Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Udhëzime për mbledhjen «Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë»

Udhëzime për mbledhjen «Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë»

Përmbajtja

 

Paragrafët

Komente hyrëse

 2

Thesare nga Fjala e Perëndisë

 3

Stërvitu për shërbimin

 4

Të jetojmë si të krishterë

 5

Komente përmbyllëse

 6

Kushtoju leximit dhe mësimdhënies

 7

Këshillat

 8

Kohëmatja

 9

Vizita e mbikëqyrësit qarkor

 10

Java e asamblesë ose e kongresit

 11

Java e Përkujtimit

 12

Mbikëqyrësi i mbledhjes «Jeta dhe shërbimi»

 13

Drejtuesi i mbledhjes «Jeta dhe shërbimi»

 14

Koordinatori i trupit të pleqve

 15

Këshilluesi ndihmës

 16

Klasat ndihmëse

 17

Videot

 18

1. Mbledhja «Jeta dhe shërbimi» do të zhvillohet siç tregohet në Fletëstudimin për mbledhjen «Jeta dhe shërbimi», si dhe në përputhje me udhëzimet e mëposhtme. Të gjithë lajmëtarët duhet të ftohen që të ofrohen për të mbajtur caktimet e studentëve. Të tjerët që po shoqërohen aktivisht me kongregacionin, mund të marrin pjesë nëse janë dakord me mësimet e Biblës dhe nëse jeta e tyre është në harmoni me parimet e krishtere.—be f. 282.

 2. Komente hyrëse: 3 minuta ose më pak. Çdo javë, pas këngës dhe lutjes hapëse, drejtuesi i mbledhjes «Jeta dhe shërbimi» do të ngjallë interesin për programin që vijon duke theksuar edhe pyetjen që gjendet te Fleta e përgjigjeve për mbledhjen «Jeta dhe shërbimi».

 3. Thesare nga Fjala e Perëndisë:

  • Fjalim: 10 minuta. Në Fletëstudimin për mbledhjen «Jeta dhe shërbimi» sigurohet një temë dhe një skemë me dy ose tri pika kryesore. Ky fjalim i duhet caktuar një plaku ose një shërbëtori ndihmës të kualifikuar. Kur në programin javor të leximit të Biblës fillon një libër i ri, për ta prezantuar atë libër do të shfaqet një video. Oratori mund të tregojë lidhjet mes videos dhe temës. Gjithsesi, ai duhet të sigurohet që të trajtojë pikat e treguara në fletëstudim. Gjithashtu, për aq sa e lejon koha, ai duhet të përdorë figurat shoqëruese dhe pikat nga Shkrimet, të cilat janë përgatitur për të mbështetur materialin që duhet trajtuar.

  •   Të gërmojmë në Bibël për xhevahire: 8 minuta. Kjo është një pjesë me pyetje dhe përgjigje që s’ka nevojë për hyrje apo përfundim. Duhet drejtuar nga një plak ose nga një shërbëtor ndihmës i kualifikuar. Në vend se ta ndajë kohën në katër pjesë të barabarta, ai mund të zgjedhë t’i kushtojë më tepër kohë një pike që zbatohet për nevojat e kongregacionit. Megjithatë duhet t’ia drejtojë auditorit të gjitha pyetjet. Gjithashtu mund të vendosë nëse ka nevojë të lexohen të gjitha vargjet e cituara në dy pyetjet e para. Ata që ftohen të komentojnë, duhet të ofrojnë komente prej 30 sekondash ose më pak.

  • Leximi i Biblës: 4 minuta ose më pak. Ky caktim duhet të mbahet nga një vëlla. Studenti duhet të lexojë materialin e caktuar pa bërë komente hyrëse ose mbyllëse. Drejtuesi i mbledhjes do të ketë merak veçanërisht për t’i ndihmuar studentët të lexojnë saktë, kuptueshëm, rrjedhshëm, me theks të duhur logjik, me intonacion, duke bërë pauza të përshtatshme dhe natyrshëm.

