Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Azerbajxhan

 PREDIKOJNË DHE MËSOJNË NË MBARË BOTËN

Evropa

Evropa
  • VENDE 47

  • POPULLSIA 744.482.011

  • LAJMËTARË 1.611.290

  • STUDIME BIBLIKE 834.121

Një përgjigje e butë

Gjeorgji, një burrë iu afrua stendës duke bërtitur: «Nuk do t’ju lë të predikoni këtu! Gjeorgjia është vend ortodoks.» Vëllai që qëndronte në anë të stendës e pyeti me mirësjellje nëse kishte lexuar ndonjë nga botimet tona. Burri iu përgjigj: «Jo, nuk i kam lexuar.» Vëllai me shumë takt i sugjeroi të lexonte diçka. Ajo përgjigje e arsyeshme  e qetësoi burrin, i cili mori disa botime. Disa ditë më vonë burri erdhi përsëri dhe kërkoi ndjesë për sjelljen e mëparshme. Ai tregoi se i kishte lexuar nënës së tij të verbër revistën tonë. Të dyve u kishte pëlqyer shumë, dhe tani donin ndonjë botim tjetër. Burri shkon rregullisht te stenda për të marrë revistat e fundit.

Një mënyrë më e mirë për të zgjidhur mosmarrëveshjet

Dy vëllezër në Azerbajxhan iu afruan një të riu që po rrinte para një ndërtese dhe i dhanë dëshmi. I riu u përgjigj: «Nuk mund t’i dëgjoj këto gjëra; do të ishte mëkat.» Ai nxori një thikë nga xhepi i pasmë dhe tha: «Më kanë trajtuar padrejtësisht dhe tani jam gati ta përdor këtë thikë për të vënë në vend drejtësinë.»

Vëllezërit shtangën, por i thanë: «Është mëkat të vrasësh.»

Atëherë i riu i pyeti: «Çfarë duhet të bëj?» Ata i lexuan Romakëve 12:17-21 e i shpjeguan se hakmarrja i përket Zotit, dhe se ne nuk duhet ta lëmë ‘të keqen të na mundë, por të vazhdojmë ta mundim të keqen me të mirën’. Vëllezërit i thanë se i foluri i butë ka shumë fuqi dhe se ndërgjegjja do ta rrënonte po të lëndonte a vriste dikë. I riu u largua, por i ngelën në mendje gjërat që dëgjoi.

Rreth një orë më vonë, ai i gjeti vëllezërit dhe u tha: «Po kthehem nga personi që kisha ndër të vrisja. Nuk i bëra gjë dhe e zgjidha mosmarrëveshjen që kisha me të.  U jam mirënjohës që nuk më latë të futesha në telashe.» Dëshmitarët i shpjeguan se në të vërtetë ishte Jehovai që e kishte ndihmuar.

Stendat nxitin një motër joaktive

Disa vite më parë, një motër në Norvegji u largua nga e vërteta. Pasi nisën të përdoreshin stendat në dëshminë publike, ajo kalonte shpesh pranë njërës prej tyre kur bënte pazarin.

Edhe pse nuk iu afrua asnjëherë Dëshmitarëve që rrinin te stendat, i binin në sy posterat tërheqës dhe sistemimi i këndshëm i botimeve. Këto, si dhe pamja miqësore e modeste e Dëshmitarëve, i zgjuan dëshirën që të kthehej te Jehovai e te populli i tij.

Gjithashtu, ajo vuri re logon e sitit tonë, jw.org, kështu që vendosi ta vizitojë. U mahnit kur pa sa e kollajshme ishte të gjejë adresën e Sallës më të afërt të Mbretërisë dhe oraret e mbledhjeve. Ajo shkarkoi disa botime dhe shkoi në mbledhje disi me ngurrim. Atje e mirëpritën dhe pleqtë morën masa që një motër të studionte Biblën me të. Shumë shpejt zuri miq të mirë në kongregacion dhe iu rikthye rutinës teokratike. Tani ajo merr pjesë rregullisht në mbledhje e në predikim dhe është e lumtur që ka përsëri një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain.

I predikon shokëve të klasës në autobusin e shkollës

Ronja 15-vjeçare, që jeton në Norvegji, foli me tre djem të klasës rreth evolucionit ndërsa ishin në autobusin e shkollës. Djemtë nuk i respektuan aspak bindjet e  saj, kështu që motra jonë e re u vu në siklet. Ngaqë kishte ca kohë pa folur rreth kësaj teme, i kërkoi ndihmë mamit që të gjenin prova bindëse se ekziston një Krijues.

