1, 2. (a) Ç’ndryshime do të përballonin Jozefi dhe familja e tij? (b) Cilin lajm të keq duhej t’i thoshte Jozefi Marisë?

JOZEFI vuri një ngarkesë tjetër mbi samarin e gomarit. Imagjinoje pak teksa hedh sytë përreth në mugëtirën e qytezës së Betlehemit dhe i bie lehtas në ijë kafshës së vogël e të fortë. Pa dyshim po mendonte për rrugën e gjatë që e priste, deri në Egjipt. Si do të përshtatej familja e tij e vogël me kaq shumë ndryshime: popull të huaj, gjuhë të huaj e zakone të huaja.

2 Nuk e kishte të lehtë t’ia thoshte lajmin e keq gruas së dashur, Marisë, por i mblodhi forcat dhe ia tha. I tregoi për ëndrrën ku një engjëll i përcolli këtë mesazh nga Perëndia: mbreti Herod donte t’ua vriste djalin e vogël. Duhej të largoheshin menjëherë. (Lexo Mateun 2:13, 14.) Marinë e kaploi meraku. Si mund të donte dikush t’ia vriste fëmijën e pafajshëm që s’i bënte keq kujt? As Maria dhe as Jozefi s’e konceptonin dot. Por besuan te Jehovai, prandaj u bënë gati.

3. Përshkruaj ikjen e Jozefit me familjen nga Betlehemi. (Shih edhe figurën.)

3 Teksa njerëzit e Betlehemit flinin, të pavetëdijshëm si do të rridhnin gjërat, Jozefi, Maria dhe Jezui ikën pa u ndier nga fshati nëpër errësirë. Ndërsa shkonin drejt jugut dhe qielli po ndriçohej në lindje, ndoshta Jozefi vriste mendjen se çfarë i priste. Si mund ta mbronte familjen një zdrukthëtar i thjeshtë nga forca kaq të fuqishme? A do të arrinte t’ua siguronte gjithmonë gjërat e nevojshme të vetëve? A do t’ia dilte të ngulmonte e të përmbushte caktimin e vështirë që i kishte dhënë Jehovai, të kujdesej për këtë fëmijë unik dhe ta rriste? Ai hasi vështirësi të mëdha. Ndërkohë që shqyrtojmë si e përballoi secilën prej tyre, do të shohim pse baballarët dhe të gjithë ne sot duhet ta imitojmë besimin e Jozefit.

Jozefi e mbrojti familjen

4, 5. (a) Si ndryshoi një herë e përgjithmonë jeta e Jozefit? (b) Si e inkurajoi engjëlli Jozefin të merrte përsipër një përgjegjësi të madhe?

4 Muaj më parë, në qytetin e tij në Nazaret, jeta e Jozefit ndryshoi  një herë e përgjithmonë pasi u fejua me vajzën e Helit. Jozefi e njihte Marinë si vajzë të pafajshme dhe besimplotë. Por, më pas mori vesh se Maria ishte shtatzënë. Ndaj mendoi ta divorconte fshehurazi që ta mbronte nga ndonjë skandal. * Gjithsesi, një engjëll i foli në ëndërr e i shpjegoi se Maria kishte ngelur shtatzënë me anë të frymës së shenjtë të Jehovait. Engjëlli shtoi se djali që do të lindte, ‘do ta shpëtonte popullin e tij nga mëkatet’. Më tej e siguroi Jozefin: «Mos ki frikë ta marrësh gruan tënde, Marinë, në shtëpi.»​—Mat. 1:18-21.

5 Jozefi, një burrë i drejtë e i bindur, bëri pikërisht ashtu. Mori përsipër përgjegjësinë më të madhe: të rriste dhe të kujdesej për një djalë që s’ishte i veti, por që ishte tejet i çmuar për Perëndinë. Më vonë, duke iu bindur një dekreti perandorak, Jozefi bashkë me gruan e tij shtatzënë shkuan në Betlehem që të regjistroheshin. Këtu lindi fëmija.

