Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 GJEORGJIA

Kujtojnë Krijuesin e tyre të Madh

Kujtojnë Krijuesin e tyre të Madh

Shumë nga ata për të cilët lexojmë në faqet e mëparshme të këtij libri janë të rinj që ‘e kujtuan Krijuesin e tyre të Madh në ditët e djalërisë’. (Ekl. 12:1) Në fakt një e treta e 3.197 pionierëve në Gjeorgji janë 25 vjeç ose më të rinj. Pse kaq shumë të rinj po ecin mirë në të vërtetën?

Kanë ndikuar faktorë të ndryshëm. Një prej tyre është që familjet janë shumë të lidhura. Konstantini, i cili rriti pesë fëmijë në të vërtetën, thotë: «Më tërhoqi drejt së vërtetës dijenia se Jehovai është një Atë i dashur. Kur u bëra vetë baba, synimi im ishte t’i bëja fëmijët të ndiheshin rehat me mua.»

Malkazi dhe e shoqja, të cilët kanë tre fëmijë, përpiqen me gjithë shpirt të ndërtojnë lidhje të forta familjare. Ai thotë: «Herë pas here u kërkojmë fëmijëve të mendojnë se çfarë vlerësojnë te ne si prindër dhe te motra ose vëllai. Pastaj i nxisim t’i shprehin mendimet gjatë adhurimit familjar. Kështu kanë mësuar të shohin cilësitë e mira te të tjerët dhe t’i vlerësojnë.»

 «Tani kam vërtet një jetë kuptimplotë!»

Për të mbështetur punën që bëjnë prindërit me fëmijët, pleqtë përpiqen t’i përfshijnë të rinjtë në aktivitetet e kongregacionit sa më shpejt të jetë e mundur. Nestori, i cili u pagëzua kur ishte 11 vjeç, tregon: «Pleqtë më jepnin caktime të vogla që në moshë të njomë. Kjo më bëri të ndihem vërtet pjesë e kongregacionit.»

Shembujt e mirë dhe ndihma e pleqve janë po ashtu të rëndësishëm. Koba, një nga vëllezërit e Nestorit, shprehet: «Ndryshe nga vëllezërit e motra ime, vitet e adoleshencës sime ishin të trazuara. Një plak i ri, i cili ishte shembull i mirë për mua, përpiqej gjithnjë të më kuptonte dhe nuk më gjykonte. Ai luajti rol vendimtar që të kthehesha te Jehovai.»

Sot, Nestori, Koba dhe motra e tyre Mari, shërbejnë së bashku në një territor të largët. Koba pohon: «Tani kam vërtet një jetë kuptimplotë!»

 «Bijtë e mi vazhdojnë të ecin në të vërtetën»

Zyra e degës përpiqet fort t’u bëhet krah prindërve teksa stërvitin fëmijët, duke i përfshirë të rinjtë e krishterë në projekte teokratike. Një anëtar i Komitetit të Degës shprehet: «I duam të rinjtë tanë, ndaj i ndihmojmë të arrijnë synimet frymore.»

Dëshmitarët gjeorgjianë punuan përkrah shërbëtorëve ndërkombëtarë në ndërtimin e Sallës së Asambleve në Tbilis

Puna dhe shoqërimi i ngushtë me motra e vëllezër të pjekur lënë mbresa të thella te të rinjtë. Mamuka, i cili punoi përkrah shërbëtorëve ndërkombëtarë në ndërtimin e Sallës së Asambleve në Tbilis, thotë: «Këto projekte ndërkombëtare më krijuan mundësi të mrekullueshme që të mësoj nga të tjerët. Përveçse fitova aftësi praktike mora edhe shumë mësime frymore.»

Lidhjet e forta familjare, inkurajimi nga pleqtë dhe shembujt e mirë kanë pasur ndikim mjaft pozitiv te shumë të rinj në Gjeorgji. Prindërit e tyre ndihen si apostulli Gjon, i cili shkroi: «Nuk kam shkak më të madh për gëzim, sesa të dëgjoj që bijtë e mi vazhdojnë të ecin në të vërtetën.»​—3 Gjonit 4.

