Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Veprat 23:1-35

23  Duke ia ngulur sytë Sinedrit, Pavli tha: «Burra, vëllezër, gjer më sot kam ecur me një ndërgjegje krejt të pastër+ para Perëndisë.»  Kryeprifti Anania i urdhëroi ata që ishin afër tij t’i binin+ në gojë.  Atëherë, Pavli i tha: «Perëndia do të të bjerë ty, o mur i zbardhur me gëlqere!+ Ulesh për të më gjykuar sipas Ligjit+ e në të njëjtën kohë, duke e shkelur Ligjin,+ urdhëron të më bien?!»  Ata që ishin aty thanë: «Ti guxon të shash kryepriftin e Perëndisë?»  Pavli tha: «Nuk e dija, vëllezër, që ai ishte kryeprift. Sepse është shkruar: ‘Mos fol me përbuzje për një qeveritar të popullit tënd.’»+  Kur kuptoi se një pjesë ishin saducenj+ e tjetra farisenj, Pavli thirri në Sinedër: «Burra, vëllezër, unë jam farise,+ bir farisenjsh, dhe po gjykohem+ për shpresën e ringjalljes+ së të vdekurve.»  Sapo tha këtë, plasi një zënkë+ mes farisenjve dhe saducenjve, e turma u nda.  Sepse saducenjtë+ thonë se nuk ka as ringjallje,+ as engjëll, as frymë, kurse farisenjtë i shpallin të gjitha këto publikisht.  Kështu, shpërthyen të bërtitura,+ dhe disa skribë nga partia e farisenjve u ngritën e kundërshtuan me forcë, duke thënë: «Ne nuk gjejmë asgjë të keqe te ky njeri,+ por nëse një frymë a një engjëll i foli,+ atëherë . . .» 10  Kur zënka po acarohej, komandanti ushtarak pati frikë se mos Pavlin e bënin copë-copë. Kështu, urdhëroi trupën e ushtarëve+ të zbriste, ta merrte prej tyre e ta çonte në kazermë.+ 11  Atë natë, Zotëria iu afrua+ dhe i tha: «Merr zemër,+ sepse siç dhe dëshmi të plotë+ për mua në Jerusalem, po ashtu do të japësh edhe në Romë.»+ 12  Kur zbardhi dita, judenjtë kurdisën një komplot.+ Ata zunë be me mallkim+ e thanë se as do të hanin, as do të pinin, gjersa të vritnin Pavlin.+ 13  Ata që zunë be për këtë komplot ishin më shumë se dyzet burra. 14  Shkuan te krerët+ e priftërinjve dhe pleqtë, e thanë: «Ne, në mënyrë solemne, kemi zënë be me mallkim, që të mos futim gjë në gojë, gjersa të vrasim Pavlin. 15  Prandaj, ju bashkë me Sinedrin çojini fjalë komandantit ushtarak që ta zbresë te ju, gjoja se keni ndër mend ta shqyrtoni më mirë çështjen e tij.+ Por, para se Pavli të afrohet, ne do të jemi gati ta vrasim.»+ 16  Mirëpo, djali i motrës së Pavlit dëgjoi që ata i kishin ngritur kurth,+ vajti në kazermë dhe i tregoi Pavlit. 17  Atëherë, Pavli thirri një nga centurionët dhe i tha: «Çoje djalin te komandanti ushtarak, se ka diçka për t’i treguar.» 18  Ai e mori, e çoi te komandanti ushtarak dhe i tha: «I burgosuri Pavël më thirri dhe m’u lut ta sillja këtë djalë te ti, pasi ka diçka për të të thënë.» 19  Komandanti ushtarak e mori+ për dore, u largua dhe nisi ta pyeste vetëm për vetëm: «Çfarë do të më tregosh?» 20  Ai i tha: «Judenjtë kanë rënë në ujdi të të kërkojnë që nesër ta zbresësh Pavlin në Sinedër, gjoja se kanë ndër mend ta shqyrtojnë më me imtësi çështjen e tij.+ 21  Prandaj mos u beso, sepse më shumë se dyzet burra nga ata i kanë ngritur kurth+ dhe kanë zënë be me mallkim që as të mos hanë, as të mos pinë, gjersa ta vrasin.+ Tani janë gati, e presin vetëm fjalën tënde.» 22  Atëherë, komandanti ushtarak e la djalin të shkonte, pasi e urdhëroi: «Mos i thuaj askujt që m’i kallëzove këto.» 23  Pas kësaj, ai thirri dy centurionë dhe u tha: «Në orën e tretë* të natës bëni gati dyqind ushtarë, shtatëdhjetë kalorës dhe dyqind heshtarë, që të shkojnë deri në Cezare. 24  Veç kësaj, bëni gati kuaj për Pavlin e çojeni shëndoshë e mirë te guvernatori Feliks.» 25  Ai shkroi edhe një letër, që thoshte: 26  «Klaud Lisia, Shkëlqesisë së tij, guvernatorit Feliks:+ Përshëndetje! 27  Këtë njeri e kapën judenjtë dhe ishin gati ta vritnin, por ia beha unë me një trupë ushtarësh dhe e shpëtova,+ ngaqë mësova se ishte romak.+ 28  Duke dashur të merrja vesh për çfarë e akuzonin, e çova para Sinedrit të tyre.+ 29  Pashë se akuzohej për çështje të Ligjit të tyre,+ porse nuk paditej për asgjë që meriton vdekjen a vargonjtë.+ 30  Por meqë më njoftuan për një komplot+ kundër tij, po e dërgoj menjëherë te ti dhe po i urdhëroj paditësit t’i paraqitin akuzat para teje.»+ 31  Atëherë ushtarët+ e morën Pavlin sipas urdhrave të tyre dhe e çuan natën në Antipatridë. 32  Të nesërmen i lanë kalorësit të vazhdonin rrugën me të, kurse ata u kthyen në kazermë. 33  Kalorësit hynë në Cezare,+ i dorëzuan guvernatorit letrën dhe i paraqitën Pavlin. 34  Ai lexoi letrën, e pyeti nga ç’provincë ishte dhe mori vesh+ se ishte nga Kilikia.+ 35  «Do të të dëgjoj deri në fund,—tha ai,—kur të vijnë edhe paditësit e tu.»+ Dhe urdhëroi të mbahej nën ruajtje në pallatin pretorian të Herodit.

Shënime në fund të faqes

Rreth 9 e mbrëmjes, duke llogaritur nga perëndimi i diellit.