Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 KAPITULLI DHJETË

Ai mbrojti adhurimin e pastër

Ai mbrojti adhurimin e pastër

1, 2. (a) Në ç’mënyrë ishte i munduar populli i Elijas? (b) Ç’kundërshtim hasi Elija në malin Karmel?

ELIJA shihte turmën që ngjitej me mundim përpjetë shpateve të malit Karmel. Edhe në mugëtirën e agimit, mjerimi dhe skamja që mundonin ata njerëz shiheshin qartë. Tre vjet e gjysmë thatësirë kishin lënë gjurmë.

2 Mes tyre ecnin me kapadaillëk 450 profetë të Baalit. Ishin plot fodullëk dhe vlonin nga urrejtja për Elijan, profetin e Jehovait. Mbretëresha Jezebelë kishte vrarë shumë shërbëtorë të Jehovait, por ky njeri ende qëndronte i paepur kundër adhurimit të Baalit. A do ta kishte të gjatë? Mbase ata priftërinj kujtonin se një njeri i vetëm kurrë s’mund të triumfonte kundër gjithë atyre. (1 Mbret. 18:4, 19, 20) Kishte ardhur edhe mbreti Akab me karrocën e tij mbretërore. As ai s’e duronte dot Elijan.

3, 4. (a) Pse mund të jetë frikësuar Elija teksa zbardhte një ditë e rëndësishme? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë?

3 Të vetmin profet të adhurimit të vërtetë e priste një ditë e jashtëzakonshme. Ndërsa Elija vështronte, po bëheshin përgatitjet për një nga ngjarjet më dramatike që ka parë bota, ku u përballën e mira dhe e keqja. Si ndihej ai tek zbardhte dita? Edhe atë mund ta ketë kapur frika, meqë ishte «njeri me ndjenja si tonat». (Lexo Jakovin 5:17.) Të paktën për një gjë mund të jemi të sigurt: i rrethuar nga një popull pa besim, nga mbreti i tyre apostat dhe priftërinjtë vrastarë, Elija ndihej më i vetmuar se kurrë.​—1 Mbret. 18:22.

4 Por, si kishte arritur Izraeli deri në atë pikë? Dhe ç’lidhje ka ky tregim me ty? Le të shqyrtojmë shembullin e besimit të Elijas dhe sa praktik mund të jetë për ne sot.

Një betejë e gjatë arrin kulmin

5, 6. (a) Në valën e cilës betejë ishte Izraeli? (b) Si e kishte fyer rëndë mbreti Akab Jehovain?

5 Pjesën më të madhe të jetës, Elija kishte parë i dëshpëruar se si ishte lënë në hije dhe ishte shkelur me këmbë gjëja më e vyer  e atdheut dhe e popullit të tij. E pra, Izraeli ishte në valën e një beteje të gjatë, një lufte mes fesë së vërtetë dhe fesë së rreme, mes adhurimit të Perëndisë Jehova dhe idhujtarisë së kombeve përreth. Në kohën e Elijas, ajo betejë kishte marrë për keq.

6 Mbreti Akab e kishte fyer rëndë Jehovain. Ai ishte martuar me Jezebelën, të bijën e mbretit të Sidonit. Ajo ishte e vendosur të përhapte adhurimin e Baalit në Izrael dhe të çrrënjoste adhurimin e Jehovait. Shpejt Akabi u ndikua prej saj. Ai ndërtoi një tempull dhe një altar për Baalin dhe mori drejtimin në adhurimin e atij perëndie pagan.​—1 Mbret. 16:30-33.

7. (a) Përse ishte kaq ofendues adhurimi i Baalit? (b) Për sa i përket kohëzgjatjes së thatësirës në kohën e Elijas, pse mund të jemi të sigurt se Bibla nuk është kontradiktore? (Përfshi  kutinë.)

