Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 KAPITULLI I NJËMBËDHJETË

Pse i lejon Perëndia vuajtjet?

Pse i lejon Perëndia vuajtjet?
  • A i ka shkaktuar Perëndia vuajtjet që janë në botë?

  • Cila çështje u ngrit në kopshtin e Edenit?

  • Si do t’i ndreqë Perëndia dëmet që kanë ardhur nga vuajtjet njerëzore?

1, 2. Çfarë vuajtjesh kalojnë njerëzit sot dhe, si pasojë, ç’pyetje bëjnë?

NË NJË vend të shkatërruar nga lufta, pasi mbaroi një betejë e tmerrshme, mijëra gra dhe fëmijë që kishin mbetur të vrarë, i varrosën në një varr masiv, rreth të cilit vendosën kryqe të vogla. Secili prej këtyre kryqeve kishte mbishkrimin: «Pse?» Nganjëherë kjo është pyetja që të mundon më shumë. Të dëshpëruar, njerëzit e bëjnë këtë pyetje kur, për shkak të luftërave, katastrofave, sëmundjeve ose krimeve, humbasin njerëzit e afërt, shtëpinë ose provojnë vuajtje të papërshkrueshme. Duan të dinë përse u ndodhin këto tragjedi.

2 Pse i lejon Perëndia vuajtjet? Pse bota është e mbushur me kaq shumë urrejtje e padrejtësi, në qoftë se Perëndia Jehova është i plotfuqishëm, i dashur, i mençur dhe i drejtë? A i ke bërë ndonjëherë këto pyetje?

3, 4. (a) Si e kuptojmë që nuk është e gabuar të pyesim pse i lejon Perëndia vuajtjet? (b) Ç’mendon Jehovai për ligësinë e për vuajtjet?

3 Mos është e gabuar të pyesim pse i lejon Perëndia vuajtjet? Disa kanë merak se, po të bëjnë pyetje të tilla, kjo do të thotë që s’kanë shumë besim ose nuk po tregojnë respekt për Perëndinë. Mirëpo, gjatë leximit të Biblës do të shohësh se edhe njerëz të tjerë besnikë e me frikë Perëndie, bënë  pyetje të tilla. Për shembull, profeti Habakuk e pyeti Jehovain: «Përse më bën të shoh të keqen dhe vazhdon të vështrosh ligësinë? Përse para meje ka grabitje dhe dhunë, pse ka grindje dhe zënka?»Habakuku 1:3.

Jehovai do t’u japë fund të gjitha vuajtjeve

4 A e qortoi Jehovai profetin besnik Habakuk që bëri pyetje të tilla? Jo. Përkundrazi, ai i përfshiu fjalët e sinqerta të Habakukut në tregimin e frymëzuar të Biblës. Gjithashtu, Perëndia e ndihmoi t’i kuptonte më shumë dhe të kishte më tepër besim. Jehovai dëshiron të të ndihmojë edhe ty po njësoj. Mos harro se çfarë mëson Bibla: ‘Ai interesohet për ty.’ (1 Pjetrit 5:7) Perëndia e urren ligësinë dhe vuajtjet që vijnë si pasojë, shumë më tepër nga ç’mund t’i urrejë një njeri. (Isaia 55:8, 9) Po atëherë, pse ka kaq shumë vuajtje në botë?

PSE KAQ SHUMË VUAJTJE?

5. Çfarë arsyesh jepen nganjëherë për të shpjeguar pse vuajnë njerëzit, por çfarë mëson Bibla?

5 Në shumë fe, njerëzit u janë drejtuar klerikëve dhe mësuesve fetarë për të ditur pse ka kaq shumë vuajtje. Shpesh ata u thonë se ky është vullneti i Perëndisë dhe se, kohë më parë, ai përcaktoi çdo gjë që do të ndodhte, përfshirë  edhe ngjarjet tragjike. Ata thonë se rrugët e Perëndisë janë të mistershme ose që ai i bën të vdesin njerëzit, madje edhe fëmijët, që t’i marrë me vete në qiell. Por, siç ke mësuar, Perëndia Jehova nuk shkakton kurrë gjëra të liga. Bibla thotë: «Larg qoftë që Perëndia i vërtetë të veprojë me ligësi, që i Plotfuqishmi të veprojë me padrejtësi!»Jobi 34:10.

