Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 KAPITULLI KATËRMBËDHJETË

Ai mësoi mëshirën

Ai mësoi mëshirën

1. Ç’rrugë kishte për të bërë Jonai dhe si ndihej për vendin ku duhej të shkonte?

JONAI do të kishte mjaft kohë për t’u menduar, pasi kishte rrugë të gjatë për të bërë, më shumë se 800 kilometra. Ishte një udhëtim që do të zgjaste rreth një muaj a më tepër. Në radhë të parë, i duhej të zgjidhte mes rrugëve të shkurtra dhe atyre më të sigurta, e pastaj avash-avash të kalonte përmes luginave dhe shtigjeve malore të panumërta. Ka të ngjarë që duhej t’i binte anës e anës shkretëtirës së pafund të Sirisë, të kalonte lumenj, si Eufrati i fuqishëm, dhe të kërkonte strehim mes të huajve në qyteza e fshatra të Sirisë, të Mesopotamisë dhe të Asirisë. Ndërsa ditët kalonin, ai mendonte për vendin ku druhej të shkonte, për qytetin që afrohej pas çdo hapi: Ninevinë.

2. Si e mësoi Jonai që nuk mund të kthehej e t’i bënte bisht caktimit?

2 Jonai e dinte mirë që nuk mund të kthehej e t’i bënte bisht caktimit. Kishte provuar ta bënte një herë këtë. Siç e pamë edhe në kapitullin e kaluar, Jehovai me durim e mësoi Jonain duke shkaktuar një furtunë të madhe në det dhe duke e shpëtuar në mënyrë të mrekullueshme nëpërmjet një peshku të madh. Tri ditë më vonë, peshku e volli Jonain në breg. I mahnitur prej kësaj, Jonai tani ishte më i gatshëm për t’u bindur.​—Jon. kap. 1, 2.

3. Cilën cilësi kishte shfaqur Jehovai ndaj Jonait, por ç’pyetje ngrihet?

3 Kur Jehovai e urdhëroi për të dytën herë që të shkonte në Ninevi, profeti iu bind dhe nisi udhëtimin e largët drejt lindjes. (Lexo Jonain 3:1-3.) Por, a kishte lejuar që disiplina e Jehovait ta ndryshonte tërësisht? Për shembull, Jehovai i kishte  treguar mëshirë duke e shpëtuar nga mbytja, duke mos e ndëshkuar për rebelimin dhe duke i dhënë një mundësi tjetër për të përmbushur caktimin. Pas gjithë kësaj, a kishte mësuar Jonai të ishte i mëshirshëm me të tjerët? Shpesh, njerëzit e papërsosur e kanë të vështirë të mësojnë të tregojnë mëshirë. Le të shohim ç’mund të mësojmë nga përpjekjet e Jonait.

Një mesazh gjykimi dhe një reagim befasues

4, 5. Pse Jehovai e quante Ninevinë ‘qyteti i madh’ dhe ç’na mëson kjo për Të?

4 Jonai e shihte Ninevinë ndryshe nga ç’e shihte Jehovai. Në Bibël lexojmë: ‘Ninevia ishte një qytet tejet i madh përpara Perëndisë.’ (Jon. 3:3, shënimi) Në librin e Jonait, Jehovai e quan tri herë ‘Ninevinë, qytet të madh’. (Jon. 1:2; 3:2; 4:11) Pse ishte i madh ose i rëndësishëm për Jehovain ky qytet?

5 Ninevia ishte një qytet i lashtë, ndër të parët që themeloi Nimrodi pas Përmbytjes. Ishte e paanë, një zonë metropolitane që me sa duket përfshinte disa qytete të tjera, dhe duheshin tri  ditë në këmbë për të shkuar nga njëri skaj në tjetrin. (Zan. 10:11; Jon. 3:3) Ninevia ishte mbresëlënëse, me tempuj të mëdhenj, mure madhështore dhe godina të tjera. Por asnjë nga këto nuk e bënte qytetin të rëndësishëm në sytë e Perëndisë Jehova. Ajo që kishte rëndësi për Të, ishin njerëzit. Ninevia kishte një popullsi jashtëzakonisht të madhe për atë kohë. Pavarësisht nga gjithë të këqijat që bënin, Jehovai prapëseprapë shqetësohej për ta. Ai e vlerëson jetën dhe potencialin që ka çdo individ për t’u penduar e për të mësuar të bëjë atë që është e drejtë.

