Emri hyjnor me shkronjat e lashta hebraike që përdoreshin para mërgimit babilonas

Emri hyjnor me shkronjat hebraike që përdoreshin pas mërgimit babilonas

Emri i Perëndisë, i cili paraqitet me anë të katër bashkëtingëlloreve hebraike יהוה, shfaqet pothuajse 7.000 herë në Shkrimet Hebraike. Në Përkthimin Bota e Re këto katër shkronja, që njihen si Tetragrami, janë përkthyer «Jehova». Ky emër është pa dyshim emri që shfaqet më shpesh në Bibël. Edhe pse shkrimtarët e frymëzuar i referohen Perëndisë me shumë tituj dhe terma përshkrues të tillë, si «I Plotfuqishmi», «Më i Larti» dhe «Zotëria», Tetragrami është i vetmi emër personal që përdorin për ta identifikuar Perëndinë.

Vetë Perëndia Jehova i urdhëroi shkrimtarët e Biblës të përdornin emrin e tij. Për shembull, ai frymëzoi profetin Joel të shkruante: «Kushdo që thërret emrin e Jehovait, do të shpëtojë.» (Joeli 2:32) Po ashtu, Perëndia e shtyu një psalmist të shkruante: «Që ta dinë se vetëm ti, që e ke emrin Jehova, je Më i Larti në tërë dheun.» (Psalmi 83:18) Në fakt, emri hyjnor shfaqet rreth 700 herë vetëm në librin e Psalmeve​—një libër me poezi që populli i Perëndisë duhej t’i këndonte dhe t’i recitonte. Pse atëherë, emri i Perëndisë mungon në shumë përkthime të Biblës? Pse në Përkthimin Bota e Re përdoret forma «Jehova»? Ç’kuptim ka emri hyjnor, Jehova?

Fragmente nga Psalmet në një rrotull të Detit të Vdekur, e cila daton në gjysmën e parë të shekullit të parë të e.s. Teksti është me stilin e shkronjave hebraike që përdoreshin gjerësisht pas mërgimit babilonas, por Tetragrami shfaqet vazhdimisht me shkronja të dallueshme të hebraishtes së lashtë

Pse mungon emri në shumë përkthime të Biblës? Arsyet janë të ndryshme. Disa mendojnë se Perëndia i Plotfuqishëm nuk ka nevojë për një emër unik që ta identifikojë. Të tjerë duket se janë ndikuar nga tradita judaike, e cila shmangte përdorimin e emrit, mbase nga frika se mos përdhosej. Gjithashtu, disa të tjerë besojnë se, meqë askush nuk mund të jetë i sigurt për shqiptimin e saktë të emrit të Perëndisë, është më mirë të përdoret thjesht një titull, si «Zotëri» ose «Perëndi». Mirëpo, këto kundërshtime s’kanë shumë bazë për arsyet vijuese:

  • Ata që debatojnë se Perëndia i Plotfuqishëm nuk ka nevojë për një emër unik shpërfillin dëshmitë se kopje të hershme të Fjalës së tij, përfshirë edhe ato të kohës para Krishtit që janë ruajtur,  përmbajnë emrin personal të Perëndisë. Siç u theksua më sipër, Perëndia urdhëroi që emri i tij të përfshihet në Fjalën e tij rreth 7.000 herë. Është e qartë se ai do që ta njohim dhe ta përdorim emrin e tij.

  • Përkthyesit që heqin emrin nga konsiderata që kanë për traditën judaike, nuk pranojnë një fakt kyç. Ndonëse disa skribë judenj refuzonin të shqiptonin emrin, nuk e hoqën nga kopjet e tyre të Biblës. Në rrotullat e lashta të gjetura në Kumran, pranë Detit të Vdekur, emri ndodhet në shumë vende. Disa përkthyes të Biblës lënë të kuptohet se emri hyjnor shfaqej në tekstin origjinal, sepse titullin me të cilin e zëvendësojnë, «ZOTËRI», e shkruajnë me shkronja të mëdha. Por mbetet ende pyetja: pse këta përkthyes i kanë dhënë liri vetes të zëvendësojnë ose të heqin emrin e Perëndisë nga Bibla ndërkohë që pranojnë se gjendet në tekstin e saj mijëra herë? Kush sipas tyre u dha autoritetin të bëjnë një ndryshim të tillë? Vetëm ata mund ta thonë.