Shtohen përpjekjet në përkthim

Në 2013-n, Trupi Udhëheqës i ftoi të gjitha degët të shqyrtonin me vëmendje nëse duheshin botime në gjuhët e tjera që fliteshin në territorin e tyre. Synimi ishte që sa më shumë njerëz të merrnin lajmin e mirë.

Si rrjedhim dega e Gjeorgjisë vendosi të përkthejë disa botime në gjuhët svani dhe mingreliane, të cilat janë aq të ngjashme me gjeorgjishten saqë disa i konsiderojnë si dialekte.

 Pionierë të zellshëm nga rajoni i Svanetit shkruanin: «Njerëzit këtu kanë vërtet interes për gjërat fetare dhe respekt të thellë për Biblën. Edhe ata që në fillim ngurronin t’i merrnin botimet tona, më pas u nxitën të merrnin ato që ishin në gjuhën e nënës.»

Të gjithë lajmëtarët që flasin gjuhën mingreliane u prekën thellë kur filluan t’i mbanin mbledhjet në gjuhën e tyre. Giga, një pionier i ri, pranon: «Tani mund të shprehem me fjalët e mia në mbledhje. Nuk më duhet t’i përkthej mendimet në një gjuhë tjetër e pastaj të komentoj.»

Zuri, një plak në kongregacionin mingrelianfolës në Tkaia, shprehet: «Kam pasur shumë momente prekëse në jetë, të bukura e të trishta, por nuk kam derdhur lot.  Ama kur në mbledhje këngët e Mbretërisë u kënduan për herë të parë në gjuhën mingreliane, askush nuk i mbajti dot lotët, as unë.»

Ngjarje historike të kohëve të fundit

Një ngjarje e shënuar në historinë e Dëshmitarëve në Gjeorgji, ishte ajo e ditës së shtunë, më 6 prill 2013, kur Dejvid Splejni nga Trupi Udhëheqës mbajti fjalimin e kushtimit të kompleksit të rinovuar e të zgjeruar të degës, të një Salle Asamblesh dhe të një godine të re për shkollat biblike. Shumë vëllezër vendës hapën shtëpitë dhe zemrat e tyre për 338 delegatët që erdhën nga 24 vende.

Të nesërmen, vëlla Splejni mbajti një fjalim special për 15.200 veta, nëpërmjet lidhjes audio dhe video me  kongregacionet anekënd vendit. Kjo ishte ngjarja më e madhe teokratike ndërkombëtare që ishte mbajtur ndonjëherë në Gjeorgji. Shkëmbimi i inkurajimit dhe gëzimi që përjetuan motrat dhe vëllezërit ishin me të vërtetë prekës. Një vëlla i ri tha: «Tani e di si do të jetë bota e re.»

Kushtimi i Degës në Tbilis, 2013

Shkolla Biblike për Çiftet e Krishtere, që tani quhet Shkolla për Ungjillëzuesit e Mbretërisë, ka qenë vërtet një bekim për popullin e Jehovait në Gjeorgji. Që nga viti 2013, janë diplomuar mbi 200 studentë. Plot mirënjohje për arsimimin që kanë marrë, të diplomuarit janë të gatshëm të shërbejnë me zell kudo që ka nevojë.

‘Synojnë drejt gjërave që kanë para’

Falë përpjekjeve e guximit të lajmëtarëve të parë të Mbretërisë në Gjeorgji, lajmi i mirë është predikuar kudo në vend. Dashuria vetëmohuese për Perëndinë e të afërmin, besimi, guximi e iniciativa e tyre janë bekuar pa masë nga Jehovai.

Më se 18.000 vëllezër dhe motra në Gjeorgji janë të lumtur të vazhdojnë veprën e nisur nga pararendësit e tyre dhe t’i ndihmojnë njerëzit ta provojnë personalisht fuqinë e Fjalës së Perëndisë.​—Filip. 3:13; 4:13.

Komiteti i Degës në Gjeorgji: Uejn Tomçuku, Levani Kopaliani, Joni Shalamberidzeja, Majkëll E. Xhonsi