1, 2. Për cilin projekt po punonin Noeja dhe familja e tij? Ç’vështirësi hasën?

NOEJA drejtoi shpinën dhe shtriqi muskujt që i dhimbnin. Imagjinoje të ulur në një tra të madh duke pushuar pak nga puna e duke parë strukturën tejet të madhe të arkës. Përfytyro erën e fortë të ziftit të nxehtë dhe zhurmat e veglave të punës. Nga vendi ku është ulur, Noeja sheh bijtë e tij teksa punojnë fort me pjesë të ndryshme të skeletit të madh prej druri. Tashmë u bënë dekada që bijtë e tij bashkë me gratë, si dhe gruaja e tij e shtrenjtë, punojnë me Noenë për këtë projekt. Kishin bërë goxha punë, por kishin ende shumë për të bërë.

2 Njerëzit përreth mendonin se të gjithë ata ishin të marrë. Sa më e plotë bëhej arka, aq më shumë talleshin njerëzit me idenë e një përmbytjeje që do të mbulonte gjithë tokën. Sa e pabesueshme dhe absurde u dukej katastrofa për të cilën i paralajmëronte vazhdimisht Noeja! Nuk arrinin ta kuptonin si një njeri e çonte dëm jetën e tij dhe të familjarëve në këtë orvatje të marrë. Sidoqoftë, Perëndia i Noesë, Jehovai, e shihte krejt ndryshe këtë njeri.

3. Në ç’kuptim eci me Perëndinë Noeja?

3 Fjala e Perëndisë thotë: «Noeja eci me Perëndinë e vërtetë.» (Lexo Zanafillën 6:9.) Ç’do të thoshte kjo? Jo se Perëndia eci në tokë, as që Noeja shkoi në ndonjë mënyrë në qiell. Por bindja ndaj Perëndisë ishte kaq e plotë dhe dashuria për të kaq e thellë, sa ishte sikur ai dhe Jehovai të ecnin së bashku si miq. Mijëra vjet më vonë, Bibla tha për Noenë: ‘Nëpërmjet besimit të tij, ai dënoi botën.’ (Hebr. 11:7) Si e bëri këtë? Ç’mësojmë ne sot nga besimi i tij?

Një njeri i patëmetë në një botë të ligë

4, 5. Si ishte keqësuar bota në ditët e Noesë?

4 Noeja u rrit në një botë që keqësohej me ritme të shpejta. Kishte qenë e keqe edhe në kohën e stërgjyshit të tij, Enokut, një tjetër njeri i drejtë që eci me Perëndinë. Enoku kishte parathënë se do të vinte një ditë gjykimi mbi njerëzit e paperëndishëm të asaj  bote. Tani, në kohën e Noesë, paperëndishmëria ishte ku e ku më e keqe. Në fakt, nga pikëpamja e Jehovait, toka ishte prishur ngaqë ishte plot dhunë. (Zan. 5:22; 6:11; Jud. 14, 15) Pse gjërat kishin shkuar kaq keq?

5 Mes engjëjve, bijve qiellorë të Perëndisë, kishte ndodhur një tragjedi e tmerrshme. Njëri prej tyre tashmë ishte rebeluar kundër Jehovait dhe ishte bërë Satana Djalli, duke shpifur për Perëndinë e duke joshur drejt mëkatit Adamin dhe Evën. Në ditët e Noesë, edhe engjëj të tjerë nisën të rebeloheshin kundër sundimit të drejtë të Jehovait. Ata braktisën vendin që u kishte dhënë Perëndia në qiell dhe erdhën në tokë, morën formë njerëzore dhe u martuan me gra të bukura. Këta engjëj krenarë, egoistë dhe rebelë patën ndikim helmues te njerëzit.​—Zan. 6:1, 2; Jud. 6, 7.

