Marku 8:1-38

8  Ato ditë u mblodh sërish një turmë e madhe dhe nuk kishin asgjë për të ngrënë, prandaj ai i thirri dishepujt dhe u tha:+  «Më vjen keq+ për turmën, sepse ka tri ditë që më rrinë pranë dhe nuk kanë asgjë për të ngrënë.  Nëse i nis të pangrënë në shtëpitë e tyre, do të ligështohen rrugës, sepse disa prej tyre vijnë nga larg.»  Por dishepujt iu përgjigjën: «Ku mund t’i ngopë njeri me bukë këta njerëz, këtu në një vend të veçuar?»+  Megjithatë, ai i pyeti: «Sa bukë keni?» Ata iu përgjigjën: «Shtatë.»+  Atëherë ai e urdhëroi turmën të shtrohej përtokë, mori shtatë bukët, falënderoi Perëndinë,+ i theu dhe nisi t’ua jepte dishepujve që t’ia shpërndanin turmës.+  Kishin edhe ca peshq të vegjël dhe, pasi i bekoi, Jezui u tha t’i shpërndanin edhe këta.+  Kështu, ata hëngrën, u ngopën dhe mblodhën copat që kishin tepruar: shtatë shporta plot.+  Ata ishin rreth katër mijë veta. Së fundi, i nisi.+ 10  Ai hipi menjëherë në barkë bashkë me dishepujt e vet dhe shkoi në viset e Dalmanutës.+ 11  Atje dolën farisenjtë dhe nisën të bënin fjalë me të e t’i kërkonin një shenjë nga qielli, për ta vënë në provë.+ 12  Prandaj, ai rënkoi thellë+ përbrenda dhe tha: «Përse ky brez kërkon një shenjë? Vërtet po ju them: këtij brezi nuk do t’i jepet asnjë shenjë.»+ 13  Pastaj i la, hipi përsëri në barkë dhe iku në bregun tjetër. 14  Mirëpo dishepujt harruan të merrnin bukë me vete, prandaj në barkë kishin vetëm një bukë dhe asgjë tjetër.+ 15  Ai filloi t’i urdhëronte qartë: «Rrini syhapur dhe ruhuni nga majaja e farisenjve dhe e Herodit.»+ 16  Dhe ata nisën të debatonin me njëri-tjetrin për faktin që nuk kishin bukë.+ 17  Kur e vuri re këtë, ai u tha: «Përse debatoni që nuk keni bukë?+ Akoma nuk e kuptoni e nuk e kapni domethënien? Të mpirë e keni zemrën që s’kuptoni?!+ 18  ‘Keni sy dhe nuk shihni, keni veshë dhe nuk dëgjoni’?+ A ju kujtohet 19  sa shporta plot me copa mblodhët, kur theva pesë bukë+ për pesë mijë veta?» Ata iu përgjigjën: «Dymbëdhjetë.»+ 20  «Po kur theva shtatë bukë për katër mijë veta, sa shporta plot me copa mblodhët?» Ata i thanë: «Shtatë.»+ 21  Atëherë ai i pyeti: «Ende nuk e kapni domethënien?»+ 22  Më pas mbërritën në Betsaidë. Atje i sollën një të verbër dhe iu përgjëruan që ta prekte.+ 23  Ai e mori të verbrin për dore, e çoi jashtë fshatit dhe si e pështyu+ në sy, vuri duart mbi të dhe e pyeti: «A sheh gjë?» 24  Burri ngriti sytë dhe tha: «Shoh njerëz, sepse vërej ca si pemë, por që ecin andej-këtej.» 25  Atëherë ai i vuri përsëri duart në sytë e atij njeriu dhe burri pa qartë. Ishte shëruar dhe dallonte mirë çdo gjë. 26  Jezui e nisi në shtëpi dhe i tha: «Mos hyr në fshat.»+ 27  Jezui dhe dishepujt e tij u nisën për në fshatrat e Cezaresë së Filipit dhe udhës ai filloi t’i pyeste dishepujt: «Çfarë thonë njerëzit: kush jam unë?»+ 28  Ata iu përgjigjën: «Disa thonë Gjon Pagëzori,+ të tjerë Elija+ dhe të tjerë akoma se je një nga profetët.»+ 29  Ai i pyeti prapë: «Po ju ç’thoni: kush jam unë?» Pjetri iu përgjigj: «Ti je Krishti.»+ 30  Atëherë ai i urdhëroi prerazi të mos i tregonin asnjeriu për të.+ 31  Gjithashtu, nisi t’u mësonte se Biri i njeriut do të vuante shumë dhe do të hidhej poshtë nga pleqtë, nga krerët e priftërinjve dhe nga skribët, se do të vritej+ dhe do të ngrihej nga të vdekurit tri ditë më vonë.+ 32  Në të vërtetë, ai e thoshte këtë hapur. Por Pjetri e mori mënjanë dhe nisi ta qortonte.+ 33  Ai u kthye, pa nga dishepujt e tij dhe e qortoi Pjetrin: «Largohu nga unë, Satana, sepse nuk mendon si mendon Perëndia, por si njerëzit.»+ 34  Pastaj thirri pranë turmën bashkë me dishepujt e tij dhe u tha: «Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë veten, të marrë shtyllën e vet të torturës dhe të më ndjekë vazhdimisht.+ 35  Sepse, kushdo që dëshiron ta shpëtojë shpirtin e vet, do ta humbasë, por kushdo që e humbet shpirtin e vet për hirin tim dhe të lajmit të mirë, do ta shpëtojë.+ 36  Në të vërtetë, ç’dobi ka njeriu po të fitojë gjithë botën, por të humbasë shpirtin e vet?+ 37  Çfarë do të jepte një njeri në këmbim të shpirtit?+ 38  Nëse dikujt në këtë brez kurorëshkelës dhe mëkatar i vjen turp për mua dhe për fjalët e mia, edhe Birit të njeriut do t’i vijë turp+ për të, kur të mbërrijë në lavdinë e Atit të tij bashkë me engjëjt e shenjtë.»+

Shënime në fund të faqes