• Si ndryshon Bibla nga të gjithë librat e tjerë?

  • Si të ndihmon Bibla që të zgjidhësh problemet?

  • Pse mund t’u besosh profecive që gjenden në Bibël?

1, 2. Pse mund të themi që Bibla, kjo dhuratë e Perëndisë, na bën të lumtur?

TË KUJTOHET ndonjë rast kur ke marrë një dhuratë nga një shok a shoqe që e do shumë? Me siguri jo vetëm të bëri të lumtur për momentin, por të ngrohu zemrën. Kjo sepse një dhuratë të tregon diçka për dhuruesin, të tregon se ai ose ajo e vlerëson shoqërinë tënde. Natyrisht që ia shprehe mirënjohjen tënde shokut a shoqes që mendoi për ty dhe të bëri këtë dhuratë.

2 Bibla është një dhuratë nga Perëndia, për të cilën duhet të jemi vërtet mirënjohës. Ky libër i veçantë zbulon gjëra që s’do të kishim si t’i dinim ndryshe. Për shembull, na tregon për krijimin e qiejve plot yje, të tokës, si edhe për krijimin e burrit e të gruas së parë. Bibla përmban parime të besueshme, që na ndihmojnë të zgjidhim problemet dhe të përballojmë ankthet e jetës. Ajo shpjegon se si do ta përmbushë Perëndia qëllimin e tij dhe si do të sjellë kushte më të mira në tokë. Sa të lumtur na bën kjo dhuratë!

3. Çfarë na tregon për Jehovain dhurata e tij, Bibla, dhe pse na e ngroh zemrën kjo?

3 Bibla është edhe një dhuratë që na ngroh zemrën, sepse  na tregon diçka për Dhuruesin, për Perëndinë Jehova. Duke na siguruar këtë libër, Jehovai tregon se dëshiron që ne ta njohim mirë. Po, Bibla mund të të ndihmojë që t’i afrohesh Jehovait.

4. Çfarë të bën përshtypje për sa i përket shpërndarjes së Biblës?

4 Në qoftë se ke një Bibël, je ndër njerëzit e shumtë që kanë këtë dhuratë. E gjithë Bibla ose një pjesë e saj është botuar në më shumë se 2.300 gjuhë, prandaj mund ta ketë në dorë më shumë se 90 për qind e popullsisë së botës. Çdo javë shpërndahen mesatarisht më shumë se një milion Bibla. Deri më sot janë prodhuar me miliarda kopje të të gjithë Biblës ose të një pjese të saj. Ja pra, që s’ka asnjë libër tjetër si Bibla.

«Shkrimet e Shenjta, Përkthimi Bota e Re» ka dalë në shumë gjuhë

5. Në ç’kuptim Bibla është ‘e frymëzuar nga Perëndia’?

5 Veç kësaj, Bibla ‘është e frymëzuar nga Perëndia’. (2 Timoteut 3:16) Si e ka bërë ai këtë? Vetë Bibla përgjigjet: «Njerëzit kanë thënë atë që erdhi nga Perëndia, ndërsa ishin të shtyrë nga fryma e shenjtë.» (2 Pjetrit 1:21) Le të bëjmë një ilustrim: një drejtor mund t’i diktojë një letër sekretares së  tij. Kjo letër përmban mendimet dhe udhëzimet e drejtorit, prandaj në të vërtetë është letra e tij, jo e sekretares. Po kështu, Bibla përmban mesazhin e Perëndisë, jo të njerëzve që e hodhën me shkrim. Prandaj, e gjithë Bibla është vërtet ‘fjala e Perëndisë’.1 Selanikasve 2:13.

E HARMONISHME DHE E SAKTË

6, 7. Pse është shumë e veçantë harmonia e brendshme e Biblës?

