Imagjino sikur jeton në Galile, në kohën e Jezuit. Ke ardhur në Jerusalem për të kremtuar festën e Kasolleve. Qyteti gumëzhin nga bashkadhuruesit që kanë ardhur nga shumë larg. Dëshiron t’i bësh një flijim Jehovait. Kështu që merr një kec dhe nisesh drejt tempullit, përmes rrugicave të qytetit që gëlojnë nga njerëzit. Kur mbërrin në tempull, sheh se është plot e përplot me të tjerë që duan të paraqesin flijime. Më në fund të vjen radha që t’u japësh kecin priftërinjve. Mirëpo, në atë çast kujtohesh se vëllai yt, i cili mund të jetë kudo mes turmës ose në qytet, ka diçka kundër teje. Jezui shpjegon se ç’duhet të bësh. (Lexo Mateun 5:24.) Sipas udhëzimit të Jezuit, si mund të bëni paqe ti dhe vëllai që ndihet i fyer? Vër një shenjë përbri përgjigjes së saktë në dy listat e mëposhtme.

TI DUHET . . .

  • të flasësh me vëllanë vetëm nëse mendon se ka arsye të vlefshme pse është mërzitur

  • të përpiqesh të ndreqësh mënyrën si mendon vëllai, nëse sipas teje është tepër i ndjeshëm ose ka edhe ai faj

  • të dëgjosh me durim ndërsa vëllai tregon si ndihet dhe, ndonëse mund të mos e kuptosh plotësisht, t’i kërkosh falje me gjithë shpirt për dhimbjen që i ke shkaktuar ose për pasojat e paqëllimshme të veprimeve të tua

VËLLAI YT DUHET . . .

  • të kërkojë përkrahje nga pjesëtarë të tjerë të kongregacionit duke u treguar si e ke lënduar

  • të të kritikojë, të të shpjegojë fill e për pe si e ke fyer dhe të të kërkojë ta pranosh fajin

  • të pranojë se t’u desh përulësi e guxim që të flisje me të dhe të të falë bujarisht nga zemra

Edhe pse sot adhurimi ynë nuk përfshin flijime kafshësh, çfarë po mësonte Jezui për lidhjen që ekziston midis paqes me vëllanë tonë dhe adhurimit të pranueshëm nga Perëndia?