1, 2. Ç’gjë jo fort të këndshme duhej të bënte Elija dhe si ndryshonte ai nga Akabi?

ELIJA donte me shpirt të ishte vetëm për vetëm me Atin e tij qiellor. Por turmat përreth nxitonin t’i serviloseshin, ngaqë sapo e kishin parë profetin e vërtetë të kërkonte të binte zjarr nga qielli. Para se Elija të ngjitej në kreshtat e malit Karmel dhe t’i lutej Jehovait privatisht, iu desh të bënte diçka jo fort të këndshme​—të fliste me mbretin Akab.

2 Zor se gjeje dy njerëz kaq të ndryshëm. Akabi mbante veshur rrobën e hijshme mbretërore dhe ishte një apostat lakmitar e shpirtlig. Kurse Elija, veshur me rrobën zyrtare të profetit​—një veshje e thjeshtë, ndoshta prej lëkure kafshësh ose e endur me lesh dhie a deveje—​ishte një njeri me guxim, integritet dhe besim të madh. Ngjarjet e asaj dite që po mbaronte, kishin zbuluar shumë për karakterin e këtyre dy burrave.

3, 4. (a) Pse kish qenë një ditë e keqe për Akabin dhe adhuruesit e Baalit? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë?

3 Kjo kishte qenë një ditë e keqe për Akabin dhe adhuruesit e tjerë të Baalit. Feja pagane që praktikohej në mbretërinë dhjetëfisëshe të Izraelit me në krye Akabin dhe Jezebelën, gruan e tij, kishte marrë një grusht të fortë. Baali kishte dalë mashtrues. Ai perëndi i pajetë nuk kishte arritur dot të ndizte as edhe një zjarr pas gjithë atyre të çjerrave, kërcimeve dhe gjakosjeve, siç e kishin zakon profetët e tij. Baali nuk i kishte mbrojtur dot nga ekzekutimi i merituar 450 burrat. Megjithatë, ai kishte dështuar edhe në diçka tjetër, dhe ky dështim së shpejti do të ishte i plotë. Për më se tre vjet, profetët e Baalit i ishin përgjëruar perëndisë së tyre t’i jepte fund thatësirës që kishte përfshirë vendin, por ai doli dështak. Shumë shpejt, Jehovai do të tregonte se ishte Perëndia i vërtetë duke i dhënë fund thatësirës.​—1 Mbret. 16:30–17:1; 18:1-40.

4 Por, kur do të vepronte Jehovai? Ç’do të bënte Elija deri  atëherë? Çfarë mund të mësojmë nga ky njeri plot besim? Le të shqyrtojmë tregimin.​—Lexo 1 Mbretërve 18:41-46.

Lutej vazhdimisht

5. Çfarë i tha Elija Akabit? A kishte nxjerrë ndonjë mësim Akabi nga ngjarjet e asaj dite?

5 Elija iu afrua Akabit dhe i tha: «Ngjitu lart, ha dhe pi, sepse dëgjohet zhurma e një rrebeshi.» A kishte nxjerrë ndonjë mësim ky mbret i lig nga ngjarjet e asaj dite? Tregimi nuk jep hollësi, por nuk gjejmë asnjë fjalë që të tregojë se ai u pendua ose që i kërkoi ndihmë profetit t’i afrohej Jehovait dhe t’i kërkonte falje. Jo, Akabi thjesht «u ngjit për të ngrënë e për të pirë». (1 Mbret. 18:41, 42) Po Elija?

6, 7. Për çfarë u lut Elija dhe pse?

6 «Kurse Elija shkoi në majë të Karmelit dhe u mblodh kruspull përtokë me fytyrën mes gjunjëve.» Akabi shkoi të mbushte barkun, ndërsa Elija shfrytëzoi rastin për t’iu lutur Atit të tij qiellor. Vër re pozicionin e përulur të Elijas: i përkulur me kokën kaq poshtë sa fytyra i arrinte deri afër gjunjëve. Për çfarë po lutej ai? Nuk ka pse të hamendemi. Te Jakovi 5:18 Bibla  thotë se Elija po lutej që të merrte fund thatësira. Ka shumë të ngjarë që këtë lutje po e bënte kur ishte në majën e malit Karmel.