7 Përse ishte kaq ofendues adhurimi i Baalit? Ai i joshte izraelitët, duke larguar shumë prej tyre nga Perëndia i vërtetë. Veç kësaj, ishte një fe e neveritshme dhe mizore. Përfshinte prostitucionin në tempull me meshkuj dhe femra, orgji seksuale, madje edhe flijimin e fëmijëve. Jehovai u përgjigj duke dërguar Elijan tek Akabi dhe lajmëroi se do të kishte thatësirë që do të merrte fund vetëm kur ta shpallte profeti i Perëndisë. (1 Mbret. 17:1) Pas disa vjetësh, Elija doli sërish para Akabit dhe i tha të mblidhte popullin dhe profetët e Baalit në malin Karmel. *

Në njëfarë kuptimi, veçoritë thelbësore të adhurimit të Baalit i gjen kudo edhe sot e kësaj dite

8. Ç’domethënie ka për ne sot tregimi për adhurimin e Baalit?

8 Por, ç’domethënie ka për ne sot kjo betejë? Disa mund të thonë se tregimi për adhurimin e Baalit s’ka vlerë sot, se ne nuk kemi tempuj dhe altarë të Baalit rreth e qark. Megjithatë, ky tregim nuk është thjesht një histori e lashtë. (Rom. 15:4) Fjala «Baal» do të thotë «pronar» ose «zotëri». Jehovai i tha popullit të tij se duhej të zgjidhnin atë si «baalin» e tyre, pra si pronarin e tyre bashkëshortor. (Isa. 54:1, 5 shënimi) A nuk je dakord se njerëzit ende u shërbejnë gjithfarë zotërinjve, por jo Perëndisë së Plotfuqishëm? Qoftë nëse njerëzit e vënë jetën në shërbim të parasë, karrierës, zbavitjeve a kënaqësive seksuale, qoftë nëse u shërbejnë perëndive të panumërta që adhurohen në vend të Jehovait, ata zgjedhin një zotëri. (Mat. 6:24; lexo Romakëve 6:16.) Në njëfarë kuptimi, veçoritë thelbësore të adhurimit të Baalit i gjen kudo edhe sot e  kësaj dite. Kur meditojmë për këtë betejë të lashtë midis Jehovait dhe Baalit, kjo na ndihmon të zgjedhim me mençuri se kujt do t’i shërbejmë.

‘Lëkundje’: Në ç’kuptim?

9. (a) Pse mali Karmel ishte vend i shkëlqyer për të demaskuar adhurimin e Baalit? (Shih edhe shënimin.) (b) Çfarë i tha Elija popullit?

9 Nga lartësitë e malit Karmel, zona që shtrihej nga lugina e përroit të Kishonit, e cila zbriste në Detin e Madh (Deti Mesdhe), dhe deri në malet e Libanit tej në veri të horizontit, dukej si në pëllëmbë të dorës. * Tek agonte kjo ditë vendimtare, pamja ishte e zymtë. Një hije e kobshme mbulonte vendin dikur pjellor që Jehovai ua kishte dhënë bijve të Abrahamit. Tani toka ishte zhuritur nga  dielli përvëlues dhe ishte rrënuar nga marrëzia e popullit të Perëndisë. Ndërsa populli mblidhej, Elija iu afrua dhe tha: «Deri kur do të lëkundeni mes dy mendimeve? Në qoftë Jehovai Perëndia i vërtetë, ndiqeni, por në qoftë Baali, ndiqni atë.»​—1 Mbret. 18:21.

10. Si po ‘lëkundej mes dy mendimeve’ populli i Elijas dhe cilën të vërtetë thelbësore kishin harruar?

10 Ç’donte të thoshte Elija me shprehjen «lëkundeni mes dy mendimeve»? Ata njerëz nuk e kuptonin se duhej të zgjidhnin midis adhurimit të Jehovait dhe atij të Baalit. Kujtonin se mund t’i bënin të dyja​—edhe të qetësonin Baalin me ritet e tyre të pështira, edhe të kërkonin favore nga Perëndia Jehova. Mbase arsyetonin se Baali do të bekonte të mbjellat dhe bagëtitë e tyre, kurse ‘Jehovai i ushtrive’ do t’i mbronte në betejë. (1 Sam. 17:45) Kishin harruar një të vërtetë thelbësore, diçka që shumë njerëz sot ende nuk arrijnë ta kuptojnë. Jehovai nuk do që adhurimi i tij të përzihet me adhurimin e perëndive të tjera. Ai kërkon dhe e meriton t’i përkushtohemi vetëm atij. Kur adhurimi i tij përzihet me ndonjë formë tjetër adhurimi, kjo jo vetëm që është e papranueshme për të, por është edhe fyese.​—Lexo Daljen 20:5.