  4. Stërvitu për shërbimin: 15 minuta ose më pak. Kjo pjesë e mbledhjes është menduar që t’u japë të gjithëve mundësinë të praktikohen për shërbimin dhe të përmirësojnë aftësitë për të predikuar dhe mësuar. Studentët duhet të bazojnë caktimin për bisedën e parë dhe për bisedat vijuese tek idetë për biseda që gjenden në faqen 1 të Fletëstudimit për mbledhjen «Jeta dhe shërbimi». Lajmëtarët mund të vendosin nëse duan të paraqesin një botim a një video nga Çanta e mjeteve mësimore. Fletëstudimi për mbledhjen «Jeta dhe shërbimi» përcakton kohën për secilin caktim të studentëve dhe, me raste, mund të sigurojë udhëzime shtesë. Studentët nuk kanë nevojë të shtojnë material vetëm sa për të mbushur kohën e caktuar. Disa demonstrime të përgatitura mirë mund të mbarojnë edhe një minutë a më shumë përpara kohës së caktuar. Sipas nevojës, pleqve mund t’u jepet një caktim studenti.

  • Videot me ide për biseda: Videot me ide për biseda do të shfaqen dhe do të diskutohen javë pas jave gjatë muajit. Këto video do të tregojnë bisedën e parë, bisedën e dytë dhe bisedën e tretë. Kjo pjesë do të prezantohet nga drejtuesi i mbledhjes «Jeta dhe shërbimi».

  • Biseda e parë: Këtë caktim mund ta përmbushë një vëlla ose një motër. Ndihmësi duhet të jetë i së njëjtës gjini ose një pjesëtar i familjes së tij/​saj. Studenti dhe ndihmësi mund të ulen ose të qëndrojnë në këmbë. Studenti duhet të zgjedhë një përshëndetje të përshtatshme për zonën. Si bazë për diskutimin duhet të përdoren idetë për biseda.

  • Biseda e dytë: Këtë caktim mund ta përmbushë një vëlla ose një motër. Ndihmësi duhet të jetë i së njëjtës gjini. (km 5/​97 f. 2). Studenti dhe ndihmësi mund të ulen ose të qëndrojnë në këmbë. Studenti duhet të demonstrojë se çfarë të themi kur kthehemi për të vizituar dikë që ka treguar interes gjatë bisedës së parë. Si bazë për diskutimin duhet të përdoren idetë për biseda te Fletëstudimi për mbledhjen «Jeta dhe shërbimi».

  • Biseda e tretë: Këtë caktim mund ta përmbushë një vëlla ose një motër. Ndihmësi duhet të jetë i së njëjtës gjini. (km 5/​97 f. 2). Studenti dhe ndihmësi mund të ulen ose të qëndrojnë në këmbë. Studenti duhet të demonstrojë se çfarë të themi kur të kthehemi për të vizituar dikë që ka treguar interes gjatë bisedës së dytë. Si bazë për diskutimin duhet të përdoren idetë për biseda.

  • Seancë studimi: Këtë caktim mund ta përmbushë një vëlla ose një motër. Ndihmësi duhet të jetë i së njëjtës gjini. (km 5/​97 f. 2). Studenti dhe ndihmësi mund të ulen ose të qëndrojnë në këmbë. Kjo pjesë duhet të demonstrojë një segment nga seanca e studimit që  tashmë ka nisur. Nuk ka nevojë për një hyrje ose përfundim, përveçse kur studentit i është caktuar ndonjëra prej këtyre pikave. Nuk është e nevojshme që të lexohet me zë i gjithë materiali i caktuar, edhe pse kjo mund të bëhet. Duhet të dalin në pah aftësitë e mira të mësimdhënies.

  • Fjalimi: Një vëlla do ta përmbushë këtë caktim në formë fjalimi para kongregacionit.

  5. Të jetojmë si të krishterë: Pas këngës, për 15 minuta kjo pjesë e mbledhjes do të përmbajë një ose dy pjesë të hartuara për të ndihmuar auditorin që të zbatojë Fjalën e Perëndisë. Nëse nuk tregohet ndryshe, këto caktime mund t’u jepen pleqve ose shërbëtorëve ndihmës të kualifikuar, me përjashtim të nevojave lokale që trajtohen nga pleqtë.

