Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 KAPITULLI 10

Martesa, dhuratë nga një Perëndi i dashur

Martesa, dhuratë nga një Perëndi i dashur

«Një litar tresh nuk mund të këputet shpejt.»​​—EKLISIASTIU 4:12.

1, 2. (a) Ç’pyetje bëjmë disa herë për çiftet e reja dhe përse? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë në këtë kapitull?

TË PËLQEN të shkosh nëpër dasma? Shumë vetave u pëlqen, sepse janë raste të gëzueshme. Çifti është veshur me rrobat më të mira, por edhe fytyrat u rrezatojnë nga gëzimi. Në këtë ditë të shënuar, janë shend e verë dhe e ardhmja e tyre duket premtuese.

2 Gjithsesi, duhet ta pranojmë se sot nga shumë këndvështrime martesa është bërë lëmsh. Edhe pse shpresojmë që çifteve të reja t’u vejë mbarë, nganjëherë pyesim veten: ‘A do të jetë e lumtur kjo martesë? A do të zgjatë?’ Kjo varet nga sa i besojnë e sa i zbatojnë këshillat e Perëndisë për martesën burri dhe gruaja. (Lexo Proverbat 3:​5, 6.) Duhet të veprojnë kështu, që të qëndrojnë në dashurinë e Perëndisë. Le të përqendrohemi tani te përgjigjja që jep Bibla për këto katër pyetje: pse të martohesh? Nëse vendos të martohesh, kë të zgjedhësh për grua a për burrë? Si të përgatitesh për martesën? Ç’mund ta ndihmojë një çift që të vazhdojë të ketë lumturi në martesë?

PSE TË MARTOHESH?

3. Pse nuk është e mençur të martohesh për arsye të dobëta?

3 Disa besojnë se martesa është çelësi i lumturisë; se po të mos kesh një shok a shoqe jete, do të ndihesh bosh e nuk do të gjesh dot gëzim. Kjo s’është fare e vërtetë! Jezui  ishte beqar dhe foli për beqarinë si për një dhuratë, duke i nxitur ata që mundeshin, ta pranonin. (Mateu 19:​11, 12) Edhe apostulli Pavël foli për dobitë e beqarisë. (1 Korintasve 7:​32-38) Duhet thënë se as Jezui, as Pavli nuk nxorën ndonjë rregull për këtë gjë. Madje ‘ndalimi i martesës’ renditet ndër ‘mësimet e demonëve’. (1 Timoteut 4:​1-3) Gjithsesi, beqaria u sjell shumë dobi atyre që duan t’i shërbejnë Jehovait pa shpërqendrime. Prandaj, nuk është e mençur të martohesh për arsye të dobëta, siç është presioni i shoqërisë.

4. Ç’themel për rritjen e fëmijëve siguron një lidhje e shëndoshë martesore?

4 Nga ana tjetër, a ka arsye të forta për t’u martuar? Po. Edhe martesa është një dhuratë nga Perëndia ynë i dashur. (Lexo Zanafillën 2:18.) Prandaj edhe ajo ka dobi e mund të sjellë lumturi. Për shembull, një lidhje e shëndoshë martesore është themeli më i mirë për jetën familjare. Fëmijët kanë nevojë për një mjedis të qëndrueshëm ku prindërit t’i rritin, t’i duan, t’i disiplinojnë e t’i drejtojnë. (Psalmi 127:3; Efesianëve 6:​1-4) Megjithatë, pasja e fëmijëve nuk është arsyeja e vetme për t’u martuar.

5, 6. (a) Cilat janë disa dobi praktike të miqësisë së ngushtë, sipas Eklisiastiut 4:​9-12? (b) Si mund të jetë martesa si një litar tresh?

5 Shqyrto shkrimin kryesor të këtij kapitulli, si dhe kontekstin e tij: «Dy janë më mirë se një, sepse kanë një shpërblim të mirë për mundin e tyre. Sepse në rëntë njëri, tjetri mund ta ngrejë shokun. Por ç’do të bëhet me atë që është vetëm kur të bjerë dhe të mos ketë një tjetër që ta ngrejë? Për më tepër, nëse dy shtrihen bashkë, kanë për t’u ngrohur, por si do të ngrohet një i vetëm? E nëse dikush mund të mposhtë një të vetëm, dy së bashku mund t’i bëjnë ballë. Një litar tresh nuk mund të këputet shpejt më dysh.»​​—Eklisiastiu 4:​9-12.

