Zanafilla 21:1-34

21  Jehovai e drejtoi vëmendjen ndaj Sarës, ashtu si kishte thënë, dhe Jehovai veproi me Sarën ashtu si kishte thënë.+  Sara mbeti shtatzënë+ dhe i lindi Abrahamit një djalë në pleqërinë e tij, në kohën e caktuar që kishte thënë Perëndia.+  Prandaj, Abrahami e quajti Isak+ djalin që i kishte lindur Sara.  Abrahami e rrethpreu Isakun, djalin e tij, kur ishte tetëditësh, pikërisht siç e urdhëroi Perëndia.+  Abrahami ishte njëqind vjeç kur i lindi i biri, Isaku.  Atëherë Sara tha: «Perëndia më ka bërë të qesh; kushdo që do të dëgjojë për këtë, do të qeshë me mua.»+  Pastaj shtoi: «Kush mund t’i thoshte Abrahamit se Sara do të mëndte fëmijë? Por ja, unë i linda një djalë në pleqërinë e tij.»  Fëmija u rrit dhe erdhi koha që t’i hiqnin gjirin.+ Atëherë Abrahami përgatiti një gosti të madhe ditën kur iu hoq gjiri Isakut.  Sara vërejti që djali i Agarës, egjiptianes,+ që ajo i kishte lindur Abrahamit, po tallej me Isakun.+ 10  Prandaj nisi t’i thoshte Abrahamit: «Dëboje këtë skllave dhe djalin e saj, sepse ai nuk do të jetë trashëgimtar bashkë me tim bir, Isakun!»+ 11  Por kjo gjë nuk i pëlqeu Abrahamit.+ 12  Atëherë Perëndia i tha: «Të mos të duket e papëlqyeshme ajo që po të thotë Sara për djalin dhe për skllaven. Dëgjoje zërin e saj, sepse ajo që do të quhet fara jote, do të vijë nëpërmjet Isakut.+ 13  Por edhe djalin e skllaves+ do ta bëj një komb, sepse ai është pasardhësi yt.»+ 14  Kështu, Abrahami u çua herët në mëngjes, i dha Agarës+ bukë dhe një kacek me ujë, e ia vuri në sup. I dha edhe djalin+ dhe pastaj e përzuri. Ajo mori udhën, dhe u end andej-këtej në shkretëtirën e Beer-Shebës.+ 15  Më në fund, uji i kacekut mbaroi+ dhe ajo e hodhi+ fëmijën nën një kaçubë. 16  Pastaj iku më tutje dhe u ul vetëm, pak a shumë sa larg mund të qëllohet një shigjetë me hark, sepse tha: «Nuk dua ta shoh fëmijën kur të vdesë.»+ Prandaj u ul në njëfarë largësie dhe nisi të qante me të madhe.+ 17  Por Perëndia e dëgjoi zërin e djalit+ dhe engjëlli i Perëndisë e thirri Agarën nga qiejt e i tha:+ «Çfarë ke, Agarë? Mos ki frikë, sepse Perëndia e ka dëgjuar zërin e djalit atje tek është. 18  Çohu, ngrije djalin dhe kape fort për dore, sepse do ta bëj një komb të madh.»+ 19  Pastaj, Perëndia ia hapi sytë dhe ajo vuri re një pus;+ shkoi dhe nisi të mbushte kacekun me ujë, e i dha djalit për të pirë. 20  Perëndia vazhdoi të ishte me djalin,+ dhe ai rritej e banonte në shkretëtirë; dhe u bë harkëtar.+ 21  Ai u vendos në shkretëtirën e Paranit,+ dhe e ëma i mori një grua nga Egjipti. 22  Në atë kohë Abimeleku bashkë me Fikolin, kreun e ushtrisë së tij, i thanë Abrahamit: «Perëndia është me ty në çdo gjë që po bën.+ 23  Prandaj betomu tani këtu për Perëndinë,+ që nuk do të tregohesh i pabesë me mua, me pasardhjen time dhe me brezat e mi të ardhshëm;+ që do të sillesh me mua dhe me tokën në të cilën banon si i ardhur+ me të njëjtën dashuri besnike me të cilën unë jam sjellë me ty.»+ 24  Atëherë Abrahami tha: «Do të betohem.»+ 25  Kur Abrahami e kritikoi ashpër Abimelekun, për pusin e ujit që shërbëtorët e Abimelekut e kishin shtënë në dorë me dhunë,+ 26  Abimeleku i tha: «Nuk e di kush e bëri këtë, dhe as ti vetë nuk më the gjë. Unë për vete sot po e dëgjoj për herë të parë këtë punë.»+ 27  Pastaj Abrahami mori dhen e gjedhë, ia dha Abimelekut,+ dhe të dy bënë një besëlidhje.+ 28  Kur Abrahami ndau veç shtatë qengja femër të kopesë, 29  Abimeleku i tha: «Pse i ke ndarë veç këta qengja?» 30  Atëherë ai ia ktheu: «Ke për t’i pranuar këta shtatë qengja nga dora ime si dëshmi+ që këtë pus e kam hapur unë.» 31  Prandaj ai e quajti atë vend Beer-Shebë,+ sepse atje ata të dy u betuan. 32  Kështu, ata bënë një besëlidhje+ në Beer-Shebë. Pastaj, Abimeleku u ngrit bashkë me Fikolin, kreun e ushtrisë së tij, dhe u kthyen në vendin e filistinëve.+ 33  Pas kësaj, ai mbolli një brukë në Beer-Shebë dhe thirri atje emrin e Jehovait,+ të Perëndisë së përjetësisë.+ 34  Abrahami u vendos si banor i ardhur në vendin e filistinëve për shumë kohë.+

Shënime në fund të faqes