Lutjet e Elijas tregonin dëshirën e tij të zjarrtë për të parë plotësimin e vullnetit të Perëndisë

7 Më parë, Jehovai kishte thënë: «Kam vendosur të dërgoj shi në tokë.» (1 Mbret. 18:1) Kështu, Elija u lut që të plotësohej vullneti i Jehovait, njësoj si Jezui i mësoi dishepujt e tij të luteshin rreth një mijë vjet më vonë.​—Mat. 6:9, 10.

8. Çfarë mësojmë për lutjen nga shembulli i Elijas?

8 Nga shembulli i Elijas mësojmë shumë për lutjen. Gjëja kryesore që kishte në mendje Elija ishte plotësimi i vullnetit të Perëndisë. Kur lutemi, është mirë të kujtojmë se «çfarëdo që të kërkojmë sipas vullnetit [të Perëndisë], ai na dëgjon». (1 Gjon. 5:14) Pra, nëse duam që Perëndia të na i dëgjojë lutjet, duhet të njohim vullnetin e tij, një arsye e fortë kjo për ta bërë studimin e Biblës pjesë të jetës sonë të përditshme. Kuptohet, Elija donte edhe që të merrte fund thatësira, sepse gjithë populli i tij po vuante. Pas mrekullisë që kishte bërë Jehovai atë ditë, zemra e tij ishte plot mirënjohje. Edhe ne duam që lutjet tona të pasqyrojnë mirënjohje nga zemra dhe merak për mirëqenien e të tjerëve.​—Lexo 2 Korintasve 1:11; Filipianëve 4:6.

I sigurt dhe vigjilent

9. Çfarë i tha Elija shërbëtorit të bënte dhe cilat janë dy cilësitë që do të shqyrtojmë?

9 Elija ishte i sigurt se Jehovai do t’i jepte fund thatësirës, por nuk ishte i sigurt se kur. Atëherë, çfarë bëri profeti ndërkohë? Shih çfarë thotë tregimi: «Pastaj i tha shërbëtorit të tij: ‘Ngjitu më lart, të lutem dhe shiko në drejtim të detit.’ Ai u ngjit, pa, dhe pastaj tha: ‘S’ka asgjë.’ Por Elija i tha shtatë herë me radhë: ‘Kthehu!’» (1 Mbret. 18:43) Nga shembulli i Elijas nxjerrim të paktën dy mësime. Së pari, do të shikojmë sa i fortë ishte besimi i profetit se Jehovai do të vepronte. Pastaj, do të ndalemi te vigjilenca e tij.

Elija kërkonte me ngulm ndonjë shenjë që të tregonte se së shpejti Jehovai do të vepronte

10, 11. (a) Si tregoi besim Elija te premtimi i Jehovait? (b) Pse mund të kemi edhe ne një besim të ngjashëm?

10 Ngaqë Elija kishte besim te premtimi i Jehovait, kërkonte me ngulm ndonjë shenjë që të tregonte se së shpejti Jehovai  do të vepronte. Prandaj, dërgoi shërbëtorin e tij në një pikë të lartë që të shihte në horizont nëse kishte ndonjë shenjë për shi. Kur u kthye, shërbëtori tha pa entuziazëm: «S’ka asgjë.» Në horizont s’dukej asgjë dhe qielli ishte pa re. A vure re diçka të pazakontë? Kujto se Elija sapo i kishte thënë mbretit Akab: «Dëgjohet zhurma e një rrebeshi.» Si mund ta thoshte këtë profeti kur në qiell nuk dukej asnjë re?

11 Elija e dinte premtimin e Jehovait. Si profet dhe përfaqësues i Jehovait, ishte i sigurt se Perëndia i tij do ta mbante fjalën. Elija ishte aq i sigurt, sa i dukej sikur po e dëgjonte zhurmën e rrebeshit. Kjo mund të na sjellë ndër mend atë që thotë Bibla për Moisiun: «Qëndroi i palëkundur si të shihte Atë që është i padukshëm.» A është edhe për ty po kaq real Perëndia? Jehovai na jep mjaft arsye që të kemi këtë lloj besimi tek ai dhe te premtimet e tij.​—Hebr. 11:1, 27.

