«Rrënjosi në zemër këto fjalë që po të urdhëroj sot. Ngulitua ato bijve të tu.»—Ligji i përtërirë 6:6, 7

Kur Jehovai krijoi institucionin e familjes, përgjegjësinë për fëmijët ua ngarkoi prindërve. (Kolosianëve 3:20) Është përgjegjësia jote si prind ta stërvitësh fëmijën të dojë Jehovain dhe të bëhet një i rritur i përgjegjshëm. (2 Timoteut 1:5; 3:15) Duhet edhe të mësosh çfarë ka në zemër djali ose vajza jote. Sigurisht, është shumë e rëndësishme të lësh shembullin tënd. Nëse ti së pari e fut në zemër Fjalën e Jehovait, atëherë do të jesh më në gjendje t’ia mësosh edhe fëmijës.—Psalmi 40:8.

 1 BËJUA TË LEHTË FËMIJËVE TË FLASIN ME TY

ÇFARË THOTË BIBLA: ‘Ji i shpejtë në të dëgjuar, mos u nxito në të folur.’ (Jakovi 1:19) Ti do që fëmijët të flasin lirshëm me ty. Ata duhet ta dinë se je gati t’i dëgjosh sa herë të kenë nevojë. Krijo një ambient paqësor, që ta kenë të lehtë të shprehen. (Jakovi 3:18) Nëse mendojnë se do të reagosh vrazhdë ose se do t’i gjykosh, mund të mos flasin aq hapur me ty. Ki durim me fëmijët dhe siguroji vazhdimisht për dashurinë tënde.—Mateu 3:17; 1 Korintasve 8:1.

JA Ç’MUND TË BËSH:

  • Tregohu i gatshëm kur fëmijët kanë nevojë për të folur

  • Bisedo rregullisht me ta, jo vetëm kur lindin probleme

2 PËRPIQU TË KUPTOSH ÇFARË DUAN VËRTET TË THONË

ÇFARË THOTË BIBLA: «Kush tregon gjykim të thellë në një çështje, do të gjejë mirë.» (Proverbat 16:20) Ndonjëherë, duhet të shkosh përtej fjalëve të fëmijëve për të kuptuar ndjenjat e tyre të vërteta. Nuk është e pazakontë që të rinjtë ta teprojnë ose të shprehen ndryshe nga ç’mendojnë. «Nëse dikush përgjigjet për një çështje para se ta dëgjojë, kjo është për të marrëzi.» (Proverbat 18:13) Mos u mërzit shpejt.—Proverbat 19:11.

JA Ç’MUND TË BËSH:

  • Ji i vendosur të mos i ndërpresësh ose të mos acarohesh, pavarësisht nga ajo që thonë

  • Përpiqu të mos harrosh si ndiheshe ti në moshën e tyre dhe se çfarë të dukej e rëndësishme atëherë

 3 VEPRONI SI SKUADËR

ÇFARË THOTË BIBLA: «Dëgjoje, o biri im, disiplinën e atit tënd dhe mos e braktis ligjin e nënës sate.» (Proverbat 1:8) Jehovai i ka dhënë autoritet mbi fëmijët si babait, edhe nënës. Duhet t’i mësoni fëmijët t’ju respektojnë dhe t’ju binden. (Efesianëve 6:1-3) Fëmijët arrijnë ta kuptojnë nëse prindërit nuk janë «të bashkuar si duhet në të njëjtën mendje». (1 Korintasve 1:10) Nëse nuk bini dakord, përpiquni të mos e bëni të dukshme në sy të fëmijëve, sepse kjo do të minonte respektin e tyre për ju si prindër.

JA Ç’MUND TË BËSH:

  • Diskutoni dhe bini dakord si do t’i disiplinoni fëmijët

  • Nëse mendon ndryshe nga bashkëshorti për mënyrën si duhet të stërviten fëmijët, përpiqu ta marrësh në konsideratë edhe pikëpamjen e tij

 4 STËRVITI SIPAS NJË PLANI

ÇFARË THOTË BIBLA: «Stërvite djalin në udhën e drejtë.» (Proverbat 22:6) Edukimi i suksesshëm i fëmijëve nuk do të vijë vetvetiu. Duhet të kesh një plan si t’i stërvitësh, i cili përfshin edhe disiplinimin e tyre. (Psalmi 127:4; Proverbat 13:1) Disiplina nuk nënkupton vetëm ndëshkim, por përfshin edhe t’i ndihmosh fëmijët të kuptojnë arsyet që qëndrojnë pas rregullave. (Proverbat 28:7) Gjithashtu, mësoji ta duan Fjalën e Jehovait dhe t’i kuptojnë parimet e tij. (Psalmi 1:2) Kjo do t’i ndihmojë të zhvillojnë një ndërgjegje të mirë.—Hebrenjve 5:14.

JA Ç’MUND TË BËSH:

  • Sigurohu që fëmijët ta shohin Perëndinë si një Person real tek i cili mund të kenë besim

  • Mësoji si t’i dallojnë dhe t’i shmangin rreziqet në aspektin moral, siç mund të jenë rreziqet e Internetit dhe të rrjeteve shoqërore. Mësoji si të mos bien pre e grabitqarëve seksualë

    «Stërvite djalin në udhën e drejtë»