SHUMË kohë para se Perëndia Jehova të krijonte tokën, krijoi engjëjt në qiell. Por, me kalimin e kohës, një engjëll filloi të dëshironte adhurimin që me të drejtë i përket vetëm Perëndisë. Kjo dëshirë e nxiti të vepronte, duke u bërë Satana, që do të thotë «Kundërshtar», pra, një që kundërshton Perëndinë. Çfarë bëri Satanai kundër Perëndisë?

Satanai përdori një gjarpër për të mashtruar Evën

Duke folur me anë të një gjarpri, Satanai e mashtroi Evën që të mos i bindej Perëndisë. Me dinakëri, e bëri atë të mendonte se Perëndia Jehova po i mbante diçka të mirë duke mos e lejuar të hante nga fryti i një peme të veçantë. Me paturpësi ai e quajti Perëndinë gënjeshtar dhe la të kuptohej se Eva duhej ta hidhte poshtë drejtimin e Perëndisë, duke thënë: «Perëndia e di se, po atë ditë që do të hani, sytë tuaj do të hapen e ju do të jeni si Perëndi, dhe do të njihni të mirën dhe të keqen.» (Zanafilla 3:5) Eva u tregua e marrë dhe i besoi gënjeshtrat e Satanait. Ajo e shkeli ligjin e Perëndisë dhe e shtyu Adamin të bënte po njësoj. Që nga ajo kohë, Satanai ka qenë armiku i të gjithë atyre që kanë vërtet besim. Dhe ai ka vazhduar t’i mashtrojë njerëzit deri sot e kësaj dite. Si?

Përhapet besimi i ndotur

Satanai ka përdorur idhujtarinë dhe traditat njerëzore për t’i mashtruar njerëzit

Satanai përdori idhujtarinë dhe traditat njerëzore për t’ua ndotur besimin bijve të Izraelit. Jezui, Mesia, u tha udhëheqësve të tyre fetarë se, ngaqë mësonin «urdhërime njerëzish», adhurimi i tyre ishte i kotë. (Mateu 15:9) Kur ai komb e hodhi poshtë Mesinë, edhe Perëndia i hodhi poshtë. Jezui u tha atyre: «Mbretëria e Perëndisë do t’ju merret dhe do t’i jepet një kombi që prodhon frytet e saj.» (Mateu 21:43) Atëherë dishepujt e Jezuit u bënë populli i miratuar i Perëndisë.

Më pas, Satanai u përpoq t’ua ndotte besimin dishepujve të Jezuit. A ia arriti? Në një ilustrim profetik, Jezui paratha se ç’do të ndodhte. Në atë ilustrim, një njeri mbolli grurë të mirë në një arë. Më vonë, një armik mbolli egjra mes grurit. Të mbjellat u lanë të rriteshin bashkë deri në kohën e korrjes. Atëherë, egjrat i ndanë nga gruri dhe i dogjën. Por grurin e mblodhën në depon e të zotit.

Më pas, Jezui u shpjegoi dishepujve se ç’kuptim kishte ilustrimi. Ai vetë ishte Mbjellësi. «Fara e mirë,—tha ai,—janë bijtë e mbretërisë, kurse egjrat janë bijtë e të ligut. Armiku që i mbolli, është Djalli, të korrat janë përfundimi i një sistemi dhe korrësit janë engjëjt.» (Mateu 13:38, 39) Jezui i krahasoi dishepujt e tij të vërtetë me grurin. Por, Satanai mbolli dishepuj të rremë, si egjrat, mes këtyre dishepujve të vërtetë të Jezuit. Prandaj, siç kishte parathënë vetë Jezui, gjatë shekujve pas vdekjes së tij, u shfaqën dishepujt e rremë. Këta përhapën mësime apostate, si Triniteti, domethënë ideja se janë tre persona në një Perëndi. Po ashtu, dishepujt e rremë filluan të merreshin me idhujtari dhe të përziheshin në politikë.  Vetëm pak qëndruan besnikë ndaj mësimeve të Jezuit.

Ruhet besimi i pastër

Megjithatë, siç shpjegoi Jezui, në fund do të ndodhte një ndryshim. Engjëjt e Perëndisë do t’i ndanin ata që nuk kishin vërtet besim ose një besim të pastër, dhe do t’i shkatërronin. Atëherë, ata që do të kishin vërtet besim, do të dalloheshin më lehtë. Përfundimisht do të shkatërrohej edhe Satana Djalli, armiku i parë i besimit. Po, besimi i pastër do të triumfonte!

Por, si mund t’i dallosh njerëzit që kanë vërtet besim sot? Përgjigjen e kësaj pyetjeje do ta shqyrtojmë më pas.

Engjëjt e Perëndisë po kërkojnë njerëz që dëshirojnë të kenë vërtet besim