Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Mateu 13:1-58

13  Atë ditë, pasi kishte dalë nga shtëpia, Jezui po rrinte ulur buzë detit.  Përreth iu mblodh një turmë e madhe, prandaj ai hipi në një barkë dhe u ul,+ kurse e gjithë turma rrinte në këmbë në breg.  Atëherë ai u tregoi shumë gjëra me anë të ilustrimeve dhe tha: «Një mbjellës doli për të mbjellë+  dhe, kur po mbillte, disa fara ranë përgjatë rrugës dhe vajtën zogjtë e i hëngrën.+  Të tjera ranë në vend shkëmbor, ku nuk kishte shumë tokë, dhe mbinë menjëherë, sepse toka nuk ishte e thellë.+  Por, kur u ngrit dielli, bimët e reja u zhuritën dhe, meqë s’kishin rrënjë, u thanë.+  Gjithashtu, disa fara të tjera ranë mes gjembave, dhe gjembat u rritën e i mbytën.+  Kurse disa të tjera ranë në tokë të mirë dhe filluan të jepnin fryt,+ njëra njëqindfish, një tjetër gjashtëdhjetë dhe tjetra tridhjetë.+  Ai që ka veshë, le të dëgjojë.»+ 10  Atëherë dishepujt iu afruan dhe e pyetën: «Përse u flet me ilustrime?»+ 11  Ai iu përgjigj: «Juve ju është lejuar të kuptoni sekretet e shenjta+ të mbretërisë së qiejve, por atyre nuk u është lejuar.+ 12  Sepse atij që ka, do t’i jepet më shumë dhe do të ketë me bollëk,+ por atij që nuk ka, do t’i merret edhe ajo që ka.+ 13  Ja përse u flas me ilustrime, sepse shohin, por shohin kot; dhe dëgjojnë, por dëgjojnë më kot, dhe as që e kapin kuptimin.+ 14  Në rastin e tyre po përmbushet profecia e Isaisë, që thotë: ‘Për të dëgjuar, do të dëgjoni, por kurrsesi nuk do ta kapni kuptimin. Për të parë, do të shihni, por kurrsesi nuk do të kuptoni gjë.+ 15  Sepse zemra e këtij populli është bërë e pandjeshme. Kanë dëgjuar me veshë, por janë treguar indiferentë. Sytë i kanë mbyllur, që të mos shohin kurrë me ta, edhe veshët, që të mos dëgjojnë, dhe me zemër të mos e kapin kuptimin. Prandaj nuk kthehen që unë t’i shëroj.’+ 16  Megjithatë, lum sytë tuaj,+ sepse shohin dhe veshët tuaj, sepse dëgjojnë! 17  Sepse vërtet po ju them: shumë profetë+ dhe njerëz të drejtë dëshiruan t’i shikonin gjërat që po shihni ju, por nuk i panë,+ dhe të dëgjonin gjërat që po dëgjoni ju, por nuk i dëgjuan.+ 18  Dëgjoni pra, ilustrimin e mbjellësit.+ 19  Kur dikush e dëgjon fjalën e mbretërisë, por nuk e kap kuptimin e saj, vjen i ligu+ dhe e rrëmben atë që u mboll në zemër. Kjo është fara që u mboll përgjatë rrugës. 20  Sa për atë që u mboll në vend shkëmbor, ky është ai që e dëgjon fjalën dhe menjëherë e pranon me gëzim.+ 21  Mirëpo ai nuk ka rrënjë, prandaj edhe pse vazhdon për njëfarë kohe, kur vijnë shtrëngimet ose përndjekjet për shkak të fjalës, ai heq dorë menjëherë nga fjala.+ 22  Sa për atë që u mboll mes gjembave, ky është ai që e dëgjon fjalën, por ankthet e kësaj bote*+ dhe fuqia mashtruese e pasurisë e mbytin fjalën, dhe ai bëhet i pafrytshëm.+ 23  Sa për atë që u mboll në tokë të mirë, ky është ai që e dëgjon fjalën dhe e kap kuptimin e saj. Ai jep vërtet fryt dhe prodhon: njëri njëqindfish, një tjetër gjashtëdhjetë dhe një tjetër tridhjetëfish.»+ 24  Pastaj u tregoi një ilustrim tjetër: «Mbretëria e qiejve i ngjan një njeriu që mbolli farë të mirë në arën e vet.+ 25  Kur njerëzit po flinin, erdhi armiku i tij dhe mbolli egjër nëpër grurë e iku. 26  Kur filizi mbiu dhe prodhoi fryt, atëherë u shfaqën edhe egjrat. 27  Kështu, skllevërit e të zotit të shtëpisë vajtën dhe i thanë: ‘Zotëri, a nuk mbolle farë të mirë në arën tënde?+ Nga dolën vallë egjrat?’+ 28  Ai u tha: ‘Një armik e ka bërë.’+ Ata e pyetën: ‘A dëshiron, pra, që të dalim e t’i mbledhim?’ 29  Ai tha: ‘Jo, se duke mbledhur egjrat, mund të shkulni me rrënjë edhe grurin. 30  Lërini të rriten bashkë deri kur të bëhen për t’u korrur dhe në kohën e korrjes do t’u them korrësve: mblidhni më parë egjrën dhe lidheni në duaj që ta digjni,+ pastaj shkoni të mblidhni grurin e futeni në depon time.’»