11. Sipas teje, si na ndihmon fjalimi i Elijas në malin Karmel të rishqyrtojmë cilat janë gjërat më të rëndësishme për ne dhe kë po adhurojmë?

11 Pra, ata izraelitë po ‘lëkundeshin’ si një njeri që përpiqet të ndjekë dy rrugë njëherazi. Edhe shumë njerëz sot bëjnë të njëjtin gabim. Ata lejojnë që «baalë» të tjerë të futen si pa u ndier në jetën e tyre dhe lënë në hije adhurimin e Perëndisë. Thirrja e qartë e Elijas për të mos u lëkundur më, na ndihmon të rishqyrtojmë cilat janë gjërat më të rëndësishme për ne dhe kë po adhurojmë.

Një provë vendimtare

12, 13. (a) Çfarë prove propozoi Elija? (b) Si mund të tregojmë që kemi po aq besim sa kishte edhe Elija?

12 Më tej Elija propozoi të bëhej një provë fare e thjeshtë. Priftërinjtë e Baalit duhej të ngrinin një altar dhe të vinin një flijim mbi të. Më pas duhej t’i luteshin perëndisë së tyre që t’i vinte zjarrin flijimit. Edhe Elija do të bënte njësoj. Ai tha: «Perëndia që do të përgjigjet me anë të zjarrit, është Perëndia i vërtetë.» Elija e dinte fare mirë kush ishte Perëndia i vërtetë. Kaq i fortë ishte besimi i tij sa nuk ngurroi t’u hapte rrugë kundërshtarëve. Ai i la profetët e Baalit të fillonin të parët. Kështu, ata zgjodhën demin për flijim dhe iu lutën Baalit. *​—1 Mbret. 18:24, 25.

 13 Sot nuk jetojmë në një epokë mrekullish, megjithatë Jehovai nuk ka ndryshuar. Mund të kemi po aq besim tek ai sa kishte edhe Elija. Për shembull, kur të tjerët nuk janë dakord me mësimet e Biblës s’ka pse të kemi frikë që t’i lëmë të shprehen të parët. Ashtu si Elija mund t’i drejtohemi Perëndisë së vërtetë të zgjidhë çështjen. Këtë e bëjmë duke mos u mbështetur te vetja, por në Fjalën e tij të frymëzuar që mund ‘të ndreqë’ gjërat.​—2 Tim. 3:16.

Elija e shihte adhurimin e Baalit si një farsë qesharake dhe donte që populli i Perëndisë ta kuptonte se ishte një mashtrim kokë e këmbë

14. Si i vuri në lojë Elija profetët e Baalit dhe pse?

14 Profetët e Baalit paraqitën flijimin dhe thërritën sa e sa herë perëndinë e tyre: «O Baal, na u përgjigj!» Kjo zgjati për minuta e madje për orë të tëra. «Por s’dëgjohej zë dhe askush nuk përgjigjej»,—thotë Bibla. Në mesditë, Elija nisi t’i vinte në lojë dhe t’u thoshte me sarkazëm se Baali mbase ishte shumë i zënë e s’u përgjigjej dot a ndoshta ishte në nevojtore ose ishte në gjumë e duhej ta zgjonin. «Thërritni sa t’ju hajë zëri»,—i nxiste Elija ata sharlatanë. Ishte e qartë se ai e shihte adhurimin e Baalit si një farsë qesharake dhe donte që populli i Perëndisë ta kuptonte se ishte një mashtrim kokë e këmbë.​—1 Mbret. 18:26, 27.

