«Ai që i krijoi që nga fillimi, i bëri ata mashkull dhe femër.»Mateu 19:4

Martesën e parë e lidhi Perëndia Jehova *. Bibla na thotë se ai krijoi gruan e parë dhe «ia çoi njeriut». Adami ishte aq i lumtur sa tha: «Kjo është më në fund kockë e kockave të mia dhe mish i mishit tim.» (Zanafilla 2:22, 23) Edhe sot, Jehovai dëshiron që të martuarit të jenë të lumtur.

Kur martohesh, mendon se çdo gjë do të jetë fushë me lule. Megjithatë, realiteti tregon se edhe një burrë e një grua që duhen vërtet, do të kenë probleme. (1 Korintasve 7:28) Në këtë broshurë do të gjesh parime biblike që, kur i zbaton, të ndihmojnë të kesh martesë dhe familje të lumtur.Psalmi 19:8-11.

 1 PRANO ROLIN QË TË KA DHËNË JEHOVAI

ÇFARË THOTË BIBLA: Burri është kreu i familjes.—Efesianëve 5:23.

Nëse je një burrë, Jehovai pret që të kujdesesh me butësi për gruan. (1 Pjetrit 3:7) Ai e bëri si plotësim për ty dhe dëshiron që ta trajtosh me dinjitet e dashuri. (Zanafilla 2:18) Duhet ta duash gruan kaq shumë sa të jesh i gatshëm t’i vësh interesat e saj para interesave të tua.—Efesianëve 5:25-29.

Nëse je një grua, Jehovai pret që të kesh respekt të thellë për burrin dhe ta ndihmosh të përmbushë rolin e tij. (1 Korintasve 11:3; Efesianëve 5:33) Mbështeti vendimet e tij dhe bashkëpuno me gjithë zemër me të. (Kolosianëve 3:18) Kur vepron kështu, do të bëhesh e bukur në sytë e burrit dhe të Jehovait.—1 Pjetrit 3:1-6.

JA Ç’MUND TË BËSH:

  • Pyete bashkëshortin si mund të jesh burrë ose grua më e mirë. Dëgjoje me kujdes dhe përpiqu fort të përmirësohesh

  • Ji i duruar. Duhet kohë që të mësoni si ta bëni të lumtur njëri-tjetrin

2 INTERESOHU VËRTET PËR NDJENJAT E BASHKËSHORTIT

ÇFARË THOTË BIBLA: Duhet t’u kushtosh vëmendje interesave të bashkëshortit. (Filipianëve 2:3, 4) Trajtoje bashkëshortin si të çmuar, duke mos harruar se Jehovai kërkon që çdo shërbëtor i tij të jetë «i ëmbël me të gjithë». (2 Timoteut 2:24) ‘Të folurit pa u menduar është si goditje shpate, por gjuha e të mençurit është shërim.’ Prandaj, zgjidhi fjalët me kujdes. (Proverbat 12:18) Fryma e Jehovait do të të ndihmojë të flasësh me mirëdashje dhe dashuri.Galatasve 5:22, 23; Kolosianëve 4:6.

JA Ç’MUND TË BËSH:

  • Lutu për ndihmë që të ruash qetësinë dhe të jesh mendjehapur para se të diskutosh me bashkëshortin çështje të rëndësishme

  • Mendo me kujdes se çfarë do të thuash dhe si do ta thuash

 3 MENDONI SI SKUADËR

ÇFARË THOTË BIBLA: Kur martoheni, bëheni «një mish i vetëm». (Mateu 19:5) Por, prapëseprapë, jeni dy individë dhe mund të keni mendime të ndryshme. Prandaj, është e nevojshme të mësoni të mendoni dhe të ndiheni në një mënyrë që të plotësoni njëri-tjetrin. (Filipianëve 2:2) Uniteti është thelbësor kur merrni vendime. Bibla thotë se ‘duke u këshilluar së bashku, planet janë të sigurta’. (Proverbat 20:18, BR, anglisht) Lejoni t’ju drejtojnë parimet e Biblës teksa merrni vendime të rëndësishme së bashku.Proverbat 8:32, 33.

JA Ç’MUND TË BËSH:

  • Fol me bashkëshortin jo vetëm për informacione ose opinione, por edhe për ndjenjat e tua

  • Këshillohu me bashkëshortin para se të zotohesh për të bërë diçka

^ par. 4 Jehova është emri i Perëndisë siç tregohet në Bibël.

Në disa raste, përdoret gjinia mashkullore vetëm për lehtësi, por parimet vlejnë për të dyja gjinitë.