Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Kongresi i Studentëve të Biblës në Takoma, Uashington, SHBA

Njëqind vjet më parë​—1917

Njëqind vjet më parë​—1917

«VITI i ri agon mes konfliktesh, trazirash dhe gjakderdhjesh të mëdha»,—thuhej në Kullën e Rojës të 1 janarit 1917. Po, Lufta I Botërore, kasaphana globale e njohur si Lufta e Madhe, vazhdonte të bënte kërdinë në Evropë.

Edhe pse në atë kohë Studentët e Biblës s’e kuptonin plotësisht çfarë përfshinte asnjanësia e krishterë, shumë prej tyre bënë përpjekje të lavdërueshme për të mos qenë fajtorë gjaku. Për shembull, në Angli, 19-vjeçari Stenli Uillis ishte i vendosur të mbetej asnjanës. Para se të dilte në  gjyq për qëndrimin e tij, shkroi: «Për mua është privilegj i madh që kam mundësi të jap dëshmi. Këtë mëngjes, koloneli më tha se do të merrja urdhrin që të vishja uniformën ushtarake dhe, nëse refuzoja, më priste gjyqi ushtarak.»

Kur Stenli nuk pranoi të bënte kompromis, e dënuan me punë të rëndë në burg. Gjithsesi, ai mbajti qëndrim pozitiv. Dy muaj më vonë shkroi: «Me anë të ‘frymës së fuqisë’ që jep e vërteta, mund të durosh pa u ankuar. . . gjëra që të tjerët zor se i përballojnë.» Ai e përdori me mençuri kohën në burg dhe tha: «Një nga bekimet më të mëdha që kam përjetuar gjatë këtyre sprovave të fundit është koha e bollshme për t’ia kushtuar lutjes, meditimit dhe studimit.»

Nuk zgjati shumë dhe në konflikt hynë zyrtarisht edhe Shtetet e Bashkuara. Në një fjalim drejtuar Kongresit të Shteteve të Bashkuara, që u mbajt më 2 prill 1917, presidenti Udrou Uilson bëri thirrje që t’i shpallej zyrtarisht luftë Gjermanisë. Katër ditë më vonë, Shtetet e Bashkuara hynë në luftë. Shumë shpejt të krishterët në Shtetet e Bashkuara u përballën me çështjen e asnjanësisë.

Që të plotësohej nevoja urgjente për ushtarë, në maj Shtetet e Bashkuara miratuan ligjin e Shërbimit Përzgjedhës. Një muaj më vonë u miratua ligji i spiunazhit. Ligji i parë i jepte mundësi qeverisë së SHBA-së që të përfshinte në luftë mijëra burra, kurse i dyti e quante krim nëse dikush i pengonte këto nisma. Pa humbur kohë, armiqtë e së vërtetës i shfrytëzuan këto ligje ‘për të kurdisur telashe me anë të dekretit’ kundër adhuruesve paqedashës të Jehovait.​—Psal. 94:20.

Trazirat që solli lufta nuk i zunë në befasi Studentët e Biblës. Për dekada të tëra ata kishin tërhequr vëmendjen te profecitë biblike që parathoshin kushte të tilla. Prapëseprapë, shumë prej tyre u tronditën kur mes disa individëve në popullin e Jehovait shpërthyen mosmarrëveshje.

 Periudhë prove dhe shoshitjeje

Në Shtetet e Bashkuara telashet filluan pak pasi Çarls Tejz Rasëlli vdiq. Ishte në lojë mënyra se si do të drejtoheshin shërbëtorët e Jehovait. Vëllai Rasëll kishte themeluar shoqatën Zion’s Watch Tower Tract në vitin 1884 dhe shërbeu si presidenti i kësaj korporate ligjore derisa vdiq në tetorin e vitit 1916. Kur Xhozef F. Radhërfordi mori drejtimin, disa burra me pozitë në organizatë, mes tyre katër nga bordi drejtues, donin edhe më shumë autoritet.

Këta të katërt, si edhe disa të tjerë, nuk e pëlqenin mënyrën si i drejtonte gjërat vëlla Radhërfordi. Një prej çështjeve lidhej me caktimin e Pol S. L. Xhonsonit, i cili shërbeu si pelegrin ose mbikëqyrës udhëtues.

Pak para se të vdiste, vëlla Rasëlli kishte organizuar gjërat që Xhonsoni të shkonte në Angli si një nga përfaqësuesit udhëtues të organizatës. Atje, Xhonsoni duhej të predikonte lajmin e mirë, të vizitonte kongregacionet dhe të bënte një raport për veprën në atë territor. Kur mbërriti në nëntor të 1916-s, vëllezërit në Angli e mirëpritën ngrohtësisht. Mjerisht, lëvdatat filluan t’i shtrembëronin gjykimin dhe iu mbush mendja se duhej të ishte pasuesi i vëlla Rasëllit.

