Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 MËSIMI 91

Jezui u ringjall

Jezui u ringjall

Pasi Jezui vdiq, një njeri i pasur që quhej Jozef, i kërkoi leje Pilatit që të hiqte nga shtylla trupin e Jezuit. Jozefi ia mbështolli trupin me li të hollë e erëza dhe e vuri në një varr të ri. Ai vendosi një gur të rëndë në hyrje të varrit. Krerët e priftërinjve i thanë Pilatit: «Kemi frikë se mos disa nga dishepujt e Jezuit marrin trupin e tij dhe pastaj thonë se u kthye në jetë.» Prandaj Pilati u tha: «Vuloseni varrin dhe ruajeni.»

Tri ditë më pas, në mëngjes herët, disa gra shkuan te varri dhe panë që guri ishte rrokullisur. Brenda varrit, një engjëll u tha grave: «Mos kini frikë. Jezui është ngritur nga të vdekurit. Shkoni dhe thuajuni dishepujve që ta takojnë në Galile.»

Maria-Magdalena nxitoi që të gjente Pjetrin dhe Gjonin. Ajo u tha: «Dikush ka marrë trupin e Jezuit.» Pjetri dhe Gjoni vrapuan drejt varrit. Kur panë që ishte bosh, u kthyen në shtëpitë e tyre.

Kur Maria-Magdalena u rikthye te varri, pa dy engjëj brenda tij dhe u tha: «Nuk e di ku e kanë vënë Zotërinë tim.» Pastaj pa një burrë e, duke menduar se ishte kopshtari, i tha: «Zotëri, të lutem më thuaj ku e ke vënë?» Burri i tha: «Mari!» Atëherë ajo e kuptoi se ishte Jezui dhe i thirri: «Mësues!» Pastaj e përqafoi. Jezui i tha: «Shko e thuaju vëllezërve të mi që më pe.» Menjëherë Maria vrapoi te dishepujt dhe u tha se kishte parë Jezuin.

Më vonë, po atë ditë, dy dishepuj po shkonin nga Jerusalemi në Emaus. Një burrë u bashkua me ta rrugës dhe i pyeti se për çfarë po flisnin. Ata i thanë: «S’paske dëgjuar gjë? Tri ditë më parë, krerët e priftërinjve e dënuan Jezuin me vdekje. Dhe tani disa gra thonë se është gjallë.» Burri i pyeti: «A besoni te profetët? Profetët thoshin se Jezui do të vdiste  e do të ngrihej nga të vdekurit.» Ai vazhdoi t’u shpjegonte Shkrimet. Kur mbërritën në Emaus, dishepujt i kërkuan burrit të rrinte me ta. Në darkë, pasi u lut për bukën, ata kuptuan se ishte Jezui. Atëherë ai u zhduk.

Dy dishepujt nxituan për në Jerusalem, në shtëpinë ku ishin mbledhur apostujt dhe u thanë çfarë kishte ndodhur. Ndërsa ishin në shtëpi, Jezui iu shfaq të gjithëve. Fillimisht apostujt s’arrinin ta besonin që ai ishte Jezui. Pastaj ai u tha: «Shikoni duart e mia; më prekni. Është shkruar se Krishti do të ngrihej nga të vdekurit.»

«Unë jam udha, e vërteta dhe jeta. Askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet meje.»​—Gjoni 14:6