  • Studimi i Biblës në Kongregacion: 30 minuta. Ky caktim i duhet dhënë një plaku të kualifikuar. (Kur ka pak pleq, mund të caktohen sipas nevojës shërbëtorë ndihmës të kualifikuar.) Trupi i pleqve duhet të vendosë cilët kualifikohen për të drejtuar Studimin e Biblës në Kongregacion. Ata që aprovohen duhet të jenë në gjendje të drejtojnë në mënyrë domethënëse, që studimi të mbarojë brenda kohës, të theksojnë shkrimet kyçe dhe të ndihmojnë secilin të vlerësojë vlerën praktike të materialit që po shqyrtohet. Ata do të gjejnë parime të dobishme duke rishqyrtuar udhëzimet se si të drejtohet studimi i Kullës së Rojës. Kur është e mundur, çdo javë duhet të përdoren drejtues dhe lexues të ndryshëm. Nëse drejtuesi i mbledhjes «Jeta dhe shërbimi» jep drejtim që studimi të mbarojë më shpejt, atëherë drejtuesi duhet të vendosë si do ta shkurtojë studimin. Ai mund të zgjedhë që disa paragrafë të mos lexohen.

  6. Komente përmbyllëse: 3 minuta ose më pak. Drejtuesi i mbledhjes «Jeta dhe shërbimi» do të rishikojë pika veçanërisht të dobishme nga mbledhja, përfshi pyetjen dhe përgjigjen që gjendet te Fleta e përgjigjeve për mbledhjen «Jeta dhe shërbimi». Ai duhet të tregojë shkurtimisht çfarë do të trajtohet javën tjetër, mbase duke përmendur një pyetje që do të marrë përgjigje. Nëse ka kohë, ai mund të përmendë emrat e studentëve të caktuar për pjesët e mbledhjes së javës pasuese. Nëse nuk tregohet ndryshe, drejtuesi duhet t’i japë çdo njoftim dhe duhet t’i lexojë çdo letër të nevojshme kongregacionit gjatë komenteve të tij përmbyllëse. Informacionet e zakonshme, si masat e zakonshme për shërbimin në fushë dhe programi i pastrimit, nuk duhen njoftuar nga podiumi, por duhen vënë në tabelën e informacionit. Nëse ndonjë njoftim nuk mund të bëhet ose ndonjë letër nuk mund të lexohet brenda kohës që është rezervuar për komentet përmbyllëse, atëherë drejtuesi mund t’u kërkojë vëllezërve që kanë caktimet në pjesën «Të jetojmë si të krishterë» t’i shkurtojnë ato sipas nevojës. (Shih  paragrafët 5 dhe  9.) Mbledhja do të përfundojë me këngë dhe lutje.

 7. Kushtoju leximit dhe mësimdhënies: Nga java që fillon më 7 janar 2019, drejtuesi i mbledhjes «Jeta dhe shërbimi» duhet të përdorë broshurën «Mësimdhënia» si bazë për lavdërime dhe këshilla. Secili student duhet të punojë te mësimi që gjendet në kllapa pranë caktimit te Fletëstudimi për mbledhjen «Jeta dhe shërbimi». Javën e parë të çdo muaji drejtuesi i mbledhjes «Jeta dhe shërbimi» do të trajtojë me auditorin një temë mësimi nga broshura «Mësimdhënia». Pjesën «Shëno përparimin tënd» që gjendet në broshurë, do ta përdorë studenti, dhe drejtuesi i mbledhjes nuk do t’i vërë ndonjë shenjë.

  8. Këshillat: Pas secilit caktim të studentëve, drejtuesi i mbledhjes «Jeta dhe shërbimi» ka rreth një minutë kohë për të dhënë lavdërime dhe këshilla të bazuara në broshurën «Mësimdhënia». Kur drejtuesi të prezantojë caktimin e studentit ai nuk do të njoftojë temën e mësimit. Megjithatë, pasi studenti ta ketë përfunduar caktimin dhe pasi ka thënë disa fjalë lavdëruese  me vend, drejtuesi mund ta përmendë temën e mësimit dhe të tregojë pse e bëri mirë studenti atë mësim ose të shpjegojë me dashamirësi përse studenti duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje atij mësimi. Nëse mendon se studenti ose auditori do të nxirrnin dobi, drejtuesi mund të komentojë edhe për ndonjë aspekt tjetër të demonstrimit. Pas mbledhjes ose edhe në ndonjë moment tjetër, mund të jepen privatisht këshilla të tjera ndërtuese të bazuara në broshurën «Mësimdhënia» a në librin Shkolla e Shërbimit Teokratik, qoftë rreth temës së mësimit që ishte caktuar ose rreth ndonjë mësimi tjetër.—Shihni  paragrafët 13 dhe  16 për më shumë informacione në lidhje me rolin e mbikëqyrësit të mbledhjes «Jeta dhe shërbimi», si edhe për rolin e këshilluesit ndihmës.

