Pak para Pashkës së vitit 32 të e.s., apostujt u kthyen nga një udhëtim predikimi. Ishin të lodhur, prandaj Jezui u tha të shkonin me të në Betsaidë me varkë, ku mund të çlodheshin. Por, kur varka iu afrua bregut, Jezui pa se mijëra njerëz i kishin ndjekur. Edhe pse Jezui donte të qëndronte vetëm me apostujt, i mirëpriti me dashamirësi njerëzit. Shëroi të sëmurët që ishin mes tyre dhe filloi t’i mësonte. Gjithë ditën, Jezui i mësoi për Mbretërinë e Perëndisë. Kur ra mbrëmja, apostujt vajtën dhe i thanë: «Njerëzit duhet t’i ketë marrë uria. Lëri të shkojnë që të marrin diçka për të ngrënë.»

Jezui iu përgjigj: «S’kanë pse të ikin. Jepuni këtu diçka për të ngrënë.» Apostujt e pyetën: «Dëshiron që të shkojmë e të blejmë bukë për ta?» Filipi, një nga apostujt, tha: «Edhe po të kishim shumë para, nuk do të gjenim dot aq shumë bukë për turmën.»

Jezui i pyeti: «Sa ushqim kemi?» Andrea u përgjigj: «Kemi 5 bukë dhe 2 peshq të vegjël. Janë shumë pak.» Jezui tha: «M’i sillni bukët dhe peshqit.» Ai u tha njerëzve të uleshin në bar, në grupe me nga 50 dhe 100 veta. Jezui mori bukën dhe peshqit, ngriti sytë nga qielli dhe u lut. Pastaj ua dha ushqimin apostujve dhe ata ua shpërndanë njerëzve. Të gjithë, 5.000 burra si edhe gra e fëmijë hëngrën sa u ngopën. Më pas, apostujt mblodhën atë që teproi, që asgjë  të mos shkonte dëm. U mbushën plot 12 shporta! Kjo ishte një mrekulli e jashtëzakonshme, apo jo?

Njerëzve u bëri aq shumë përshtypje, saqë donin ta bënin Jezuin mbret. Por Jezui e dinte se, për Jehovain, nuk kishte ardhur akoma koha që të bëhej mbret. Prandaj ai e nisi turmën dhe u tha apostujve të shkonin në anën tjetër të detit të Galilesë. Ata hipën në varkën e tyre, kurse Jezui u ngjit vetëm në një mal. Pse? Sepse donte të kalonte kohë me Atin e tij duke u lutur. Sado i zënë të ishte, Jezui gjithmonë gjente kohë të lutej.

«Mos punoni për ushqimin që prishet, por për atë që qëndron dhe të çon në jetë të përhershme, të cilin do t’jua japë Biri i njeriut.»​—Gjoni 6:27