6. Pse shumë njerëz ia hedhin fajin Perëndisë për vuajtjet?

6 A e di pse njerëzit pa të drejtë ia hedhin fajin Perëndisë për vuajtjet që ka në botë? Në shumë raste, ata bëjnë me faj Perëndinë e Plotfuqishëm se mendojnë që në këtë botë sundon ai. Nuk dinë një të vërtetë që mëson Bibla, një të vërtetë të thjeshtë, por të rëndësishme. Këtë të vërtetë e ke mësuar në kapitullin e tretë të këtij libri: sundimtari i kësaj bote është Satana Djalli.

7, 8. (a) Si e pasqyron bota personalitetin e sundimtarit të saj? (b) Si kanë ndikuar papërsosmëria njerëzore dhe ‘kohët e vështira e ngjarjet e paparashikuara’, për t’i shtuar vuajtjet?

7 Bibla e thotë qartë: «E gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut.» (1 Gjonit 5:19) A nuk është e arsyeshme një gjë e tillë? Kjo botë pasqyron personalitetin e krijesës së padukshme frymore që po «mashtron gjithë tokën e banuar». (Zbulesa 12:9) Satanai është i lig, mashtrues e mizor. Prandaj, nën ndikimin e tij, kjo botë është plot me ligësi e urrejtje, mashtrime e mizori. Kjo është një nga arsyet pse ka kaq shumë vuajtje.

8 Arsyen e dytë e kemi shpjeguar po në kapitullin e tretë: që nga koha e rebelimit në kopshtin e Edenit, njerëzimi ka qenë i papërsosur e mëkatar. Njerëzit mëkatarë kanë prirjen të luftojnë për të sunduar mbi të tjerët, dhe kjo sjell si pasojë luftëra, shtypje dhe vuajtje. (Eklisiastiu 4:1; 8:9) Një arsye e tretë pse ka vuajtje lidhet me ‘kohët e vështira dhe ngjarjet e paparashikuara’. (Eklisiastiu 9:11) Në një botë ku nuk sundon Jehovai, që të siguronte mbrojtje, njerëzit mund të vuajnë sepse ndodhen në vendin e gabuar, në çastin e gabuar.

9. Pse mund të jemi të sigurt se Jehovai ka një arsye të fortë që i ka lejuar vuajtjet të vazhdojnë?

 9 Nga njëra anë, na ngushëllon mendimi që vuajtjet nuk i shkakton Perëndia. Nuk është ai përgjegjës për luftërat, krimet, shtypjen ose edhe për katastrofat natyrore që u shkaktojnë vuajtje njerëzve. Por, tani duhet të dimë një gjë tjetër: pse i lejon Jehovai gjithë këto vuajtje? Në qoftë se është i Plotfuqishmi, ai e ka forcën për t’i ndaluar ato. Atëherë, pse s’vepron? Me siguri, ky Perëndi i dashur që kemi arritur të njohim, duhet të ketë një arsye të fortë për këtë.1 Gjonit 4:8.

NGRIHET NJË ÇËSHTJE E RËNDËSISHME

10. Çfarë vuri në dyshim Satanai? Si e bëri këtë?