6 Kjo pjesë flet në radhë të parë për vlerën e miqësisë.  E natyrisht, martesa siguron miqësinë më të ngushtë nga të gjitha. Siç e tregon shkrimi, kjo lidhje mund të sigurojë mbështetje, rehati dhe mbrojtje. Por martesa do të jetë edhe më e fortë në qoftë se nuk është thjesht një lidhje mes dy vetash. Një litar dysh mund të këputet, siç nënkupton shkrimi. Por tre fije të gërshetuara a të endura me njëra-tjetrën, vështirë se këputen. Kur të dy bashkëshortët duan t’i pëlqejnë Jehovait në radhë të parë, martesa e tyre është si ai litar tresh. Jehovai është pjesë përbërëse e martesës, prandaj lidhja është vërtet e fortë.

7, 8. (a) Ç’këshillë dha Pavli për të krishterët beqarë që luftojnë me dëshirat seksuale? (b) Cilën pikëpamje realiste jep Bibla për martesën?

7 Gjithashtu, martesa është i vetmi kontekst në të cilin mund të plotësohen siç duhet dëshirat seksuale. Vetëm në martesë marrëdhëniet seksuale mund të konsiderohen me të drejtë burim kënaqësie. (Proverbat 5:18) Ndoshta një beqar ose beqare po vazhdon të luftojë me dëshirat seksuale, edhe pse e ka kaluar atë që Bibla e quan ‘lulja e rinisë’, domethënë periudhën kur këto dëshira bëhen të forta. Po të mos mbahen nën kontroll, dëshira të tilla mund të çojnë në sjellje të papastër ose të papërshtatshme. Prandaj, nën frymëzim Pavli shkroi këtë këshillë për beqarët: «Nëse nuk kanë vetëkontroll, le të martohen, sepse është më mirë të martohesh, se të digjesh nga pasioni.»​​—1 Korintasve 7:​9, 36; Jakovi 1:15.

8 Kushdo që martohet duhet të jetë realist, pavarësisht nga arsyet që e shtyjnë të marrë këtë hap. Siç u shpreh Pavli, ata që martohen «do të kenë shtrëngim në mish». (1 Korintasve 7:28) Të martuarit hasin sfida që beqarët nuk i kanë. Por, si t’i pakësosh në minimum sfidat dhe të kesh më shumë bekime, nëse vendos të martohesh? Një mënyrë është ta zgjedhësh me mençuri gruan ose burrin.

 KUSH DO TË ISHTE GRUAJA OSE BURRI I DUHUR?

9, 10. (a) Si e ilustroi Pavli rrezikun e lidhjeve të ngushta me jobesimtarët? (b) Ç’pasoja vijnë shpesh kur shpërfillet këshilla e Perëndisë për të mos u martuar me një jobesimtar?

9 Nën frymëzim, Pavli shkroi një parim themelor që duhet zbatuar kur zgjedh me kë të martohesh: «Mos u futni nën të njëjtën zgjedhë me jobesimtarët.» (2 Korintasve 6:14) Ai e mori ilustrimin nga bujqësia. Po të vihen nën një zgjedhë dy kafshë që kanë përmasa ose fuqi të ndryshme, do të vuajnë të dyja. Po ashtu, nëse lidhet në martesë një besimtar me një jobesimtar, të dy do të kenë me siguri fërkime e tensione. Nëse njëri nga bashkëshortët do që të qëndrojë në dashurinë e Jehovait, kurse tjetri as që do t’ia dijë për këtë, s’do të kenë të njëjtat përparësi në jetë e kjo do t’u sjellë shumë vuajtje. Prandaj, Pavli i nxiti të krishterët të martohen «vetëm në Zotërinë».​​—1 Korintasve 7:39.

10 Në disa raste, të krishterët beqarë kanë arritur në përfundimin se edhe martesa me dikë që s’është Dëshmitar, do të ishte më mirë sesa vetmia që po ndiejnë. Disa e shpërfillin këshillën e Biblës dhe martohen me dikë që nuk i shërben Jehovait. Mirëpo, shpesh rezultatet janë të trishtueshme. Pas martesës zbulojnë se me gruan ose burrin që kanë marrë, nuk mund të ndajnë dot gjërat më të rëndësishme të jetës. Vetmia që vjen si pasojë, mund të jetë edhe më e madhe se ajo që provonin kur ishin beqarë. Por kënaqemi që dhjetëra mijë të krishterë beqarë kanë besim te këshillat e Perëndisë për këtë çështje dhe i zbatojnë ato me besnikëri. (Lexo Psalmin 32:8.) Ndonëse shpresojnë të martohen një ditë, presin derisa të gjejnë dikë që adhuron Perëndinë Jehova.