  • Ata që thonë se emri hyjnor nuk duhet përdorur ngaqë nuk dihet saktësisht si shqiptohet, prapëseprapë e përdorin lirshëm emrin Jezu. Por, dishepujt e Jezuit në shekullin e parë e shqiptonin emrin e tij mjaft ndryshe nga mënyra si e shqiptojnë shumica e të krishterëve sot. Ka mundësi që të krishterët judenj emrin Jezu e shqiptonin Jeshúa‛, kurse titullin «Krisht» Mashíah ose «Mesia». Të krishterët greqishtfolës e quanin Iesoús Hristós, ndërsa të krishterët që flitnin latinisht Iésus Krístus. Nën frymëzim, përkthimi grek i emrit të tij u regjistrua në Bibël. Shkrimtarët e Biblës nuk u përpoqën ta ruanin shqiptimin origjinal hebraik, por në mënyrë të logjikshme përdorën formën e emrit që ishte e zakonshme në gjuhën greke. Në mënyrë të ngjashme, Komiteti i Përkthimit të Biblës Bota e Re mendon se është e arsyeshme të përdoret forma «Jehova», megjithëse kjo nuk është tamam mënyra si mund ta kenë shqiptuar emrin hyjnor në hebraishten e lashtë.

Pse Përkthimi Bota e Re përdor formën «Jehova»? Në shqip, katër shkronjat e Tetragramit (יהוה) paraqiten nëpërmjet bashkëtingëlloreve JHVH. Ashtu si të gjitha fjalët e shkruara në hebraishten e lashtë, edhe Tetragrami nuk kishte zanore. Kur hebraishtja e lashtë përdorej në jetën e përditshme, lexuesit vinin pa problem zanoret e duhura.

Rreth një mijë vjet pasi përfunduan Shkrimet Hebraike, studiuesit judenj zhvilluan një sistem pikash ose shenjash shqiptimi, me anë të të cilit të tregonin se cilat zanore të përdoreshin kur lexohej në hebraisht. Megjithatë, në atë kohë tashmë shumë judenj kishin idenë bestyte se ishte e gabuar të thoshe me zë emrin  personal të Perëndisë, prandaj përdornin shprehje zëvendësuese. Kështu, duket se kur kopjuan Tetragramin, kombinuan zanoret e shprehjeve zëvendësuese me katër bashkëtingëlloret që përfaqësonin emrin hyjnor. Ja pse dorëshkrimet me ato pika zanore nuk ndihmojnë për të përcaktuar se si shqiptohej në fillim emri në hebraisht. Disa mendojnë se emri shqiptohej «Jahveh», kurse të tjerë sugjerojnë mundësi të ndryshme. Në një rrotull të Detit të Vdekur, e cila ka një pjesë nga Levitiku në greqisht, emri hyjnor është transliteruar Iao. Përveç kësaj forme, shkrimtarë të hershëm grekë sugjerojnë edhe shqiptimet Iae, Iabé dhe Iaoué. Gjithsesi, nuk ka pse të jemi dogmatikë. Thjesht nuk e dimë se si e shqiptonin këtë emër në hebraisht shërbëtorët e lashtë të Perëndisë. (Zanafilla 13:4; Dalja 3:15) Ajo që dimë është se Perëndia e përdorte emrin e tij vazhdimisht kur komunikonte me popullin e tij, se ata i drejtoheshin atij me këtë emër dhe se e përdornin lirshëm kur flisnin me të tjerët.—Dalja 6:2; 1 Mbretërve 8:23; Psalmi 99:9.

Pse atëherë, në Përkthimin Bota e Re përdoret forma «Jehova»? Sepse kjo formë e emrit hyjnor, në shumë gjuhë ka një histori të gjatë.