6 Bibla u shkrua për një periudhë prej më shumë se 1.600 vjetësh. Shkrimtarët e saj jetuan në epoka të ndryshme dhe ishin të shtresave të ndryshme shoqërore. Disa ishin bujq, peshkatarë dhe barinj. Të tjerë ishin profetë, gjykatës dhe mbretër. Luka, një shkrimtar i Ungjillit, ishte mjek. Por, ndonëse shkrimtarët kishin formime të ndryshme, Bibla është e harmonishme nga fillimi deri në fund. *

7 Libri i parë i Biblës na tregon si filluan problemet e njerëzimit. Kurse libri i fundit tregon se e gjithë toka do të bëhet një parajsë ose ndryshe një kopsht. E gjithë Bibla përfshin mijëra vjet histori dhe secila pjesë mund të na ndihmojë për të kuptuar cili është qëllimi i Perëndisë dhe si do të përmbushet. Harmonia e brendshme e Biblës të bën përshtypje, por është pikërisht ajo që do të prisnim nga një libër që vjen nga Perëndia.

8. Jep shembuj që tregojnë se Bibla është e saktë nga ana shkencore.

8 Bibla është e saktë nga ana shkencore. Madje ka informacione që ishin shumë të përparuara për kohën në të cilën u shkruan. Për shembull, libri i Levitikut kishte rregulla për karantinën dhe për higjienën, të cilat Izraeli i lashtë duhej t’i zbatonte, por, në atë kohë, kombet përreth as që dinin gjë për këto. Në një kohë kur njerëzit kishin ide  të gabuara për formën e tokës, Bibla thoshte se ajo është një rruzull ose sferë. (Isaia 40:22) Me shumë saktësi, Bibla thoshte se toka ‘mbahet varur në asgjë’. (Jobi 26:7) Natyrisht, Bibla nuk është libër shkencor, por, kur përmend argumente shkencore, është e saktë. A nuk do të prisnim pikërisht një gjë të tillë nga një libër që vjen nga Perëndia?

9. (a) Si e tregon vetë Bibla se është e saktë dhe e besueshme nga ana historike? (b) Çfarë kupton për Biblën, kur shqyrton ndershmërinë e shkrimtarëve të saj?

9 Bibla është e saktë dhe e besueshme edhe nga ana historike. Tregimet e saj janë shumë specifike. Në to përmendet jo vetëm emri i individëve, por edhe gjenealogjia e tyre. * Ndryshe nga historianët, të cilët shpesh nuk i përmendin disfatat e popullit të tyre, shkrimtarët e Biblës ishin të ndershëm, sepse dokumentuan edhe mangësitë e tyre dhe të kombit. Për shembull, në librin biblik të Numrave, shkrimtari Moisi pranon gabimin e rëndë që bëri, për të cilin u qortua ashpër. (Numrat 20:2-12) Kjo ndershmëri është e rrallë në dokumentet e tjera historike, por e gjejmë në Bibël, sepse ajo është një libër që vjen nga Perëndia.

NJË LIBËR PLOT MENÇURI

10. Pse nuk habitemi që Bibla është një libër praktik?

10 Meqë është e frymëzuar nga Perëndia, Bibla është ‘e dobishme për të mësuar, për të qortuar e për të ndrequr’. (2 Timoteut 3:16) Po, Bibla është një libër praktik. Në të pasqyrohet një kuptueshmëri e thellë e natyrës njerëzore. Por kjo s’duhet të na habitë, pasi Autori i saj, Perëndia Jehova, është Krijuesi ynë! Ai e kupton si mendojmë dhe si ndihemi, madje më mirë se ç’e kuptojmë ne veten. Gjithashtu, Jehovai e di se çfarë na duhet për të qenë të lumtur. Di edhe rrugët që duhet të shmangim.

11, 12. (a) Për çfarë argumentesh foli Jezui në Predikimin në Mal? (b) Cilat gjëra të tjera praktike trajtohen në Bibël? Pse këshillat e saj janë gjithnjë të vlefshme?