6. Si ndikuan nefilimët në kushtet e botës dhe çfarë vendosi të bënte Jehovai?

6 Për më tepër, bashkimet e panatyrshme mes engjëjve të materializuar dhe grave njerëzore sollën bij hibridë me përmasa dhe forcë të jashtëzakonshme. Bibla i quan nefilimë, që fjalë për fjalë do të thotë «rrëzues», pra ata që i rrëzojnë të tjerët. Ngaqë ishin prepotentë mizorë, nefilimët e bënë botën shumë më brutale dhe të paperëndishme. S’habitemi që në sytë e Krijuesit «e keqja e njeriut ishte e madhe në tokë, dhe çdo prirje e mendimeve të zemrës së tij ishte e keqe gjithë kohën». Jehovai vendosi ta zhdukte shoqërinë e ligë para se të kalonin 120 vjet.​—Lexo Zanafillën 6:3-5.

7. Ç’vështirësi hasi Noeja dhe gruaja e tij për t’i mbrojtur djemtë nga ndikimet e liga të asaj kohe?

7 Përfytyro sa e vështirë duhet të ketë qenë të krijoje familje  në kushtet e asaj bote. Prapëseprapë, Noeja e krijoi një të tillë. Ai gjeti një grua të mirë. Pasi mbushi 500 vjeç, i lindën tre djem​—Semi, Kami dhe Jafeti. * Së bashku, prindërit duhej t’i mbronin djemtë nga ndikimet e liga përreth. Djemtë e vegjël priren t’i admirojnë e t’i nderojnë «të fuqishmit» dhe ‘burrat me famë’—​e nefilimët ishin pikërisht të tillë. Zor se Noeja me gruan mund t’i kenë mbrojtur fëmijët nga çdo gjë që thuhej për bëmat e atyre gjigantëve, por ama mund t’u mësonin të vërtetën tërheqëse për Perëndinë Jehova, i cili urren çdo ligësi. U duhej t’i ndihmonin djemtë që të kuptonin se Jehovain e hidhëronte dhuna dhe rebelimi në botë.​—Zan. 6:6.

Noeja dhe gruaja e tij duhej t’i mbronin fëmijët nga ndikimet e këqija

8. Si mund ta imitojnë prindërit e mençur sot Noenë dhe gruan e tij?

8 Prindërit sot mund ta kuptojnë mirë si ndiheshin Noeja dhe gruaja e tij. Si atëherë, edhe në kohët tona, bota është e helmuar nga dhuna e rebelimi. Qytetet shpesh janë plot grupe të rinjsh problematikë. Edhe zbavitja që u ofrohet fëmijëve mund të jetë e mbushur me dhunë. Prindërit e mençur bëjnë çmos t’i luftojnë këto ndikime duke u mësuar fëmijëve për Perëndinë e paqes, Jehovain, i cili një ditë do t’i japë fund dhunës. (Psal. 11:5; 37:10, 11) Ata mund ta arrijnë këtë. Noeja dhe gruaja e tij ia dolën mbanë. Djemtë e tyre u bënë njerëz të mirë dhe u martuan me gra që, po ashtu, ishin të gatshme ta vinin në vend të parë në jetë Perëndinë e vërtetë, Jehovain.

«Bëj një arkë»

9, 10. (a) Cili urdhër nga Jehovai i ndryshoi jetën Noesë? (b) Çfarë i zbuloi Jehovai Noesë për modelin e arkës dhe qëllimin e saj?

9 Një ditë, jeta e Noesë ndryshoi përgjithmonë. Jehovai foli me këtë shërbëtor të dashur dhe i tha qëllimin e Tij për t’i dhënë fund botës së asaj kohe. Perëndia e urdhëroi Noenë: «Bëj një arkë druri me pemë rrëshinore.»​—Zan. 6:14.