Jonai pa që Ninevia ishte një qytet i madh plot ligësi

6. (a) Pse Ninevia mund t’i jetë dukur e frikshme Jonait? (Shih edhe shënimin.) (b) Ç’mësojmë për Jonain nga fakti që e përmbushi caktimin për të predikuar?

6 Kur më në fund hyri në Ninevi dhe pa popullsinë e madhe prej më shumë se 120.000 banorësh, Jonai mund të jetë frikësuar edhe më shumë. * Ai eci për një ditë të tërë, u fut gjithnjë e më në zemër të qytetit që gëlonte e ndoshta kërkoi një qendër të përshtatshme për të përhapur lajmin. Si foli me këta njerëz? Mos kishte mësuar gjuhën asiriane? Apo e kishte marrë këtë aftësi nga Jehovai me anë të një mrekullie? Nuk e dimë. Ndoshta Jonai e bëri shpalljen në gjuhën tij, në hebraisht, dhe përdori një përkthyes për t’ua përcjellë mesazhin ninevitëve. Sido që të ketë qenë, mesazhi ishte i thjeshtë dhe njerëzit mund ta merrnin inat Jonain: «Edhe dyzet ditë dhe Ninevia do të përmbyset.» (Jon. 3:4) Ai e shpalli pa ngurruar dhe disa herë këtë mesazh. Kështu ai tregoi guxim dhe besim të jashtëzakonshëm, cilësi për të cilat të krishterët sot kanë nevojë më shumë se kurrë.

Mesazhi i Jonait ishte i thjeshtë dhe njerëzit mund ta merrnin inat

7, 8. (a) Si reaguan ninevitët ndaj mesazhit të Jonait? (b) Çfarë bëri mbreti i Ninevisë kur dëgjoi shpalljen e Jonait?

7 Mesazhi i Jonait tërhoqi vëmendjen e ninevitëve. Pa dyshim, ai ishte përgatitur për një reagim armiqësor e të dhunshëm nga ana e tyre. Por në fakt, ndodhi diçka e jashtëzakonshme. Njerëzit ia vunë veshin! Fjalët e tij morën dhenë. S’kaloi shumë dhe i gjithë qyteti po fliste për profecinë e gjykimit që shpallte Jonai. (Lexo Jonain 3:5.) Të pasur e të varfër, të fortë e të dobët,  të rinj e të moshuar, të gjithë shfaqën të njëjtën frymë pendimi dhe agjëruan. Shumë shpejt, lajmi i pendimit të tyre vajti edhe në vesh të mbretit.

Jonait i duhej guxim e besim për të predikuar në Ninevi

8 Edhe mbreti u pendua kur dëgjoi shpalljen e Jonait. Plot frikë Perëndie u çua nga froni, hoqi petkun mbretëror luksoz, u vesh njësoj si populli dhe madje «u ul në hi». Me ‘zyrtarët e lartë’ ose fisnikët e tij, ai nxori një dekret që e zyrtarizonte agjërimin e nisur nga populli. Ai urdhëroi që të gjithë të vishnin copë thesi, madje edhe kafshët shtëpiake. * Mbreti pranoi me përulësi se populli i tij ishte fajtor për ligësi e dhunë. Shpresonte që Perëndia i vërtetë të shfaqte mëshirë kur të shihte pendimin e tyre, prandaj mbreti tha: «Mbase Perëndia i vërtetë e kthen mbrapsht . . . zemërimin e tij të zjarrtë, dhe kështu nuk vdesim.»​—Jon. 3:6-9.

9. Ç’dyshim kanë shprehur kritikët për ninevitët, por si e dimë se ata gabohen?

9 Disa kritikë dyshojnë që ninevitët të kenë ndryshuar qëndrim kaq shpejt. Megjithatë, disa studiues të Biblës thonë se ky reagim është në harmoni me natyrën bestyte e të paqëndrueshme të popujve të këtyre kulturave në lashtësi. Sidoqoftë, e dimë se këta kritikë e kanë gabim, sepse më vonë vetë Jezui foli për pendimin e ninevitëve. (Lexo Mateun 12:41.) Ai e dinte për çfarë po fliste, pasi e kishte parë me sytë e tij nga qielli këtë ngjarje. (Gjoni 8:57, 58) Në të vërtetë, nuk duhet të mendojmë kurrë se është e pamundur që njerëzit të pendohen, pavarësisht sa të egër mund të na duken. Vetëm Jehovai mund të lexojë zemrat e njerëzve.

