Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 MËSIMI 86

Jezui ringjalli Lazarin

Jezui ringjalli Lazarin

Jezui kishte tre miq shumë të ngushtë që jetonin në Betani. Ata ishin Lazari dhe dy motrat e tij, Maria e Marta. Një ditë, ndërsa Jezui ishte në anën tjetër të lumit Jordan, Maria dhe Marta i dërguan një mesazh urgjent: «Lazari është shumë sëmurë. Të lutemi, hajde sa më shpejt!» Jezui nuk u nis menjëherë, por priti edhe dy ditë. Ndërkohë Lazari vdiq. Pastaj Jezui u tha dishepujve: «Hajde shkojmë në Betani. Lazari është duke fjetur dhe po shkoj ta zgjoj nga gjumi.» Apostujt i thanë: «Nëse Lazari po fle, gjumi do ta ndihmojë të bëhet më mirë.» Ja përse Jezui u foli troç: «Lazari ka vdekur.»

Kur Jezui mbërriti në Betani, Lazari kishte katër ditë i varrosur. Kishin vajtur shumë e shumë njerëz për të ngushëlluar Martën dhe Marinë. Kur Marta dëgjoi se Jezui kish ardhur, nxitoi për ta takuar. Ajo tha: «Zotëri, po të ishe këtu, im vëlla nuk do të vdiste.» Jezui i tha: «Vëllai yt do të jetojë përsëri. A e beson këtë Martë?» Ajo iu përgjigj: «Kam besim se do të ringjallet.» Jezui shtoi: «Unë jam ringjallja dhe jeta.»

Marta shkoi te Maria dhe i tha: «Jezui është këtu.» Maria vrapoi për te Jezui dhe turma e ndoqi. Ajo u gjunjëzua te këmbët e tij dhe s’pushonte dot së qari. Ajo i tha: «Zotëri, po të ishe këtu, vëllai ynë do të ishte ende gjallë.» Jezui e pa sa shumë po vuante e filloi të qante edhe ai. Kur njerëzit panë lotët e Jezuit, thanë: «Sa e paska dashur Lazarin!» Por disa pyesnin veten: «Pse nuk e shpëtoi mikun e tij?» Çfarë do të bënte Jezui më tej?

Jezui shkoi te varri ku një gur i madh bllokonte hyrjen. Ai urdhëroi: «Rrokulliseni gurin.» Marta tha: «Por kanë kaluar katër ditë! Trupi duhet të mbajë erë.» Sidoqoftë, ata e rrokullisën gurin dhe Jezui u lut: «Të falënderoj, o Atë, që më dëgjon. E di se më dëgjon gjithmonë, por flas që këta njerëz ta  dinë se ti më dërgove.» Pastaj ai thërriti me zë të lartë: «Lazar, dil jashtë!» Diçka e mrekullueshme ndodhi: Lazari doli nga varri, i mbështjellë me fasha liri. Jezui tha: «Zgjidheni dhe lëreni të ikë.»

Shumë veta që e panë këtë, besuan te Jezui. Por disa shkuan e ua thanë farisenjve. Që atëherë, farisenjtë donin të vrisnin edhe Lazarin, edhe Jezuin. Një nga 12 apostujt, Judë Iskarioti, shkoi fshehurazi te farisenjtë dhe i pyeti: «Sa do të më paguani nëse ju ndihmoj të gjeni Jezuin?» Ata ranë dakord t’i jepnin 30 monedha argjendi dhe Juda filloi të kërkonte ndonjë mundësi që ta dorëzonte Jezuin te farisenjtë.

«Perëndia i vërtetë është për ne Perëndia i veprave të shpëtimit; Jehovait, Zotërisë Sovran, i përkasin rrugët për t’i shpëtuar vdekjes.»​—Psalmi 68:20