10 Kjo arkë s’ishte anije, siç mendojnë disa. Nuk kishte as bash, as kiç, as kallumë, as timon, as pjesë të harkuara. Ishte thjesht një arkë ose kuti e madhe. Jehovai i dha Noesë përmasat e sakta të arkës, disa hollësi për modelin e saj dhe udhëzime si ta vishte me zift brenda e jashtë. Ai i tha Noesë arsyen pse ta ndërtonte arkën: «Do të derdh në tokë ujërat e përmbytjes . . . Çdo gjë që është në tokë, do të japë frymë.» Megjithatë, Jehovai bëri këtë besëlidhje ose marrëveshje me Noenë: «Futu në arkë ti bashkë me bijtë e tu, gruaja jote dhe gratë e bijve të tu.» Noeja duhej të sillte në arkë  edhe kafshë të çdo lloji. Vetëm ata brenda në arkë mund t’i mbijetonin Përmbytjes që do të vinte.—Zan. 6:17-20.

Noeja dhe familja e tij punuan së bashku për të plotësuar urdhrin e Perëndisë

11, 12. Ç’punë gjigante shtrihej para Noesë dhe si reagoi ai ndaj këtij caktimi të vështirë?

11 Para Noesë shtrihej një punë gjigante. Kjo arkë do të ishte e stërmadhe​—rreth 133 metra e gjatë, 22 metra e gjerë dhe 13 metra e lartë. Madje, një fushë futbolli as që krahasohet me të për nga madhësia. A u spraps Noeja nga ky caktim, a u ankua për vështirësitë ose a i ndryshoi hollësitë që ta kishte më kollaj? Bibla përgjigjet: «Noeja veproi në përputhje me të gjitha ato që i urdhëroi Perëndia. Ai bëri pikërisht ashtu.»​—Zan. 6:22.

12 Puna zgjati dekada të tëra, ndoshta 40 deri në 50 vjet. Duheshin prerë pemë, tërhequr trungje, si dhe duheshin latuar, gdhendur e bashkuar trarë. Arka duhej bërë me tri kate ose kuverta, disa ndarje dhe një derë anash. Me sa duket, në pjesën e sipërme kishte dritare, si dhe një çati ndoshta pak të ngritur në mes që të kullonte uji.​—Zan. 6:14-16.

13. Cili aspekt i punës së Noesë mund të ketë qenë edhe më i vështirë se ndërtimi i arkës dhe si reagonin njerëzit ndaj tij?

13 Teksa vitet kalonin dhe arka merrte formë, Noeja duhet të ketë qenë shumë i lumtur që kishte mbështetjen e familjes së tij. Ishte edhe një aspekt tjetër i punës që mund të ketë qenë edhe më sfidues se ndërtimi i arkës. Bibla e përshkruan Noenë si «një predikues të drejtësisë». (Lexo 2 Pjetrit 2:5.) Kështu, me guxim ai mori drejtimin duke u përpjekur t’i lajmëronte njerëzit e asaj shoqërie të ligë e të paperëndishme për shkatërrimin që i priste. Si reaguan ata? Më vonë, Jezu Krishti e kujtoi atë kohë dhe tha se ata njerëz «nuk kushtuan vëmendje». Ai pohoi se ishin kaq të zhytur në punët e përditshme​—hanin, pinin dhe martoheshin—​sa nuk ia vunë veshin Noesë. (Mat. 24:37-39) Pa dyshim, mjaft veta e tallnin atë dhe familjen e tij; disa mund ta kenë kërcënuar e kundërshtuar me forcë. Madje mund të jenë përpjekur të prishnin projektin e ndërtimit.

Pavarësisht nga provat se Perëndia po e bekonte Noenë, njerëzit e tallnin dhe e shpërfillnin mesazhin e tij

14. Ç’mund të mësojnë familjet e krishtere sot nga Noeja dhe familja e tij?

14 Megjithatë, Noeja dhe familja e tij nuk hoqën dorë kurrë. Ata vazhduan me besnikëri, ndonëse njerëzit përreth e shihnin si diçka të parëndësishme, të gabuar ose marrëzi. Prandaj, familjet e krishtere sot mund të mësojnë shumë nga besimi i Noesë dhe i familjes së tij. Në fund të fundit, jetojmë në atë periudhë që Bibla e quan «ditët e fundit» të këtij sistemi botëror. (2 Tim. 3:1) Jezui tha se koha jonë do të ishte tamam si koha kur Noeja ndërtoi arkën. Nëse bota reagon me apati, tallje, madje dhe me përndjekje ndaj  mesazhit për Mbretërinë e Perëndisë, të krishterët bëjnë mirë të kujtojnë Noenë. Nuk janë të parët që i hasin këto sfida.

