Pasi zgjodhi 12 apostujt, Jezui zbriti nga mali dhe qëndroi në një vend ku ishte mbledhur një turmë e madhe. Kishin ardhur nga Galilea, Judea, Tiri, Sidoni, Siria dhe nga ana tjetër e Jordanit. Kishin sjellë njerëz që vuanin nga sëmundje të ndryshme dhe disa që mundoheshin nga demonët. Jezui i shëroi të gjithë. Pastaj u ul në shpatin e malit dhe filloi të fliste. Ai shpjegoi çfarë duhet të bëjmë nëse duam të jemi miq me Perëndinë. Duhet të kuptojmë se kemi nevojë për Jehovain dhe të mësojmë ta duam. Por nuk mund ta duam Perëndinë nëse nuk duam njerëzit e tjerë. Duhet të jemi të mirë dhe të drejtë me të gjithë, edhe me armiqtë tanë.

Jezui tha: «Nuk mjafton të duash vetëm miqtë e tu. Duhet të duash edhe armiqtë dhe t’i falësh të tjerët nga zemra. Nëse dikush është i mërzitur me ty, shko tek ai menjëherë dhe kërkoji falje. Trajtoji të tjerët siç do të doje të të trajtonin ty.»

 Gjithashtu, Jezui u dha njerëzve këshilla të dobishme për gjërat materiale. Ai tha: «Ka më shumë rëndësi të jesh mik me Jehovain, sesa të kesh shumë para. Paratë mund të t’i vjedhë një hajdut, por miqësinë me Jehovain nuk ta vjedh dot askush. Mos u shqetësoni më se çfarë do të hani, do të pini ose do të vishni. Shihni zogjtë. Perëndia gjithmonë kujdeset që të kenë për të ngrënë. Shqetësimi nuk do t’ju bëjë të jetoni ndonjë ditë më shumë. Mos harroni, Jehovai e di për çfarë keni nevojë.»

Turma s’kishte dëgjuar askënd që të fliste si Jezui. Udhëheqësit e tyre fetarë, që ishin farisenjtë dhe skribët, nuk ua kishin mësuar këto gjëra. Pse ishte një mësues kaq i madh Jezui? Sepse gjithçka që mësonte vinte nga Jehovai.

«Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse jam me natyrë të butë e i përulur në zemër, dhe ju do të gjeni freskim për shpirtin.»​—Mateu 11:29