Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 KAPITULLI 6

Si të zgjedhësh zbavitje të dobishme

Si të zgjedhësh zbavitje të dobishme

«Gjithçka bëjeni për lavdi të Perëndisë.»​​—1 KORINTASVE 10:31.

1, 2. Çfarë mundësish kemi kur bëhet fjalë për zbavitjen?

MENDO sikur ke në dorë një frutë të shijshme dhe bëhesh gati ta hash, por sheh një pjesë të kalbur. Ç’do të bësh? Ke tre mundësi: ta hash frutën siç është, me gjithë pjesën e kalbur; ta hedhësh të gjithën ose të heqësh pjesën e kalbur e të mbash të mirën. Ç’do të zgjidhje?

2 Në njëfarë mënyre zbavitja është si ajo frutë. Nganjëherë, do që të argëtohesh ca, por e kupton se shumë zbavitje sot janë të prishura moralisht, të kalbura. Atëherë ç’të bësh? Disa e tolerojnë të keqen dhe pranojnë çdo lloj zbavitjeje që ofron kjo botë. Të tjerë shmangin çdo lloj zbavitjeje, për të qenë të sigurt se nuk e ekspozojnë veten para asgjëje të dëmshme. Kurse disa të tjerë shmangin me kujdes zbavitjen e dëmshme, por hera-herës zbaviten me gjëra që mund të thuhet se janë të dobishme. Çfarë duhet të zgjedhësh, që të ruash veten në dashurinë e Perëndisë?

3. Çfarë do të shqyrtojmë në vazhdim?

3 Shumica nga ne do të zgjidhte mundësinë e tretë. E kuptojmë që kemi nevojë të argëtohemi, por duam të argëtohemi vetëm me gjëra të pastra moralisht. Prandaj duhet të analizojmë se si mund ta përcaktojmë ç’është e dobishme dhe e dëmshme. Por së pari le të shohim si  mund të ndikojë zbavitja që zgjedhim në adhurimin që i bëjmë Jehovait.

«GJITHÇKA BËJENI PËR LAVDI TË PERËNDISË»

4. Si duhet të ndikojë kushtimi ynë në zbavitjen që zgjedhim?

4 Ca kohë më parë, një Dëshmitar i moshuar, i pagëzuar në vitin 1946, u shpreh: «E kam si synim që të jem i pranishëm në çdo fjalim pagëzimi dhe ta dëgjoj me kujdes sikur të ishte pagëzimi im.» Po përse? Ja si e shpjegoi: «Mbajtja qartë në mendje e kushtimit që kam bërë, ka qenë një hap i rëndësishëm për të qëndruar besnik.» Me siguri, edhe ti je dakord me këto fjalë. Kur i kujton vetes se i ke premtuar Jehovait ta përdorësh gjithë jetën për t’i shërbyer, motivohesh të qëndrosh i palëkundur. (Lexo Eklisiastiun 5:4.) Madje, meditimi për kushtimin që ke bërë, ndikon në pikëpamjen tënde jo vetëm për shërbimin e krishterë, por edhe për çdo fushë tjetër të jetës, përfshirë zbavitjen. Apostulli Pavël e theksoi këtë të vërtetë kur u shkroi të krishterëve të kohës së tij: «Nëse hani, nëse pini apo nëse bëni diçka tjetër, gjithçka bëjeni për lavdi të Perëndisë.»​​—1 Korintasve 10:31.

5. Si na ndihmon Levitiku 22:​18-20 të dallojmë paralajmërimin që përmban Romakëve 12:1?

 5 Çdo gjë që bën në jetë, lidhet me adhurimin ndaj Jehovait. Në letrën drejtuar romakëve, Pavli përdori një shprehje të fuqishme për t’u ngulitur bashkëbesimtarëve këtë të vërtetë. Ai u bëri thirrje: «T’i paraqitni trupat tuaj si një flijim të gjallë, të shenjtë e të pranueshëm për Perëndinë, që të bëni një shërbim të shenjtë me fuqinë tuaj për të arsyetuar.» (Romakëve 12:1) Trupi përfshin mendjen, zemrën dhe forcën fizike. Të gjitha këto ne i përdorim në shërbim të Perëndisë. (Marku 12:30) Pavli e cilëson këtë shërbim me gjithë shpirt si një flijim, fjalë që përmban një paralajmërim të tërthortë. Në Ligjin e Moisiut thuhej se Perëndia nuk e pranonte një flijim me të meta. (Levitiku 22:​18-20) Edhe sot, nëse shërbimi i një të krishteri ose flijimi i tij, ndotet në ndonjë mënyrë, Perëndia nuk do ta pranojë. Po si mund të ndodhë kjo?

