.» Pasdite, vendin e mbuloi një errësirë që zgjati tri orë. Disa dishepuj po qëndronin pranë shtyllës, përfshirë Marinë, nënën e Jezuit. Jezui i tha Gjonit që të kujdesej për Marinë, sikur të ishte nëna e vet.

Në fund, Jezui tha: «U krye!» Ai uli kokën e dha frymë. Menjëherë ra një tërmet i fuqishëm. Në tempull, perdja e rëndë që ndante të Shenjtën nga Më e Shenjta u nda më  dysh. Një centurion (oficer romak) tha: «Ky ishte vërtet Biri i Perëndisë.»

«Pavarësisht se sa shumë janë premtimet e Perëndisë, ato janë bërë ‘po’ me anë të tij.»​—2 Korintasve 1:20