15. Si e tregon rasti i profetëve të Baalit sa e pamend është të zgjedhim zotëri tjetër përveç Jehovait?

15 Pas kësaj priftërinjtë e Baalit u dalldisën më shumë dhe «zunë të thërritnin sa u hante zëri dhe të priteshin sipas zakonit të tyre me kama dhe heshta, derisa u doli gjak». Por më kot! «S’u dëgjua zë, s’u përgjigj njeri dhe askush s’ua vuri veshin.» (1 Mbret. 18:28, 29) E pra, Baali nuk ekzistonte. Ai ishte një sajim i Satanait për t’i larguar njerëzit nga Jehovai. E vërteta është se kush zgjedh zotëri tjetër përveç Jehovait, përfundon i zhgënjyer e madje i turpëruar.​—Lexo Psalmin 25:3; 115:4-8.

Përgjigjja

16. (a) Ç’mund t’i ketë kujtuar Elija popullit ndërsa ndreqte altarin e Jehovait në malin Karmel? (b) Si e tregoi edhe më tej besimin te Perëndia i tij?

16 Pasdite vonë i erdhi radha Elijas për të ofruar flijimin. Ai ndreqi altarin e Jehovait që, pa dyshim, e kishin shembur armiqtë e adhurimit të pastër. Për këtë përdori 12 gurë, mbase për t’u kujtuar shumë vetave në kombin 10-fisësh të Izraelit se Ligji,  që u ishte dhënë të 12 fiseve, ishte ende i detyrueshëm për ta. Pastaj vuri mbi altar flijimin dhe çdo gjë e lagu me ujë që ka shumë të ngjarë ta kishte marrë nga Deti Mesdhe aty pranë. Madje bëri një hendek rreth e qark altarit dhe e mbushi me ujë. Elija u kishte krijuar çdo lehtësi profetëve të Baalit, por tani po bënte të kundërtën: po bënte gjithçka që prova të ishte më e vështirë në rastin e Jehovait. Kaq shumë besim kishte te Perëndia i tij!​—1 Mbret. 18:30-35.

Lutja e Elijas tregoi se ende merakosej për popullin e tij, pasi donte me gjithë shpirt që Jehovai ‘ta kthente zemrën e tyre’

17. Si e tregoi lutja e Elijas se çfarë kishte më shumë rëndësi për të dhe si mund ta imitojmë kur lutemi?

17 Kur gjithçka ishte gati, Elija bëri një lutje. Fjalët e thjeshta, por të fuqishme të lutjes së tij treguan qartë çfarë kishte më shumë rëndësi për të. Mbi të gjitha, ai donte të merrej vesh se «Perëndi në Izrael» ishte Jehovai, dhe jo Baali. Së dyti, ai donte që të tërë ta dinin se ai ishte thjesht një shërbëtor i Jehovait; e gjithë lavdia dhe merita i takonte Perëndisë. Së fundi, ai tregoi se ende merakosej për popullin e tij, pasi donte me gjithë shpirt që Jehovai ‘ta kthente zemrën e tyre’. (1 Mbret. 18:36, 37) Edhe pse mungesa e tyre e besimit kishte sjellë tërë ato vuajtje, prapëseprapë Elija i donte. A mund të tregojmë edhe ne në lutjet tona po atë përulësi, shqetësim për emrin e Perëndisë dhe dhembshuri ndaj atyre që kanë nevojë për ndihmë?

18, 19. (a) Si iu përgjigj Jehovai lutjes së Elijas? (b) Çfarë urdhri i dha Elija popullit dhe pse priftërinjtë e Baalit nuk meritonin aspak mëshirë?

18 Para se Elija të lutej, turma mund të ketë qenë në mëdyshje nëse edhe Jehovai do të dilte një trillim si Baali. Megjithatë, pas lutjes s’kishte fare vend për dyshime. Tregimi thotë: «Atëherë zjarri i Jehovait ra dhe përpiu blatimin e djegur, drutë, gurët dhe pluhurin, madje përthau edhe ujin që ishte në hendek.» (1 Mbret. 18:38) Ç’përgjigje mahnitëse! Si reagoi populli?

