Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Mbledhje në bregdet pranë Sokumit, 1989

 GJEORGJIA | 1924-1990

Të eturit e parë për të vërtetën

Të eturit e parë për të vërtetën

 QË NË vitet 20 të shekullit të 20-të, Studentët e Biblës në Gjeorgji po përpiqeshin fort të gjenin ata që po kërkonin me gjithë zemër të vërtetën. Më 1924 në Bejrut të Libanit u hap një zyrë që të drejtonte veprën e predikimit në zonën që përfshinte Sirinë, Turqinë, Armeninë dhe Gjeorgjinë.

Ndonëse në atë kohë në Gjeorgji u mbollën disa fara të së vërtetës, rezultatet nuk u dukën menjëherë. (Mat. 13:33) Por, me kalimin e kohës, mesazhi për Mbretërinë u përhap dhe solli ndryshime të jashtëzakonshme në jetën e shumë gjeorgjianëve.

 Ai e donte me zjarr drejtësinë

Kur shpërtheu Lufta II Botërore, Vaso Kveniashvili ishte adoleshent. Përderisa Gjeorgjia ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik, babanë e tij shumë shpejt e thirrën në ushtrinë sovjetike. Në atë kohë, nëna e Vasos kishte vdekur. Vasoja, i cili ishte fëmija i madh, filloi të vidhte që të mbante veten, vëllezërit e motrat.

Ai u bashkua me një bandë kriminale dhe me kalimin e kohës u zhyt thellë në krimin e organizuar. Vasoja tregon: «Mendoja se më shumë drejtësi kishte në botën e krimit, sesa në qeveri apo në shoqëri.»  Por shpejt kuptoi se po kërkonte diçka më tepër se ç’mund t’i ofronin njerëzit. Ai sjell ndër mend: «E doja me zjarr drejtësinë.»

Vaso Kveniashvili në vitin 1964, pak pasi doli nga burgu

Vason e arrestuan për akte kriminale dhe e dërguan në një kamp pune në Siberi. Atje takoi një Dëshmitar të Jehovait që ishte burgosur për shkak të besimit. Vasoja kujton: «Më në fund e gjeta atë që po kërkoja! Nuk kishim ndonjë botim, por bëra më të mirën që të mësoja nga ato që më tregonte vëllai.»

Kur Vason e liruan në vitin 1964, ai u kthye në Gjeorgji dhe kërkoi Dëshmitarët e Jehovait. Ndërkohë mbante lidhje me anë të letrave me ish shokun e burgut. Mjerisht, shoku i tij besnik vdiq dhe Vasoja humbi çdo kontakt me popullin e Perëndisë. I duhej të priste thuajse dy dekada para se t’i gjente sërish Dëshmitarët. Më vonë do të flasim prapë për të.

 Vështirësitë kthehen në bekim

Një mbledhje në pyll

Për Valentina Miminoshvilin, një të re gjeorgjiane, burgimi në një kamp përqendrimi nazist doli një bekim i madh. Atje takoi Dëshmitarët e Jehovait për herë të parë. I bëri përshtypje të thellë besimi i tyre i patundur. Ajo që mësoi nga Bibla e preku thellë.

Kur Valentina u kthye në shtëpi pas luftës, filloi të fliste me të tjerët për besimin e sapogjetur. Por shpejt ra në sy të autoriteteve vendëse, që e dënuan me dhjetë vjet në një kamp pune në Rusi. Atje takoi Dëshmitarët e Jehovait dhe më vonë u pagëzua.

Pasi e liruan nga kampi në vitin 1967, Valentina u transferua në Gjeorgjinë Perëndimore ku rifilloi të predikonte duke treguar maturi. Ajo nuk e kuptonte se së shpejti do të ishte përgjigjja e një lutjeje të bërë me gjithë shpirt.

Jehovai iu përgjigj lutjeve të saj

Në vitin 1962, motër Antonina Gudadze u transferua nga Siberia në Gjeorgji kur bashkëshorti jobesimtar vendosi të kthehej në vendlindjen e tij. Meqenëse ishte nga Siberia, Antonina kishte dëgjuar për të vërtetën nga Dëshmitarët që ishin të internuar atje. Kurse tani që jetonte në Kashur, qytet në Gjeorgjinë Lindore, ndihej e ndarë nga bashkëbesimtarët.

Familja Gudadze në vitet 60

Antonina kujton si iu përgjigj Jehovai lutjeve të saj: «Një ditë, nëna më dërgoi nga Siberia një pako në të cilën gjeta të fshehura me mjeshtëri disa botime biblike. Në këtë mënyrë arrita të merrja ushqim frymor për gjashtë vitet në vazhdim. Në çdo rast e falënderoja  Jehovain për drejtimin, inkurajimin dhe kujdesin e tij të dashur.»

Prapëseprapë, Antonina ishte vetëm. Ajo thotë: «Vazhdova t’i kërkoja Jehovait të më ribashkonte me vëllezërit e motrat. Një ditë dy gra hynë në dyqanin ku punoja si shitëse. Më pyetën: ‘Ti je Antonina?’ Shikimi i tyre i ngrohtë më la të kuptoja se ishin motrat e mia në besim. U përqafuam dhe shpërthyem në lot.»