6-8. (a) Cilat ngjarje sollën një ndryshim tjetër në jetën e Jozefit dhe familjes së tij të vogël? (b) Ç’prova tregojnë se «yllin» e dërgoi Satanai? (Shih edhe shënimin.)

6 Jozefi nuk e çoi prapë në Nazaret familjen. Por u vendosën me banim në Betlehem, pak kilometra larg Jerusalemit. Nuk ishin të pasur, por Jozefi bëri të pamundurën që ta mbronte Marinë dhe Jezuin nga varfëria e vuajtjet. S’kaloi shumë dhe nisën të jetonin në një shtëpi të thjeshtë. Pastaj, papritur jeta e tyre ndryshoi sërish kur Jezui nuk ishte më foshnjë, por fëmijë i vogël—mbase mbi një vjeç.

7 Tek ata erdhi një grup astrologësh nga Lindja, ka të ngjarë nga Babilonia e largët. Kishin ndjekur një yll deri në shtëpinë e Jozefit e të Marisë dhe po kërkonin fëmijën që do të bëhej mbret i judenjve. Burrat ishin shumë të respektueshëm.

8 E dinin apo s’e dinin, astrologët e kishin vënë Jezuin para një rreziku të madh. «Ylli» që kishin parë, si fillim i udhëhoqi për në Jerusalem, jo për në Betlehem.  * Atje i thanë mbretit të lig Herod se po kërkonin një fëmijë që do të bëhej mbret i judenjve. Ky lajm ia ndezi zemërimin mbretit xheloz.

9-11. (a) Në ç’kuptim ishin përfshirë forca më të mëdha se Herodi dhe Satanai në këtë ngjarje? (b) Si përshkruhet në mitet apokrife udhëtimi për në Egjipt, por si ishte në të vërtetë?

9 Por sa mirë që në këtë ngjarje ishin përfshirë forca më të mëdha se Herodi dhe Satanai. Në ç’kuptim? Kur vizitorët arritën  në shtëpinë e Jezuit, dhe e panë me nënën e tij, sollën dhurata pa kërkuar asgjë në këmbim. Sa e çuditshme mund t’i jetë dukur Jozefit dhe Marisë kur papritur u bënë me «ar, temjan të bardhë dhe mirrë», artikuj shumë të çmuar! Astrologët kishin ndër mend të ktheheshin e t’i tregonin mbretit Herod ku ndodhej fëmija. Por, Jehovai ndërhyri. Nëpërmjet një ëndrre, ai i udhëzoi astrologët të ktheheshin në shtëpi nga një rrugë tjetër.​—Lexo Mateun 2:1-12.

10 Pak pasi u larguan astrologët, Jozefi mori këtë paralajmërim nga engjëlli i Jehovait: «Ngrihu, merre fëmijën dhe nënën e tij, dhe ik për në Egjipt e qëndro atje derisa të të çoj fjalë të kthehesh, sepse Herodi do ta kërkojë fëmijën që ta vrasë.» (Mat. 2:13) Prandaj, siç e përmendëm në fillim, Jozefi u bind menjëherë. E vuri sigurinë e fëmijës mbi gjithçka tjetër dhe e çoi familjen në Egjipt. Meqë astrologët paganë kishin sjellë dhurata të kushtueshme, Jozefi tani kishte të ardhura për të përballuar udhëtimin dhe për të mbajtur familjen në Egjipt.

Jozefi veproi me vendosmëri dhe me altruizëm që të mbronte fëmijën

11 Më vonë, mite dhe legjenda apokrife e idealizuan udhëtimin për në Egjipt. Sipas tyre, falë mrekullive të Jezuit të vogël, udha u shkurtua, banditët s’u bënë gjë, madje edhe hurma arabie përkuleshin që nëna e tij të këpuste frytin. * Por, në të vërtetë, ishte një udhëtim i gjatë e i vështirë drejt së panjohurës.