«Atëherë zjarri i Jehovait ra»

19 «Jehovai është Perëndia i vërtetë! Jehovai është Perëndia i vërtetë!»—thirrën që të gjithë. (1 Mbret. 18:39) Më në fund e kuptuan të vërtetën. Sidoqoftë ende nuk e kishin treguar besimin. Në fund të fundit, të pranosh se Jehovai është Perëndia i vërtetë pasi ke parë të bjerë zjarr nga qielli në përgjigje të një lutjeje, nuk është ndonjë shfaqje e jashtëzakonshme besimi. Prandaj Elija u kërkoi diçka më shumë. U kërkoi të bënin atë që duhej ta kishin  bërë shumë vite më parë: t’i bindeshin Ligjit të Jehovait. Sipas Ligjit të Perëndisë, profetët e rremë dhe idhujtarët duheshin vrarë. (Ligj. 13:5-9) Ata priftërinj të Baalit ishin armiq të betuar të Perëndisë Jehova dhe me dashje punonin kundër qëllimeve të tij. A meritonin t’u tregohej mëshirë? Po gjithë atyre fëmijëve të pafajshëm që u dogjën të gjallë si flijim për Baalin, a iu tregua ndopak mëshirë? (Lexo Proverbat 21:13; Jer. 19:5) E pra, ata njerëz nuk meritonin pikë mëshire. Prandaj Elija urdhëroi të vriteshin, dhe ashtu u bë.​—1 Mbret. 18:40.

20. Pse është e pavend frika e disa kritikëve të sotëm për ekzekutimin e priftërinjve të Baalit nga Elija?

20 Kritikët në ditët tona, mund të shprehin mospëlqim për mënyrën si përfundoi ajo provë në malin Karmel. Disa njerëz kanë frikë se mos fanatikët fetarë e përdorin atë për të justifikuar aktet e dhunshme të intolerancës fetare. E mjerisht, fanatikët e dhunshëm fetarë janë me shumicë sot. Megjithatë, Elija nuk ishte aspak fanatik. Ai ekzekutoi një dënim të drejtë në emër të Jehovait. Për më tepër, të krishterët e vërtetë e dinë se nuk mund të ndjekin shembullin e Elijas duke ngritur shpatën kundër të ligjve. Përkundrazi, ata ndjekin normën për të gjithë dishepujt e Krishtit që gjendet në fjalët që i tha ai Pjetrit: «Ktheje shpatën në vendin e vet, sepse të gjithë ata që marrin shpatën, nga shpata do të vdesin.» (Mat. 26:52) Në të ardhmen, Jehovai do të vendosë drejtësinë hyjnore me anë të Birit të tij.

21. Pse Elija është një shembull i mirë për të krishterët e vërtetë sot?

21 Një i krishterë i vërtetë ka përgjegjësinë të tregojë besim në çdo aspekt të jetës. (Gjoni 3:16) Një mënyrë për ta bërë këtë është duke imituar njerëz besimplotë si Elija. Ai adhuroi vetëm Jehovain dhe i nxiti edhe të tjerët të vepronin njësoj. Me guxim, ai tregoi se feja që Satanai e përdorte për t’i larguar njerëzit nga Jehovai, ishte një mashtrim. Dhe me besim ia la në dorë Jehovait ta zgjidhte çështjen, në vend që të mbështetej tek aftësitë dhe te mendja e vet. Elija mbrojti adhurimin e pastër. Le të imitojë secili nga ne besimin e tij!

^ par. 9 Mali Karmel zakonisht është plot gjelbërim dhe bimësi të harlisur, pasi erërat e lagështa nga deti ngjiten në shpate duke sjellë shpesh shira dhe vesë me bollëk. Merita për shiun i jepej Baalit, prandaj, siç duket, ky mal ishte një vend i rëndësishëm për adhurimin e Baalit. Për këtë arsye, tani që Karmeli ishte djerrë dhe i thatë, ishte një vend i shkëlqyer për të demaskuar adhurimin e Baalit si një mashtrim.

^ par. 12 Vlen të përmendet se Elija u tha ‘të mos i vinin zjarrin’ flijimit. Disa studiues thonë se ata idhujtarë ndonjëherë përdornin altarë që poshtë kishin një zgavër të fshehtë, që të dukej se gjoja zjarri vinte nga një fuqi e mbinatyrshme.