«Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët e trupit tuaj në tokë në lidhje me kurvërinë [imoralitetin seksual], ndyrësinë, urinë seksuale, dëshirat e dëmshme dhe lakminë, që është idhujtari.»​​—KOLOSIANËVE 3:5.

1, 2. Ç’plan bëri Balaami për të dëmtuar popullin e Jehovait?

PESHKATARI shkon në vendin e tij të preferuar. Sot ka ndër mend të gjuajë një lloj të veçantë peshku. Zgjedh karremin, e vë në grep dhe e hedh në ujë. Pak më vonë, filli tendoset, kallami përkulet dhe ai nis ta tërheqë. Vë buzën në gaz, sepse e di që ka zgjedhur karremin e duhur.

2 Në mënyrë të ngjashme, në vitin 1473 p.e.s., një njeri me emrin Balaam u mendua shumë për të zgjedhur një karrem. Vetëm se gjahu që donte të ndillte, ishte populli i Perëndisë që po fushonte në rrafshinat e Moabit, në kufi me Tokën e Premtuar. Balaami pretendonte se ishte profet i Jehovait, por s’ishte veçse një njeri lakmitar, i paguar që të mallkonte Izraelin. Gjithsesi, me ndërhyrjen e Jehovait, Balaami vetëm sa e bekoi Izraelin. Mirëpo, ai e donte me çdo kusht shpërblimin që i kishin premtuar. Kështu, arsyetoi se ndoshta mund ta shtynte vetë Perëndinë të mallkonte popullin e tij, nëse arrinte t’i tundonte që të kryenin një mëkat të rëndë. Me këtë në mendje, Balaami hodhi karremin, që në këtë rast ishin gratë joshëse të Moabit.​—Numrat 22:​1-7; 31:​15, 16; Zbulesa 2:14.

3. Sa sukses pati strategjia e Balaamit?

3 A funksionoi kjo strategji? Deri në njëfarë pike, po. Dhjetëra mijë burra izraelitë iu dorëzuan tundimit dhe kryen imoralitet seksual me bijat e Moabit. Madje nisën të adhuronin  perënditë e Moabit, ndër të cilët edhe Baalin e Peorit, perëndinë e neveritshëm të pjellorisë ose të seksit. Si pasojë, 24.000 izraelitë humbën jetën pikërisht në kufirin e Tokës së Premtuar. Sa tragjedi e madhe!​—Numrat 25:​1-9.

4. Pse ranë pre e imoralitetit mijëra izraelitë?

4 Si arriti puna deri në këtë pikë? Shumë veta kishin zhvilluar një zemër të ligë duke u larguar nga Jehovai, po ai Perëndi që i kishte çliruar nga Egjipti, i kishte ushqyer në shkretëtirë dhe i kishte çuar shëndoshë e mirë deri në kufi të tokës që u kishte premtuar. (Hebrenjve 3:12) Duke medituar për këtë ngjarje, apostulli Pavël shkroi: «As të mos praktikojmë kurvërinë [imoralitetin seksual], sikurse kryen kurvëri disa nga ata, vetëm për të rënë të vdekur njëzet e tre mijë veta në një ditë.» *​—1 Korintasve 10:8.

5, 6. Pse ka vlerë për ne sot tregimi për mëkatin e Izraelit në rrafshinat e Moabit?

5 Në tregimin e Numrave ka shumë mësime të rëndësishme për shërbëtorët e Perëndisë sot, të cilët janë në prag të një toke të premtuar ku e ku më të madhe. (1 Korintasve  10:11) Për shembull, kjo botë e fiksuar pas seksit pasqyron frymën që kishin moabitët e lashtë, por në shkallë më të gjerë. Gjithashtu, çdo vit mijëra të krishterë bien pre e imoralitetit, të njëjtit karrem me të cilin u joshën izraelitët. (2 Korintasve 2:11) Veç kësaj, disa që shoqërohen me popullin e Perëndisë veprojnë tamam si Zimri, i cili me paturpësinë më të madhe shëtiti me një grua midianite përmes kampit izraelit dhe e çoi në tendën e tij. Këta kanë ndikim korruptues në kongregacionin e krishterë.​—Numrat 25:​6, 14; Juda 4.

