Zanafilla 30:1-43

30  Kur Rakela pa se nuk po i lindte fëmijë Jakobit, u bë xheloze për të motrën dhe nisi t’i thoshte atij:+ «Më bëj me fëmijë, se përndryshe jam një grua e vdekur.»+  Por zemërimi i Jakobit u ndez kundër Rakelës dhe ia ktheu:+ «Mos jam unë Perëndia, që ta ka mohuar frytin e barkut?!»+  Prandaj ajo i tha: «Ja ku e ke skllaven time, Bilhanë.+ Ki marrëdhënie me të, që ajo të lindë në gjunjët e mi, dhe unë të kem fëmijë prej saj.»+  Kështu i dha si grua Bilhanë, shërbyesen e saj, dhe Jakobi pati marrëdhënie me të.+  Bilhaja mbeti shtatzënë dhe i lindi Jakobit një djalë.+  Atëherë Rakela tha: «Perëndia veproi si gjykatësi+ im dhe ma dëgjoi zërin, kështu që më dha një djalë.» Ja përse ia vuri emrin Dan.+  Bilhaja, shërbyesja e Rakelës, mbeti sërish shtatzënë dhe i lindi Jakobit një djalë tjetër.  Atëherë Rakela tha: «Jam përleshur ashpër me motrën time, dhe kam dalë fitimtare!» Prandaj, ia vuri emrin Neftal.+  Kur Lea pa që nuk po lindte më, mori shërbyesen e saj, Zilpën, dhe ia dha si grua Jakobit.+ 10  Zilpa, shërbyesja e Leas, i lindi Jakobit një djalë. 11  Atëherë Lea tha: «Ç’mbarësi!» Prandaj e quajti Gad.+ 12  Pastaj, Zilpa, shërbyesja e Leas, i lindi Jakobit një djalë tjetër. 13  Atëherë Lea tha: «Ç’lumturi! Sepse gratë do të më shpallin të lumtur.»+ Prandaj ia vuri emrin Asher.+ 14  Në kohën e korrjes së grurit,+ Rubeni+ po ecte në fushë dhe gjeti ca madërgona. Pastaj ia çoi Leas, nënës së tij. Rakela i tha Leas: «Të lutem, më jep ca nga madërgonat+ e tët biri.» 15  Ajo ia ktheu: «Mos të duket gjë e vogël që më more burrin?+ Tani dashke të më marrësh edhe madërgonat e tim biri?!» Atëherë Rakela i tha: «Në këmbim të madërgonave të tët biri, ai do të shtrihet me ty sonte.» 16  Në mbrëmje, kur Jakobi po kthehej nga fusha,+ Lea i doli përpara për ta takuar dhe i tha: «Sonte do të kesh marrëdhënie me mua, sepse faktikisht të bleva me madërgonat e tim biri.» Prandaj atë natë ai u shtri me të.+ 17  Perëndia e dëgjoi dhe iu përgjigj Leas, dhe ajo mbeti shtatzënë e i lindi Jakobit djalin e pestë.+ 18  Atëherë Lea tha: «Perëndia ma dha shpërblimin, sepse i dhashë tim shoqi shërbyesen.» Prandaj ia vuri emrin Isakar.*+ 19  Lea mbeti përsëri shtatzënë dhe i lindi Jakobit djalin e gjashtë.+ 20  Atëherë ajo tha: «Perëndia më dha një dhuratë të mirë. Më në fund, im shoq do të më durojë,+ sepse i kam lindur gjashtë djem.»+ Kështu ia vuri emrin Zabulon.*+ 21  Pastaj, lindi një vajzë dhe ia vuri emrin Dina.+ 22  Më në fund, Perëndia u kujtua edhe për Rakelën, dhe Perëndia e dëgjoi dhe iu përgjigj asaj duke i çelur barkun.+ 23  Ajo mbeti shtatzënë dhe lindi një djalë. Atëherë ajo tha: «Perëndia ma hoqi poshtërimin!»+ 24  Prandaj ia vuri emrin Jozef,+ dhe tha: «Jehovai më shtoi edhe një djalë.» 25  Kur Rakela lindi Jozefin, Jakobi i tha menjëherë Labanit: «Të lutem, më lër të shkoj në tokën time dhe në vendin tim.