Motrat e vëllezërit tanë japin prova se i qëndrojnë besnikë Perëndisë Jehova gjatë betejave ligjore dhe rrethanave sfiduese. Shembulli i tyre na nxit të gjithëve të qëndrojnë të palëkundur në besim, të sigurt se «Jehovai do ta heqë mënjanë besnikun e tij për ta nderuar».​—Psal. 4:3.

ARGJENTINË | E drejta për t’u mësuar fëmijëve bindjet fetare

Rutha u rrit në një familje Dëshmitarësh, por u bë joaktive që në moshë të re. Më vonë, u lidh me dikë e me kalimin e kohës solli në jetë një vajzë. Një ditë, në qytetin e La Platës, Rutha pa Dëshmitarët e Jehovait tek jepnin dëshmi në një kioskë me botime dhe iu kujtua çfarë i kishin mësuar prindërit. U nxit të shoqërohej sërish me kongregacionin dhe filloi ta mësonte vajzën e saj të vogël për Biblën. I ati i vajzës i kundërshtoi aktivitetet fetare të Ruthës dhe e çoi çështjen në gjyq, me qëllim që Rutha të mos e mësonte vajzën e tyre rreth Biblës e të mos e merrte në mbledhjet e kongregacionit.

Avokati i Ruthës arsyetoi se të dy prindërit kanë të drejtë të flasin për bindjet fetare me fëmijën e tyre dhe se gjykata nuk mund ta heqë këtë të drejtë pa pasur prova se mësimi fetar e dëmton fëmijën. Gjykata vendosi se prindërit duhet të respektonin të drejtën e vajzës së tyre që të praktikonte fenë lirisht, ndonëse atëherë ishte vetëm katër vjeçe. Gjykata e apelit shpjegoi më tej se fëmija ishte shumë e vogël për të vendosur vetë rreth arsimimit fetar dhe se të dy prindërit kanë të drejtë të barabartë ta mësojnë atë për gjëra fetare.

Vajza e Ruthës e lexon Biblën e saj çdo natë dhe tani ndjek mbledhjet bashkë me mamin. Ajo mezi pret të shohë Bethelin në Buenos-Ajres.

 AZERBAJXHAN | E drejta për t’i shfaqur hapur bindjet fetare

Apostulli Pavël tha se në kongregacionin e krishterë «sikur të vuajë një gjymtyrë, gjithë gjymtyrët e tjera vuajnë bashkë me të». (1 Kor. 12:26) Kjo doli e vërtetë, pasi Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën u shqetësuan tej mase për vuajtjen e motrave Irina Zaharçenko dhe Valida Jabrajilova në Azerbajxhan. Në shkurt 2015, autoritetet i akuzuan motrat për veprimtari fetare të paligjshme. Gjykatësi i dënoi me paraburgim dhe ngaqë gjyqi u shty disa herë, motrat kaluan thuajse një vit në burg, ku i trajtuan keq e u mohuan ç’u nevojitej.

Azerbajxhan: Valida Jabrajilova dhe Irina Zaharçenko

Kur më në fund çështja e tyre u shqyrtua në gjykatë, në janar 2016, gjykatësi i shpalli motrat fajtore e u vuri gjobë, por më pas i anuloi ato ngaqë motrat ishin mbajtur në paraburgim, dhe i la të ktheheshin në shtëpi. Pasi Gjykata e Apelit në Baku i hodhi poshtë kërkesat e tyre për t’i shfajësuar nga paditë penale, motrat apeluan në Gjykatën e Lartë. Përveç kësaj, paraqitën ankesë pranë Komitetit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut kundër keqtrajtimit dhe dhunimit të së drejtës për të shfaqur hapur bindjet fetare.

Ndërkohë motrat po marrin veten nga gjithë ç’kanë kaluar. Ato kanë shprehur vlerësim të thellë për lutjet e shumta dhe për merakun e treguar ndaj tyre. Motër Jabrajilova i shkroi  Trupit Udhëheqës: «Lutjet tuaja na ndihmuan t’i përballonim vështirësitë, dhe me të vërtetë e ndieva këtë. S’do ta harroj kurrë dashurinë e kujdesin tuaj, të Jehovait dhe të vëllezërve e motrave përreth botës.»

