Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Numrat 35:1-34

35  Jehovai i tha Moisiut në rrafshinat e shkreta të Moabit, afër Jordanit,+ përballë Jerikosë:  «Urdhëroji bijtë e Izraelit që, nga trashëgimia që zotërojnë, t’u japin levitëve qytete+ banimi dhe kullotat rreth e qark qyteteve.+  Qytetet do t’u shërbejnë për të banuar, ndërsa kullotat për kafshët shtëpiake, për mbarështimin e bagëtisë dhe për gjithë kafshët.  Kullotat e qyteteve që do t’u jepni levitëve, do të shtrihen nga muri i qytetit e tutje, një mijë kute rreth e qark.  Do të matni jashtë qytetit dy mijë kute nga ana e lindjes, dy mijë kute nga ana e jugut, dy mijë kute nga ana e perëndimit dhe dy mijë kute nga ana e veriut. Qyteti do të ndodhet në mes. Këto do t’u shërbejnë atyre si kullota rreth qyteteve.  Levitëve do t’u japësh gjashtë qytete strehimi,+ që atje të ikë me të shpejtë ai që vret një njeri,+ dhe përveç tyre, edhe dyzet e dy qytete të tjera.  Të gjitha qytetet që do t’u japësh levitëve, do të jenë dyzet e tetë qytete bashkë me kullotat e tyre.+  Qytetet që do t’u japësh, do të jenë nga zotërimet e bijve të Izraelit.+ Nga ata që janë shumë, do të merrni shumë, dhe nga ata që janë pak, do të merrni pak.+ Secili do t’u japë levitëve disa nga qytetet e tij, në përpjesëtim me trashëgiminë që do të marrë.»  Më pas Jehovai i tha Moisiut: 10  «Thuaju bijve të Izraelit: ‘Kur të kaloni Jordanin për të shkuar drejt Kanaanit,+ 11  zgjidhni qytete që të jenë të volitshme për ju. Ato do t’ju shërbejnë si qytete strehimi, dhe atje duhet të ikë me të shpejtë ai që vret padashur një shpirt.+ 12  Këto qytete do t’ju shërbejnë si strehim nga gjakmarrësi,+ që ai që ka vrarë, të mos vdesë para se të dalë për t’u gjykuar përpara asamblesë.+ 13  Gjashtë qytetet që do të jepni, do t’ju shërbejnë si qytete strehimi. 14  Do të jepni tri qytete në lindje të Jordanit+ dhe tri qytete në vendin e Kanaanit.+ Ato do të shërbejnë si qytete strehimi. 15  Këto gjashtë qytete do të shërbejnë si strehim për bijtë e Izraelit, për të ardhurin+ dhe për atë që është shpërngulur e ka vajtur mes tyre, që atje të ikë me të shpejtë kushdo që vret padashur një shpirt.+ 16  Nëse ai e ka goditur me një vegël hekuri, dhe tjetri vdes, ai është vrasës,+ dhe vrasësi duhet të vritet patjetër.+ 17  Nëse e ka goditur me një gur të vogël, prej të cilit mund të vdiste dhe tjetri vdes, ai është vrasës, dhe vrasësi duhet të vritet patjetër. 18  Nëse e ka goditur me një vegël të vogël druri, prej së cilës mund të vdiste dhe tjetri vdes, ai është vrasës, dhe vrasësi duhet të vritet patjetër. 19  Vrasësin do ta vrasë gjakmarrësi.+ Kur t’i dalë përpara, ai do ta vrasë. 20  Nëse e ka shtyrë atë që vdiq, nga urrejtja,+ ose i ka zënë pritë+ dhe e ka qëlluar me diçka për ta vrarë, 21  nëse nga armiqësia e ka goditur me dorë që ta vriste, ai që e goditi duhet të vritet patjetër; ai është vrasës. Gjakmarrësi do ta vrasë vrasësin kur t’i dalë përpara.+ 22  Por nëse e ka shtyrë pa dashje e pa pasur armiqësi me të ose e ka qëlluar me ndonjë send pa i zënë pritë+ 23  a me ndonjë gur pa e parë, ose bën që atij t’i bjerë ndonjë gur, nga i cili mund të vdiste dhe tjetri vdes, ndonëse nuk kishte armiqësi me të dhe nuk po kërkonte t’i bënte keq, 24  atëherë asambleja duhet të gjykojë mes atij që e goditi dhe gjakmarrësit, sipas këtyre parimeve gjyqësore.+ 25  Asambleja+ duhet ta çlirojë nga duart e gjakmarrësit atë që ka vrarë dhe duhet ta kthejë atë në qytetin e tij të strehimit ku kishte shkuar. Ai duhet të banojë atje derisa të vdesë kryeprifti që ishte mirosur me vaj të shenjtë.+ 26  Por nëse ai që ka vrarë del jashtë kufirit të qytetit të tij të strehimit ku ka shkuar, 27  dhe gjakmarrësi+ e gjen jashtë kufirit të atij qyteti dhe e vret, ky nuk mban faj gjaku, 28  sepse ai duhej të qëndronte në qytetin e tij të strehimit derisa të vdiste kryeprifti.+ Pas vdekjes së tij, ai që ka vrarë mund të kthehet në tokën që ka si pronë. 29  Këto do t’ju shërbejnë si norma gjykimi për tërë brezat tuaj kudo që të banoni. 30  Kushdo që vret një shpirt, duhet të vritet si vrasës+ nga dëshmia që japin dëshmitarët,+ por një dëshmitar i vetëm nuk mund të dëshmojë kundër një shpirti, që ai të dënohet me vdekje. 31  Mos merr asnjë shpërblesë për shpirtin e një vrasësi që meriton të vdesë,+ sepse ai duhet të vritet patjetër.+ 32  Mos merr shpërblesë për atë që ka ikur në qytetin e tij të strehimit, që të kthehet prapë e të banojë në vend para vdekjes së kryepriftit. 33  Mos e ndotni vendin ku jeni. Vendin e ndot gjaku,+ dhe për tokën nuk mund të bëhet asnjë shlyerje për gjakun që është derdhur në të, përveçse me gjakun e atij që e derdhi.+ 34  Mos e përdhosni vendin ku po banoni dhe në mes të të cilit qëndroj unë, sepse unë, Jehovai, banoj mes bijve të Izraelit.’»+

Shënime në fund të faqes