6, 7. Si mund ta ndotë një i krishterë trupin e tij e me cilat pasoja?

6 Pavli i këshilloi të krishterët në Romë: «Mos vazhdoni t’ia paraqitni gjymtyrët tuaja mëkatit.» Gjithashtu, u tha: «Bëni të vdesin veprat e trupit.» (Romakëve 6:​12-14; 8:13) Më parë në letrën e tij, Pavli kishte dhënë disa shembuj të ‘veprave të trupit’. Për njerëzimin mëkatar lexojmë: «Goja e tyre është plot mallkime.» «Këmbët e tyre janë të shpejta për të derdhur gjak.» (Diodati i Ri) «Në sytë e tyre nuk ka kurrfarë frike nga Perëndia.» (Romakëve 3:​13-18) Një i krishterë do ta ndotte trupin, po t’i përdorte «gjymtyrët» e tij për këto vepra mëkatare. Për shembull, nëse një i krishterë sot sheh me dashje materiale të degjeneruara si pornografia, ose dhunë sadiste, po ‘ia paraqet [sytë e tij] mëkatit’, duke ndotur kështu gjithë trupin. Në këtë rast, çfarëdo adhurimi që mund të  bëjë, nuk është më një flijim i shenjtë dhe Perëndia nuk e pranon. (Ligji i përtërirë 15:21; 1 Pjetrit 1:​14-16; 2 Pjetrit 3:11) Sa shtrenjtë do ta paguante ngaqë zgjodhi zbavitje jo të dobishme!

7 Duket qartë se një i krishterë do të ketë pasoja të rënda nëse nuk e zgjedh siç duhet zbavitjen. Prandaj, me siguri duam të zgjedhim zbavitje që do ta stolisin flijimin që i bëjmë Perëndisë, jo ta ndotin. Le të shohim si mund ta përcaktojmë ç’është e dobishme e ç’është e dëmshme.

‘URRE THELLËSISHT ATË QË ËSHTË E LIGË’

8, 9. (a) Në cilat kategori mund të ndahet përgjithësisht zbavitja? (b) Cilën lloj zbavitjeje hedhim poshtë e përse?

8 Në vija të trasha, zbavitjen mund ta ndajmë në dy kategori. E para përfshin zbavitje që të krishterët i shmangin prerazi, kurse tek e dyta hyjnë zbavitje që mund të jenë të pranueshme për ta ose jo. Le të shqyrtojmë fillimisht kategorinë e parë, domethënë zbavitjet që të krishterët i shmangin.

9 Siç u përmend edhe në kapitullin e parë, disa lloj zbavitjesh paraqesin veprime që dënohen haptazi në Bibël. Mendo për sitet e Internetit, filmat, programet televizive dhe muzikën me përmbajtje sadiste a demonike, me pornografi ose që nxitin praktika imorale e të neveritshme. Kjo kategori zbavitjesh i nxjerr në një dritë pozitive veprimet që janë në kundërshtim me parimet ose ligjet e Biblës, prandaj të krishterët e vërtetë duhet ta mënjanojnë fare. (Veprat 15:​28, 29; 1 Korintasve 6:​9, 10; Zbulesa 21:8) Duke hedhur poshtë këtë lloj zbavitjeje të dëmshme, po i tregon Jehovait se vërtet ‘e urren thellësisht atë që është e ligë’ dhe se gjithnjë ‘largohesh nga e keqja’. Në këtë mënyrë ke një «besim pa hipokrizi».​—Romakëve 12:9; Psalmi 34:14; 1 Timoteut 1:5.

10. Cili arsyetim për zbavitjen është i rrezikshëm e përse?

 10 Por disa mendojnë se s’ka ndonjë të keqe të zbavitesh duke parë gjëra që paraqesin hapur e me hollësi sjelljen imorale. Ata arsyetojnë: ‘Edhe pse i shoh këto nëpër filma e programe televizive, vetë s’kam për t’i bërë kurrë.’ Ky arsyetim është mashtrues dhe i rrezikshëm. (Lexo Jereminë 17:9.) A mund të themi se ‘e urrejmë thellësisht atë që është e ligë’, nëse na duket zbavitëse të shohim gjëra që Jehovai i dënon? Po të ekspozohemi vazhdimisht ndaj sjelljes së gabuar, do të na mpihet ndërgjegjja. (Psalmi 119:70; 1 Timoteut 4:​1, 2) Kjo pastaj mund të ndikojë për keq në atë që bëjmë ose në pikëpamjen që kemi për sjelljen mëkatare të të tjerëve.