Jozefi sakrifikoi rehatinë personale për hir të familjes

12. Ç’mësojnë nga Jozefi prindërit që rritin fëmijë në këtë botë të rrezikshme?

12 Prindërit mund të mësojnë shumë gjëra nga Jozefi. Ai e la mënjanë punën pa u menduar dy herë dhe sakrifikoi rehatinë personale për të mbrojtur familjen nga rreziku. Është e qartë se e shihte familjen si diçka të shenjtë që ia kishte besuar Jehovai. Prindërit sot i rritin fëmijët në një botë të rrezikshme. Bota e Satanait përpiqet t’i nxitë të rinjtë të bëjnë atë që është e gabuar, t’i shkaktojë dhembje e madje t’i shkatërrojë jetën. Është për t’u admiruar kur nënat dhe baballarët veprojnë me vendosmëri si Jozefi, duke u përpjekur fort t’i mbrojnë fëmijët nga ndikimi i kësaj bote.

Jozefi siguroi gjërat e nevojshme për familjen

13, 14. Pse Jozefi dhe Maria e ngritën familjen në Nazaret?

13 Me sa duket, nuk qëndruan gjatë në Egjipt, sepse s’kaloi shumë dhe engjëlli e njoftoi Jozefin se Herodi kishte vdekur. Ai u kthye bashkë me familjen në mëmëdhe. Një profeci e lashtë  kishte parathënë se Jehovai do ta thërriste të birin «nga Egjipti». (Mat. 2:15) Jozefi bëri pjesën e vet që të përmbushej kjo profeci, por ku do ta çonte tani familjen?

14 Ai u tregua i kujdesshëm. Me mençuri iu ruajt pasardhësit të Herodit, Arkelaut, i cili, po ashtu, ishte i egër dhe vrasës. Sipas drejtimit hyjnor, Jozefi me familjen u nisën për në veri, larg Jerusalemit plot intriga dhe u kthyen në qytetin e tij, në Nazaretin e Galilesë. Atje, bashkë me Marinë, ngritën familjen.​—Lexo Mateun 2:19-23.

15, 16. Ç’përfshinte puna e Jozefit dhe çfarë mjetesh mund të ketë përdorur?

15 Ata bënin jetë të thjeshtë, por jo të lehtë. Bibla thotë se Jozefi ishte zdrukthëtar, dhe fjala që përdor ajo përfshin punë të ndryshme me dru, si prerja e pemëve, tërheqja e tyre dhe staxhionimi i drurit për të ndërtuar shtëpi, barka, ura të vogla, karroca, rrota, zgjedha dhe të gjitha llojet e veglave bujqësore. (Mat. 13:55) Ishte punë fizike e rëndë. Shpesh, zdrukthëtari në kohët biblike punonte afër hyrjes së shtëpisë së tij modeste ose në një punishte ngjitur me të.

16 Jozefi përdorte larmi veglash dhe ka të ngjarë që disa t’i kishte trashëguar nga i ati. Mund të ketë përdorur goné, plumbçe, spango me shkumës për të hequr vija, sëpatë të vogël, sharrë, sqepar, çekiç, çekiç druri, dalta, turjelë që shponte duke tërhequr harkun para-mbrapa, disa lloje ngjitësish dhe ndoshta disa gozhdë, megjithëse kushtonin.

17, 18. (a) Çfarë mësoi Jezui nga babai adoptues? (b) Pse Jozefi duhej të punonte gjithnjë e më shumë?

17 Përfytyroje Jezuin e vogël që e sheh babanë adoptues teksa punon. Tërë sy e veshë ndaj çdo lëvizjeje të Jozefit, pa dyshim që e admironte forcën e shpatullave të gjera dhe krahëve muskulozë, mjeshtërinë e duarve dhe sytë e mprehtë. Ndoshta Jozefi i tregonte djalit të vogël si t’i kryente disa punë të thjeshta, siç ishte lëmimi i drurit me lëkurë të thatë peshku. Ka të ngjarë t’i mësonte Jezuit nga ndryshonin llojet e drurit që përdorte, si për shembull, fiku i Egjiptit, lisi ose ulliri.