10 Për të kuptuar pse i lejon Perëndia vuajtjet, duhet të kthehemi prapa, në kohën kur filluan këto vuajtje. Kur Satanai i shtyu Adamin dhe Evën të shkelnin urdhrin e Jehovait, u ngrit një çështje shumë e rëndësishme. Satanai nuk vuri në dyshim fuqinë e Jehovait, pasi edhe ai e di që kjo fuqi është e pakufishme. Ai vuri në dyshim të drejtën e Jehovait për të sunduar. Duke e quajtur Perëndinë një gënjeshtar që nuk ua jep të gjitha të mirat nënshtetasve të tij, Satanai e akuzoi Jehovain se ishte një sundimtar i keq. (Zanafilla 3:2-5) La të nënkuptohej se njerëzit do të ishin më mirë po të mos i sundonte Perëndia. Ky ishte një sulm kundër sovranitetit të Jehovait, pra të drejtës së tij për të sunduar.

11. Pse nuk i shfarosi Jehovai rebelët në Eden?

11 Adami dhe Eva u rebeluan kundër Jehovait. Ishte sikur të thoshin: ‘S’kemi nevojë që Jehovai të jetë Sundimtari ynë. E dimë vetë ç’është e mirë dhe e keqe.’ Si ta zgjidhte Jehovai këtë çështje? Si t’u mësonte të gjitha krijesave të tij që kanë aftësi për të arsyetuar se rebelët e kishin gabim dhe se udha e tij është vërtet më e mira? Ndonjëri mund të thotë se Perëndia thjesht duhej t’i kishte shfarosur rebelët dhe t’ia kishte nisur edhe një herë nga e para. Por Jehovai e kishte  shprehur qëllimin e tij për ta mbushur tokën me pasardhës të Adamit dhe të Evës, dhe donte që këta pasardhës të jetonin në një parajsë tokësore. (Zanafilla 1:28) Ai i përmbush gjithnjë qëllimet e tij. (Isaia 55:10, 11) Përveç kësaj, po t’i shfaroste rebelët në Eden, pyetja që ishte ngritur, lidhur me të drejtën e Jehovait për të sunduar, s’do të merrte përgjigje.

12, 13. Ilustro pse Jehovai ka lejuar që Satanai të bëhet sundimtar i kësaj bote dhe pse i ka lejuar njerëzit të vetëqeverisen.

12 Të bëjmë një ilustrim. Mendo për një mësues që po u tregon nxënësve si të zgjidhin një problemë të vështirë në matematikë. Një nga nxënësit, që është i zgjuar, por rebel, pretendon se problema nuk zgjidhet ashtu, se ajo që po u shpjegon mësuesi është gabim. Duke lënë të nënkuptohet se mësuesi s’është i zoti, ky nxënës rebel ngul këmbë se di një metodë shumë më të mirë për të zgjidhur problemën. Disa nga nxënësit mendojnë se ai ka të drejtë, prandaj rebelohen edhe ata. Ç’duhet të bëjë mësuesi? Çfarë do të mendojë pjesa tjetër e klasës, në qoftë se ai do t’i nxjerrë jashtë nxënësit rebelë? A nuk do të besojnë se ka të drejtë shoku i tyre dhe ata që e mbështetën? Gjithë nxënësit e  tjerë në klasë mund ta humbin respektin për mësuesin, duke menduar se ai ka frikë mos del në shesh që e ka gabim. Por, ta zëmë se mësuesi lejon që nxënësi rebel t’i tregojë klasës si do ta zgjidhte ai problemën.

A është një nxënës më i zoti se mësuesi?

13 Jehovai ka bërë diçka të ngjashme me veprimin e këtij mësuesi. Mos harro se nuk bëhej fjalë vetëm për rebelët në Eden. Miliona engjëj po e shikonin këtë ngjarje. (Jobi 38:7; Danieli 7:10) Mënyra si do të reagonte Jehovai ndaj rebelimit, do të ndikonte shumë te këta engjëj e, së fundi, te të gjitha krijesat që kanë aftësi për të arsyetuar. Pra, çfarë ka bërë Jehovai? Ka lejuar që Satanai të tregojë si do ta sundonte ai njerëzimin. Gjithashtu, Perëndia i ka lejuar njerëzit të vetëqeverisen, nën drejtimin e Satanait.