 11 Të analizojmë fjalimin e Jezuit që quhet Predikimi në Mal, të cilin e gjejmë në kapitujt 5 deri në 7 të Mateut. Në këtë fjalim, që është një kryevepër e artit të të mësuarit, Jezui foli për shumë argumente. Ndër to ishin: si të gjejmë lumturinë e vërtetë, si të zgjidhim mosmarrëveshjet, si të lutemi e si të kemi pikëpamjen  e duhur për gjërat materiale. Fjalët e Jezuit janë po aq të fuqishme e praktike sot, sa ç’ishin në kohën kur i tha.

12 Disa parime biblike kanë të bëjnë me jetën familjare, me shprehitë e punës e me marrëdhëniet tona me të tjerët. Parimet e Biblës vlejnë për çdo lloj njeriu dhe këshillat e saj janë gjithnjë të dobishme. Mençuria që gjejmë në Bibël përmblidhet në fjalët që tha vetë Perëndia me anë të profetit Isaia: «Unë Jehovai, jam Perëndia yt, Ai që të mëson se si të nxjerrësh dobi për vete.»Isaia 48:17.

NJË LIBËR ME PROFECI

Isaia, një shkrimtar i Biblës, paratha rënien e Babilonisë

13. Çfarë hollësish dokumentoi për Babiloninë profeti Isaia, i frymëzuar nga Jehovai?

13 Bibla ka një numër të madh profecish, shumë prej të cilave tashmë janë përmbushur. Ja një shembull: nëpërmjet profetit Isaia, që jetoi në shekullin e tetë p.e.s., Jehovai paratha se qyteti i Babilonisë do të shkatërrohej. (Isaia 13:19; 14:22, 23) U dhanë hollësi për të treguar si do të pushtohej qyteti. Pushtuesit do të thanin lumin e Babilonisë dhe do të hynin në qytet pa bërë fare luftë. Por nuk ishte vetëm kjo. Në profecinë e Isaisë thuhej edhe emri i mbretit që do të pushtonte Babiloninë. Emri i tij ishte Kir.Isaia 44:27–45:2.

14, 15. Si u përmbushën disa hollësi të profecisë së Isaisë për Babiloninë?

14 Rreth 200 vjet më vonë, natën e 5-6 tetorit 539 p.e.s., një ushtri erdhi dhe ngriti kampin pranë Babilonisë. Kush ishte komandanti i saj? Një mbret pers me emrin Kir. Ja pra, ishin krijuar rrethanat për përmbushjen e kësaj profecie të jashtëzakonshme. Por, a do të arrinte ushtria e Kirit ta pushtonte Babiloninë pa luftë, siç ishte parathënë?

15 Atë natë babilonasit po festonin dhe ndiheshin të sigurt brenda mureve të gjëra të qytetit. Ndërkohë, me zgjuarsi, Kiri devijoi ujërat e lumit që rridhte përqark qytetit. S’kaloi shumë dhe niveli i ujit ra aq sa ushtarët mundën të  kalonin nëpër shtratin e lumit dhe t’u afroheshin mureve të qytetit. Po si do t’i kapërcente ushtria e Kirit muret e Babilonisë? Kushedi pse, atë natë rojat ishin treguar të shkujdesur dhe i kishin lënë hapur portat e qytetit!

16. (a) Çfarë paratha Isaia për gjendjen përfundimtare të Babilonisë? (b) Si u përmbush profecia e Isaisë për shkretimin e Babilonisë?

16 Për Babiloninë ishte profetizuar: «Ajo nuk do të banohet më kurrë dhe për të s’do të ketë më vend brez pas brezi. Atje arabi nuk do ta ngrejë tendën e tij dhe asnjë bari nuk do t’i lërë kopetë e tij të shtrihen.» (Isaia 13:20) Kjo profeci jo vetëm që parathoshte rënien e qytetit, por tregonte edhe se Babilonia do të shkretohej një herë e mirë. Provat se këto fjalë janë përmbushur mund t’i shohim me sytë tanë. Vendi i pabanuar ku ndodhej Babilonia e lashtë, rreth 80 kilometra në jug të Bagdadit, Irak, provon se ajo që tha Jehovai nëpërmjet Isaisë është përmbushur: «Do ta fshij me fshesën e shfarosjes.»Isaia 14:22, 23. *