«Hyr në arkë»

15. Çfarë humbjesh pësoi Noeja teksa i afrohej moshës 600-vjeçare?

15 Kaluan dekada dhe gradualisht arka mori formën përfundimtare. Teksa Noeja i afrohej moshës 600-vjeçare, i vdiqën disa njerëz të dashur. I vdiq i ati, Lameku. * Pesë vjet më vonë, babai i Lamekut, Metuselahu që ishte gjyshi i Noesë, vdiq në moshën 969-vjeçare​—jeta më e gjatë njerëzore që dokumenton Bibla. (Zan. 5:27) Si Metuselahu, edhe Lameku kishin qenë bashkëkohës të njeriut të parë, Adamit.

16, 17. (a) Çfarë mesazhi tjetër mori Noeja kur ishte 600 vjeç? (b) Përshkruaj pamjen e paharrueshme që shpalosej para Noesë dhe familjes së tij.

16 Kur ishte 600 vjeç, patriarku Noe mori një mesazh tjetër nga Perëndia Jehova: «Hyr në arkë ti dhe gjithë ata të shtëpisë sate.» Në të njëjtën kohë, Perëndia i tha Noesë të fuste në arkë të gjitha llojet e kafshëve​—shtatë nga çdo lloj i pastër, të përshtatshme për flijime, kurse nga të tjerat, të merrte nga dy.​—Zan. 7:1-3.

17 Duhet të ketë qenë një pamje e paharrueshme. Në horizont dukeshin mijëra kafshë​—ecnin, fluturonin, zvarriteshin, lëkundeshin,  lëviznin rëndë-rëndë—​të gjitha në një shumëllojshmëri marramendëse përmasash, formash dhe natyrash. S’kemi pse ta mendojmë Noenë e shkretë duke u përpjekur t’i mbledhë, t’i bindë ose deri diku t’i marrë me të mira gjithë ato kafshë të egra teksa hynin në ambientin e mbyllur të arkës. Tregimi thotë se ato «hynë në arkë te Noeja».​—Zan. 7:9.

18, 19. (a) Si mund të arsyetojmë në lidhje me pyetjet që ngrenë skeptikët për ngjarjet në tregimin e Noesë? (b) Si del në pah mençuria e Jehovait në mënyrën që zgjodhi për të shpëtuar kafshët?

18 Disa skeptikë ndoshta pyesin: «Si mund të ndodhte diçka e tillë? Dhe si mund të rrinin së bashku paqësisht ato kafshë në një vend të mbyllur?» Mendo pak: a është vërtet përtej fuqisë së Krijuesit të gjithë universit që të kontrollojë kafshët që i ka krijuar vetë, madje t’i zbutë e t’i nënshtrojë po të jetë nevoja? Mos harro se Jehovai është Perëndia që krijoi kafshët. Shumë vite më vonë ndau Detin e Kuq dhe e bëri diellin të ndalojë. A s’mund të realizonte ai çdo ngjarje që përshkruhet në tregimin e Noesë? Patjetër që po, dhe ashtu bëri!

19 Vërtet, Perëndia mund t’i kishte shpëtuar ndryshe kafshët që kishte krijuar. Por, me mençuri zgjodhi një mënyrë që na kujton besimin që kishte te njeriu kur i tha në fillim të kujdesej për çdo krijesë të gjallë në tokë. (Zan. 1:28) Kështu, mjaft prindër sot e përdorin tregimin e Noesë për t’u mësuar fëmijëve se Jehovai i çmon kafshët dhe njerëzit që ka krijuar.