6 A e sheh veten në rrethana të ngjashme me ato në rrafshinat e Moabit? Arrin ta shohësh çmimin, botën e re që e presim nga shumë kohë? Nëse po, atëherë bëj gjithë ç’ke në dorë që të qëndrosh në dashurinë e Perëndisë, duke i vënë veshin urdhrit: «Ikni nga kurvëria [imoraliteti seksual]!»​—1 Korintasve 6:18.

Pamje nga rrafshinat e Moabit

ÇFARË ËSHTË IMORALITETI SEKSUAL?

7, 8. Çfarë është «kurvëria» dhe si korr atë që mbjell kush e praktikon?

7 Në Bibël, «kurvëria», pra imoraliteti seksual, (greqisht porneia) përfshin marrëdhëniet seksuale të paligjshme të kryera jashtë martesës së vlefshme sipas Biblës. Përfshin kurorëshkeljen, prostitucionin dhe marrëdhëniet seksuale mes dy të pamartuarve, si dhe seksin oral e anal, apo edhe manipulimin seksual të organeve gjinore të dikujt me të cilin ai ose ajo s’është martuar. Përfshin edhe veprime të tilla mes njerëzve të të njëjtit seks, si dhe marrëdhëniet me kafshët. *

8 Shkrimet flasin qartë: ata që praktikojnë kurvërinë, pra imoralitetin seksual, nuk mund të qëndrojnë në kongregacionin e krishterë dhe nuk do të marrin jetën e përhershme. (1 Korintasve  6:9; Zbulesa 22:15) Për më tepër, që tani pësojnë shumë dëme, sepse humbasin besimin e të tjerëve dhe respektin për veten, kanë probleme martesore, ndërgjegje të trazuar, shtatzëni të padëshiruara, sëmundje e madje edhe mund të vdesin. (Lexo Galatasve 6:​7, 8.) A ka kuptim t’i hysh kësaj rruge të mbushur nga të katër anët me mjerime të panumërta? E megjithatë, mjerisht shumë veta nuk mendojnë kaq gjatë kur hedhin hapin e parë të gabuar, që shpesh është pornografia.

HAPI I PARË, PORNOGRAFIA

9. A është e pafajshme pornografia, siç thonë disa? Shpjego.

9 Në shumë vende, pornografisë i bëhet reklamë nëpër stendat e gazetave, në muzikë e në televizion, për të mos folur për Internetin që është i mbushur plotpërplot. * A është e pafajshme siç thonë disa? As që bëhet fjalë! Ata që shohin pornografi, mund të nisin vesin e masturbimit dhe të ushqejnë «uri të turpshme seksuale», që u shkakton mani për seksin, dëshira të degjeneruara, probleme të rënda martesore e madje edhe divorc. * (Romakëve 1:​24-27; Efesianëve 4:19) Një studiues në këtë fushë, e ka krahasuar maninë për seksin me kancerin. Ai thotë: «Është diçka që rritet e përhapet vazhdimisht. Rrallëherë pakësohet dhe është shumë e vështirë ta kurosh e ta shërosh.»

Është e mençur që Interneti të përdoret vetëm në një hapësirë të përbashkët të shtëpisë

10. Si mund ta zbatojmë parimin që gjejmë te Jakovi 1:​14, 15? (Shih edhe « Gjeta forcë për të qenë i pastër moralisht».)

10 Shqyrto fjalët që gjejmë te Jakovi 1:​14, 15: «Secili sprovohet, i tërhequr dhe i joshur nga dëshira e vet. Pastaj dëshira, si bëhet pjellore, lind mëkatin, dhe mëkati, pasi kryhet,  sjell vdekjen.» Pra, nëse të kalon nëpër mendje një dëshirë e keqe, menjëherë bëj diçka për ta hequr që andej! Për shembull, nëse sheh pa dashje pamje erotike, hiqi sytë menjëherë, fike kompjuterin ose ndërro kanalin. Bëj ç’të jetë e nevojshme që të mos biesh pre e një dëshire imorale, para se ajo të përhapet me të shpejtë e të të mposhtë.​​—Lexo Mateun 5:​29, 30.