Norvegji: Ronja mbron bindjet e saj

Të nesërmen, po në autobusin e shkollës, Ronja përdori argumentet që kishte përgatitur. Prapëseprapë djemtë u tallën me besimin e saj te Jehovai. Një prej tyre tha me zë të lartë: «Asnjëri prej nesh në këtë autobus nuk beson te Jehovai! Ngrini duart! Kush beson tek evolucioni, dhe kush beson te Jehovai?» Ronja u çudit kur një 12 vjeçar, i cili ishte ulur aty afër, ngriti dorën dhe pranoi: «Unë besoj te Jehovai!» Dy fëmijë të tjerë iu bashkuan atij duke thënë: «Edhe unë!» Bisedën e Ronjës me shokët e klasës e kishin dëgjuar nxënës të tjerë, dhe disa prej tyre ishin bindur nga argumentet e saj.

 Gjen të vërtetën nga një libër

Një pasdite, dy burra nga Siria që flisnin arabisht, shkuan në zyrën e degës në Danimarkë. Ata u thanë motrave në recepsion se po kërkonin Dëshmitarët e Jehovait. Burrat u kënaqën kur motrat iu përgjigjën se kishin ardhur në vendin e duhur. Si e kishin gjetur adresën? Ata i kishin treguar punonjësve të bibliotekës së zonës një foto që kishin bërë me telefon. Ishte fotoja që tregonte faqen e botuesve të librit Çfarë mëson vërtet Bibla? në arabisht. Punonjësit e bibliotekës kishin dalluar cilët ishin botuesit dhe u kishin dhënë adresën e zyrës së degës.

Dy burrat komunikonin me vështirësi në gjuhën daneze. Ndaj thërritën në recepsion një vëlla që fliste arabisht. U duk qartë se njëri prej burrave ishte mjaft i interesuar të mësonte më shumë për Biblën. Vëllai mori masa që ta takonte sërish dhe i premtoi se do të kalonte shumë shpejt, së bashku me një vëlla që fliste arabisht.

Kur i shkuan në shtëpi, mësuan që burri nuk i kishte takuar Dëshmitarët e Jehovait më parë. Ai u tregoi vëllezërve se librin e kishte gjetur në kutinë e tij postare, edhe pse nuk kishte asnjë të dhënë se kutia i përkiste një arabishtfolësi. Ngaqë ishte i pashkolluar i kërkoi një shoku t’ia lexonte librin dhe e mbaruan atë për tri ditë. Ajo që dëgjoi i mjaftoi për t’u bindur se kishte gjetur të vërtetën.

Jeta si refugjat e larg nga familja kishte qenë shumë stresuese për të, por tani po gjen ngushëllim në Bibël. Kur vëllezërit e vizituan për herë të parë, ai i pyeti: «Pse nuk keni ardhur të më takoni më parë? Kisha vërtet nevojë  për këtë.» Ai vazhdon studimin dhe është entuziast për atë që po mëson.

Një zemër e zbrazët mbushet plot gëzim

Dmitri punonte si menaxher për një kompani duhani në Ukrainë, por kur u bë më i vetëdijshëm sa e dëmtonte duhani shëndetin, ai e la këtë punë që paguhej mirë. Brenda tre muajve i vdiqën mamaja dhe vjehrra. U trondit jashtë mase kur humbi këta persona të dashur. Dmitri shpresonte të gjente ngushëllim dhe të merrte përgjigje për pyetjet që i lindën nga kisha e tij, por kjo nuk ndodhi. Një shok i tha se të ishe i krishterë ortodoks do të thoshte të kishe «një kryq rreth qafës e zbrazëti në zemër». Pikërisht kështu ndihej Dmitri. Ai e kuptoi se nuk dinte asgjë për Zotin a për Biblën. I dëshpëruar u lut për ndihmë. Pastaj i erdhi ndër mend se kishte dëgjuar për Dëshmitarët e Jehovait. Ai gjeti sitin tonë në internet dhe u mrekullua kur pa sa shumë informacion kishte rreth Biblës. Pas kësaj kërkoi Sallën më të afërt të Mbretërisë. Kur mbërriti te parkingu një vëlla e mirëpriti dhe e pyeti si mund ta ndihmonte. Dmitri u përgjigj: «Dua të studioj Biblën.» Tani ka gjashtë muaj që studion dhe ndjek mbledhjet e bën komente rregullisht.