11. Çfarë do të të ndihmojë ta zgjedhësh me mençuri gruan a burrin? (Shih edhe kutinë « Çfarë kërkoj te një bashkëshort?».)

11 Sigurisht, jo çdo shërbëtor i Jehovait është automatikisht bashkëshort i përshtatshëm. Nëse po mendon të  martohesh, kërko dikë me të cilin të përputhet personaliteti dhe synimet frymore e që ka të njëjtën dashuri për Perëndinë si ti. Skllavi i besueshëm dhe i matur ka botuar shumë materiale për këtë argument, kështu që bën mirë t’i shqyrtosh ato këshilla biblike, të lutesh për to e t’i lësh të të drejtojnë për këtë vendim të rëndësishëm. *​​—Lexo Psalmin 119:105.

12. Cili zakon për martesën ekziston në mjaft vende dhe cili shembull biblik mund të na drejtojë në këtë aspekt?

12 Në mjaft vende është zakon që fëmijëve t’ua zgjedhin prindërit burrin a gruan. Në këto kultura, në përgjithësi pranohet se prindërit kanë më shumë mençuri e përvojë për të marrë këtë vendim kaq të rëndësishëm. Shpesh martesat me mblesëri janë të suksesshme, siç ishin në kohët biblike. Prindërit që duhet të marrin vendime të tilla, do të gjejnë informacione të dobishme duke shqyrtuar shembullin e Abrahamit që dërgoi shërbëtorin e vet t’i gjente nuse për Isakun. Abrahami nuk shqetësohej për paratë apo për pozitën shoqërore. Përkundrazi, bëri çmos t’i gjente Isakut nuse mes adhuruesve të Jehovait. *​​—Zanafilla 24:​3, 67.

SI TË PËRGATITESH PËR NJË MARTESË TË SUKSESSHME?

13-15. (a) Pse një i ri që po mendon të martohet duhet të shqyrtojë parimin që gjendet te Proverbat 24:27? (b) Ç’mund të bëjë një e re për t’u përgatitur për martesën?

13 Nëse po mendon seriozisht për martesën, duhet të pyesësh veten: ‘A jam vërtet gati?’ Përgjigjja nuk varet  vetëm nga ndjenjat e tua për dashurinë, seksin, shoqërinë ose rritjen e fëmijëve. Përkundrazi, duhet të mendosh për përgjegjësitë specifike që do të kesh si bashkëshort.

14 Një i ri që do të martohet, duhet të mendojë me kujdes për këtë parim: «Vër në vijë punët që ke jashtë dyerve dhe bëj gati arën. Pastaj, ndërto shtëpinë tënde.» (Proverbat 24:27) Cili është thelbi? Në ato ditë, nëse një burrë donte të ngrinte familje, duhej të pyeste veten: ‘A jam në gjendje të mbaj gruan dhe fëmijët që mund të na lindin, e të kujdesem për ta?’ Fillimisht ai duhej të punonte, të kujdesej për arën ose të korrat. I njëjti parim zbatohet edhe sot. Një burrë që do të martohet, duhet të përgatitet të marrë përsipër këtë përgjegjësi, sepse, derisa të ketë fuqi e shëndet, do t’i duhet të punojë për familjen. Fjala e Perëndisë tregon se një burrë që nuk kujdeset për nevojat fizike, emocionale dhe frymore të familjes së tij, është më keq se një njeri pa besim.​​—Lexo 1 Timoteut 5:8.

15 Edhe një e re që vendos të martohet, po pranon të marrë mbi supe disa përgjegjësi të mëdha. Bibla ngre lart disa aftësi e cilësi që i duhen gruas për të ndihmuar të shoqin e për t’u kujdesur për shtëpinë. (Proverbat 31:​10-31) Burrat dhe gratë që nxitojnë të martohen pa qenë gati të përmbushin përgjegjësitë e martesës, në fakt po tregohen egoistë, sepse nuk po mendojnë ç’mund t’i japin tjetrit. Mbi të gjitha, ata që po mendojnë të martohen, duhet të jenë të përgatitur frymësisht.