20. Me çfarë mund të kenë qenë të zënë Noeja dhe familje e tij gjatë javës së fundit para Përmbytjes?

 20 Jehovai i tha Noesë se Përmbytja do të vinte për një javë. Duhet të ketë qenë kohë e vrullshme për familjen. Përfytyro ç’punë kërkonte të sistemoje të gjitha kafshët, ushqimin për to e për familjen, si edhe të transportoje plaçkat e familjes brenda arkës. Gruaja e Noesë dhe gratë e Semit, Kamit e Jafetit mund të jenë marrë kryesisht me ambientin brenda arkës, që ta bënin atë një vend të përshtatshëm për të jetuar.

21, 22. (a) Pse nuk duhet të na habitë apatia e njerëzve në kohën e Noesë? (b) Kur mbaroi tallja ndaj Noesë dhe familjes së tij?

21 Ç’të themi për njerëzit përreth? Ata ende «nuk kushtuan vëmendje», edhe përballë gjithë atyre provave se Jehovai po e bekonte Noenë dhe përpjekjet e tij. S’kishin si të mos i shihnin kafshët që vërshonin në arkë. Por s’duhet të habitemi me apatinë e tyre. Edhe sot, njerëzit nuk i kushtojnë vëmendje provave të bollshme se po jetojmë në ditët e fundit të këtij sistemi botëror. Dhe, siç paratha apostulli Pjetër, kanë ardhur tallës, të cilët tallen me ata që ia vënë veshin paralajmërimit të Perëndisë. (Lexo 2 Pjetrit 3:3-6.) Po kështu, edhe Noenë e familjen e tij duhet t’i kenë tallur.

22 Kur mbaroi tallja? Tregimi na thotë se, pasi Noeja kishte futur familjen e kafshët në arkë, «Jehovai e mbylli derën prapa Noesë». Nëse aty pranë ndodheshin tallës, patjetër që ai veprim hyjnor ua mbylli gojën. Nëse jo, ata pushuan kur filloi shiu. Dhe ai binte e binte pa fund, derisa e përmbyti të gjithë botën, tamam siç kishte thënë Jehovai.​—Zan. 7:16-21.

23. (a) Si e dimë që Jehovai nuk u kënaq me vdekjen e të ligjve në ditët e Noesë? (b) Pse është e mençur të imitojmë besimin e Noesë sot?

23 A u kënaq Jehovai me vdekjen e atyre të ligjve? Aspak! (Ezek. 33:11) Përkundrazi, u kishte dhënë shumë mundësi që të ndryshonin udhë e të bënin atë që është e drejtë. A mund ta kishin bërë këtë? Kësaj pyetjeje iu përgjigj jeta që bëri Noeja. Duke ecur me Jehovain dhe duke iu bindur Perëndisë së tij në çdo gjë, Noeja tregoi se mbijetesa ishte e mundur. Në këtë kuptim, besimi i tij e dënoi botën e asaj kohe; e nxori në shesh ligësinë e atij brezi. Besimi e shpëtoi atë dhe familjen e tij. Nëse imiton besimin e Noesë, edhe ti mund të shpëtosh veten dhe njerëzit e tu të dashur. Ashtu si Noeja, mund të ecësh me Perëndinë Jehova si me mikun tënd. Kjo miqësi mund të zgjasë përgjithmonë!

^ par. 7 Njerëzit e asaj kohe të hershme jetonin shumë më gjatë se ne. Me sa duket, kjo ndodhte ngaqë ishin më afër gjallërisë dhe përsosmërisë që kishin dikur Adami dhe Eva, por që e humbën.

^ par. 15 Lameku e kishte quajtur të birin Noe, që ka mundësi të ketë kuptimin «Pushim» ose «Ngushëllim», dhe kishte profetizuar se Noeja do të përmbushte domethënien e emrit të tij duke i sjellë njerëzimit pushim nga mundi në tokë të mallkuar. (Zan. 5:28, 29) Lameku nuk jetoi aq sa ta shihte përmbushjen e profecisë së tij. Nëna, vëllezërit dhe motrat e Noesë mund të jenë shfarosur nga Përmbytja.