Jozefi e stërviti të birin si zdrukthëtar

18 Gjithashtu, Jezui mësoi se ato duar të forta që rrëzonin  pemë, latonin trarë e goditnin fort nyjet për t’i bashkuar, ishin edhe duar të buta që e ledhatonin dhe i jepnin zemër atij, nënës, motrave e vëllezërve. Po, Jozefi dhe Maria kishin një familje që me kalimin e kohës u bë me të paktën gjashtë fëmijë, përveç Jezuit. (Mat. 13:55, 56) Jozefi duhej të punonte gjithnjë e më shumë që të kujdesej për ta dhe t’i ushqente.

Jozefi e kuptonte se të kujdesej për nevojat frymore të familjes kishte rëndësi parësore

19. Si kujdesej Jozefi për nevojat frymore të familjes?

19 Gjithsesi, Jozefi e kuptonte se të kujdesej për nevojat frymore të familjes kishte rëndësi parësore. Prandaj kalonte kohë duke i mësuar fëmijët për Perëndinë Jehova dhe ligjet e Tij. Jozefi e Maria i merrnin rregullisht fëmijët në sinagogën vendëse, atje ku Ligji lexohej me zë dhe shpjegohej. Mbase Jezui bluante në mendje shumë pyetje më pas, dhe Jozefi bënte çmos t’ia shuante etjen frymore. Për më tepër, Jozefi e merrte me vete familjen në festat fetare që zhvilloheshin në Jerusalem. Ata udhëtonin 120 kilometra që të kremtonin Pashkën e përvitshme, një udhëtim që ndoshta zgjaste dy javë vajtje-ardhje.

Jozefi e çonte familjen rregullisht në tempullin e Jerusalemit që të adhuronin Perëndinë

20. Si mund të ndjekin kryefamiljarët modelin që la Jozefi?

20 Sot, kryefamiljarët e krishterë ndjekin një model të ngjashëm. Ata japin nga vetja për fëmijët, dhe stërvitjen frymore e konsiderojnë më të rëndësishme se çdo merak tjetër, përfshirë edhe rehatinë materiale. Bëjnë çmos që të drejtojnë adhurimin familjar dhe t’i marrin fëmijët në mbledhjet e krishtere, në kongrese e në asamble. Si Jozefi, e dinë se ky është investimi më i mirë që mund të bëjnë për fëmijët.

«Me dëshpërim»

21. Si ishte periudha e Pashkës për familjen e Jozefit? Kur e kuptuan Jozefi dhe Maria se Jezui ishte zhdukur?

21 Kur Jezui ishte 12 vjeç, si zakonisht Jozefi e çoi familjen në Jerusalem. Ishte Pashka, kohë festive, dhe familje të mëdha udhëtonin së bashku në karvanë të gjatë përmes fushave plot gjelbërim pranveror. Teksa u afroheshin zonave më të zhveshura pranë Jerusalemit, që ndodhej lart, shumë veta këndonin psalmet e njohura të ngjitjeve. (Psal. 120-134) Qindra mijë njerëzit që e vizitonin, duhet ta kenë bërë qytetin të gëlonte. Më pas, familjet dhe karvanët e tyre merrnin udhën e kthimit. Jozefi dhe Maria, që ndoshta ishin tepër të zënë, menduan se Jezui po udhëtonte me të tjerët, mbase me të afërmit. Por, pasi kishin bërë një ditë udhë  nga Jerusalemi, morën vesh një të vërtetë që i frikësoi—Jezui ishte zhdukur!​—Luka 2:41-44.

22, 23. Çfarë bënë Jozefi dhe Maria kur u humbi Jezui dhe çfarë tha Maria kur më në fund e gjetën?