+ 31  Ai u tregoi edhe një ilustrim tjetër:+ «Mbretëria e qiejve është si një kokërr sinapi,+ që një njeri e mori dhe e mbolli në arë. 32  Ajo është më e vogla e të gjitha farave, por kur rritet, është barishtja më e madhe dhe bëhet një pemë, aq sa zogjtë e qiellit+ venë e gjejnë strehë mes degëve të saj.»+ 33  U tha një ilustrim tjetër: «Mbretëria e qiejve është si majaja,+ të cilën një grua e mori dhe e përzieu* me tri masa të mëdha mielli, derisa erdhi i gjithë brumi.» 34  Gjithë këto gjëra Jezui ua tha turmave me anë të ilustrimeve. Në fakt, pa ilustrime s’u fliste atyre,+ 35  që të përmbushej kështu ç’ishte thënë nëpërmjet profetit: «Do ta hap gojën me ilustrime, do të shpall gjëra të fshehura që nga themelimi.»+ 36  Pastaj, pasi e shpërndau turmën, ai shkoi në shtëpi. Dishepujt e tij vajtën tek ai dhe i thanë: «Na e shpjego ilustrimin e egjrave në arë.» 37  Ai iu përgjigj: «Mbjellësi i farës së mirë është Biri i njeriut. 38  Ara është bota+ dhe fara e mirë janë bijtë e mbretërisë, kurse egjrat janë bijtë e të ligut.+ 39  Armiku që i mbolli, është Djalli,+ të korrat+ janë përfundimi i një sistemi+ dhe korrësit janë engjëjt. 40  Prandaj, ashtu si mblidhen egjrat dhe digjen në zjarr, kështu do të ndodhë në përfundim të sistemit.+ 41  Biri i njeriut do të dërgojë engjëjt e vet, që do të mbledhin e do të nxjerrin nga mbretëria e tij të gjithë ata që i çojnë të tjerët në mëkat,*+ bashkë me ata që bëjnë paligjshmëri, 42  dhe do t’i hedhin në furrën e zjarrtë.+ Atje do të qajnë dhe do të kërcëllijnë dhëmbët.+ 43  Në atë kohë, të drejtët do të shkëlqejnë+ si dielli+ në mbretërinë e Atit të tyre. Ai që ka veshë, le të dëgjojë.+ 44  Mbretëria e qiejve është si një thesar i fshehur në arë, të cilin një njeri e gjeti dhe e fshehu, dhe nga gëzimi shkon e shet+ gjithçka dhe e blen atë arë.+ 45  Mbretëria e qiejve është si një tregtar shëtitës që kërkonte margaritarë të shkëlqyer. 46  Me të gjetur një margaritar me vlerë të madhe,+ ai iku dhe shiti menjëherë gjithçka që pati dhe e bleu.+ 47  Mbretëria e qiejve është si një rrjetë tratë, e hedhur në det, që kishte mbledhur peshq të çdo lloji.+ 48  Kur ajo u mbush, peshkatarët e tërhoqën në breg, u ulën dhe peshqit e mirë+ i futën nëpër enë, kurse të papërshtatshmit+ i hodhën. 49  Kështu do të jetë në përfundim të sistemit: engjëjt do të dalin e do të ndajnë të ligjtë+ nga të drejtët,+ 50  dhe do t’i hedhin në furrën e zjarrtë. Atje do të qajnë dhe do të kërcëllijnë dhëmbët.+ 51  A e kapët kuptimin e të gjitha këtyre gjërave?» Ata i thanë: «Po.» 52  Atëherë ai u tha: «Për këtë arsye, çdo mësues që mëson në publik, kur mëson për mbretërinë e qiejve,+ është si një zot shtëpie, i cili nxjerr nga thesari i tij gjëra të reja e të vjetra.»+ 53  Kur i mbaroi këto ilustrime, Jezui iku që andej. 54  Pastaj vajti në vendin e tij+ dhe nisi t’i mësonte njerëzit në sinagogën e tyre,+ aq sa ata u mahnitën dhe thanë: «Ku e gjeti ky njeri këtë mençuri dhe zotësi për të kryer këto vepra të fuqishme?! 55  A s’është ky biri i zdrukthëtarit?+ A nuk quhet nëna e tij Mari dhe vëllezërit e tij, Jakov, Jozef, Simon dhe Judë? 56  A nuk janë motrat e tij me ne?+ Ku i gjeti, pra, ky njeri gjithë këto?»+ 57  Për këtë arsye nuk besuan tek ai.*+ Por Jezui u tha: «Vetëm në vendin dhe në shtëpinë e vet profeti nuk nderohet.»+ 58  Kështu që atje nuk bëri shumë vepra të fuqishme, sepse atyre u mungonte besimi.+

Shënime në fund të faqes

Ose «sistem; rend». Greqisht: aiónos.
Fjalë për fjalë «fshehu».
Fjalë për fjalë «çdo gjë që shkakton pengesë».
Fjalë për fjalë «nisën të pengoheshin për shkak të tij».