16, 17. Për cilat parime biblike duhet të meditojnë ata që po përgatiten për martesën?

16 Përgatitja për martesën përfshin meditimin për rolet që Perëndia i ka caktuar burrit dhe gruas. Një burrë duhet të dijë ç’do të thotë të jesh kreu i një familjeje të krishterë.  Ky rol s’i jep të drejtën të sillet me tirani. Përkundrazi, ai duhet të imitojë mënyrën si e ushtron kryesinë Jezui. (Efesianëve 5:23) Po ashtu, një e krishterë duhet të kuptojë rolin dinjitoz që do të ketë si grua. A do të jetë e gatshme t’i nënshtrohet ‘ligjit të burrit të saj’? (Romakëve 7:2) Ajo tashmë është nën ligjin e Jehovait dhe të Krishtit. (Galatasve 6:2) Autoriteti i të shoqit në shtëpi përbën një ligj tjetër. A do të mund ta mbështetë dhe t’i nënshtrohet autoritetit të një njeriu të papërsosur? Në qoftë se kjo ide s’i pëlqen shumë, më mirë të mos martohet.

17 Më tej, secili bashkëshort duhet të jetë gati të kujdeset për nevojat e veçanta të tjetrit. (Lexo Filipianëve 2:4.) Pavli shkroi: «Secili nga ju ta dojë gruan si veten, dhe gruaja duhet të ketë respekt të thellë për burrin e saj.» Nën frymëzim nga Perëndia, Pavli kuptoi se burri ka nevojë sidomos të ndiejë se e shoqja e respekton thellësisht. Kurse gruaja ka nevojë sidomos të ndiejë se i shoqi e do.​​—Efesianëve 5:​21-33.

Me mençuri, shumë çifte marrin me vete një të tretë kur shoqërohen për t’u njohur

18. Pse çiftet duhet të tregojnë vetëkontroll kur shoqërohen për t’u njohur?

18 Pra, kur një çift shoqërohet për t’u njohur, nuk e bën këtë thjesht për qejf. Në këtë periudhë ata do të mësojnë të sillen siç duhet me njëri-tjetrin dhe do të kuptojnë nëse martesa do të ishte zgjedhje e mençur për ta. Gjithashtu, në këtë periudhë duhet të tregojnë vetëkontroll. Tundimi për t’u afruar tepër fizikisht mund të jetë shumë i fortë. Në fund të fundit tërheqja fizike është e natyrshme. Por, ata që e duan vërtet njëri-tjetrin, do t’i shmangin këto veprime që mund ta dëmtojnë frymësisht atë që duan. (1 Selanikasve 4:6) Pra, nëse po njihesh me një djalë a me një vajzë, trego vetëkontroll. Kjo cilësi do të të vlejë gjithë jetën, pavarësisht nëse martohesh ose jo.

 SI TA BËSH TË QËNDRUESHME MARTESËN?

19, 20. Si duhet të ndryshojë pikëpamja e një të krishteri për martesën nga pikëpamja që kanë shumë veta sot? Ilustroje.

19 Çiftet që duan ta bëjnë të qëndrueshme martesën, duhet të kenë pikëpamjen e duhur për zotimin që kanë marrë. Nëpër filma e romane, shpesh martesa është fundi i lumtur që ëndërrojnë të gjithë. Kurse në jetën e vërtetë, martesa s’është fundi, por fillimi i diçkaje që Jehovai e projektoi të zgjaste. (Zanafilla 2:24) Mjerisht, sot në përgjithësi nuk mbizotëron kjo pikëpamje. Në disa vende njerëzit e shohin martesën si një «nyjë» që lidh dy veta. Ndoshta s’e kuptojnë sa mirë e përshkruan ky ilustrim pikëpamjen që mbizotëron për martesën. Pse e themi këtë? Sepse, ndonëse një nyjë e mirë duhet të mbajë për aq kohë sa të jetë e nevojshme, diçka tjetër e domosdoshme është që nyja të lidhet e të zgjidhet me lehtësi.

20 Pra, sot shumë veta e shohin martesën si të përkohshme. Hyjnë në të fare kollaj se mendojnë që do t’u shërbejë nevojave të tyre, por duan të ndihen të lirë të dalin prej saj sapo gjërat të vështirësohen paksa. Megjithatë, kujto ilustrimin me litarin, që Bibla e përdor për një lidhje si martesa. Litarët e anijeve bëhen enkas që të rrojnë, të mos konsumohen e të mos shpërdridhen asnjëherë, as në stuhitë më të mëdha. Po kështu, martesa është projektuar që t’i qëndrojë kohës. Jezui tha: «Atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.» (Mateu 19:6) Në qoftë se martohesh, duhet të kesh të njëjtën pikëpamje për martesën. A e rëndon martesën ky lloj zotimi? Jo.