22 Të kapluar nga ankthi, u kthyen në Jerusalem dhe e kërkuan Jezuin kudo që kishin qenë. Përfytyro sa bosh dhe i çuditshëm u dukej tani Jerusalemi, teksa endeshin nëpër rrugë e thirrnin emrin e të birit. Ku mund të ishte djali? Pas tri ditësh kërkim, mos vallë Jozefi pyeste veten në kishte dështuar keqas të kujdesej për përgjegjësinë e shenjtë që i kishte besuar Jehovai? Në fund, ata shkuan në tempull. Kërkuan atje derisa mbërritën në një dhomë ku ishin mbledhur shumë burra të ditur e njohës të mirë të Ligjit,  dhe Jezui i vogël rrinte ulur mes tyre. Imagjino ç’lehtësim provuan Jozefi dhe Maria!​—Luka 2:45, 46.

23 Jezui po dëgjonte burrat e ditur dhe tërë zell bënte pyetje. Burrat habiteshin me kuptueshmërinë dhe përgjigjet e fëmijës. Megjithatë, Maria me Jozefin ishin të tronditur. Sipas tregimit biblik, Jozefi nuk thotë gjë. Por fjalët e Marisë i tregojnë qartë ndjenjat e të dyve: «O biri im, përse na shqetësove kështu? Ati yt dhe unë po të kërkojmë me dëshpërim.»​—Luka 2:47, 48, Bibla ECM.

24. Si tregon Bibla një tablo realiste të detyrës prindërore?

24 Kështu, me pak penela Fjala e Perëndisë pikturon me mjeshtëri një tablo realiste të detyrës prindërore. Por, edhe kur fëmija është i përsosur, roli i prindit mund të jetë stresues. Të jesh  prind në botën e sotme të rrezikshme mund të sjellë «dëshpërim» të paparë, por baballarët dhe nënat ngushëllohen kur kuptojnë se Bibla e pranon sa të vështirë e kanë.

25, 26. Si iu përgjigj Jezui prindërve dhe si mund të jetë ndier Jozefi për fjalët që tha i biri?

25 Jezui kishte qëndruar tek i vetmi vend në botë ku ndihej më afër Atit të tij qiellor, Jehovait, dhe përpinte gjithçka që mësonte! Ai iu përgjigj prindërve tërë sinqeritet: «Pse duhej të më kërkonit? A nuk e dinit se unë duhet të jem në shtëpinë e Atit tim?»​—Luka 2:49.

26 S’ka dyshim se Jozefi i ka bluar në mendje shumë herë këto fjalë. Mbase rrezatonte tërë krenari për to. Në fund të fundit, ishte përpjekur maksimalisht t’i mësonte djalit të adoptuar që të ndihej ashtu për Perëndinë Jehova. Që në atë moshë të njomë, Jezui kishte ndjenja të ngrohta për fjalën «átë». Këto ndjenja ishin modeluar në një masë të madhe nga vitet që kishte kaluar me Jozefin.

27. Ç’privilegj ke nëse je baba dhe pse nuk duhet ta harrosh shembullin e Jozefit?

27 Nëse je baba, a e kupton ç’privilegj ke të ndihmosh fëmijët të krijojnë konceptin e babait të dashur dhe mbrojtës? Në mënyrë të ngjashme, nëse je njerk ose ke fëmijë të adoptuar, mos e harro shembullin e Jozefit dhe trajtoje secilin si individ unik dhe të çmuar. Ndihmoji t’i afrohen më tepër Atit të tyre qiellor, Perëndisë Jehova.​Lexo  Efesianëve 6:4.

Jozefi ngulmoi me besnikëri

28, 29. (a) Çfarë zbulojnë për Jozefin fjalët te Luka 2:51, 52? (b) Si e ndihmoi Jozefi Jezuin të rritej në mençuri?