14. Çfarë të mire do të sjellë vendimi i Jehovait për t’i lejuar njerëzit që të vetëqeverisen?

14 Në ilustrimin që bëmë, mësuesi e di se nxënësi rebel dhe shokët e tij e kanë gabim. Por di edhe se gjithë klasa do të mësojë diçka, po t’u japë mundësi rebelëve të përpiqen të provojnë metodën e tyre. Kur këta nxënës rebelë të ngecin, nxënësit e tjerë do ta kuptojnë se vetëm mësuesi është i zoti për ta mësuar klasën. Do të kuptojnë edhe arsyen pse mësuesi pastaj do t’i nxjerrë nga klasa këta nxënës rebelë. Po kështu, Jehovai e dinte se gjithë engjëjt dhe njerëzit e sinqertë do të mësonin diçka, duke parë dështimin e Satanait dhe të rebelëve të tjerë dhe duke parë që njerëzit nuk vetëqeverisen dot. Ashtu si Jeremia në kohët e lashta, do të mësonin këtë të vërtetë themelore: «Unë e di mirë, o Jehova, se nuk i përket njeriut udha e tij. Njeriut që ecën, nuk i takon as të drejtojë hapat e vet.»Jeremia 10:23.

PSE I KA LEJUAR KAQ GJATË?

15, 16. (a) Pse Jehovai i ka lejuar vuajtjet të vazhdojnë kaq gjatë? (b) Pse nuk ka ndërhyrë Jehovai për të ndaluar krimet e tmerrshme?

15 Por, pse Jehovai ka lejuar që vuajtjet të vazhdojnë kaq  gjatë? Dhe pse nuk ndërhyn që të mos ndodhin gjëra të këqija? Atëherë, le të kthehemi prapë te ilustrimi e të mendojmë për dy gjëra që mësuesi nuk do t’i bënte. Së pari, nuk do ta ndalonte nxënësin rebel që të shpjegonte se çfarë mendonte. Së dyti, nuk do ta ndihmonte nxënësin rebel që të provonte metodën e tij të zgjidhjes. Po kështu, të shqyrtojmë dy gjëra që Jehovai ka vendosur të mos i bëjë. Së pari, nuk e ka ndaluar Satanain dhe ata që e mbështetin, të përpiqen të provojnë se kanë të drejtë. Pra, ishte e nevojshme t’u lihej kohë. Gjatë këtyre mijëra viteve të historisë njerëzore, njerëzit kanë pasur mundësi të provojnë çdo formë vetëqeverisjeje. Njerëzimi ka bërë disa përparime në shkencë e në fusha të tjera, por, ama, padrejtësitë, varfëria, krimet dhe luftërat janë keqësuar gjithnjë e më shumë. Është provuar tashmë se sundimi njerëzor është një dështim i plotë.

16 Së dyti, Jehovai nuk e ka ndihmuar Satanain që ta sundojë këtë botë. Për shembull, nëse Perëndia do të ndërhynte për të ndaluar krimet e tmerrshme, a nuk do të ishte duke mbështetur pohimet e këtyre rebelëve? A nuk do t’i kishte shtyrë kjo njerëzit të mendonin se ndoshta mund të vetëqeveriseshin, pasi nuk kishin pasoja shkatërrimtare? Po të vepronte kështu, Jehovai do të bëhej bashkëpunëtor në një gënjeshtër. Mirëpo, «është e pamundur që Perëndia të gënjejë».Hebrenjve 6:18.

17, 18. Çfarë do të bëjë Jehovai për gjithë dëmet që kanë ardhur nga sundimi i njerëzve dhe nga ndikimi i Satanait?