11. Si është vërtetuar shkrimi i Galatasve 6:7 për zbavitjen?

11 Kjo ka ndodhur vërtet. Disa të krishterë kanë bërë veprime imorale të ndikuar nga gjërat që kishin zakon të shihnin për t’u zbavitur. E mësuan duke e hequr mbi kurriz se «çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë». (Galatasve 6:7) Por ky mësim i hidhur mund të shmanget. Në qoftë se me kujdes mbjell në mendje gjëra të pastra moralisht, do të kesh kënaqësinë të korrësh rezultate të mira.​​—Shih kutinë « Çfarë zbavitjeje të zgjedh?».

VENDIME PERSONALE TË BAZUARA NË PARIMET BIBLIKE

12. Si lidhet Galatasve 6:5 me zbavitjen e çfarë do të na drejtojë kur të marrim vendime?

12 Të shohim tani kategorinë e dytë, domethënë zbavitjen që nxjerr në pah veprime që as dënohen drejtpërdrejt, as miratohen hapur në Fjalën e Perëndisë. Kur të zgjedhë nga kjo kategori zbavitjesh, çdo i krishterë duhet të vendosë vetë çfarë i duket e dobishme. (Lexo Galatasve 6:5.) Gjithsesi, nuk jemi pa drejtim. Në Bibël ka  parime ose të vërteta themelore që na ndihmojnë të kuptojmë si i sheh Jehovai gjërat. Duke u kushtuar vëmendje këtyre parimeve, do të arrijmë të dallojmë «se cili është vullneti i Jehovait» në çdo gjë, edhe në zbavitjen që zgjedhim.​​—Efesianëve 5:17.

13. Ç’do të na shtyjë të shmangim zbavitjen që mund t’i shkaktojë pakënaqësi Jehovait?

13 Normalisht, jo të gjithë të krishterët e kanë zhvilluar në të njëjtën masë aftësinë dalluese ose perceptimin  e sjelljes së përshtatshme. (Filipianëve 1:9) Për më tepër, e kuptojmë se në fushën e zbavitjes, shijet ndryshojnë. Prandaj s’duhet të presim që të gjithë të krishterët të marrin të njëjtat vendime. Gjithsesi, sa më shumë të ndikojnë në mendjen e në zemrën tonë parimet hyjnore, aq më shumë do të duam të shmangim çdo formë zbavitjeje që mund t’i shkaktojë pakënaqësi Jehovait.​​—Psalmi 119:​11, 129; 1 Pjetrit 2:16.

14. (a) Ç’faktor duhet të mbash parasysh kur zgjedh zbavitjen? (b) Si t’i mbash në vend të parë në jetë interesat e Mbretërisë?

14 Kur zgjedh zbavitjen, duhet të mbash parasysh edhe një faktor tjetër të rëndësishëm: kohën. Përmbajtja e zbavitjes tregon çfarë të duket e pranueshme, por sasia e kohës që i kushton, tregon çfarë të duket më e rëndësishme. Natyrisht, për të krishterët, më shumë rëndësi kanë gjërat që lidhen me adhurimin e Perëndisë. (Lexo Mateun 6:33.) Atëherë, si të sigurohesh se po vazhdon t’i mbash në vend të parë në jetë interesat e Mbretërisë? Apostulli Pavël tha: «Vazhdoni të shikoni me kujdes që mënyra se si ecni, të mos jetë si të pamendët, por si të mençurit, duke blerë kohën e duhur për veten tuaj.» (Efesianëve 5:​15, 16) Nëse vendos kufij të qartë për sasinë e kohës që do të harxhosh për t’u zbavitur, do të kesh mjaft kohë për «gjërat më të rëndësishme», pra për aktivitetet që të rritin mirëqenien frymore.​​—Filipianëve 1:10.

