Proverbat 18:1-24

18  Kush veçohet, kërkon të plotësojë dëshirat e veta egoiste.+ Ai tërbohet kundër gjithë mençurisë.*+  Budallait nuk i pëlqen aftësia dalluese,+ por vetëm të zbulojë atë që ka në zemër.+  Kur hyn i ligu, hyn edhe përçmimi,+ dhe bashkë me çnderimin+ është edhe poshtërimi.  Ujëra të thella janë fjalët e gojës së njeriut.+ Burimi i mençurisë është përrua që gurgullon.+  Nuk është gjë e mirë t’i mbash anën të ligut,+ as t’i mohosh drejtësinë të drejtit.+  Buzët e budallait hyjnë në sherr+ dhe goja e tij i thërret vetë goditjet.+  Goja e budallait është rrënim për të+ dhe buzët e tij janë lak për shpirtin e vet.+  Fjalët e shpifësit janë si gjëra për t’u gëlltitur me babëzi,+ që zbresin poshtë, deri në pjesët më të brendshme të barkut.+  Ai që tregohet i ngathët në punë,+ është vëlla i atij që shkakton rrënim.+ 10  Emri i Jehovait është një kullë e fortë.+ Tek ai vrapon i drejti dhe gjen mbrojtje.+ 11  Gjërat me vlerë janë si një qytet i fortë për të pasurin+ dhe në imagjinatën e tij ato janë si një mur mbrojtës.+ 12  Përpara rrëzimit zemra e njeriut lartësohet+ dhe para lavdisë është përulësia.+ 13  Nëse dikush përgjigjet për një çështje para se ta dëgjojë,+ kjo është për të marrëzi dhe poshtërim.+ 14  Fryma e njeriut mund ta përballojë sëmundjen e tij,+ por kush mund ta durojë një frymë të dërrmuar?+ 15  Zemra e njeriut me kuptueshmëri fiton njohuri+ dhe veshi i të mençurve kërkon të gjejë njohuri.+ 16  Dhurata do t’i hapë një udhë të madhe njeriut+ dhe do ta çojë deri përpara të mëdhenjve.+ 17  Kush flet i pari në çështjen e vet ligjore, duket se ka të drejtë,+ por ndërhyn tjetri dhe me siguri e heton fund e krye.+ 18  Shorti i qetëson grindjet,+ madje i ndan edhe të fuqishmit nga njëri-tjetri.+ 19  Një vëlla, kundër të cilit është bërë një shkelje, është më i pathyeshëm se një qytet i fortë,+ dhe ka grindje që janë si shuli i një kulle banimi.+ 20  Barku i njeriut do të ngopet me frytin e gojës së tij.+ Ai do të ngopet edhe me prodhimin e buzëve të veta.+ 21  Vdekja dhe jeta janë në dorë të gjuhës,+ dhe kush e do atë, do të hajë frytet e saj.+ 22  Kush gjen një grua të mirë,+ gjen një gjë të mirë+ dhe merr pëlqimin e Jehovait.+ 23  I vobekti flet me përgjërime,+ kurse i pasuri përgjigjet me vrazhdësi.+ 24  Ka nga ata shokë që janë gati ta bëjnë copë njëri-tjetrin,+ por ka një mik me të cilin lidhesh më ngushtë se me një vëlla.+

Shënime në fund të faqes

Ose «mençurisë praktike».