Përtej autoritetit të lejuar, Xhonsoni largoi disa pjesëtarë të familjes Bethel në Angli, të cilët e kundërshtonin. Ai madje tentoi të merrte nën kontroll llogarinë bankare të organizatës në Londër, ndaj vëlla Radhërfordi i kërkoi të kthehej në Shtetet e Bashkuara.

Xhonsoni u kthye në Bruklin, por në vend se të pranonte me përulësi ndreqjen që iu dha, u orvat ta bindte vëlla Radhërfordin ta linte të kthehej në Angli dhe të vazhdonte veprën atje. Kur këto orvatje dështuan, ai u përpoq të ndikonte te bordi drejtues, katër prej të cilëve morën anën e tij.

Vëlla Radhërfordi e nuhati se këta burra do të përpiqeshin të shtinin në dorë fondet e organizatës në Shtetet e  Bashkuara, ashtu siç kishte tentuar Xhonsoni në Angli, prandaj i hoqi nga bordi drejtues. Ligji kërkonte që, një herë në vit, çdo anëtar i bordit të zgjidhej me votë nga anëtarë të korporatës. Sidoqoftë në mbledhjen vjetore të korporatës më 6 janar 1917, u zgjodhën vetëm tre anëtarë të bordit: Xhozef F. Radhërfordi, Endrju N. Piërs dhe Uilliam E. Ven-Embërgu. Ata u caktuan përkatësisht si president, zëvendës-president dhe sekretar i thesarit. Për katër postet e tjera të bordit drejtues nuk u votua. Burrat që kishin qenë në këto pozita, katër kundërshtarët, ishin zgjedhur me votë në të kaluarën dhe disa kishin krijuar përshtypjen se ata do t’i mbanin këto poste gjithë jetën. Por, meqë nuk u rizgjodhën në mbledhjen vjetore, ata nuk ishin më anëtarë të ligjshëm të bordit drejtues. Kështu, në korrik të vitit 1917, vëlla Radhërfordi ushtroi të drejtën e tij që të caktonte katër burra besnikë në vendet bosh të bordit.

Siç mund të ndodhë në këto raste, katër drejtuesit e dëbuar u tërbuan dhe nisën një fushatë për të fituar postet e humbura. Gjithsesi dështuan. Edhe pse disa Studentë të Biblës mbajtën anën e tyre dhe formuan organizata të tjera, shumica qëndruan besnikë, kështu që ata të katërt nuk i rimorën postet e tyre.

Përparojnë me gjithë kundërshtimin

Gjatë kësaj kohe, vëlla Radhërfordi dhe vëllezër të tjerë besnikë në Bethel vazhduan të çonin përpara interesat e Mbretërisë. Numri i mbikëqyrësve udhëtues, të njohur si pelegrinë, u rrit nga 69 në 93. Numri i përhapësve, ose i pionierëve të rregullt, shkoi nga 372 në 461. Përveç këtyre, u caktuan për herë të parë përhapësit specialë, që ishin si pionierët ndihmës të ditëve tona. Disa kongregacione kishin deri në 100 predikues të tillë të zellshëm.

Më 17 korrik 1917 doli një libër i ri, Misteri i përfunduar. Nga fundi i vitit, kopjet e librit mbaruan dhe u porositën  850.000 kopje të tjera te një firmë që shtypte botimet tona. *

Riorganizimi i punës në Bethel që nisi vëlla Rasëlli në vitin 1916 përfundoi në 1917-n. Në dhjetor të atij viti, Kulla e Rojës raportonte: «Riorganizimi i personelit në Bethel . . . përfundoi dhe tani puna po ecën vaj, me atë efektshmëri që duhet të karakterizojë një institucion të mirorganizuar . . . Vëllezërit dhe motrat e kuptojnë se të jesh pjesëtar i Bethelit është privilegj dhe jo një e drejtë.»

Në shtator 1917 në Kullën e Rojës thuhej: «Që nga 1 janari, çdo muaj është vënë re rritje [në tirazhin e literaturës] në krahasim me muajt përkatës të vitit 1916 . . . E shohim si dëshmi të fortë se Zotëria po derdh bekimin e tij mbi punën që kryhet këtu në Bruklin.»

Periudha e provës dhe e shoshitjes vazhdon

Kundërshtarët u hoqën nga organizata dhe rezultatet e një referendumi të kongregacioneve, të cilat u botuan në Kullën e Rojës, tregonin se shumica dërrmuese e vëllezërve mbështetnin vëlla Radhërfordin dhe burrat besnikë në Bethel. Por periudha e provës për këta burra nuk kishte mbaruar. Ndonëse 1918-a filloi me një atmosferë pozitive, ky vit do të shënonte momentin më të errët të historisë së organizatës në kohët moderne.

^ par. 18 Deri në vitin 1920 të gjitha botimet tona shtypeshin nga firma të ndryshme tregtare.