11. Si mund ta tregojmë besimin te Jehovai kur luftojmë me dëshirat e gabuara?

11 Ai që na njeh më mirë se ç’e njohim veten, ka arsye të fortë që na bën thirrje: «Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët e trupit tuaj në tokë në lidhje me kurvërinë [imoralitetin seksual], ndyrësinë, urinë seksuale, dëshirat e dëmshme dhe lakminë, që është idhujtari.» (Kolosianëve 3:5) Vërtet që kjo mund të jetë një sfidë, por mos harro se kemi një Atë qiellor të dashur e  të durueshëm, të cilit mund t’i kërkojmë ndihmë. (Psalmi 68:19) Prandaj, menjëherë lutju atij kur të vijnë mendime të gabuara. Lutu që të kesh ‘fuqi përtej asaj që është normale’ dhe pastaj detyroje mendjen të përqendrohet në gjëra të tjera.​​—2 Korintasve 4:7; 1 Korintasve 9:27; shih kutinë « Si të heq një ves që kam?».

12. Çfarë është ‘zemra’ dhe pse duhet ta ruajmë?

12 Solomoni i mençur shkroi: «Më shumë se gjithçka tjetër që duhet ruajtur, ruaj zemrën, sepse prej saj dalin burimet e jetës.» (Proverbat 4:23) ‘Zemra’ i referohet tërësisë së ndjenjave dhe motiveve tona, njeriut që jemi vërtet në sytë e Perëndisë. Nëse do të marrim ose jo jetën e përhershme, këtë e përcakton vlerësimi që i bën Perëndia ‘zemrës’ sonë, jo ajo që mund të dukemi në sytë e të tjerëve. Është kaq e thjeshtë dhe kaq serioze njëkohësisht. Jobi besnik bëri një besëlidhje ose marrëveshje me sytë e tij, që të mos e shihte në mënyrë të papërshtatshme një grua. (Jobi 31:1) Sa shembull i shkëlqyer për ne! Edhe psalmisti ishte në të njëjtën mendje dhe u lut: «M’i largo sytë nga gjërat e kota.»​​—Psalmi 119:37.

ZGJEDHJA E PAMEND E DINËS

13. Kush ishte Dina dhe pse u tregua e pamend kur zgjodhi shoqërinë?

13 Siç e pamë në kapitullin 3, shokët mund të ndikojnë fuqimisht te ne, për mirë ose për keq. (Proverbat 13:20; lexo 1 Korintasve 15:33.) Këtë e kuptojmë nga shembulli i Dinës, vajzës së patriarkut Jakob. Edhe pse u rrit në familje të mirë, Dina u tregua e pamend dhe zuri shoqëri me disa kananite. Ashtu si moabitët, edhe kananitët ishin me nam si imoralë. (Levitiku 18:​6-25) Në sytë e burrave kananitë, ndër ta edhe Sikemi, «më i nderuari» në shtëpinë e atit të tij, Dina dukej sikur po i kërkonte vetë propozimet seksuale.​​—Zanafilla 34:​18, 19.

14. Si çoi në tragjedi shoqëria që zgjodhi Dina?

 14 Me siguri Dina nuk kishte ndër mend marrëdhëniet seksuale kur pa Sikemin. Por ai bëri ç’do të kishin konsideruar më se të natyrshme kananitët kur u lindnin dëshirat seksuale. Sado të ketë kundërshtuar ajo në fund, s’kishte vlerë, pasi ai «e kapi» dhe «e përdhunoi». Me sa duket, më vonë Sikemi «ra në dashuri» me të, por kjo s’e ndryshoi atë që i kishte bërë. (Lexo Zanafillën 34:​1-4.) Megjithatë, Dina s’ishte e vetmja që vuajti pasojat. Zgjedhja e shoqërisë së gabuar shkaktoi ngjarje që i sollën turp e çnderim gjithë familjes së saj.​​—Zanafilla 34:​7, 25-31; Galatasve 6:​7, 8.

