Zanafilla 17:1-27

17  Kur Abrami u bë nëntëdhjetë e nëntë vjeç, Jehovai iu shfaq dhe i tha:+ «Unë jam Perëndi i Plotfuqishëm.+ Ec përpara meje dhe ji i patëmetë.+  Unë do të bëj një besëlidhje mes meje e teje,+ që të të shumoj së tepërmi.»+  Kështu Abrami u përkul me fytyrë përdhe,+ dhe Perëndia vazhdoi:  «Ja, po bëj një besëlidhje me ty,+ dhe ti ke për t’u bërë atë i shumë kombeve.+  Emri yt nuk do të jetë më Abram, por Abraham,* sepse do të të bëj atë të shumë kombeve.  Do të të bëj shumë, shumë të frytshëm, dhe nga ti do të dalin kombe e mbretër.+  Do të përmbush besëlidhjen time mes meje e teje+ dhe farës sate, nga njëri brez në tjetrin, për një besëlidhje brez pas brezi,+ që të jem Perëndi për ty dhe për farën tënde.+  Ty dhe farës sate do t’ju jap vendin ku ke banuar si i huaj,+ gjithë vendin e Kanaanit, si zotërim përgjithmonë, dhe do të jem Perëndia i tyre.»+  Perëndia i tha më tej Abrahamit: «Ti ke për të mbajtur besëlidhjen time, ti dhe fara jote, brez pas brezi.+ 10  Kjo është besëlidhja ime që do të mbani, mes meje e jush, madje edhe fara jote:+ çdo mashkull nga ju të rrethpritet.+ 11  Të rrethpritni mishin e lafshës dhe kjo të jetë si shenjë e besëlidhjes mes meje dhe jush.+ 12  Të rrethpritet çdo mashkull tetëditësh,+ brez pas brezi, çdokush i lindur në shtëpi dhe çdokush i blerë me para nga çdo i huaj që nuk është nga fara jote. 13  Çdo burrë i lindur në shtëpinë tënde dhe çdo burrë i blerë me paratë e tua, të rrethpritet+ patjetër, për të treguar besëlidhjen time në mishin tuaj. Kjo duhet të jetë si një besëlidhje brez pas brezi.+ 14  Por mashkulli i parrethprerë, që nuk e rrethpret mishin e lafshës së tij, po, ai shpirt të shfaroset prej popullit të tij.+ Ka shkelur besëlidhjen time.» 15  Perëndia vazhdoi t’i thoshte Abrahamit: «Sarajën, gruan tënde, mos e quaj më Sarajë,* sepse emri i saj tani është Sara.*+ 16  Unë do ta bekoj atë, dhe nga ajo do të të jap një djalë.+ Unë do ta bekoj, dhe nga ajo do të vijnë kombe+ dhe mbretër popujsh.»+ 17  Prandaj, Abrahami u përkul me fytyrë përdhe dhe nisi të qeshte e të thoshte me vete:*+ «A do t’i lindë vallë një burri njëqindvjeçar një djalë? Po Sara, një grua nëntëdhjetëvjeçare, a do të lindë vallë?»+ 18  Pas kësaj, Abrahami i tha Perëndisë së vërtetë: «Rroftë para teje Ismaeli!»+ 19  Perëndia ia ktheu: «Në të vërtetë, Sara, gruaja jote, do të të lindë një djalë dhe do t’ia vësh emrin Isak.+ Unë do të bëj me të një besëlidhje, një besëlidhje brez pas brezi për farën e tij.+ 20  Por sa për Ismaelin, të kam dëgjuar. Ja, unë do ta bekoj, do ta bëj të frytshëm dhe do ta shumoj së tepërmi.+ Prej tij do të dalin dymbëdhjetë prijës, dhe unë do ta bëj një komb të madh.+ 21  Megjithatë, besëlidhjen time do ta bëj me Isakun,+ të cilin Sara do të ta lindë në kohën e caktuar, vitin që vjen.»+ 22  Kështu, Perëndia mbaroi së foluri me të dhe u largua nga Abrahami, duke u ngjitur lart.+ 23  Atëherë Abrahami mori Ismaelin, birin e tij, dhe gjithë burrat e lindur në shtëpinë e tij, gjithë ata që i kishte blerë me paratë e veta, çdo mashkull të shtëpisë së vet, dhe u rrethpreu po atë ditë mishin e lafshës, pikërisht siç i kishte thënë Perëndia.+ 24  Abrahami ishte nëntëdhjetë e nëntë vjeç, kur rrethpreu mishin e lafshës.+ 25  Ndërsa Ismaeli, biri i tij, ishte trembëdhjetë vjeç, kur rrethpreu mishin e lafshës.+ 26  Atë ditë u rrethpre Abrahami dhe biri i tij, Ismaeli.+ 27  Gjithashtu, gjithë burrat e shtëpisë së tij, kushdo që kishte lindur në shtëpi dhe kushdo që ishte blerë me para nga një i huaj, u rrethprenë bashkë me të.+

Shënime në fund të faqes

Që do të thotë «Atë i një shumice».
Që ndoshta do të thotë «grindavece».
Që do të thotë «princeshë».
Shih shënimin te Zn 8:21.