Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Gjermani: Dëshmi publike me stendë para një kampi refugjatësh

 NGJARJE TË SPIKATSHME NGA VITI I KALUAR

Lajme shkurt nga e gjithë bota

Lajme shkurt nga e gjithë bota

Përpjekje për t’u predikuar refugjatëve dhe emigrantëve

Predikimi në gjuhë të huaj në Gjermani, ka marrë hov për shkak të numrit të madh të refugjatëve dhe emigrantëve që kanë hyrë në vend. Gjatë nëntë muajve të fundit janë formuar 229 grupe dhe paragrupe në gjuhë të huaj. Rreth 800 lajmëtarë janë organizuar në 30 grupe të ndryshme, për të mësuar 13 gjuhë të huaja.

Vëllezërit tanë u predikojnë refugjatëve në kampet ku janë strehuar. Ata kanë shpërndarë rreth 640.000 botime me anë të stendave, që janë vendosur në mbi 200 pika.

 Trupi Udhëheqës miratoi një fushatë speciale predikimi, nga maji deri në korrik të 2016-s. Plot 700 lajmëtarë që flasin gjuhën arabe, nga shtatë shtete, shkuan në dhjetë vende të ndryshme në Austri dhe Gjermani, për t’u predikuar grupeve të mëdha me arabisht-folës që jetojnë atje.

Qindarka në rrugë

Të 50 lajmëtarët e kongregacionit Rruga Faber Kriol, në Belize, zakonisht e bëjnë rrugën për të predikuar në këmbë. Shumica e vëllezërve janë të varfër, e megjithatë gjejnë mënyra për t’u treguar bujarë. Ca vite më parë, ata filluan të grumbullonin qindarkat që gjenin në rrugët plot pluhur, teksa predikonin nga shtëpia në shtëpi. Që atëherë, çdo fund viti mblidhen për t’i larë, për t’i grupuar dhe për t’i numëruar qindarkat e gjetura.

Edhe pse shumë nga qindarkat vlejnë pak (gjysmë centi amerikan), çdo vit ata grumbullojnë 225 dollarë. Gjysmën e shumës vëllezërit e përdorin për të mbuluar shpenzimet për Sallën e Mbretërisë, ndërsa gjysmën tjetër për të mbështetur veprën mbarëbotërore të predikimit.

Dëgjojnë katër milionë veta

Një nga ngjarjet më të spikatshme në historinë teokratike të Burundit u mbajt më 5 mars 2016, gjatë vizitës së përfaqësuesit të selisë botërore, vëllait Entoni Grifin. Programi special për kongregacionet u transmetua anembanë vendit në radion kryesore kombëtare. Programin e dëgjuan rreth katër milionë veta.

Transmetimi në radio dha dëshmi të jashtëzakonshme e u dëgjuan mjaft komente pozitive. Një nga teknikët  e radios, që ndihmoi me transmetimin, tha: «Duhet të bëni më shumë programe të tilla.» Po ashtu, një nëpunës radioje shkroi: «Ju nxis të vazhdoni [të transmetoni programe të kësaj natyre], që pa dyshim do të shpëtojnë shumë veta.» Programi u dëgjua në radion e shumë taksive dhe autobusëve.

Muzika ndaloi

Në vitin 2016, një ditë para Përkujtimit, vëllezërit në një grup të vogël të izoluar në Nepal, u bënë merak kur morën vesh se do të mbahej një koncert i madh në shkollën ngjitur me sallën që kishin marrë me qira.

Koncerte të tilla janë shumë të zhurmshme. Mëngjesin e Përkujtimit, teksa vëllezërit po pastronin sallën, një organizues i koncertit u tha: «Nuk keni për të dëgjuar gjë tjetër veç muzikës sonë!»

Koncerti filloi në mesditë dhe, sikurse pritej, ishte i zhurmshëm. Edhe pse vëllezërit morën me qira një altoparlant shumë më të madh nga ai që planifikuan të përdornin në fillim, nuk dëgjonin dot as provat me mikrofonin. Iu prenë krahët, ndaj u lutën me përgjërim për këtë gjë. Vetëm 30 minuta para se të niste Përkujtimi, kur shumë nga vëllezërit ishin duke ardhur, muzika papritur ndali. Kishte plasur sherri mes disa personave që ishin dehur, ndaj policia e anuloi koncertin. Përkujtimi u mbajt në një ambient shumë të qetë, të paqtë e dinjitoz.

Lavdërime për sitin jw.org

Xhuzepe është pionier i rregullt në Itali. Ai punon nga shtëpia për një kompani që ofron konsulencë  interneti. Majin e kaluar ndoqi një mbledhje me rreth 70 kolegë për të diskutuar idetë e reja që mund të përdorte kompania. Drejtori e nisi mbledhjen duke thënë se disa faqe interneti mund të shërbenin si modele të asaj që synonin. Pastaj shfaqi një imazh në ekran. Xhuzepe u habit kur pa se ishte faqja kryesore e jw.org. Drejtori tha: «Ky është siti më i mirë në botë!» Në vijim analizoi anën teknike të sitit jw.org. Ai bëri komente pozitive për pamjen e tij tërheqëse dhe faktin që linqet mund të gjendeshin lehtë.