    9. Kohëmatja: Asnjë pjesë nuk duhet ta kalojë kohën e caktuar, as komentet e drejtuesit të mbledhjes «Jeta dhe shërbimi». Caktimet e studentëve duhen ndërprerë me takt kur u mbaron koha. Nëse pjesë të tjera gjatë mbledhjes e kalojnë kohën, këshilluesi ndihmës duhet të japë këshilla privatisht. E gjithë mbledhja, përfshirë këngët dhe lutjet duhet të zgjasë 1 orë e 45 minuta.

 10. Vizita e mbikëqyrësit qarkor: Kur kongregacionin e viziton mbikëqyrësi qarkor, programi duhet të zhvillohet njësoj si përshkruhet në Fletëstudimin për mbledhjen «Jeta dhe shërbimi», me ndryshimet vijuese: Studimi i Biblës në Kongregacion te pjesa «Të jetojmë si të krishterë» do të zëvendësohet me një fjalim shërbimi prej 30 minutash nga mbikëqyrësi qarkor. Para se të nisë fjalimi, drejtuesi i mbledhjes «Jeta dhe shërbimi» do të rishikojë programin që sapo u mbajt, do të përmbledhë materialin për javën tjetër, do të bëjë njoftimet e nevojshme, do të lexojë letrat sipas nevojës e, më pas, do të prezantojë mbikëqyrësin qarkor. Pas fjalimit, mbikëqyrësi qarkor do të përfundojë mbledhjen me një këngë që ka zgjedhur vetë. Gjatë javës së vizitës së mbikëqyrësit qarkor nuk duhet të mbahen klasat ndihmëse në gjuhën e kongregacionit. Edhe pse mbikëqyrësi po viziton kongregacionin që mbështet një grup të gjuhës së huaj, grupi mund t’i mbajë mbledhjet e tij. Gjithsesi, grupi duhet të bashkohet me kongregacionin për fjalimin e shërbimit nga mbikëqyrësi qarkor.

 11. Java e asamblesë ose e kongresit: Gjatë javës së asamblesë ose të kongresit nuk mbahen mbledhje kongregacioni. Materiali i programuar për mbledhje atë javë duhet konsideruar individualisht ose si familje.

 12. Java e Përkujtimit: Nëse Përkujtimi bie gjatë javës (jo në fundjavë), atëherë mbledhja «Jeta dhe shërbimi» nuk do të mbahet. Patjetër, ditën e Përkujtimit duhet të mbahen mbledhje për shërbimin në fushë.

  13. Mbikëqyrësi i mbledhjes «Jeta dhe shërbimi»: Një plak i zgjedhur nga trupi i pleqve do të shërbejë si mbikëqyrësi i mbledhjes «Jeta dhe shërbimi». Ai është përgjegjës që kjo mbledhje të organizohet mirë dhe të zhvillohet në përputhje me këto udhëzime. Duhet të mbajë një komunikim të mirë me këshilluesin ndihmës. Sapo të dalë një Fletëstudimi për mbledhjen «Jeta dhe shërbimi», mbikëqyrësi i mbledhjes «Jeta dhe shërbimi» do të bëjë caktimet e studentëve për atë muaj. (Shih  paragrafin 4.) Çdo caktim i studentëve duhet shpërndarë të paktën tri javë përpara datës së caktimit duke përdorur formularin Caktim në mbledhjen «Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë» (S-89).