ERITRE | Të burgosur për shkak të besimit

Që nga korriku i vitit 2016 qeveria e Eritresë ka burgosur 55 Dëshmitarë të Jehovait për shkak të besimit. Tre vëllezër​—Paulos Ijasu, Isak Mogosi dhe Negede Teklemarijami—​ndodhen në burg që nga shtatori i vitit 1994, ndërsa nëntë vëllezër të tjerë kanë kaluar të paktën dhjetë vjet në burg.

Një zhvillim pozitiv ndodhi në janar të 2016-s, kur një gjykatë mori në shqyrtim çështjen e Dëshmitarëve të arrestuar në Përkujtimin e mbajtur në Asmara në prill 2014. Kjo ishte hera e parë që autoritetet i akuzuan zyrtarisht Dëshmitarët për «krim» dhe u dhanë mundësinë të mbroheshin. Siç pritej, shumicën e motrave dhe vëllezërve të akuzuar i shpallën fajtorë për pjesëmarrje në një mbledhje «të paligjshme», u vunë gjobë dhe më pas i liruan. Gjithsesi, Sarona Gebruja, një prej motrave të akuzuara, nuk pranoi të paguante gjobën. Si pasojë u dënua me gjashtë muaj burg. Motrën Gebru e lejonin të kishte vizita një herë në javë dhe ajo u shpreh se në burg e trajtuan mirë. Ajo dhe 54 Dëshmitarët e tjerë të burgosur i vlerësojnë lutjet e shumta që bëhen për ta, ndërsa të gjithë ne ‘kujtojmë ata që janë në vargonj, sikur të [ishim] në vargonj me ta’.​—Hebr. 13:3.

GJERMANI | Liria fetare​—Njohje ligjore

Më 21 dhjetor 2015, shteti i Bremenit, në veriperëndim të Gjermanisë, më në fund i siguroi Shoqatës Fetare të Dëshmitarëve të Jehovait në Gjermani status ligjor më të lartë se i mëparshmi. Ky vendim i dha fund një beteje ligjore 4-vjeçare në gjykatat gjermane. Pas vendimit të Gjykatës më të Lartë Administrative të Berlinit, shumica e 16 republikave të Gjermanisë  u dhanë Dëshmitarëve të Jehovait atë që quhet status i njohur me ligj. Megjithatë, autoritetet e Bremenit vendosën të mos ia jepnin këtë status Dëshmitarëve, kryesisht për shkak të akuzave të rreme të përhapura nga kundërshtarët.

Në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese Federale e Gjermanisë arriti në përfundimin se shteti i Bremenit po shkelte të drejtat kushtetuese të Dëshmitarëve. Ky vendim vërteton se liria fetare e garantuar në kushtetutë mbron veprimtarinë e Dëshmitarëve të Jehovait në Bremen. Kongregacionet atje përjashtohen nga taksat e gëzojnë edhe privilegje të tjera si fetë kryesore në Gjermani.

KIRGIZISTAN | E drejta për t’i shfaqur hapur bindjet fetare

Në mars 2013, autoritetet në Osh, Kirgizistan, ngritën akuza të rreme penale kundër Oksana Koriakinës dhe së ëmës, Nadezhda Sergienkos. Prokurori i akuzoi Dëshmitaret se zhvatnin para teksa flitnin me njerëzit për mësimet e Biblës dhe gjykatësi i dënoi me arrest shtëpie, ndërsa çështja ngeli pezull. Në tetor 2014, gjykata shpalli se dëshmitë ishin sajuar, se ishin shkelur procedurat dhe se motrat ishin të pafajshme. Gjykata e Apelit e la në fuqi këtë vendim në tetor 2015.

Sidoqoftë, prokurori i qytetit të Oshit apeloi sërish, këtë herë në Gjykatën e Lartë të Kirgizistanit. Kjo e fundit nuk i shfajësoi motrat dhe urdhëroi hapjen e një gjyqi tjetër. Në seancën dëgjimore që u mbajt në prill 2016, avokatët që përfaqësonin motrat kërkuan të mbyllej gjyqi, pasi afati ligjor për hetimin kishte përfunduar. Gjykatësi s’kishte zgjidhje tjetër veçse ta mbyllte çështjen e t’i jepte fund procedurave penale.

