«Po gëzoni shumë, ndonëse për pak kohë tani për tani, në u dashtë, jeni hidhëruar nga sprova të ndryshme.»—1 Pjetrit 1:6

Edhe pse bën çmos të kesh martesë dhe familje të lumtur, mund të ndodhin gjëra të papritura që ta bëjnë të vështirë ta ruash gëzimin. (Eklisiastiu 9:11) Perëndia me dashuri na siguron ndihmë kur hasim situata të vështira. Nëse ndjek parimet biblike në vijim, ti dhe familja jote do të jeni në gjendje t’i përballoni, madje edhe ato më të vështirat.

 1 MBËSHTETU TE JEHOVAI

ÇFARË THOTË BIBLA: «Hidhni gjithë ankthin tuaj mbi të, sepse ai interesohet për ju.» (1 Pjetrit 5:7) Mos harro asnjëherë se Perëndia nuk duhet fajësuar për sprovat që has. (Jakovi 1:13) Ndërsa afrohesh me të, ai do të të ndihmojë në mënyrën më të mirë të mundshme. (Isaia 41:10) «Atij zbrazja zemrën!»—Psalmi 62:8.

Gjithashtu, do të marrësh zemër nga leximi dhe studimi i përditshëm i Biblës. Si rezultat, do të provosh se si Jehovai «na ngushëllon në të gjitha shtrëngimet tona». (2 Korintasve 1:3, 4; Romakëve 15:4) Ai premton të të japë ‘paqen e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim’.—Filipianëve 4:6, 7, 13.

JA Ç’MUND TË BËSH:

  • Lutu për ndihmën e Jehovait që të ruash qetësinë dhe mendjekthjelltësinë

  • Shqyrto të gjitha mundësitë që ke dhe zgjidh rrugën më të mirë për ty

2 KUJDESU PËR VETEN DHE FAMILJEN

ÇFARË THOTË BIBLA: «Zemra e njeriut me kuptueshmëri fiton njohuri dhe veshi i të mençurve kërkon të gjejë njohuri.» (Proverbat 18:15) Mblidh të gjitha faktet. Kupto për çfarë ka nevojë çdo pjesëtar i familjes. Fol me ta. Dëgjoji.—Proverbat 20:5.

Po nëse të vdes një i afërm? Mos ki frikë ta shprehësh pikëllimin. Mos harro se as Jezui «nuk i mbajti dot lotët». (Gjoni 11:35; Eklisiastiu 3:4) Është e rëndësishme edhe të pushosh e të flesh mjaftueshëm. (Eklisiastiu 4:6) Kjo do të të ndihmojë ta përballosh më kollaj një situatë dëshpëruese.

JA Ç’MUND TË BËSH:

  • Bëje zakon komunikimin me familjen para se të ndodhë një tragjedi. Kur të lindin probleme, do të ndihen rehat të hapen me ty

  • Fol me të tjerë që mund të kenë hasur një situatë të ngjashme

 3 KËRKO NDIHMËN QË TË NEVOJITET

ÇFARË THOTË BIBLA: «Shoku i vërtetë të do në çdo kohë, dhe të bëhet vëlla në ditë të vështira.» (Proverbat 17:17) Miqtë duan të të ndihmojnë, por ndoshta nuk dinë se si. Mos ngurro t’u thuash se për çfarë ke nevojë. (Proverbat 12:25) Gjithashtu, kërkoju atyre që e kuptojnë Biblën të të ndihmojnë si t’i zbatosh parimet biblike. Drejtimi që mund të të japin nga Bibla, do të jetë një ndihmë për ty.—Jakovi 5:14.

Kur shoqërohesh rregullisht me njerëz që kanë vërtet besim te Perëndia dhe te premtimet e tij, do të gjesh mbështetjen e nevojshme. Gjithashtu, do të ngushëllohesh jashtë mase kur ndihmon të tjerë që kanë nevojë për inkurajim. Fol me ta për besimin që ke te Jehovai dhe te premtimet e tij. Angazhohu duke ndihmuar të tjerët në nevojë, dhe mos u veço nga ata që të duan dhe që interesohen për ty.—Proverbat 18:1; 1 Korintasve 15:58.

JA Ç’MUND TË BËSH:

  • Fol me një mik të ngushtë dhe pranoje ndihmën e tij

  • Ji specifik dhe i sinqertë në lidhje me nevojat e tua