 14. Drejtuesi i mbledhjes «Jeta dhe shërbimi»: Çdo javë një plak do të shërbejë si drejtues për të gjithë mbledhjen «Jeta dhe shërbimi». (Kur nuk ka mjaft pleq, mund të përdoren sipas nevojës shërbëtorë ndihmës të kualifikuar.) Ai është përgjegjës për përgatitjen e komenteve hyrëse dhe përmbyllëse, për diskutimin e videove me ide për biseda dhe videove që prezantojnë një temë mësimi të re nga broshura «Mësimdhënia». Drejtuesi prezanton gjithashtu çdo pjesë  të mbledhjes, e në varësi të numrit të pleqve, ai mund të mbajë pjesë të tjera gjatë mbledhjes. Komentet mes pjesëve duhet të jenë shumë të shkurtra. Trupi i pleqve do të vendosë se cilët pleq janë të kualifikuar për të përmbushur këtë caktim. Pleqtë e kualifikuar duhet të caktohen periodikisht si drejtues. Në varësi të rrethanave të vendit, mbikëqyrësi i mbledhjes «Jeta dhe shërbimi» mund të përdoret si drejtues më shpesh sesa pleqtë e tjerë të kualifikuar. Nëse një plak kualifikohet për të drejtuar Studimin e Biblës në Kongregacion, atëherë ka shumë të ngjarë që ai të jetë i kualifikuar të shërbejë edhe si drejtues i mbledhjes. Ju lutemi, mbani parasysh se pritet që plaku që shërben si drejtues t’u japë me dashuri lavdërime dhe këshilla të dobishme atyre që kanë caktime si studentë. Gjithashtu, drejtuesi është përgjegjës për t’u siguruar që mbledhja të përfundojë në kohë. (Shih  paragrafët 6 dhe  9.) Nëse drejtuesi ka dëshirë dhe nëse ka mjaft hapësirë, në podium mund të vendoset një mikrofon me astë, kështu që ndërsa ai prezanton secilën pjesë të programit, vëllai që do të mbajë pjesën zë vend te pulti i oratorit. Po njësoj, gjatë caktimit të leximit të Biblës dhe gjatë pjesës «Stërvitu për shërbimin», drejtuesi mund të preferojë të ulet në një tryezë në podium. Kjo mund të kursejë kohë.

 15. Koordinatori i trupit të pleqve: Koordinatori i trupit të pleqve bën të gjitha caktimet për pjesët e mbledhjes, përveç atyre të studentëve. Këtu përfshihet caktimi i njërit prej vëllezërve të aprovuar nga trupi i pleqve si drejtues i mbledhjes për secilën javë. Në bashkëpunim me mbikëqyrësin e mbledhjes «Jeta dhe shërbimi», koordinatori i trupit të pleqve duhet të sigurohet që të vendoset në tabelën e informacionit një kopje e programit të caktimeve për të gjithë mbledhjen.

  16. Këshilluesi ndihmës: Kurdo që është e mundur, për këtë rol është mirë të përdoret një plak që ka përvojë si orator. Përgjegjësia e këshilluesit ndihmës është t’u japë privatisht pleqve dhe shërbëtorëve ndihmës, nëse nevojitet, këshilla për caktimet oratorike që mund të kenë. Këtu përfshihen pjesët në mbledhjen «Jeta dhe shërbimi», fjalimet publike dhe drejtimi ose leximi i Kullës së Rojës apo i Studimit të Biblës në Kongregacion. (Shih  paragrafin 9.) Nëse ka disa pleq që janë oratorë dhe mësues të zotë, atëherë plaku i kualifikuar që shërben si këshillues ndihmës mund të ndryshojë çdo vit. Nuk ka nevojë që këshilluesi ndihmës të ofrojë këshilla pas çdo caktimi.

 17. Klasat ndihmëse: Në varësi të numrit të studentëve, kongregacionet mund të kenë edhe klasa ndihmëse për caktimet e tyre. Çdo klasë ndihmëse duhet të ketë një këshillues të kualifikuar, mundësisht një plak. Kur nuk ka, mund të caktohet një shërbëtor ndihmës i kualifikuar. Trupi i pleqve duhet të vendosë se kush do të shërbejë në këtë caktim dhe nëse caktimi do të bëhet me radhë. Këshilluesi duhet të ndjekë procedurën që përshkruhet në  paragrafin 8. Nëse do të ketë klasë/​a ndihmëse, studentëve do t’u kërkohet të shkojnë te salla e dytë menjëherë pas pjesës «Të gërmojmë në Bibël për xhevahire» te segmenti «Thesare nga Fjala e Perëndisë». Ata duhet të bashkohen sërish me pjesën tjetër të kongregacionit menjëherë pasi mbaron pjesa e mbledhjes «Stërvitu për shërbimin». Kur diskutohet një video, ata që janë në klasën ndihmëse duhet ta dëgjojnë ose vëzhgojnë diskutimin nga aty, nëse kjo është e mundur. Përndryshe, këshilluesi duhet të trajtojë videon e ta shfaqë atë në një pajisje portative.

 18. Videot: Në këtë mbledhje do të përdoren video të përzgjedhura. Videot për mbledhjen e mesjavës do të gjenden tek aplikacioni JW Library dhe mund të shihen në pajisje të ndryshme. Me raste, videot me ide për biseda mund të shfaqen në mbledhjet për shërbim, në fushë, pasi të jenë shfaqur në mbledhjen «Jeta dhe shërbimi».