15, 16. Si të fitojmë mençuri të vërtetë? (Shih edhe kutinë « Shkrime për meditim».)

15 Edhe sikur Dina të ketë nxjerrë ndonjë mësim të rëndësishëm, do ta ketë nxjerrë nga përvoja e hidhur. Ata që e duan Jehovain dhe i binden, s’kanë pse t’i provojnë  në shpinë mësimet e jetës. E dëgjojnë Perëndinë, prandaj zgjedhin ‘të ecin me të mençurit’. (Proverbat 13:20a) Kështu arrijnë të kuptojnë «gjithë udhën e asaj që është e mirë» dhe shmangin probleme e dhembje të panevojshme.​​—Proverbat 2:​6-9; Psalmi 1:​1-3.

16 Mençurinë e Perëndisë mund ta ketë kushdo që është i etur për të dhe që e shuan këtë etje duke ngulmuar në lutje  e duke studiuar rregullisht Fjalën e tij dhe materialin që siguron skllavi i besueshëm dhe i matur. (Mateu 24:45; Jakovi 1:5) Është e rëndësishme edhe përulësia, e cila duket nga gatishmëria për të zbatuar këshillat e Biblës. (2 Mbretërve 22:​18, 19) Për shembull, një i krishterë ndoshta e pranon në parim se zemra e tij mund të jetë e pabesë dhe e rrezikshme. (Jeremia 17:9) Por, kur e do situata, a është aq i përulur sa të pranojë këshillat specifike e të dashura që i jepen, si dhe ndihmën që i ofrohet?

17. Përshkruaj një situatë që mund të lindë në një familje dhe trego si mund të arsyetojë babai me të bijën.

17 Përfytyro këtë situatë. Një baba nuk e lë të bijën të dalë vetëm me një djalë të krishterë, pa një shoqërues. Vajza i thotë: «Babi, po s’ke besim tek unë? S’do bëjmë asgjë të keqe!» Ajo mund ta dojë Jehovain dhe të ketë qëllime shumë të mira, por a po ecën «me mençuri [hyjnore]»? A po ‘ikën nga imoraliteti seksual’? Ose në mënyrë të pamend po «i zë besë zemrës së vet»? (Proverbat 28:26) Ndoshta ty të vijnë ndër mend edhe parime të tjera që do ta ndihmonin babanë dhe vajzën e tij të arsyetonin për këtë çështje.​​—Shih Proverbat 22:3; Mateun 6:13; 26:41.

JOZEFI IKU NGA IMORALITETI SEKSUAL

18, 19. Ç’tundim pati Jozefi në jetë dhe si veproi?

18 Një i ri i mrekullueshëm që e donte Perëndinë dhe që iku nga imoraliteti seksual, ishte Jozefi, vëllai i Dinës nga babai. (Zanafilla 30:​20-24) Që fëmijë, Jozefi i pa me sytë e tij pasojat e marrëzisë së motrës së vet. Pa dyshim, këto kujtime, si dhe dëshira që të qëndronte në dashurinë e Perëndisë, e mbrojtën Jozefin vite më vonë në Egjipt kur e shoqja e pronarit përpiqej ta joshte «ditë për ditë». Natyrisht, duke qenë skllav, Jozefi s’mund të jepte një letër dorëheqjeje e të ikte nga ajo shtëpi. Prandaj, duhej ta trajtonte këtë situatë me mençuri e me guxim. E kështu bëri, duke  i thënë herë pas here jo gruas së Potifarit, e në fund duke ia mbathur prej saj.​​—Lexo Zanafillën 39:​7-12.