Xhuzepe thotë: «Kolegët ngelën pa fjalë kur mësuan në sa shumë gjuhë disponohet siti. Në fund të prezantimit, përgjegjësi im i tha drejtorit e të pranishmëve: ‘Xhuzepe është Dëshmitar i Jehovait.’ Sakaq, drejtori u  shpreh: ‘Organizata jote meriton të lavdërohet. Keni projektuar një faqe interneti që çdo kompani apo organizatë do ta kishte zili. Veç mund ta marr me mend çfarë pune duhet që të përditësohet e të bëhet i lehtë për t’u përdorur, dhe sa vëmendje duan detajet dhe përmbajtja.’ U vura pak në siklet se po merrja kaq shumë lavdërime për diçka që nuk e kisha bërë unë. Por u kënaqa jashtë mase se morën dëshmi goxha veta që nuk i njihnin fare Dëshmitarët e Jehovait. Tani bëj biseda të rregullta me disa kolegë dhe madje me tre prej tyre po studioj Biblën.» Kompania për të cilën punon Xhuzepe vazhdon «të studiojë» sitin jw.org, ndërsa Xhuzepe vazhdon të flasë për Biblën me kolegët e tij.

I tha jo futbollit

Argjentinë: Horheja duke luajtur futboll me vëllezërit

Horheja është një i ri që jeton në Argjentinë. Në fillim të vitit 2010, një shok klase i foli për lajmin e mirë. Kështu ai nisi të studionte Biblën me librin Çfarë mëson vërtet Bibla? Në atë kohë luante futboll. Shkëlqente në këtë sport, ndaj u kualifikua të luante në kategorinë e të rinjve për një klub futbolli prestigjoz. Në prill të 2014-s iu bë një ofertë mjaft tunduese për të luajtur në një skuadër gjermane. I pëlqeu shumë ideja që të bëhej futbollist profesionist, kështu që e pranoi ofertën. Vetëm pak ditë para se Horheja të nisej për në Evropë, trajneri i tha: «Ti je Dëshmitar i Jehovait, apo jo? Mos e ço jetën dëm duke ikur jashtë shtetit. Kur isha i ri, edhe unë isha Dëshmitar. Më ftuan të luaja për një skuadër në Azi. Më premtuan kaq shumë gjëra, saqë u magjepsa. Shkova bashkë me familjen, por u kthyem tej mase të zhgënjyer.» Horheja shprehet: «Ajo që më tha më bëri të  mendoja, prandaj vendosa të mos shkoja në Evropë. Në vitin 2015 dola lajmëtar e u pagëzova.»

Bekim i madh falas

Në shtator të 2015-s u mbajt Kongresi Rajonal «Imitoni Jezuin!» në Kampalë, Ugandë. Për kënaqësinë e atyre që ndoqën programin, Mark Sandersoni, anëtar i Trupit Udhëheqës, prezantoi Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re në gjuhën lugande.

Një studente e Biblës komentoi: «Çfarë gëzimi përjetova kur mora këtë Bibël të bukur! Në atë kohë njerëzit po përgatiteshin për vizitën e papës. Për të grumbulluar para u shitën rruzare ‘të bekuara’ për 30 dollarë. Njerëzit i donin këto bekime, por shumica nuk kishin para për t’i blerë. Kurse unë mora një bekim të vërtetë falas. Jehovai ua dha këtë bekim të gjithë atyre që ndoqën kongresin dhe u la në dorë të secilit të bënte një kontribut nga zemra. Çdo ditë, kur lexoj Fjalën e Jehovait në gjuhën e nënës dhe e njoh Atë më mirë, ndihem vërtet e bekuar. Falënderoj Jehovain që më dha kopjen time të Biblës.»

Shtypje botimesh në botën e frymërave?

Për të prishur imazhin e sitit www.jw.org, udhëheqësit e disa kishave në një rajon të Kongos (Kinshasë) u mësonin ithtarëve të tyre se botimet e Dëshmitarëve të Jehovait shtypeshin në botën e frymërave. Për ta mbështetur këtë pretendim, ata treguan shkronjat “www” dhe thanë se i referohen numrit 666 në librin e Zbulesës. (Zbul. 13:18) Për këtë arsye, disa studentë biblikë refuzuan të vazhdonin studimin.

 Pasi u lutën për këtë situatë, një çift pionierësh i ftuan në shtëpi studentët e Biblës dhe bashkëshortët e tyre. Tri çifte e pranuan ftesën dhe, pasi hëngrën një vakt së bashku, Dëshmitarët u treguan videon Dëshmitarët e Jehovait—Të organizuar për të përhapur lajmin e mirë. Nga ajo që mësuan, mysafirët i fshinë komplet nga mendja idetë e gabuara që kishin në lidhje me botimet tona. Javën pasuese, bashkëshorti i një prej këtyre studenteve nguli këmbë që Dëshmitarët të pranonin dhe të hidhnin kontributin e tij prej 100 dollarësh në kutinë për veprën mbarëbotërore, edhe pse ai vetë ende nuk po studionte.

Mësojnë këngët e reja

Edhe pse vëllezërit në një zonë të largët në Papua Guinenë e Re nuk kanë internet, duan me gjithë zemër të mësojnë këngët e reja të Mbretërisë. Prandaj, një vëlla nga kongregacioni i Mundipit shkon në qytetin më të afërt, pasi bën dy orë rrugë në këmbë dhe dy orë me autobus. Me të mbërritur, hyn në internet, i shënon tekstet e këngëve në fletore dhe pasi kthehet, i shkruan në një dërrasë të zezë në Sallën e Mbretërisë, që t’i shohin të gjithë. Pastaj kongregacioni i kopjon tekstet e këngëve të reja që t’i mësojë për mbledhje. Ata e vlerësojnë tej mase privilegjin që të bashkojnë zërat me motrat e vëllezërit anekënd botës, si pjesë e adhurimit ndaj Jehovait.