Një nga ato motra ishte Valentina Miminoshvili. Sa e kënaqur ishte Antonina kur mori vesh se mbaheshin mbledhje në Gjeorgjinë Perëndimore! Ajo udhëtonte për në mbledhje një herë në muaj, ndonëse ato bëheshin 300 kilometra larg shtëpisë së saj.

E vërteta hedh rrënjë në Gjeorgjinë Perëndimore

Në vitet 60, disa Dëshmitarë të persekutuar në pjesë të tjera të Bashkimit Sovjetik kërkuan të shkonin në vende ku kishte më pak pengesa për të predikuar. Një prej tyre ishte Vladimir Gladiuku, një vëlla i zellshëm  dhe energjik. Më 1969 shkoi nga Ukraina në qytetin e Zugdidit, në Gjeorgjinë Perëndimore.

Ljuba dhe Vladimir Gladiuku

Në fillim, ata që erdhën në Gjeorgji i mbanin mbledhjet në rusisht. Por, teksa gjithnjë e më shumë gjeorgjianë filluan të ndiqnin mbledhjet, u morën masa që ato të mbaheshin në gjeorgjisht. Vepra e bërjes së dishepujve pati kaq shumë sukses, saqë në gusht 1970 u pagëzuan 12 vendës.

Në pranverën e vitit 1972, Vladimiri dhe familja e tij shkuan më në perëndim, në qytetin e Sokumit që ndodhej në bregdetin e Detit të Zi. Vladimiri thotë: «Ndiheshim të pasur frymësisht dhe i ishim mirënjohës Jehovait për bekimin e tij. Kongregacioni atje u rrit shumë shpejt.» Atë pranverë, u mbajt Përkujtimi i parë në Sokum dhe morën pjesë 45 veta.

 «Dëgjova me gjithë shpirt»

Babutsa Jejelava, tani në të 90-at, ishte një nga të parët që e pranuan menjëherë të vërtetën në Sokum në fillim të vitit 1973. Ajo kujton: «Një ditë pamë katër gra që po flitnin gjithë pasion. Dy prej tyre ishin murgesha, kurse dy të tjerat, siç mësova më vonë, ishin Dëshmitare të Jehovait.» Njëra nga motrat ishte Ljuba, gruaja e Vladimir Gladiukut, ndërsa tjetra ishte Ita Sudarenko, një pioniere shumë e zellshme nga Ukraina.

Babutsa Jejelava në vitet 1979 dhe 2016

Babutsa sjell ndër mend ndjenjat e saj kur dëgjoi shkarazi bisedën: «Dëgjova me gjithë shpirt.» Kur i zuri veshi se Zoti ka emër, ajo u fut menjëherë në bisedë dhe pyeti nëse mund ta shihte emrin e tij në Bibël. Bëri kaq shumë pyetje, saqë diskutimi zgjati tri orë.

Babutsa kishte frikë se mos nuk i takonte më Dëshmitarët, ndaj pyeti: «Do të më lini kështu e do të ikni?»

Motrat iu përgjigjën: «Jo, nuk të lëmë. Do të kthehemi të shtunën tjetër.»

E shtuna erdhi shpejt dhe sa u kënaq Babutsa që motrat u kthyen tek ajo! U fillua menjëherë një studim biblik. Nga fundi i studimit, Babutsa kishte nevojë sërish të sigurohej se nuk do t’i humbte lidhjet me popullin e Perëndisë. Ajo tha me vete: «Tani që i gjeta këta njerëz, nuk dua t’i humbas.»

Babutsës i lindi një ide. Ajo kujton: «E dija se Ljuba ishte e martuar, kështu që pyeta nëse edhe Ita ishte e martuar. Ita i tha se ishte beqare. ‘Atëherë hajde të jetojmë bashkë në apartamentin tim!’​—i thashë gjithë qejf. ‘Ka dy shtretër dhe një abazhur mes tyre. Mund ta  vemë Biblën nën abazhur dhe të flasim për të edhe natën.’» Ita e pranoi ftesën dhe shkoi të jetonte me të.

Kur sjell ndër mend atë kohë, Babutsa thotë: «Ndonjëherë e kaloja natën pa gjumë, sepse meditoja për atë që kisha mësuar. Papritur më lindtte ndonjë pyetje. Zgjoja Itën dhe i thosha: ‘Ita merre Biblën, sepse kam një pyetje.’ Ita përgjigjej duke fërkuar sytë: ‘Epo mirë, e dashur.’ Pastaj hapte Biblën dhe më tregonte përgjigjen.» Vetëm tri ditë pasi Ita shkoi të jetonte me të, Babutsa filloi të predikonte lajmin e mirë!

Babutsa kishte një shoqe të ngushtë, Natela Çargeishvilin. Babutsa kujton: «Mendoja se pasuria do ta pengonte të pranonte të vërtetën, por e kisha gabim.» Që në bisedën e parë, e vërteta lulëzoi në zemrën e saj. S’kaloi shumë dhe të dyja po u flitnin me zell miqve, kolegëve dhe fqinjëve për shpresën e tyre.