Rrënojat e Babilonisë

17. Pse na e forcon besimin përmbushja e profecive të Biblës?

 17 A nuk na forcohet shumë besimi kur shqyrtojmë se si Bibla është një libër me profeci të besueshme? Të mendojmë pak: nëse në të kaluarën Perëndia Jehova i ka përmbushur premtimet, kemi çdo arsye për të besuar se do ta përmbushë edhe premtimin për një tokë parajsore. (Numrat 23:19) Vërtet, kemi ‘shpresën e jetës së përhershme, të cilën, Perëndia që nuk mund të gënjejë, e premtoi përpara kohëve shumë të hershme’.Titit 1:2. *

«FJALA E PERËNDISË ËSHTË E GJALLË»

18. Çfarë fjalësh të fuqishme thotë apostulli Pavël për ‘fjalën e Perëndisë’?

18 Nga ajo që kemi shqyrtuar në këtë kapitull, e kemi të qartë se Bibla është vërtet një libër i pashoq. E megjithatë, vlera e  Biblës nuk qëndron vetëm te harmonia e brendshme, te saktësia shkencore dhe historike, te mençuria që përmban dhe te profecitë e besueshme. Apostulli Pavël shkroi: «Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi. Ajo është më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton aq sa ndan shpirtin dhe frymën, nyjat dhe palcën e tyre dhe është në gjendje të dallojë mendimet dhe qëllimet e zemrës.»Hebrenjve 4:12.

19, 20. (a) Si mund të të ndihmojë Bibla që të analizosh veten? (b) Si mund ta tregosh çmueshmërinë për Biblën, këtë dhuratë të veçantë që të ka dhënë Perëndia?

19 «Fjala» ose mesazhi i Perëndisë që lexojmë në Bibël, mund të na ndryshojë jetën. Mund të na ndihmojë ta analizojmë veten ashtu si nuk kemi bërë kurrë më parë. Ndoshta themi se e duam Perëndinë, por mënyra se si reagojmë ndaj mësimeve të Fjalës së tij të frymëzuar, Biblës, do të zbulojë se çfarë mendojmë në të vërtetë, ose edhe vetë qëllimet e zemrës sonë.

20 Bibla është vërtet një libër që vjen nga Perëndia. Si i tillë, duhet lexuar, studiuar dhe duhet çmuar shumë. Tregoje mirënjohjen tënde për këtë dhuratë të Perëndisë duke vazhduar të shqyrtosh çfarë përmban ajo. Ndërkohë do të kuptosh edhe më shumë qëllimin që ka Perëndia për njerëzimin. Në kapitullin vijues do të trajtohet se cili është ky qëllim dhe si do të përmbushet.

^ par. 6 Edhe pse ka njerëz që thonë se disa pjesë të Biblës kundërshtojnë njëra-tjetrën, këto pohime s’kanë baza. Shih kapitullin e 7-të të librit Bibla—Fjala e Perëndisë apo e njerëzve? (anglisht) dhe broshurën Një botë pa luftë, në faqen 6, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 9 Si shembull, shiko linjën e hollësishme gjenealogjike të Jezuit, e cila gjendet te Luka 3:23-38.

^ par. 16 Për më shumë informacione rreth profecive të Biblës, shih broshurën Një libër për të gjithë njerëzit, faqet 27-29, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 17 Shkatërrimi i Babilonisë është vetëm një shembull i profecive biblike që janë përmbushur. Ka edhe shembuj të tjerë, si shkatërrimi i Tirit dhe i Ninevisë. (Ezekieli 26:1-5; Sofonia 2:13-15) Gjithashtu, në profecinë e Danielit parathuhej ardhja njëra pas tjetrës e perandorive botërore që do të merrnin pushtet pas Babilonisë. Ndër këto ishin Medo-Persia dhe Greqia. (Danieli 8:5-7, 20-22) Shih Shtojcën «Jezu Krishti—Mesia i premtuar», ku janë trajtuar profecitë e shumta për Mesinë, që u përmbushën te Jezu Krishti.