Gjatë atyre sfidave, motrat mbajtën qëndrim pozitiv. Motër Sergienko tha: «Shpesh njerëzit mbushen me mllef kur të tjerët i trajtojnë keq, por unë ndjeva dashurinë dhe kujdesin  e Jehovait me anë të motrave e të vëllezërve. Nuk ishim kurrë vetëm.» Motrat e panë me sytë e tyre se Jehovai vazhdon të veprojë sipas premtimit që gjendet tek Isaia 41:10: «Mos ki frikë. . . . Unë do të të mbaj fort me të djathtën time të drejtësisë.»

KIRGIZISTAN | Liria fetare​—Njohje ligjore

Më 9 gusht 2015, dhjetë policë hynë me forcë në një mbledhje të Dëshmitarëve të Jehovait në qytetin e Oshit, Kirgizistan. Ata urdhëruan që të ndalej menjëherë mbledhja «e paligjshme», e madje kërcënuan se do të qëllonin me armë mbi 40 të pranishmit. Policia çoi në rajon dhjetë vëllezër, nëntë prej të cilëve i keqtrajtoi, i rrahu e më pas i liroi. Dy ditë më vonë, një nga vëllezërit që ishte rrahur mizorisht, Nurlan Usupbaevi, u arrestua dhe u akuzua për aktivitet fetar të paligjshëm ngaqë drejtonte mbledhjen.

Kur çështja kundër vëlla Usupbaevit u paraqit në Gjykatën e qytetit të Oshit, gjykatësi nuk gjeti asnjë provë për akuzat e ngritura ndaj e mbylli çështjen. Prokurori apeloi në Gjykatën Rajonale të Oshit, e cila e refuzoi apelimin e tij, duke pohuar se vëlla Usupbaevi nuk mund të shpallej fajtor për aktivitet fetar të paligjshëm sepse Dëshmitarët e Jehovait njihen ligjërisht në Kirgizistan.

Prokurori nuk u dorëzua dhe apeloi në Gjykatën e Lartë të Kirgizistanit. Sa u lehtësua vëlla Usupbaevi kur Gjykata e Lartë e mbylli çështjen në mars të vitit 2016! Vendimet pozitive të gjykatës së qytetit të Oshit dhe të Gjykatës së Apelit ngelën në fuqi, dhe përsëri u vërtetua se Dëshmitarët e Jehovait në Kirgizistan kanë të drejtë të mbajnë mbledhje fetare. Një çështje tjetër, e ngritur nga viktimat kundër policisë së Oshit, është ende pezull në gjykata.

RUSI | Liria fetare

Me gjithë kundërshtimet e forta nga ekspertët e të drejtave të njeriut në Rusi, qeveria ruse vazhdon sulmin e pareshtur  ndaj Dëshmitarëve të Jehovait dhe aktiviteteve të tyre fetare. Sipas llogaritjeve të fundit, autoritetet kanë shpallur «ekstremiste» 88 nga botimet tona dhe kanë ndaluar sitin zyrtar të Dëshmitarëve të Jehovait, jw.org. Në vitin 2015, autoritetet doganore ndaluan importimin e Biblës Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re, dhe një gjykatë në Viborg po shqyrton nëse duhet ta shpallë «ekstremist» këtë përkthim bashkëkohor të Biblës. Në mars të vitit 2016, zyra e Prokurorit të Përgjithshëm ndërmori veprime të guximshme, duke kërcënuar se do të mbyllë zyrat qendrore të  Dëshmitarëve të Jehovait në Solneknoje, në periferi të Shën-Pjetërburgut, me pretekstin se zhvillon «veprimtari ekstremiste».

Pavarësisht nga fushata agresive e nxitur nga qeveria kundër Dëshmitarëve të Jehovait, ka pasur disa zhvillime pozitive. Në tetor 2015, një prokuror ngriti padi për të mbyllur Organizatën Fetare Lokale në Tjumen, që ndodhet rreth 2.100 km në lindje të Moskës. Edhe pse kishte dëshmi se policia paraqiti prova të rreme kundër Dëshmitarëve, Gjykata Rajonale e Tjumenit e shpalli fajtore Organizatën Fetare Lokale në Tjumen. Megjithatë, më 15 prill 2016, Gjykata e Lartë e Federatës Ruse e rrëzoi vendimin e gjykatës më të ulët, duke shpallur se «nuk kishte asnjë bazë për mbylljen e Organizatës Fetare Lokale të Dëshmitarëve të Jehovait në qytetin e Tjumenit». Kur kryetari i trupit gjykues lexoi vendimin, të 60 motrat dhe vëllezërit që kishin mbushur sallën e gjyqit brofën në këmbë e shpërthyen në duartrokitje.