17 Por, ç’të themi për të gjitha dëmet që janë shkaktuar në këtë periudhë të gjatë rebelimi kundër Perëndisë? Duhet të mbajmë në mendje se Jehovai është i plotfuqishëm. Prandaj, mund t’i ndreqë—dhe do t’i ndreqë—dëmet që kanë ardhur nga vuajtjet njerëzore. Siç kemi mësuar, kur toka të kthehet në parajsë, do të ndalet shkatërrimi i planetit dhe toka do të ripërtërihet. Pasojat e mëkatit do të hiqen  falë besimit në flijimin shpërblyes të Jezuit, kurse dëmet e shkaktuara nga vdekja do të ndreqen me anë të ringjalljes. Në këtë mënyrë, Perëndia do ta përdorë Jezuin «për të zhbërë veprat e Djallit». (1 Gjonit 3:8) Të gjitha këto, Jehovai do t’i bëjë në kohën e duhur. Duhet të jemi të kënaqur që s’ka vepruar më parë, pasi durimi i tij na ka dhënë mundësinë të mësojmë të vërtetën dhe t’i shërbejmë. (2 Pjetrit 3:9, 10) Ndërkohë, Perëndia po kërkon të gjejë adhurues të sinqertë dhe po i ndihmon të durojnë vuajtjet që mund të hasin në këtë botë të trazuar.Gjoni 4:23; 1 Korintasve 10:13.

18 Disa mund të pyesin: ‘Mos vallë gjithë këto vuajtje mund të parandaloheshin, sikur Perëndia t’i kishte krijuar Adamin dhe Evën që të mos kishin mundësi të rebeloheshin?’ Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet të shqyrtojmë një dhuratë të çmuar që na ka dhënë Jehovai.

SI DO TA PËRDORËSH DHURATËN QË TË KA DHËNË PERËNDIA?

Perëndia do të të ndihmojë t’i durosh vuajtjet

19. Cilën dhuratë të çmuar na ka dhënë Jehovai? Pse duhet ta vlerësojmë?

19 Siç kemi parë në kapitullin e pestë, njerëzit u krijuan me vullnet të lirë. A e kupton sa e çmuar është kjo dhuratë? Perëndia ka krijuar shumë kafshë, të cilat udhëhiqen kryesisht nga instinkti. (Proverbat 30:24) Njerëzit vetë kanë bërë robotë, që mund të programohen për t’iu bindur çdo urdhri. A do të ishim të lumtur, sikur Perëndia të na kishte krijuar edhe ne kështu? Jo, ne kënaqemi që jemi të lirë të zgjedhim se çfarë njerëzish do të jemi, çfarë jete do të bëjmë, çfarë miqësish do të  zëmë, e kështu me radhë. Na pëlqen shumë të kemi liri, dhe Perëndia dëshiron që ne ta kemi këtë.

20, 21. Si mund ta përdorim në mënyrën më të mirë dhuratën e vullnetit të lirë? Përse duhet të dëshirojmë që të veprojmë kështu?

20 Jehovait nuk i intereson një shërbim i bërë me detyrim. (2 Korintasve 9:7) Të bëjmë një shembull. Çfarë do t’i pëlqente më shumë një prindi, që fëmija t’i thotë «të dua», sepse kështu e kanë mësuar, apo ta thotë këtë sepse e ndien? Pra, pyetja është: si do ta përdorësh ti vullnetin e lirë që të ka dhënë Jehovai? Satanai, Adami dhe Eva e keqpërdorën vullnetin e lirë, sepse hodhën poshtë Perëndinë Jehova. Po ti, çfarë do të bësh?

21 Ti ke mundësinë ta përdorësh dhuratën e mrekullueshme të vullnetit të lirë në mënyrën më të mirë. Mund të bashkohesh me miliona njerëzit që kanë marrë anën e Jehovait. Ata ia gëzojnë zemrën Perëndisë, sepse po veprojnë për të treguar që Satanai është gënjeshtar dhe krejt i dështuar si sundimtar. (Proverbat 27:11) Edhe ti mund ta bësh këtë, duke zgjedhur drejtimin e duhur në jetë. Kjo do të shpjegohet në kapitullin tjetër.