19 Mendo sikur Jozefi të kishte fantazuar për atë grua ose ta kishte pasur zakon të shihte ëndrra me sy hapur për seksin. A do të kishte arritur të mbante integritetin? Ka shumë të ngjarë që jo. Por Jozefi nuk bluante mendime mëkatare. Ai e vlerësonte marrëdhënien e tij me Jehovain, siç duket nga fjalët që i tha gruas së Potifarit: «Imzot... s’më ka mbajtur asgjë tjetër, veç teje, sepse ti je gruaja e tij. Prandaj, si mund ta bëj këtë të keqe të madhe e të mëkatoj kundër Perëndisë?»​​—Zanafilla 39:​8, 9.

20. Si i rregulloi Jehovai gjërat në rastin e Jozefit?

20 Mendo ç’gëzim duhet të ketë ndier Jehovai kur ka parë Jozefin e ri që ishte larg familjes e megjithatë i rrinte besnik atij ditë për ditë! (Proverbat 27:11) Më vonë, Jehovai i rregulloi gjërat që Jozefin jo vetëm ta lironin nga burgu, por edhe ta bënin kryeministër të Egjiptit, si dhe administrator të ushqimit. (Zanafilla 41:​39-49) Sa të vërteta janë fjalët e Psalmit 97:10: «Ju që doni Jehovain, urreni të keqen. Ai e ruan shpirtin e besnikëve të tij, dhe i çliron nga dora e të ligjve.»

21. Si tregoi vendosmëri morale një vëlla i ri nga një vend afrikan?

21 Edhe sot, shumë shërbëtorë të Perëndisë tregojnë se ‘e urrejnë të keqen dhe e duan të mirën’. (Amosi 5:15)  Një vëlla në moshë të re në një vend afrikan kujton se si një shoqe e klasës me paturpësi i tha se, po ta ndihmonte në provimin e matematikës, ajo do t’ia shpërblente me marrëdhënie seksuale. «Menjëherë e refuzova propozimin e saj,​​—thotë ai.​—​Duke qëndruar besnik, kam ruajtur dinjitetin dhe respektin për veten, që janë më të çmuara se çdo gjë tjetër për mua.» Po, mëkati mund të sjellë ‘kënaqësi të përkohshme’, por shpesh këto emocione të çastit sjellin tërë ato dhembje. (Hebrenjve 11:25) Për më tepër, janë të papërfillshme në krahasim me lumturinë jetëgjatë që kemi kur i bindemi Jehovait.​​—Proverbat 10:22.

PRANO NDIHMËN E PERËNDISË SË MËSHIRSHËM

22, 23. (a) Pse situata nuk është e pashpresë, nëse një i krishterë mëkaton rëndë? (b) Nga ndihma e kujt mund të përfitojë ai që ka mëkatuar?

22 Si të papërsosur, të gjithë luftojmë që të mposhtim dëshirat mëkatare e të bëjmë ç’është e drejtë në sytë e Perëndisë. (Romakëve 7:​21-25) Jehovai e di këtë dhe «nuk harron që jemi pluhur». (Psalmi 103:14) Por, nganjëherë, një i krishterë mund të mëkatojë rëndë. A është e pashpresë situata e tij? Aspak! Kuptohet, keqbërësi mund të korrë pasoja të hidhura, siç ndodhi me mbretin David. Megjithatë, Perëndia është gjithnjë ‘gati të falë’ ata që e kanë ndërgjegjen të vrarë dhe që ‘i rrëfejnë’ mëkatet.​​—Psalmi 86:5; Jakovi 5:16; lexo Proverbat 28:13.

23 Veç kësaj, me dashamirësi Perëndia i ka dhënë kongregacionit të krishterë «dhurata në njerëz», domethënë barinj të pjekur që janë të kualifikuar e të gatshëm për të ndihmuar. (Efesianëve 4:​8, 12; Jakovi 5:​14, 15) Synimi i tyre është ta ndihmojnë mëkatarin të rregullojë marrëdhënien me Perëndinë dhe, si tha njeriu i mençur, ‘të fitojë një zemër me kuptueshmëri’ që të mos e përsëritë mëkatin.​​—Proverbat 15:32.