12. Si tregoi Elija se ishte vigjilent dhe si reagoi kur mori lajmin se u shfaq një re e vogël?

12 Veç kësaj, shiko sa vigjilent ishte Elija. Ai e kthehu shërbëtorin e tij disa herë. Shërbëtori nuk u ngjit vetëm një ose dy herë, por shtatë herë gjithsej! Mund ta imagjinojmë sa është lodhur duke shkuar e duke ardhur shumë herë, por Elija mezi priste të shihte një shenjë dhe nuk hoqi dorë. Më në fund, të shtatën herë, shërbëtori tha: «Ja, është një re e vogël si pëllëmbë njeriu që ngjitet nga deti.» A e përfytyron dot shërbëtorin me krahun të shtrirë duke treguar me pëllëmbë madhësinë e një reje të vogël që po ngrihej në horizont nga Deti i Madh? Shërbëtorit mund t’i jetë dukur hiçgjë ajo re e vogël. Por Elija këtë priste. Kështu, i tha shërbëtorit me një ton urgjent: «Shko e thuaji Akabit: ‘Mbreh kuajt dhe zbrit para se të të zërë shiu!’»​—1 Mbret. 18:44.

13, 14. (a) Si ta imitojmë vigjilencën e Elijas? (b) Ç’arsye kemi për të vepruar me urgjencë?

13 Edhe një herë, Elija na la një shembull të shkëlqyer, pasi edhe ne jetojmë në kohën kur së shpejti Perëndia do të plotësojë atë që ka thënë. Elija priti fundin e thatësirës; shërbëtorët e Perëndisë sot presin fundin e një sistemi mbarëbotëror të kalbur. (1 Gjon. 2:17) Derisa Perëndia Jehova ta bëjë këtë, duhet të qëndrojmë vigjilentë gjatë gjithë kohës, si Elija. Jezui, Biri i Perëndisë, i këshilloi dishepujt e tij: «Qëndroni vigjilentë, sepse nuk e dini në ç’ditë vjen Zotëria juaj.» (Mat. 24:42) A donte të thoshte se dishepujt e tij nuk do ta kishin fare idenë se kur do  të vinte fundi? Jo, sepse ai tregoi gjerë e gjatë si do të ishte bota pikërisht para se të vinte fundi. Të gjithë ne mund ta vërejmë përmbushjen e kësaj shenje të hollësishme të «përfundimit të sistemit».​—Lexo Mateun 24:3-7.

Një re e vogël mjaftoi për ta bindur Elijan se Jehovai së shpejti do të vepronte. Shenja e ditëve të fundit na jep arsye bindëse për të vepruar me urgjencë

14 Çdo aspekt i kësaj shenje na jep prova të fuqishme e bindëse. A nuk na mjaftojnë ato për të na shtyrë të veprojmë me urgjencë në shërbim të Jehovait? Një re e vogël në horizont mjaftoi për ta bindur Elijan se Jehovai së shpejti do të vepronte, dhe kjo s’e zhgënjeu profetin besnik.

Jehovai sjell lehtësim dhe bekime

15, 16. Cilat ngjarje vijuan me shpejtësi dhe çfarë shpresonte Elija për Akabin?

15 Tregimi thotë: «Ndërkaq qielli u errësua nga retë dhe nga era e filloi një rrebesh i madh. Akabi ngiste kuajt dhe mori rrugën për në Jezreel.» (1 Mbret. 18:45) Ngjarjet vijuan me shpejtësi marramendëse. Ndërkohë që shërbëtori i Elijas po i çonte Akabit mesazhin e profetit, ajo re e vogël u bë aq e madhe sa e mbuloi qiellin dhe e nxiu. Filloi një erë e fortë. Më në fund, pas tre vjetësh e gjysmë, ra shi në tokën e Izraelit. Shiu ia shoi etjen tokës së zhuritur. Ndërsa shiu u kthye në rrebesh, lumi Kishon doli nga shtrati e lau gjakun e profetëve të ekzekutuar të Baalit. Edhe izraelitëve rebelë po u jepej mundësia të lanin njollën e neveritshme që kishte lënë adhurimi i Baalit në vend.