15. Pse është e mençur të lëmë një distancë sigurie kur zgjedhim zbavitjen?

15 Gjithashtu, është e mençur që, për të qenë brenda, të lësh një distancë sigurie kur zgjedh zbavitjen. Ç’do të thotë kjo? Të marrim përsëri shembullin e frutës. Që të mos hamë pa dashje ndonjë pjesë të kalbur, zakonisht presim jo vetëm atë pjesë, por edhe pak rreth e qark saj. Po kështu, është e mençur të kemi edhe ne një distancë  sigurie kur zgjedhim zbavitjen. Një i krishterë i mençur nuk shmang vetëm zbavitjen që është qartësisht kundër parimeve biblike, por edhe çdo zbavitje të dyshimtë ose që duket se përmban elemente që mund ta dëmtojnë frymësisht. (Proverbat 4:​25-27) Do të arrish ta bësh këtë nëse ndjek pikë për pikë këshillat e Fjalës së Perëndisë.

«ÇDO GJË TË DËLIRË»

Zbatimi i parimeve hyjnore kur zgjedhim zbavitjen, na mbron nga dëmtimet frymore

16. (a) Si ta tregojmë se kemi pikëpamjen e Jehovait për moralin? (b) Si mund të të bëhet mënyrë jetese zbatimi i parimeve biblike?

16 Kur zgjedhin zbavitjen, para së gjithash të krishterët e vërtetë mbajnë parasysh pikëpamjen e Jehovait. Ndjenjat dhe normat e tij janë shpalosur qartë në Bibël. Për shembull, mbreti Solomon rendit disa gjëra që Jehovai i urren, si «gjuha gënjeshtare dhe duart që derdhin gjak të pafaj, zemra që sajon plane të dëmshme, këmbët që turren drejt së keqes». (Proverbat 6:​16-19) Si duhet të ndikojë pikëpamja e Jehovait në pikëpamjen tënde? Psalmisti bën thirrje: «Ju që doni Jehovain, urreni të keqen.» (Psalmi 97:10) Zbavitja që zgjedh, duhet të tregojë se i urren me gjithë mend ato gjëra që urren Jehovai. (Galatasve 5:​19-21) Mos harro edhe se ajo që tregon se ç’lloj njeriu je, nuk janë veprimet që bën në publik, por gjërat që bën kur je vetëm. (Psalmi 11:4; 16:8)  Pra, nëse do me gjithë zemër të pasqyrosh në çdo fushë të jetës ndjenjat e Jehovait për çështjet morale, do të bësh gjithnjë zgjedhje që janë në përputhje me parimet biblike. Kjo do të të bëhet mënyrë jetese.​​—2 Korintasve 3:18.

17. Cilat pyetje duhet të bëjmë para se të zgjedhim zbavitjen?

17 Ç’mund të bësh tjetër për t’u siguruar se do t’i zgjedhësh zbavitjet në përputhje me mënyrën si mendon Jehovai? Mendo për këtë pyetje: ‘Si do të ndikojë kjo tek unë dhe te marrëdhënia që kam me Perëndinë?’ Për shembull, para se të vendosësh a do ta shohësh një film, pyet veten: ‘Si do të ndikojë në ndërgjegjen time?’ Le të shohim ç’parime vlejnë për këtë.

18, 19. (a) Si na ndihmon parimi te Filipianëve 4:8 të përcaktojmë nëse zbavitja që zgjedhim është e dobishme? (b) Cilat parime të tjera mund të të ndihmojnë të zgjedhësh zbavitje të mira? (Shih shënimin.)

18 Një parim kryesor gjendet te Filipianëve 4:8: «Vazhdoni të mendoni për çdo gjë të vërtetë, çdo gjë që vlerësohet si serioze, çdo gjë të drejtë, çdo gjë të dëlirë, çdo gjë të dashur, çdo gjë për të cilën flitet mirë, çfarëdo virtyti dhe çfarëdo gjëje të denjë për t’u lëvduar.» Natyrisht, Pavli s’po fliste për zbavitjen, po për meditimin e zemrës, që duhet të përqendrohet te gjërat që i pëlqejnë Perëndisë. (Psalmi 19:14) Gjithsesi, në parim fjalët e tij zbatohen edhe për zbavitjen. Si zbatohen?

19 Pyet veten: ‘A ma mbushin mendjen me «çdo gjë të dëlirë» filmat, lojërat elektronike, këngët ose zbavitjet e tjera që zgjedh?’ Për shembull, pasi sheh një film, cilat pamje të mbeten në mendje? Në qoftë se janë pamje të këndshme, të pastra e përtëritëse, atëherë do të thotë se kjo zbavitje ishte e dobishme. Por, nëse filmi që pe, të bën të mendosh gjëra jo të dëlira, atëherë zbavitja nuk  ishte e dobishme, madje të ka bërë dëm. (Mateu 12:33; Marku 7:​20-23) Pse? Sepse të mendosh për gjëra të papastra, të trazon paqen mendore, të lë vragë në ndërgjegjen e stërvitur sipas Biblës dhe mund të të prishë marrëdhënien me Perëndinë. (Efesianëve 5:5; 1 Timoteut 1:​5, 19) Duke parë se kjo lloj zbavitjeje të dëmton ty personalisht, ji i vendosur ta shmangësh! * (Romakëve 12:2) Bëhu si psalmisti që iu lut Jehovait: «M’i largo sytë nga gjërat e kota; në udhën tënde më ruaj gjallë.»​​—Psalmi 119:37.