 ‘FITO NJË ZEMËR ME KUPTUESHMËRI’

24, 25. (a) Si tregoi djali i ri i përshkruar te Proverbat 7:​6-23 se kishte ‘zemër pa gjykim të mirë’? (b) Si mund ‘të fitojmë një zemër me kuptueshmëri’?

24 Bibla flet për njerëz që kanë një ‘zemër pa gjykim të mirë’ dhe për të tjerë që ‘fitojnë një zemër me kuptueshmëri’. (Proverbat 7:7) Meqë s’i kupton plotësisht mendimet e Perëndisë dhe s’ka përvojë në shërbim të Tij, ai që ka një ‘zemër pa gjykim të mirë’, mund të mos ketë aftësi dalluese. Ashtu si djali i ri i përshkruar te Proverbat 7:​6-23, mund të bjerë më kollaj pre e mëkatit të rëndë. Kurse, ai që «fiton një zemër me kuptueshmëri» e analizon seriozisht botën e tij të brendshme, duke e studiuar rregullisht Fjalën e Perëndisë e duke u lutur. Dhe për sa mund të bëjë si i papërsosur, i përputh mendimet, dëshirat, ndjenjat dhe synimet e tij me atë që miraton Perëndia. Kështu «do shpirtin e vet», pra i sjell bekime vetes, dhe «ka për të gjetur mirë».​​—Proverbat 19:8.

25 Pyet veten: ‘A jam plotësisht i bindur se normat e Perëndisë janë të drejta? A kam besim të plotë se po t’i zbatoj ato, do të kem më tepër lumturi?’ (Psalmi 19:​7-10; Isaia 48:​17, 18) Nëse ke qoftë edhe dyshimin më të vogël, bëj diçka për ta rregulluar. Medito për pasojat që vijnë po të shpërfillësh ligjet e Perëndisë. Veç kësaj, ‘provo dhe shijo se sa i mirë është Jehovai’ duke e jetuar të vërtetën dhe duke e mbushur mendjen me gjëra të vërteta, të drejta, të dëlira, të dashura e të virtytshme. (Psalmi 34:8; Filipianëve 4:​8, 9) Të jesh i sigurt se sa më shumë ta bësh këtë, aq më shumë do ta duash Perëndinë, do të duash gjërat që do ai dhe do të urresh ato që urren ai. Jozefi s’ishte mbinjeri, e megjithatë arriti ‘të ikte nga imoraliteti seksual’, sepse lejoi që Jehovai ta modelonte gjatë viteve dhe t’i jepte një zemër me kuptueshmëri. Urojmë të jetë kështu edhe për ty.​​—Isaia 64:8.

26. Cila temë e rëndësishme do të shqyrtohet më tej?

 26 Krijuesi ynë i formoi organet e riprodhimit jo si lodra për t’u argëtuar, por që të kemi pasardhës e të gëzojmë intimitet brenda martesës. (Proverbat 5:18) Në dy kapitujt vijues do të shqyrtohet pikërisht pikëpamja e Perëndisë për martesën.

^ par. 4 Shifra që jepet te Numrat, me sa duket përfshin «krerët» e popullit që u ekzekutuan nga gjykatësit, numri i të cilëve mund të ketë qenë deri në 1.000 burra, si dhe ata që u ekzekutuan drejtpërdrejt nga Jehovai.​​—Numrat 25:​4, 5.

^ par. 7 Për domethënien e ndyrësisë dhe të sjelljes së pafytyrë, shih «Pyetje nga lexuesit» në Kullën e Rojës, 15 korrik 2006, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 9 «Pornografia» këtu i referohet paraqitjes me piktura, figura, me shkrim ose me zë të materialit erotik që ka si qëllim të shkaktojë epsh. Pornografia mund të nisë që nga figura e një njeriu në pozë erotike e deri te përshkrimet e akteve seksuale nga më të ndyrat e të paturpshmet, mes dy a më shumë individëve.

^ par. 9 Për masturbimin flitet te Shtojca «Mposhte vesin e masturbimit!».