Ndryshimi mes mëshirës së Perëndisë dhe ngurtësisë njerëzore

10, 11. (a) Si reagoi Jehovai kur ninevitët u penduan? (b) Pse mund të jemi të sigurt se gjykimi i Jehovait nuk ishte i gabuar?

10 Por, si reagoi Jehovai kur ninevitët u penduan? Jonai më vonë shkroi: «Perëndia i vërtetë i pa veprat e tyre, se si hoqën  dorë nga rruga e keqe. Prandaj Perëndisë së vërtetë i erdhi keq për gjëmën që kishte thënë se do t’u bënte, dhe nuk e bëri.»​—Jon. 3:10.

11 A do të thotë kjo që Jehovai ndërroi mendje dhe arsyetoi se e kishte gjykuar gabim Ninevinë? Jo. Bibla shpjegon se drejtësia e Jehovait është e përsosur. (Lexo Ligjin e përtërirë 32:4.) Zemërimi me vend i Jehovait ndaj ninevitëve, thjesht ra. Ai pa si ndryshuan ata njerëz dhe kuptoi se ndëshkimi që kishte menduar për ta, nuk ishte më i nevojshëm. Ishte rasti që Perëndia të tregonte mëshirë.

12, 13. (a) Si tregon Jehovai se është i arsyeshëm, elastik dhe i mëshirshëm? (b) Pse ishte e vërtetë profecia e Jonait?

12 Jehovai nuk është aspak ai Perëndi i ngurtë, i ftohtë e madje i ashpër që portretizojnë shpesh udhëheqësit fetarë. Përkundrazi, është i arsyeshëm, elastik dhe i mëshirshëm. Kur ai vendos të ndëshkojë të ligjtë, në fillim përdor përfaqësuesit e tij në tokë për t’i paralajmëruar, sepse ai dëshiron me gjithë zemër që të ligjtë të veprojnë si ninevitët: të pendohen dhe të ndërrojnë rrugë. (Ezek. 33:11) Jehovai i tha profetit Jeremia: «Kurdoherë që të flas kundër një kombi e kundër një mbretërie për ta shkulur me rrënjë, për ta rrëzuar dhe për ta shkatërruar, dhe ai komb do të heqë dorë nga ligësia kundër së cilës fola, mua do të më vijë keq për gjëmën që kisha menduar t’i sillja.»​—Jer. 18:7, 8.

Perëndia dëshiron me gjithë zemër që të ligjtë të pendohen dhe të ndërrojnë rrugë, ashtu si ninevitët

13 Mos vallë profecia e Jonait nuk ishte e vërtetë? Jo. Ajo e përmbushi qëllimin e saj paralajmërues. Ai paralajmërim ishte për shkak të rrugës së keqe të ninevitëve, të cilët më pas ndryshuan. Por, nëse ninevitët do të ktheheshin prapë në rrugë të keqe, Perëndia do të sillte kundër tyre të njëjtin gjykim. Dhe pikërisht kështu ndodhi më vonë.​—Sof. 2:13-15.

14. Si reagoi Jonai ndaj mëshirës që tregoi Jehovai për ninevitët?

14 Po si reagoi Jonai kur shkatërrimi që ai priste, nuk ndodhi? Në Bibël lexojmë: «Mirëpo kjo nuk i pëlqeu aspak Jonait, i cili u nxeh.» (Jon. 4:1) Madje, Jonai bëri një lutje që duket si qortim ndaj të Plotfuqishmit. Jonai tha se nuk duhej të kishte ikur nga shtëpia, nga vendi i tij. Ai pretendoi se e kishte ditur gjatë gjithë kohës që Jehovai nuk do ta kishte sjellë gjëmën mbi Ninevinë, madje e përdori këtë arsyetim si justifikim për faktin që në fillim ia kishte mbathur për në Tarshish. Pastaj kërkoi të vdiste, e tha se për të do të ishte më mirë vdekja se jeta.​—Lexo Jonain 4:2, 3.