Emri i Perëndisë te Zanafilla 15:2 në përkthimin e Pentateukut nga Uilliam Tindali, viti 1530

Për shembull, hera e parë që emri personal i Perëndisë doli në një Bibël në anglisht ishte më 1530, në përkthimin e Pentateukut nga Uilliam Tindali. Ai përdori formën «Iehouah». Me kalimin e kohës, gjuha angleze ndryshoi dhe germëzimi i emrit hyjnor u modernizua. Për shembull, më 1612, Henri Ejnzuorth përdori formën «Iehovah» në gjithë përkthimin e librit të Psalmeve. Pastaj, më 1639, kur kjo vepër u rishikua dhe u shtyp bashkë me Pentateukun, u përdor forma «Jehovah». Më 1901, përkthyesit që nxorën Biblën American Standard Version përdorën formën «Jehovah» atje ku emri hyjnor shfaqej në tekstin hebraik.

Studiuesi biblik i respektuar, Xhozef Brajant Rotherhami, duke shpjeguar pse përdori fjalën «Jehovah» në vend të «Yahweh» në  veprën e tij të vitit 1911, Studime të Psalmeve (anglisht), tha se donte të përdorte «një formë të emrit që ishte më e njohur (por edhe plotësisht e pranueshme) për publikun e përgjithshëm që lexon Biblën». Më 1930, studiuesi A. F. Kërkpetrik theksoi diçka të ngjashme në lidhje me përdorimin e formës «Jehovah». Ai tha: «Gramatikanët e sotëm debatojnë se duhet lexuar Yahveh ose Yahaveh; por fjala JEHOVAH duket patundshmërisht e rrënjosur në gjuhën angleze dhe pika që ka vërtet rëndësi nuk është shqiptimi i saktë, por pranimi i faktit se është Emër i Veçantë e jo thjesht një titull përshkrues si ‘Zotëri’.»

Edhe në gjuhën shqipe është përdorur emri hyjnor. Në Biblat që disponohen sot në shqip (përveç Përkthimit Bota e Re), emri hyjnor përdoret në formën e tij të plotë gjithsej 13 herë në Shkrimet Hebraike. Në shumicën e rasteve emri është përkthyer «Jehovah» (10 herë), ndërsa në tri raste të tjera është përkthyer «Jahve». Përkthimi i Biblës që përmend më shumë emrin hyjnor është ai i Kristoforidhit (1884), ku del gjithsej 8 herë në formën «Jehovah».

Tetragrami, JHVH: «Ai shkakton të bëhet»

Folja HVH: «të bëhet»

Cili është kuptimi i emrit Jehova? Në hebraisht, emri Jehova vjen nga një folje që do të thotë «të bëhet» dhe mjaft studiues mendojnë se ai pasqyron formën shkakore të kësaj foljeje hebraike. Prandaj, kuptueshmëria e Komitetit të Përkthimit të Biblës Bota e Re është se emri i Perëndisë do të thotë «Ai shkakton të bëhet». Studiuesit kanë pikëpamje të ndryshme, për këtë arsye nuk mund të jemi dogmatikë për këtë kuptim. Megjithatë, ky përkufizim përshtatet mirë me rolin e Jehovait si Krijuesi i gjithçkaje dhe Plotësuesi i qëllimit të tij. Ai jo vetëm shkaktoi ardhjen në ekzistencë të universit fizik dhe të qenieve me intelekt, por, ndërsa ngjarjet shpalosen, vazhdon të shkaktojë plotësimin e vullnetit dhe të qëllimit të tij.

Prandaj, domethënia e emrit Jehova nuk kufizohet vetëm me foljen përkatëse që gjendet te Dalja 3:14, ku thuhet «Unë do të bëhem çdo gjë që dua të bëhem» ose «Unë do të jem ai që do të jem». Në kuptimin më të ngushtë, këto fjalë nuk përkufizojnë plotësisht emrin e Perëndisë. Përkundrazi, zbulojnë një aspekt të personalitetit të tij, duke treguar se ai bëhet çfarë nevojitet në çfarëdo rrethane për të plotësuar qëllimin e tij. Kështu, ndonëse emri Jehova mund të përfshijë këtë ide, nuk kufizohet vetëm me atë që zgjedh ai vetë të bëhet. Emri përfshin edhe atë që Ai shkakton të ndodhë në lidhje me krijimin e tij dhe me plotësimin e qëllimit të tij.