+ 26  Më jep gratë dhe fëmijët e mi, për të cilët të shërbeva, që të shkoj. Sepse ti e di mirë se ç’shërbim të bëra.»+ 27  Atëherë Labani i tha: «Nëse kam gjetur hir në sytë e tu, të lutem, rri, sepse e kam kuptuar nga oguret se Jehovai po më bekon për shkakun tënd.»+ 28  Dhe shtoi: «Caktoje pagën që do, dhe do të ta jap.»+ 29  Prandaj, ai i tha: «Ti e di si të kam shërbyer, dhe sa është bërë tufa jote nga unë.+ 30  Para se të vija unë, ishte e vogël, dhe që kur erdha unë, është shtuar e është bërë shumë, sepse Jehovai të ka bekuar.+ Por tani, kur do të bëj diçka edhe për shtëpinë time?»+ 31  Prandaj ai e pyeti: «Ç’të të jap?» Jakobi iu përgjigj: «S’ke pse të më japësh gjë!+ Nëse bën atë që të kërkoj, unë do ta kullot prapë kopenë tënde,+ dhe do të vazhdoj ta ruaj.+ 32  Unë do të kaloj sot mes tërë kopesë sate. Ti vër mënjanë çdo dele pikaloshe dhe lara-lara, çdo dash në kafe të errët, dhe çdo dhi pikaloshe dhe lara-lara. Që sot e tutje kjo do të jetë paga ime.+ 33  Ndershmëria ime do të përgjigjet për mua, çdo ditë që do të vish për të kontrolluar pagën time.+ Nëse gjen tek unë ndonjë dhi që nuk është pikaloshe ose lara-lara, ose ndonjë dash të ri që nuk është në kafe të errët, quaje të vjedhur.»+ 34  Atëherë Labani tha: «Shkëlqyeshëm! U bëftë ashtu si the!»+ 35  Prandaj, atë ditë ai i vuri mënjanë cjeptë vija-vija e lara-lara, tërë dhitë pikaloshe e lara-lara, çdo bagëti që kishte ndonjë njollë të bardhë dhe çdo dash të ri në kafe të errët, dhe ua dha bijve të tij. 36  Pastaj i largoi tri ditë udhë nga Jakobi, ndërsa Jakobi vazhdoi të kulloste kopetë e Labanit që mbetën. 37  Atëherë Jakobi mori disa purteka ende të njoma prej druri stiraksi,+ bajameje+ dhe rrapi.+ U zhvoshku lëvoren vende-vende, dhe zbuloi të bardhat e purtekave.+ 38  Purtekat e zhvoshkura i vuri përballë kopesë, në vijat e ujit,+ në lugjet ku kopetë vinin për të pirë, që të vinin në afsh përpara tyre. 39  Kështu, kopetë vinin në afsh përpara purtekave dhe bënin të vegjël vija-vija, pikaloshë dhe lara-lara.+ 40  Jakobi i ndau deshtë e rinj dhe pastaj kopetë vija-vija dhe ato që ishin në kafe të errët, i ktheu me fytyra nga kopetë e Labanit. Pastaj, kopetë e veta i ndau veç dhe nuk i vuri bashkë me kopetë e Labanit. 41  Sa herë që bagëtitë e forta+ vinin në afsh, Jakobi i vinte purtekat në vijat e ujit+ para syve të tyre, që ato të vinin në afsh pranë purtekave. 42  Por bagëtitë e ligshta ai nuk i vendoste atje. Kështu, të ligshtat ishin gjithnjë të Labanit, kurse të fortat të Jakobit.+ 43  Pasuritë e atij njeriu u shumuan gjithnjë e më tepër, dhe ai pati kope të mëdha, shërbyese dhe shërbyes, deve e gomarë.+

Shënime në fund të faqes

Që do të thotë «Ai është pagë; ai sjell pagë, shpërblim».
Që do të thotë «banim»; mbase «toleroj (duroj)».