Ndjekin interesin me anë të shënimeve

Poli dhe Feithi, të cilët jetojnë në Britani, u kënaqën nga biseda që bënë me një grua të quajtur Suzana dhe e lanë për t’u takuar. Kur shkuan sërish, nuk e gjetën Suzanën në shtëpi. Duke ndjekur sugjerimin te Shërbimi ynë i Mbretërisë i nëntorit 2014, Poli dhe Feithi i lanë një  shënim për ta lajmëruar se do të shkonin prapë të nesërmen. U kthyen e u habitën kur gjetën në derën e Suzanës një shënim të lënë për ta. Ajo shpjegonte se duhej të bënte pazar për dasmën e së bijës. Poli dhe Feithi lanë një shënim tjetër ku thoshin se do ktheheshin javën vijuese. Kësaj herë Suzana po i priste dhe filluan të trajtonin një temë nga libri Çfarë mëson.

Britani: Poli dhe Feithi lënë shënime

Meqë vajza e saj do të martohej së shpejti, Suzana u kërkoi ta shtynin takimin e radhës. Kur Poli dhe Feithi u kthyen, nuk u përgjigj njeri, kështu që lanë një shënim me numrin e tyre të telefonit. Sa u kënaqën kur Suzana u dërgoi një mesazh ku shkruante se i vinte keq që s’i kishte dëgjuar, sepse kishte qenë në kopsht duke folur me një fqinje. Që atëherë, Suzana  po kënaqet me studimin dhe kohët e fundit ndoqi mbledhjen për herë të parë.

Poli dhe Feithi kanë parë se sa e dobishme është të lësh shënime. Ai shprehet: «Edhe disa rivizita të tjera kanë lexuar shënimet që u kemi lënë. Është e mrekullueshme!»

Besimi i tij e preku infermieren

Në gusht 2014, një vëlla në Hungari u shtrua në spital nga embolia pulmonare. Mjerisht, nuk kaloi shumë e vëllai vdiq. Gruaja e tij shkroi kështu në lidhje me Tinden, infermieren që i kishte shërbyer pa u kursyer:

«Në verën e vitit 2015, unë dhe im bir ndoqëm kongresin rajonal ‘Imito Jezuin!’ Në fund të kongresit, kur ishim te parkingu e po bëheshim gati për t’u kthyer në shtëpi, një grua ndaloi përballë meje, lëshoi çantat përtokë, më përqafoi dhe filloi të qajë. Ishte infermierja që një vit më parë u kujdes për tim shoq në reanimacion. Ajo më shpjegoi se në fillim të turnit çdo infermiereje i caktohej një pacient. Gjithmonë lutej t’i caktonin tim shoq. Dhe pikërisht kjo ndodhte.

Tindeja u shpreh se sjellja e shkëlqyer e tim shoqi që vinte nga besimi i tij dhe shpresa për të cilën fliste vazhdimisht, e nxitën të studionte seriozisht Biblën me Dëshmitarët e Jehovait.

Tani ajo është duke studiuar Biblën dhe mezi pret kohën kur do të takojë përsëri burrin tim. Ka dëshirë t’i tregojë se sjellja dhe besimi i tij e nxitën të njihte Jehovain dhe premtimet e tij të mrekullueshme.»

 Predikojnë makinë më makinë

Bullgari: U predikojnë shoferëve të kamionëve në kufi

Disa pika kontrolli në kufirin mes Greqisë dhe Bullgarisë me raste bllokoheshin për shkak të protestave dhe postblloqeve, ndaj krijohej një radhë makinash disa kilometra e gjatë. Një kongregacion pranë kufirit në Bullgari, e shfrytëzoi këtë situatë për t’u dhënë botime biblike njerëzve që prisnin. Vëllezërit shkuan në kufi dhe morën me vete botime në 12 gjuhë. Shumë nga shoferët e kamionëve ishin të rraskapitur e të acaruar, gjithsesi kishin dëshirë të flisnin. Vëllezërit i dëgjuan me empati dhe u dhanë forcë e shpresë. Një shofer pyeti: «Dëshmitarët e Jehovait jeni?» Pasi mori përgjigje pohuese, ai shtoi: «E dija, sepse vetëm Dëshmitarët e Jehovait predikojnë si po bëni ju.» Një shofer kamioni nga Austria për të ngacmuar tha: «As këtu nuk shpëtojmë dot nga ju! Bravo! Ju lutem, vazhdoni t’u jepni njerëzve forcë e shpresë.» Një tjetër u shpreh: «Asnjëherë s’kam pasur qejf t’i lexoj botimet tuaja, ndërsa tani do t’i lexoj me kënaqësi.» Ndërsa një shoferi i shkuan lot nëpër faqe kur i predikoi një vëlla. Ai u tha se kishte vite që i kishte shkëputur lidhjet me Dëshmitarët. Vëllezërit e nxitën të lexonte botimet, si edhe të lidhej me një kongregacion.