28 Ndonëse Bibla tregon pak gjëra të tjera për jetën e Jozefit, ia vlen t’i shqyrtojmë me kujdes ato. Në Shkrime lexojmë se Jezui «vazhdoi t’u nënshtrohej atyre», prindërve të tij. Gjithashtu, aty na thuhet se «Jezui rritej në mençuri, në  shtat dhe fitonte gjithnjë e më shumë pëlqimin e Perëndisë dhe të njerëzve». (Lexo Lukën 2:51, 52.) Çfarë na zbulojnë këto fjalë për Jozefin? Disa gjëra. Mësojmë se Jozefi vazhdonte të merrte drejtimin në shtëpi, pasi djali i tij i përsosur e respektonte autoritetin e të atit dhe i nënshtrohej.

29 Veç kësaj, mësojmë se Jezui vazhdoi të rritej në mençuri dhe sigurisht që Jozefi ndikoi goxha që i biri të përparonte në këtë drejtim. Në ato kohë, mes judenjve qarkullonte një proverb që vlerësohej prej kohësh. Mund të dëgjohet e të lexohet edhe në ditët tona. Ai thotë se vetëm burrat që kanë kohë të lirë mund të bëhen vërtet të mençur, ndërsa zejtarët, si për shembull, zdrukthëtarët, bujqit dhe farkëtarët «nuk mund të shpallin drejtësi dhe gjykim, si dhe nuk mund t’i gjesh aty ku flitet me ilustrime». Më vonë, Jezui e demaskoi pavërtetësinë e këtij proverbi. Kur ishte fëmijë, kushedi sa herë e kishte dëgjuar babanë adoptues, një zdrukthëtar të thjeshtë, të mësonte me efektshmëri për ‘drejtësinë dhe gjykimin’ e Jehovait. S’ka dyshim, kishte pasur raste të panumërta.

30. Si la një shembull të mirë Jozefi për kryefamiljarët sot?

30 Po ashtu, ndikimin e Jozefit e vërejmë edhe në rritjen fizike të Jezuit. Atij i ishte treguar përkujdesje që në fëmijëri dhe, kur u rrit, Jezui u bë një burrë i fortë e i shëndetshëm. Më tej, Jozefi e stërviti dhe e aftësoi të birin në punën fizike që kishte. Jezui u bë i njohur jo vetëm si i biri i zdrukthëtarit, por edhe si «zdrukthëtari». (Mar. 6:3) Prandaj, stërvitja që i dha Jozefi, doli me sukses. Kryefamiljarët e imitojnë me mençuri Jozefin, duke u kujdesur për mirëqenien e fëmijëve dhe duke u siguruar që të jenë të aftë të mbajnë veten.

31. (a) Sipas dëshmive, kur mund të ketë vdekur Jozefi? (Përfshi  kutinë.) (b) Çfarë shembulli na ka lënë Jozefi?

31 Në momentin kur dokumentimi biblik thotë se Jezui pagëzohet në moshën 30-vjeçare, Jozefi nuk përmendet më. Dëshmitë lënë të kuptohet se Maria ishte vejushë kur Jezui nisi shërbimin. (Shih kutinë « Kur vdiq Jozefi?») Prapëseprapë, Jozefi la gjurmë të qarta: shembullin e mrekullueshëm të babait që siguroi mbrojtje, gjërat e nevojshme për familjen dhe që ngulmoi me besnikëri deri në fund. Çdo baba, çdo kryefamiljar dhe çdo i krishterë bën mirë të imitojë besimin e Jozefit.

^ par. 4 Në ato kohë, fejesa konsiderohej thuajse njësoj si martesa.

^ par. 8 Ky ‘yll’ nuk ishte fenomen astronomik. As nuk ishte dërguar nga Perëndia. Është e qartë se Satanai e përdori atë shenjë të mbinatyrshme si pjesë të planit mizor për të shfarosur Jezuin.

^ par. 11 Bibla tregon qartë se mrekullia e parë e Jezuit ose «fillimi i shenjave të tij» u bë pas pagëzimit.​—Gjoni 2:1-11.