Isaia 54:1-17

54  «Lësho britma gëzimi, ti shterpë që nuk lindje!+ Brohorit nga gëzimi dhe sokëlli,+ ti që nuk kishe dhembje lindjeje!+ Sepse bijtë e së braktisurës janë më të shumtë se bijtë e gruas që e ka burrin,*+—thotë Jehovai.—  Zgjeroje vendin e tendës sate+ dhe pëlhurat e tabernakullit tënd të madh le të shtrihen pa kursim. Zgjati litarët e tendës sate dhe forcoji kunjat e saj,+  sepse do të shtrihesh në të djathtë e në të majtë+ dhe pasardhësit e tu do të shtien në dorë kombe+ e do të popullojnë qytetet e lëna shkretë.+  Mos ki frikë,+ se nuk do të turpërohesh.+ Mos u ndiej e poshtëruar, se nuk do të zhgënjehesh.+ Do të harrosh madje edhe turpin e rinisë sate+ dhe nuk do ta kujtosh më poshtërimin e vejërisë sate të vazhdueshme.  Sepse burri yt+ është Bërësi+ yt i Madh, që e ka emrin Jehova i ushtrive.+ Riblerësi+ yt është i Shenjti i Izraelit dhe ai do të quhet Perëndia i gjithë tokës.+  Sepse Jehovai të thirri sikur të ishe një grua krejt e braktisur dhe e hidhëruar,+ si nusja e rinisë+ që është përzënë,+—thotë Perëndia yt.  Të braktisa fare veç për një çast,+ por do të të mbledh me mëshirë të madhe.+  Me një vërshim zemërimi e fsheha fytyrën time nga ti vetëm për një çast,+ por do të kem mëshirë për ty, duke të treguar përherë dashamirësi,+—thotë Jehovai, Riblerësi yt.+  Për mua kjo është tamam si ditët e Noesë,+ pasi si jam betuar se ujërat e Noesë nuk do të mbulojnë më tokën,+ po njësoj jam betuar se me ty nuk do të zemërohem dhe as do të të qortoj më.+ 10  Sepse malet mund të hiqen dhe kodrat mund të lëkunden,+ por dashamirësia ime nuk do të hiqet nga ti+ dhe besëlidhja e paqes që kam bërë me ty, nuk do të lëkundet,+—thotë Jehovai, Ai që ndien mëshirë për ty.+ 11  O grua e munduar,+ e goditur nga shumë stuhi+ dhe e pangushëlluar,+ do t’i shtroj gurët+ e tu me llaç të fortë dhe do t’i hedh themelet+ e tua me safirë.+ 12  Do t’i bëj bedenat e tu prej rubinësh, portat e tua prej gurësh vezullues+ dhe tërë kufijtë e tu prej gurësh stolie. 13  Tërë bijtë e tu+ do të mësohen nga Jehovai+ dhe paqja e bijve të tu do të jetë e madhe.+ 14  Drejtësia do të jetë themeli yt i fortë.+ S’do t’i frikësohesh askujt, se do të jesh larg shtypjes+ dhe tmerrit, që nuk do të të afrohen.+ 15  Nëse ndokush të sulmon, nuk do ta bëjë me urdhrin tim.+ Kushdo që të sulmon, do të bjerë për shkakun tënd.+ 16  Unë e kam krijuar kovaçin që i fryn+ prushit+ të zjarrit dhe me punën e tij bën një armë. Gjithashtu, unë e kam krijuar shkatërruesin+ për të shkatërruar. 17  Asnjë armë e sajuar kundër teje nuk do të ketë sukses+ dhe çdo gjuhë që ngrihet kundër teje për të të gjykuar, ti do ta dënosh.+ Kjo është trashëgimia e shërbëtorëve të Jehovait+ dhe drejtësia e tyre vjen nga unë»,—thotë Jehovai.+

Shënime në fund të faqes

Fjalë për fjalë «pronarin bashkëshortor»; njësoj edhe vargu 5.