 Populli i Jehovait në Rusi është i vendosur të vazhdojë ta adhurojë Atë, pavarësisht nga çdo ‘armë e sajuar kundër tij’.​—Isa. 54:17.

RUANDË | E drejta për arsimim e pacenuar nga diskriminimi fetar

Vitet e fundit, fëmijët Dëshmitarë në Ruandë janë përjashtuar nga shkolla, sepse kanë refuzuar të mbështetin aktivitetet fetare dhe patriotike në shkollë. Në përpjekje për të zgjidhur këtë problem, më 14 dhjetor 2015, qeveria nxori një urdhër me synim që të eliminonte diskriminimin fetar në shkolla. Sipas urdhrit shkollat duhet të respektojnë lirinë e adhurimit të nxënësve.

Më 9 qershor 2016, këndi i lajmeve në jw.org nxori një artikull me titullin «Ruanda vepron kundër diskriminimit fetar në shkolla». Për çudi, një gazetë online e njohur në Ruandë e ribotoi artikullin. S’kaloi shumë dhe në sitin e gazetës u bënë 3.000 klikime dhe mjaft lexues postuan komente pozitive për nismën e qeverisë. Dëshmitarët në Ruandë janë mirënjohës për urdhrin që u jep mundësi fëmijëve të tyre të arsimohen pa u cenuar nga diskriminimi fetar.

Ruandë: Kthehen në shkollë

KOREJA E JUGUT | Liria e ndërgjegjes​—Refuzimi i shërbimit ushtarak për arsye ndërgjegjeje

Për më se 60 vjet, vëllezërit në Korenë e Jugut, nga mosha 19 deri në 35 vjeç, janë përballur me çështjen e shërbimit ushtarak. Qeveria e Koresë së Jugut nuk e njeh të drejtën e refuzimit për arsye ndërgjegjeje dhe nuk ofron shërbim alternativ në vend të shërbimit ushtarak. Në disa raste, breza Dëshmitarësh​—gjysh, baba, bir—​nuk kanë pasur zgjedhje tjetër veçse të futen në burg kur i kanë thirrur për shërbimin ushtarak.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur dy herë se Ligji për Shërbimin Ushtarak është kushtetues, por gjykatat e shkallës së  parë dhe burra që kanë vuajtur për shkak të këtij ligji, e kanë paraqitur sërish çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Si rrjedhojë, më 9 korrik 2015, gjykata shqyrtoi argumentet që u paraqitën në mbrojtje të kundërshtarëve për arsye ndërgjegjeje. Vëllai Min-huan Kim, i cili kaloi 18 muaj në burg sepse ndërgjegjja nuk ia lejonte të kryente stërvitje ushtarake, shpjegon: «Unë kam vuajtur dënimin me burg e pastaj më kanë liruar. Por shpresoj që shumë të tjerë, të cilët refuzojnë për shkak të ndërgjegjes, të mos burgosen. Nëse i lejojnë të kryejnë shërbim alternativ, do të jenë ndihmë për komunitetin.» Gjykata Kushtetuese do të shpallë vendimin e saj së afërmi.

TURKMENISTAN | Bahram Hemdemov

Vëllai Hemdemov, 53-vjeç, është i martuar dhe ka katër djem. Ai është vëlla i zellshëm, që ka një marrëdhënie të fortë me Jehovain dhe respektohet në zonën e tij. Në maj të vitit 2015 një gjykatë e dënoi me katër vjet punë të rëndë në burg, ngaqë mbante një mbledhje «të paligjshme» në shtëpinë e tij. E kanë burgosur në një kamp pune famëkeq në qytetin e Seidit, ku autoritetet e kanë marrë vazhdimisht në pyetje dhe e kanë rrahur mizorisht. Prapëseprapë, ai i ka qëndruar besnik Perëndisë Jehova, e po ashtu ka bërë dhe familja e tij. Gruaja e vëlla Hemdemovit, Gulzira, ka pasur mundësi ta vizitojë rregullisht që t’i japë zemër.

Lutemi për shërbëtorët e Jehovait teksa shohim se qëndrojnë besnikë nën sprova. Shembulli i tyre na motivon t’i qëndrojmë gjithnjë e më besnikë Perëndisë, të sigurt për atë që premtohet te Psalmi 37:28: ‘Ai nuk do t’i braktisë besnikët e vet.’