«Filloi një rrebesh i madh»

16 Pa dyshim, Elija këtë shpresonte. Ndoshta vriste mendjen si do të reagonte Akabi ndaj ngjarjeve dramatike që po ndodhnin. A do të pendohej Akabi e të linte adhurimin e ndotur të Baalit? Ngjarjet e asaj dite kishin dhënë arsye të forta për këto ndryshime. Natyrisht, s’mund ta dimë çfarë po i kalonte nëpër mend Akabit në atë çast. Tregimi na thotë thjesht se mbreti «ngiste kuajt dhe mori rrugën për në Jezreel». A kishte nxjerrë ndonjë mësim? A kishte vendosur të ndryshonte qëndrim? Ajo që ndodhi më pas tregon se jo. Megjithatë, dita s’kish mbaruar ende as për Akabin, as për Elijan.

17, 18. (a) Ç’i ndodhi Elijas rrugës për në Jezreel? (b) Pse ishte diçka e jashtëzakonshme që Elija vrapoi nga Karmeli në Jezreel? (Shih edhe shënimin.)

 17 Profeti i Jehovait filloi të ecte në të njëjtën rrugë ku po udhëtonte Akabi. Rruga ishte e gjatë, e errët dhe e mbytur me ujë. Por gjatë rrugës ndodhi diçka e pazakontë.

18 «Dora e Jehovait ishte mbi Elijan, kështu që ai ngjeshi rrobën në mes dhe vrapoi përpara Akabit deri në Jezreel.» (1 Mbret. 18:46) Duket qartë që «dora e Jehovait» po vepronte mbi Elijan në mënyrë të mbinatyrshme. Jezreeli ishte rreth 30 kilometra larg, dhe Elija nuk ishte djalë i ri. * Vetëm përfytyro profetin tek ngjesh rrobat e gjata në mes, i lidh në ijë që të lëvizë lirisht, e pastaj vrapon aq shpejt nëpër rrugën e mbytur me ujë, sa e zë karrocën e mbretit, e kalon dhe madje e lë shumë prapa.

19. (a) Cilat profeci na sjell ndërmend energjia dhe dinamizmi që i dha Perëndia Elijas? (b) Çfarë dinte ai ndërsa vraponte për në Jezreel?

19 Sa i bekuar duhet të jetë ndier Elija! Forca, gjallëria dhe dinamizmi, mbase edhe më të mëdha se në rini, duhet ta kenë entuziazmuar pa masë. Ndoshta na kujtohen profecitë që u garantojnë besnikëve të Perëndisë shëndet të përsosur dhe gjallëri në Parajsën tokësore që do të vijë. (Lexo Isainë 35:6; Luka 23:43) Ndërsa vraponte si era nëpër atë rrugë tërë ujë, patjetër Elija e dinte se kishte miratimin e Atit të tij, Jehovait, të vetmit Perëndi të vërtetë.

20. Çfarë përpjekjesh duhet të bëjmë për të marrë bekimet e Jehovait?

20 Jehovai mezi pret të derdhë bekimet e tij mbi ne. Që t’i kemi, ia vlen të bëjmë çdo përpjekje. Ashtu si Elija, duhet të jemi vigjilentë, duke peshuar me kujdes dëshmitë e fuqishme që tregojnë se Jehovai është gati të veprojë në këto kohë të rrezikshme dhe urgjente. Njësoj si Elija, kemi çdo arsye për të pasur besim të plotë te premtimet e Jehovait, ‘Perëndisë të së vërtetës’.​—Psal. 31:5.

^ par. 18 Menjëherë pas kësaj, Jehovai do ta caktonte Elijan të stërviste Eliseun, i cili do të njihej si ai «që hidhte ujë mbi duart e Elijas». (2 Mbret. 3:11) Me sa duket, Eliseu i bënte shërbim Elijas së moshuar.