15. (a) Pse mund të jetë zemëruar e inatosur Jonai? (b) Si veproi Jehovai me profetin e brengosur?

 15 Ku e kishte hallin Jonai? Nuk mund të dimë gjithçka që i kalonte nëpër mendje, por ajo që dimë është se Jonai e kishte shpallur gjykimin kundër Ninevisë para gjithë atyre njerëzve. Ata e kishin besuar. Por tani gjykimi nuk do të vinte. Mos vallë kishte frikë se mos e tallnin ose e merrnin për profet të rremë? Sido që të ishte puna, ai nuk u gëzua që ata u penduan dhe që Jehovai tregoi mëshirë për ta. Përkundrazi, me sa duket, ai ishte zhytur në një vorbull zemërimi, keqardhjeje për veten dhe krenarie të lënduar. Por ishte e qartë, se prapëseprapë Perëndia i mëshirshëm i Jonait shihte anët e mira te ky profet i brengosur. Në vend që ta ndëshkonte Jonain për mungesën e respektit, Jehovai, me butësi, i bëri vetëm një pyetje që ta bënte të mendonte: «A mendon se ke vërtet të drejtë të nxehesh kështu?» (Jon. 4:4) A u përgjigj Jonai? Bibla nuk e thotë.

16. Si mund të ndodhë të mos jemi dakord me Perëndinë dhe ç’mësim nxjerrim nga shembulli i Jonait?

16 Është e lehtë ta gjykojmë Jonain për sjelljen e tij, megjithatë të mos harrojmë se nuk është gjë e pazakontë që njerëzit e papërsosur të mos jenë dakord me Perëndinë. Disa mund të mendojnë se Jehovai duhet ta kishte ndaluar një tragjedi ose ta kishte ekzekutuar shpejt gjykimin ndaj të ligjve, ose madje ta kishte sjellë tashmë fundin e këtij sistemi botëror. Shembulli i Jonait na kujton se kur nuk jemi dakord me Perëndinë Jehova, është gjithmonë këndvështrimi ynë që duhet ndrequr, asnjëherë i Jehovait.

Si i dha Jehovai një mësim Jonait?

17, 18. (a) Ç’bëri Jonai pasi iku nga Ninevia? (b) Si ndikuan te Jonai mrekullitë që bëri Jehovai me bimën e kungullujësit?

17 Profeti i dëshpëruar iku nga Ninevia dhe nuk mori rrugën për në shtëpi, por shkoi në drejtim të lindjes, në disa male nga ku shihej ajo krahinë. Aty ndërtoi një kasolle të vogël ku u ul për të pritur e për të parë Ninevinë. Ndoshta shpresonte ende të shihte shkatërrimin e saj. Si do ta mësonte Jehovai këtë kokëfortë të ishte i mëshirshëm?

18 Gjatë natës, Jehovai bëri që aty të mbinte një bimë kungullujësi. Kur Jonai u zgjua, pa një bimë të harlisur, me gjethet e saj të mëdha që i bënin më shumë hije se kasollja e tij e brishtë. Atij iu çel fytyra. «Jonai u gëzua së tepërmi» për bimën e kungullujësit, ndoshta sepse e shihte mbirjen e saj të mrekullueshme  si shenjë bekimi dhe miratimi nga Perëndia. Por, Jehovai donte të bënte më shumë për Jonain sesa thjesht ta mbronte nga dielli dhe nga zemërimi i vet kapriçoz. Ai donte të prekte zemrën e Jonait, prandaj bëri mrekulli të tjera. Perëndia bëri që një krimb ta brente bimën, e cila u tha. Pastaj dërgoi «një erë zhuritëse nga lindja» derisa Jonai filloi ‘të zalisej’ nga vapa. Ai u dëshpërua dhe përsëri i kërkoi Perëndisë të vdiste.—Jon. 4:6-8.

19, 20. Si arsyetoi Jehovai me Jonain për bimën e kungullujësit?

19 Përsëri Jehovai e pyeti nëse kishte të drejtë të nxehej edhe për tharjen e bimës së kungullujësit. Në vend që të pendohej, Jonai u justifikua: «Po, kam të drejtë të nxehem, madje sa të vdes!» Tani ishte koha që Jehovai t’ia bënte të qartë mësimin që po i jepte.​—Jon. 4:9.