JEPU PËRPARËSI TË TJERËVE

20, 21. Si lidhet 1 Korintasve 10:​23, 24 me zgjedhjen e zbavitjeve të dobishme?

20 Pavli përmendi një parim biblik kryesor që duhet ta mbash parasysh kur merr vendime për çështje personale. Ai tha: «Gjithçka është e ligjshme, por jo gjithçka ndërton. Secili le të vazhdojë të kërkojë jo përfitimin e vet, por atë të tjetrit.» (1 Korintasve 10:​23, 24) Si lidhet ky parim me zgjedhjen e zbavitjeve të dobishme? Duhet të pyesësh veten: ‘Si do të ndikojë te të tjerët zbavitja që zgjedh?’

21 Ndoshta ty ta lejon ndërgjegjja një lloj zbavitjeje që të duket «e ligjshme» ose e pranueshme. Por, nëse vëren se u duket e papranueshme bashkëbesimtarëve që e kanë më strikte ndërgjegjen, mund të vendosësh të tërhiqesh. Përse? Sepse nuk do që ‘të mëkatosh kundër vëllezërve të tu’ ose madje ‘të mëkatosh kundër Krishtit’, siç tha Pavli, duke ua bërë të vështirë bashkëbesimtarëve të qëndrojnë besnikë ndaj Perëndisë. E merr për zemër këshillën: «Ruhuni të mos bëheni  shkak pengese.» (1 Korintasve 8:12; 10:32) Sot të krishterët e vërtetë e zbatojnë këshillën e menduar mirë dhe të goditur që dha Pavli, duke shmangur zbavitjet që mund të jenë ‘të ligjshme’, por që nuk ‘ndërtojnë’.​​—Romakëve 14:1; 15:1.

22. Pse të krishterët lënë vend për pikëpamje të ndryshme në çështjet personale?

22 Por, për t’u dhënë përparësi të tjerëve, duhet të shohim edhe anën tjetër të medaljes. I krishteri që e ka ndërgjegjen më strikte, s’duhet të ngulë këmbë që të gjithë pjesëtarët e kongregacionit të veprojnë sipas pikëpamjes së tij më të ngushtë për atë që është zbavitje e përshtatshme. Atëherë do të ishte si një shofer në autostradë, i cili këmbëngul që të gjithë shoferët e tjerë që po përdorin atë korsi, të kenë shpejtësinë që preferon ai. Kjo do të ishte një kërkesë e paarsyeshme. Nga dashuria e krishterë, ai që e ka ndërgjegjen më strikte, duhet të respektojë bashkëbesimtarët që kanë pikëpamje disi ndryshe nga e tija, por që gjithsesi janë brenda kufijve të parimeve të krishtere. Në këtë mënyrë, ‘të gjithë do ta njohin arsyetueshmërinë e tij’.​​—Filipianëve 4:5; Eklisiastiu 7:16.

23. Si të sigurohesh se po zgjedh zbavitje të dobishme?

23 Me pak fjalë, si të sigurohesh se po zgjedh zbavitje të dobishme? Shmang çdo lloj zbavitjeje që tregon sheshit veprime të degraduara e imorale që dënohen qartë në Fjalën e Perëndisë. Ndiq parimet biblike që mund të zbatohen për ato lloj zbavitjesh që nuk përmenden specifikisht në Bibël. Shmang zbavitjen që të dëmton ndërgjegjen dhe ji gati të heqësh dorë nga disa forma zbavitjeje që mund të fyejnë të tjerët, sidomos bashkëbesimtarët. Urojmë që vendimi yt i palëkundur për këtë, t’i sjellë lavdi Perëndisë e të të ruajë ty dhe familjen në dashurinë e tij!

^ par. 19 Disa parime të tjera që zbatohen për zbavitjet, i gjejmë te Proverbat 3:31; 13:20; Efesianëve 5:​3, 4 dhe te Kolosianëve 3:​5, 8, 20.