Ndonëse Ligji i Moisiut nuk është i detyrueshëm për të krishterët, dy urdhërimet e tij më të mëdha​—të duam Perëndinë dhe të afërmin—​akoma janë thelbi i asaj që kërkon Perëndia prej nesh. (Mt 22:37-39) Një dashuri e tillë nuk trashëgohet; ajo duhet kultivuar. Si? Një mënyrë e rëndësishme është duke lexuar Biblën çdo ditë. Kur shqyrtojmë aspektet e ndryshme të personalitetit të Perëndisë, të cilat na zbulohen në Shkrime, shohim «hijeshinë e Jehovait». (Ps 27:4) Si rezultat, dashuria për të rritet dhe mënyra jonë e të menduarit i ngjan edhe më shumë mënyrës si mendon ai. Kjo na motivon të zbatojmë urdhërimet e Perëndisë, përfshirë urdhrin për të treguar dashuri vetëmohuese për të tjerët. (Gjo 13:34, 35; 1Gjo 5:3) Këtu jepen tri sugjerime si ta bëjmë më të këndshëm leximin e Biblës:

  • Përdor imagjinatën dhe shqisat. Imagjino sikur je në vendin e ngjarjes. Çfarë do të shihje, dëgjoje ose nuhatje? Si po ndihen personazhet?

  • Ndrysho metodë. Ja disa ide: lexo me zë ose ndiq leximin ndërsa dëgjon regjistrimin audio. Lexo për një personazh ose temë të caktuar të Biblës në vend që t’i marrësh kapitujt me radhë. Për shembull, lexo rreth Jezuit duke u bazuar te broshura Ndihmë për të studiuar Fjalën e Perëndisë, pjesa 4 dhe 16. Lexo të gjithë kapitullin nga është marrë shkrimi i ditës. Lexoji librat e Biblës sipas kohës në të cilën janë shkruar.

  • Lexo me synimin për të kuptuar. Është më mirë të lexosh një kapitull në ditë, ta kuptosh e të meditosh rreth tij, sesa të lexosh shumë kapituj vetëm sa për të kaluar materialin. Shqyrto rrethanat. Analizo detajet. Përdor hartat, si dhe referimet në mes të faqeve të Biblës. Bëj kërkime të paktën për një pikë që nuk ke kuptuar. Kur është e mundur, medito pothuajse për aq kohë sa t’u desh të lexoje.