Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Marku 15:1-47

15  Sapo u gdhi, krerët e priftërinjve, pleqtë dhe skribët, madje i gjithë Sinedri, u këshilluan me njëri-tjetrin,+ e lidhën Jezuin dhe ia dorëzuan Pilatit.+  Pilati e pyeti: «A je ti mbreti+ i judenjve?» Ai iu përgjigj: «Ti vetë e thua.»+  Por krerët e priftërinjve nisën ta akuzonin për shumë gjëra.+  Pilati e pyeti prapë: «Nuk po përgjigjesh?+ Shiko sa akuza po ngrenë kundër teje.»+  Por Jezui nuk u përgjigj më, prandaj Pilati po çuditej.+  Në çdo festë ai e kishte zakon të lironte një të burgosur, kë të kërkonin njerëzit.+  Në atë kohë, i lidhur në vargonj ishte edhe ai që quhej Baraba, bashkë me kryengritësit e tjerë, që gjatë kryengritjes kishin kryer vrasje.+  Kështu, turma u mblodh dhe filloi t’i kërkonte të bënte siç e kishte zakon.  Pilati u tha: «A doni t’ju liroj mbretin e judenjve?»+ 10  Sepse ai e dinte mirë që krerët e priftërinjve e kishin dorëzuar atë nga zilia.+ 11  Por krerët e priftërinjve e nxitën turmën që t’i kërkonin lirimin e Barabës.+ 12  Pilati i pyeti përsëri: «Çfarë të bëj, atëherë, me atë që ju e quani mbreti+ i judenjve?»+ 13  Ata thërritën edhe një herë: «Vëre në shtyllë!»+ 14  Por Pilati vazhdoi t’u thoshte: «Përse, ç’të keqe ka bërë?» Mirëpo ata vazhdonin të thërritnin edhe më shumë: «Vëre në shtyllë!»+ 15  Atëherë, duke dashur të kënaqte turmën,+ Pilati u liroi atyre Barabën, kurse Jezuin urdhëroi ta rrihnin me kamxhik, dhe pastaj ua dha që ta vinin në shtyllë.+ 16  Pastaj ushtarët e nxorën në oborrin e pallatit të guvernatorit. Mblodhën gjithë trupën e ushtarëve,+ 17  i veshën një rrobë të purpurt, thurën një kurorë me gjemba dhe ia vunë në kokë.+ 18  Më pas filluan ta përshëndetnin: «Tungjatjeta,+ o mbret i judenjve!» 19  E qëllonin në kokë me një kallam, e pështynin dhe binin në gjunjë e i bënin atij nderime.+ 20  Në fund, pasi u tallën, i hoqën rrobën e purpurt dhe i veshën rrobat e veta. Pastaj e nxorën jashtë që ta vinin në shtyllë.+ 21  Ata detyruan një kalimtar që po vinte nga fusha, njëfarë Simoni nga Kirena, i ati i Aleksandrit dhe i Rufit, të mbartte shtyllën e tij të torturës.+ 22  Kështu, e çuan në vendin e quajtur Gólgotha, që do të thotë Vendi i Kafkës.+ 23  Atje u përpoqën t’i jepnin verë të droguar me mirrë,+ por ai nuk e piu.+ 24  Pastaj e vunë në shtyllë dhe i ndanë rrobat e tij+ me short, për të parë se çfarë do të merrte secili.+ 25  Ishte ora e tretë,*+ dhe ata e vunë në shtyllë. 26  Sipër ishte shkruar mbishkrimi me akuzën+ kundër tij: «Mbreti i judenjve.»+ 27  Bashkë me të vunë në shtyllë dy kusarë, një në të djathtë e një në të majtë të tij.+ 28  ——* 29  Ata që kalonin andej, e shanin,+ tundnin kokën dhe thoshin: «Ej, ti që gjoja do ta rrëzoje tempullin dhe do ta ndërtoje për tri ditë,+ 30  shpëto veten tani dhe zbrit nga shtylla e torturës!»+ 31  Edhe krerët e priftërinjve me skribët talleshin dhe thoshin: «Të tjerët i shpëtoi, por veten nuk e shpëton dot!+ 32  Le të zbresë tani nga shtylla e torturës Krishti, mbreti i Izraelit, që ne të shohim e të besojmë.»+ Edhe ata që ishin vënë bashkë me të në shtyllë, e poshtëronin.+ 33  Kur erdhi ora e gjashtë, gjithë vendin e mbuloi një errësirë deri orën e nëntë.*+ 34  Orën e nëntë, Jezui thërriti me zë të lartë: «Éli, Éli, láma sabahtháni?» që do të thotë: «Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?»+ 35  Kur e dëgjuan, disa nga ata që ishin pranë, filluan të thoshin: «Shihni! Ai po thërret Elijan.»+ 36  Dikush vrapoi, njomi një sfungjer me verë të thartë, e vuri në një kallam dhe filloi t’ia jepte që të pinte+ dhe tha: «Lëreni! Le të shohim nëse Elija do të vijë për ta zbritur.»+ 37  Por Jezui lëshoi një britmë të fortë dhe dha frymë.+ 38  Perdja+ e shenjtërores u ça më dysh nga maja deri në fund.+ 39  Kur pa se Jezui dha frymë në atë mënyrë, centurioni që qëndronte aty përpara tij, tha: «Pa dyshim që ky njeri ishte Biri i Perëndisë.»+ 40  Edhe disa gra po shikonin nga larg.+ Ndër to ishte Maria-Magdalena, Maria, nëna e Jakovit të Vogël dhe e Jozeut, si dhe Saloma,+ 41  të cilat e kishin shoqëruar+ e i kishin shërbyer kur ai ishte në Galile. Bashkë me to ishin dhe shumë gra të tjera, që ishin ngjitur bashkë me të në Jerusalem.+ 42  Meqë ishte pasdite vonë dhe meqë ishte dita e Përgatitjes, domethënë dita përpara sabatit, 43  Jozefi nga Arimatea, një anëtar i nderuar i Këshillit, që edhe vetë po priste mbretërinë e Perëndisë,+ vajti atje e mori guximin të shkonte para Pilatit e t’i kërkonte trupin+ e Jezuit. 44  Por Pilati nuk ishte i sigurt nëse ai kishte vdekur tashmë, prandaj thirri centurionin dhe e pyeti a kishte vdekur. 45  Kështu, pasi centurioni e siguroi, Pilati i dha Jozefit kufomën.+ 46  Atëherë ai bleu pëlhurë prej liri të hollë, e zbriti nga shtylla, e mbështolli me pëlhurë dhe e vuri+ në një varr+ që ishte gërmuar në shkëmb. Pastaj rrokullisi një gur deri te hyrja e varrit.*+ 47  Kurse Maria-Magdalena dhe Maria, nëna e Jozeut, vazhdonin të vështronin vendin ku e kishin vënë.+

Shënime në fund të faqes

Rreth orës 9 paradite, duke llogaritur nga lindja e diellit.
Shih shënimin te Mt 17:21.
«Ora e gjashtë», rreth orës 12 të drekës, dhe «ora e nëntë», rreth orës 3 pasdite.
Shih shënimin te Mr 5:2.