Perëndia përdori një bimë kungullujësi për t’i mësuar Jonait mëshirën

20 Perëndia arsyetoi me Jonain duke i thënë se profetit i vinte keq për tharjen e një bime që kishte mbirë brenda natës, bimë që Jonai as e kishte mbjellë e as kishte bërë gjë për ta rritur. Pastaj Perëndia vazhdoi: «Po mua, a nuk duhej të më vinte keq për Ninevinë, për qytetin e madh, në të cilin ka më shumë se njëqind  e njëzet mijë njerëz, që nuk dinë të dallojnë as të djathtën nga e majta, si edhe shumë kafshë shtëpiake?!»​—Jon. 4:10, 11. *

21. (a) Cilin mësim të thellë i dha Jehovai Jonait? (b) Si na ndihmon tregimi i Jonait ta shqyrtojmë veten me ndershmëri?

21 A e kupton sa i thellë ishte mësimi që donte t’i jepte Jehovai? Jonai nuk kishte ngritur as gishtin për t’u kujdesur për atë bimë. Kurse Jehovai ishte Burimi i jetës për ninevitët dhe i kishte mbështetur, ashtu siç bën me të gjitha krijesat në tokë. Si mund t’i jepte Jonai më shumë vlerë një bime, sesa jetës së 120.000 njerëzve, bashkë me bagëtitë e tyre? Mos vallë kishte lejuar që tek ai të mbizotëronin mendimet egoiste? Në fund të fundit, atij i vinte keq për kungullujësin ngaqë kishte hallin e vet. A nuk u zemërua për Ninevinë i shtyrë nga motive po kaq egoiste ngaqë kishte një dëshirë krenare për të mos bërë figurë të keqe, për të treguar që kishte të drejtë? Tregimi i Jonait na ndihmon ta shqyrtojmë veten me ndershmëri. E kush nga ne është i paprekshëm nga prirje të tilla egoiste? Sa mirënjohës duhet të jemi që Jehovai me durim na mëson të jemi më altruistë, më të dhembshur dhe më të mëshirshëm, siç është ai vetë.

22. (a) Si ndikoi me kalimin e kohës te Jonai mësimi i mençur i Jehovait për mëshirën? (b) Ç’mësim nxjerrim të gjithë ne?

22 Por, lind pyetja, a nxori ndonjë mësim Jonai? Libri që mban emrin e tij mbaron me pyetjen e Jehovait, pa marrë përgjigje. Disa kritikë thonë se Jonai nuk iu përgjigj kurrë asaj pyetjeje. Por, në të vërtetë përgjigjja e tij është vetë libri që shkroi. Provat tregojnë se Jonai shkroi librin që mban emrin e tij. Përpiqu të përfytyrosh profetin, i kthyer në vendin e tij, teksa shkruan këtë tregim. Mund të arrijmë të shohim me sytë e mendjes një burrë më të moshuar, më të mençur dhe më të përulur, që tund kokën me pendim ndërsa hedh me shkrim gabimet, rebelimin dhe kokëfortësinë e tij për të mos treguar mëshirë. Është më se e qartë që Jonai nxori një mësim të vlefshëm nga udhëzimet e mençura të Jehovait. Mësoi të ishte i mëshirshëm. Po ne, a do të tregohemi të mëshirshëm?​—Lexo Mateun 5:7.

^ par. 6 Sipas llogaritjeve, në kohën e Jonait, Samaria, kryeqyteti i mbretërisë dhjetëfisëshe të Izraelit, mund të ketë pasur rreth 20.000 deri në 30.000 banorë​—më pak se një e katërta e popullsisë së Ninevisë. Në kulmin e lulëzimit të saj, Ninevia mund të ketë qenë qyteti më i madh në botë.

^ par. 8 Kjo hollësi mund të duket e çuditshme, por nuk ishte e padëgjuar në kohët e lashta. Historiani grek, Herodoti, shkroi se persët e lashtë e shprehën pikëllimin për vdekjen e një gjenerali të famshëm duke përfshirë edhe bagëtinë në zakonet e mbajtjes së zisë.

^ par. 20 Kur tha se ata njerëz nuk dinin të dallonin të djathtën nga e majta, Perëndia po nënkuptonte se ata nuk kishin fare njohuri për normat e Perëndisë.