21. Cilën pikëpamje duhet të kenë për njëri-tjetrin burri dhe gruaja e ç’mund t’i ndihmojë?

21 Burri dhe gruaja duhet të mbajnë pikëpamjen e duhur për njëri-tjetrin. Kur secili bën çmos të përqendrohet te cilësitë e mira dhe te përpjekjet e tjetrit, martesa do të  jetë burim gëzimi e freskie. A po tregohesh jorealist duke pasur këtë pikëpamje pozitive për bashkëshortin, që gjithsesi është i papërsosur? Po ta mendosh, Jehovai s’është kurrë jorealist, e megjithatë ne shpresojmë që ai të vazhdojë të na shohë me sy të mirë. Psalmisti pyeti: «Po t’i mbaje sytë te fajet, o Jah, o Jehova, kush do të mbetej në këmbë?» (Psalmi 130:3) Burrat dhe gratë duhet të kenë një pikëpamje të tillë pozitive, si dhe prirjen të falin njëri-tjetrin.​​—Lexo Kolosianëve 3:13.

22, 23. Çfarë shembulli të mirë lanë Abrahami dhe Sara për çiftet e martuara?

 22 Martesa mund të sjellë edhe më tepër kënaqësi e lumturi kur qëndron e fortë për vite me radhë. Bibla na flet për martesën e Abrahamit dhe të Sarës në një kohë kur ata ishin të moshuar. Jeta e tyre nuk shkonte gjithnjë vaj, pa vështirësi e sfida. Mendo si duhet të jetë ndier Sara, atëherë ndoshta në të 60-at, kur la shtëpinë e rehatshme në qytetin e begatë të Urit për ta kaluar pjesën tjetër të jetës nëpër tenda. E megjithatë, ajo iu nënshtrua kryesisë së të shoqit. Ishte një plotësuese dhe një ndihmëse e vërtetë për Abrahamin dhe me respekt e ndihmoi që vendimet e tij të kishin sukses. Por nënshtrimi i saj s’ishte sipërfaqësor. Edhe kur fliste «me vete», ajo e quante burrin e saj «zotëria im». (Zanafilla 18:12; 1 Pjetrit 3:6) Respekti për Abrahamin i buronte nga zemra.

23 Natyrisht, kjo s’do të thotë se Abrahami dhe Sara i shihnin gjithmonë njësoj gjërat. Një herë ajo sugjeroi diçka që «nuk i pëlqeu» Abrahamit. Gjithsesi, pas udhëzimit që i dha Jehovai, Abrahami me përulësi e dëgjoi zërin e të shoqes, që më vonë doli një bekim për familjen. (Zanafilla 21:​9-13) Bashkëshortët mund të mësojnë shumë nga ky çift me frikë Perëndie, edhe nëse kanë dhjetëra vjet që janë martuar.

24. Ç’lloj martese e nderon Perëndinë Jehova dhe pse?

24 Në kongregacionin e krishterë ka me mijëra martesa të lumtura, në të cilat gruaja e respekton thellësisht të shoqin, burri e do dhe e nderon të shoqen dhe të dy bashkëpunojnë për të bërë vullnetin e Jehovait para çdo gjëje tjetër. Nëse vendos të martohesh, urojmë ta zgjedhësh me mençuri gruan ose burrin, të përgatitesh mirë për martesën dhe të punosh që të kesh një martesë paqësore e të dashur, që i sjell nder Perëndisë Jehova. Atëherë martesa me siguri do të të ndihmojë të qëndrosh në dashurinë e Perëndisë.

^ par. 11 Shih kapitullin 2 të librit Sekreti i lumturisë familjare, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 12 Disa patriarkë besnikë kishin më shumë se një grua. Në epokën e patriarkëve dhe të kombit të Izraelit, Jehovai e toleroi poligaminë. Nuk e vendosi ai, por gjithsesi dha disa rregulla për ta kontrolluar. Megjithatë, të krishterët mbajnë parasysh se Jehovai nuk e lejon më poligaminë mes adhuruesve të tij.​—Mateu 19:9; 1 Timoteut 3:2.