Isaia 40:1-31

40  «Ngushëlloni, ngushëlloni popullin tim,—thotë Perëndia juaj.+  I flitni zemrës së Jerusalemit+ dhe i thoni që shërbimi i tij i detyruar ka mbaruar+ dhe që faji i tij është shlyer.+ Sepse mori nga dora e Jehovait ndëshkimin e plotë për tërë mëkatet e tij.»+  Dëgjoni! Dikush thërret në shkretëtirë:+ «Pastroni udhën e Jehovait.+ Sheshoni rrugën për Perëndinë tonë, rrugën që kalon përmes rrafshinës së shkretë.+  Le të ngrihen luginat+ dhe le të ulen malet e kodrat.+ Vendi me gunga të rrafshohet dhe terreni i thyer të bëhet i rrafshët.+  Lavdia e Jehovait do të zbulohet+ dhe do ta shohë çdo mish,+ sepse këtë e tha vetë Jehovai me gojën e tij.»+  Dëgjo! Dikush thotë: «Thërrit!»+ Tjetri ia kthen: «Ç’të thërras?»«Çdo mish është si bari i gjelbër, dhe gjithë dashamirësia e tyre është si lulja e fushës.+  Bari u tha, lulja u vyshk,+ sepse mbi to fryu fryma e Jehovait.+ Po, njerëzit janë si bari i gjelbër.+  Bari thahet, lulja vyshket,+ por fjala e Perëndisë tonë mbetet përgjithmonë.»+  Ngjitu mbi një mal të lartë,+ o grua që sjell një lajm të mirë për Sionin!+ Bërtit me sa fuqi që ke, o grua që sjell një lajm të mirë për Jerusalemin!+ Bërtit e mos ki frikë.+ Thuaju qyteteve të Judës: «Ja Perëndia juaj.»+ 10  Zotëria Sovran Jehova do të vijë si një i fortë dhe krahu i vet do të sundojë në emër të tij.+ Me vete ka një shpërblim+ dhe para tij ka një pagë.+ 11  Ai do ta kullotë kopenë e tij si një bari.+ Do t’i mbledhë qengjat me krahun e tij+ e do t’i mbajë në gji+ dhe do t’i drejtojë me kujdes ato që ushqejnë të vegjlit me qumësht.+ 12  Kush ka arritur t’i matë ujërat në gropën e dorës?+ Kush i ka matur qiejt me pëllëmbë?+ Kush ka arritur ta matë pluhurin e tokës?+ Kush i ka peshuar malet me kandar dhe kodrat me peshore? 13  Kush mund ta matë frymën e Jehovait dhe kush mund t’i tregojë ndonjë gjë si këshilltari i tij?+ 14  Me kë u këshillua që ai t’i jepte mend? Kush ia mëson shtegun e drejtësisë? Kush i jep njohuri+ ose i tregon udhën e kuptueshmërisë së vërtetë?+ 15  Ja, kombet janë si një pikë uji në një kovë. Për të ato janë si shtresa e hollë e pluhurit në peshore.+ Ja, ai i ngre ishujt+ si të ishin pluhur i imët. 16  As pyjet e Libanit nuk mjaftojnë për ta mbajtur zjarrin ndezur dhe as kafshët+ e tij nuk mjaftojnë për një blatim të djegur.+ 17  Tërë kombet nuk janë asgjë para tij.+ Për të, ato janë një hiç dhe një kotësi.+ 18  Me kë mund ta përngjasoni Perëndinë+ dhe ç’gjë të ngjashme mund t’i vini përbri?+ 19  Artizani derdh shëmbëlltyrën,+ metalpunuesi e vesh me ar+ dhe bën zinxhirë prej argjendi.+ 20  Druri që zgjidhet si kontribut, nuk është i kalbur.+ Pastaj kërkohet një artizan i zoti që të gdhendë një shëmbëlltyrë+ që s’ka për të lëvizur vendit.+ 21  Nuk e dini, vallë? Nuk e keni dëgjuar? Nuk jua kanë treguar që nga fillimi? Nuk e keni kuptuar që kur u hodhën themelet e tokës?+ 22  Është Dikush që banon mbi rruzullin e tokës,+ banorët e së cilës janë si karkaleca. Ai i shpalos qiejt si një vel të hollë dhe i shtrin si një tendë banimi.+ 23  Ai i katandis zyrtarët e lartë në hiç dhe i kthen gjykatësit e tokës në kotësi.+ 24  Ata ende nuk janë mbjellë mirë, ende nuk janë futur mirë në tokë+ dhe cungu i tyre ende nuk ka lëshuar rrënjë mirë. Mjafton t’u frysh dhe thahen.+ Stuhia i merr me vete si të ishin kashtë.+ 25  «Me kë mund të më përngjasoni, që të bëhem i barabartë me të?—thotë i Shenjti.+ 26  Ngrini sytë lart dhe shikoni. Kush i krijoi këto gjëra?+ Ai që e nxjerr ushtrinë e yjeve të llogaritur me numër dhe e thërret secilin me emër.+ Falë energjisë së tij dinamike+ dhe fuqisë së tij të madhe, nuk mungon asnjë prej tyre. 27  O Jakob, o Izrael, pse thua: ‘Udha ime ka mbetur e fshehur për Jehovain+ dhe padrejtësitë ndaj meje u kanë shpëtuar syve të Perëndisë.’+ 28  Nuk e keni marrë vesh? Nuk e keni dëgjuar?+ Jehovai, Krijuesi i skajeve të tokës, është Perëndi i përjetshëm.+ Ai as nuk lodhet e as nuk rraskapitet.+ Kuptueshmëria e tij është e pahetueshme.+ 29  Ai i jep fuqi të lodhurit,+ ndërsa atij që s’ka forcë për të bërë asgjë, i jep fuqi me bollëk.+ 30  Djemtë do të lodhen e do të rraskapiten, dhe të rinjtë nuk do t’i mbajnë më këmbët, 31  por ata që shpresojnë+ te Jehovai, do të rimarrin fuqi.+ Ata do të ngrihen me krahë si shqiponjat,+ do të vrapojnë e s’do të rraskapiten, do të ecin e s’do të lodhen.»+

Shënime në fund të faqes