• LINDUR: 1956

  • PAGËZUAR: 1991

  • TË DHËNA: Vetëm tetë muaj pas pagëzimit u largua nga shtëpia dhe la një biznes fitimprurës që të shërbente atje ku kishte më tepër nevojë.

ISHA i sapopagëzuar kur pleqtë më pyetën nëse doja ta zgjeroja shërbimin. Më 4 maj të 1992-shit, ndoqa një mbledhje të veçantë për ata që ishin gati të shërbenin ku kishte më tepër nevojë. Ditën tjetër unë dhe shoku im i shërbimit u transferuam në portin e Batumit, në rajonin e Ajarias.

Kur predikova për herë të parë në Batum, isha shumë në ankth. Pyesja veten: «Çfarë t’u them njerëzve?» U habita nga reagimi i gruas së parë që takova, e cila tha e entuziazmuar: «Ku keni qenë deri tani?» Ishte kaq e etur të mësonte për Dëshmitarët, saqë filloi të studionte Biblën që ditën tjetër.

Para se të shkonim në Batum, morëm një listë me adresa të të interesuarve. Meqë nuk e njihnim mirë qytetin, pyetnim njerëzit se nga të shkonim. Shumë veta nuk na  ndihmonin dot, sepse pjesës më të madhe të rrugëve iu ishin vënë emra të rinj. Prapëseprapë, ata treguan interes për mesazhin tonë. S’kaloi shumë dhe po drejtonim studime biblike me grupe prej 10 a 15 vetash.

Vetëm katër muaj pasi kishim shkuar atje, mbi 40 veta po ndiqnin rregullisht mbledhjet tona. Ndaj po mendonim: «Kush do të kujdeset për këta të interesuar?» Ndodhi që, për shkak të konfliktit midis ushtrisë gjeorgjiane dhe separatistëve në Abkazi, të gjithë pjesëtarët e ish-kongregacionit tim erdhën në Batum. Vetëm brenda një dite u formua një kongregacion i ri me pleq dhe pionierë me përvojë!