Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Gjoni 13:1-38

13  Jezui e dinte që përpara festës së pashkës se i kishte ardhur ora+ të largohej nga kjo botë për tek Ati.+ Dhe, meqë i kishte dashur të vetët që ishin në botë,+ ai i deshi ata deri në fund.  Ndërkohë darka vazhdonte dhe Djalli i kishte futur tashmë në zemër Judë Iskariotit,+ të birit të Simonit, ta tradhtonte.+  Prandaj, meqë e dinte se Ati i kishte dhënë gjithçka në dorë+ dhe se ai kishte dalë nga Perëndia e po shkonte te Perëndia,+  Jezui u ngrit nga darka, vuri mënjanë veshjen e sipërme, mori një peshqir dhe e ngjeshi pas vetes.+  Pastaj, hodhi ujë në një legen dhe filloi t’u lante këmbët+ dishepujve e t’ua thante me peshqir.  Kur arriti te Simon Pjetri, ai e pyeti: «Zotëri, ti po më lan këmbët?!»+  Jezui iu përgjigj: «Tani për tani ti nuk e kupton ç’po bëj, por më pas do ta kuptosh.»+  Pjetri i tha: «Ti nuk do të m’i lash këmbët kurrën e kurrës.» Jezui ia ktheu: «Po nuk të lava,+ nuk ke pjesë me mua.»  Simon Pjetri i tha: «Zotëri, jo vetëm këmbët, por edhe duart dhe kokën.» 10  Jezui i tha: «Kush ka bërë banjë,+ i duhet të lajë vetëm këmbët, dhe është krejt i pastër. Ju jeni të pastër, por jo të gjithë.» 11  Në të vërtetë, ai e dinte se kush e tradhtonte,+ prandaj tha: «Nuk jeni të gjithë të pastër.» 12  Pasi u lau këmbët, ai veshi veshjen e sipërme, u shtrua përsëri në tryezë dhe i pyeti: «A e kuptuat çfarë ju bëra? 13  Ju më quani ‘Mësues’+ dhe ‘Zotëri’,+ dhe mirë bëni, sepse jam i tillë.+ 14  Prandaj, kur ju lava këmbët+ unë që jam Zotëri dhe Mësues, edhe ju duhet t’i lani këmbët njëri-tjetrit.+ 15  Unë ju lashë modelin, që ashtu si bëra unë me ju, të bëni edhe ju.+ 16  Me të vërtetë po ju them se skllavi nuk është më i madh se zotëria, as ai që është dërguar, nuk është më i madh se ai që e dërgoi.+ 17  Nëse i dini këto gjëra, të lumtur do të jeni po t’i zbatoni.+ 18  Nuk po flas për të gjithë ju, sepse unë i njoh ata që kam zgjedhur,+ por që të përmbushet Shkrimi:+ ‘Ai që ushqehej me bukën time, ka ngritur thembrën kundër meje.’+ 19  Po jua them që tani, para se të ndodhë,+ që, kur të ndodhë, të besoni se unë jam ai. 20  Me të vërtetë po ju them se kush pranon atë që dërgoj unë, më pranon edhe mua.+ Gjithashtu, kush më pranon mua, pranon edhe atë që më dërgoi.»+ 21  Pasi tha këto fjalë, Jezui u trazua në frymë dhe dha dëshmi: «Me të vërtetë po ju them se njëri nga ju do të më tradhtojë.»+ 22  Dishepujt nisën të shikonin njëri-tjetrin dhe nuk e dinin se për kë po fliste.+ 23  Në kraharorin e Jezuit mbështetej një nga dishepujt e tij, që Jezui e donte.+ 24  Simon Pjetri i bëri atij shenjë dhe i tha: «Pyete për kë e ka fjalën.» 25  Kështu, ky u përkul në kraharorin e Jezuit dhe e pyeti: «Zotëri, kush është ai?»+ 26  Atëherë Jezui iu përgjigj: «Është ai që do t’i jap kafshatën që po ngjyej.»+ Kështu, e ngjeu kafshatën dhe ia dha Judës, të birit të Simon Iskariotit. 27  Pasi Jezui i dha kafshatën, Satanai hyri te Juda.+ Prandaj, Jezui i tha: «Atë që po bën, bëje më shpejt.» 28  Megjithatë, asnjë nga ata që ishin shtruar në tryezë, nuk e kuptoi se përse ia tha këtë. 29  Në të vërtetë, disa kujtuan se, meqë Juda mbante arkën e parave,+ Jezui i tha: «Bli gjërat që na nevojiten për festën» ose që t’u jepte diçka të varfërve.+ 30  Prandaj, pasi mori kafshatën, ai doli menjëherë jashtë. Ishte natë.+ 31  Pasi kishte dalë ai, Jezui tha: «Tani Biri i njeriut ka marrë lavdi+ dhe Perëndia ka marrë lavdi në lidhje me të. 32  Vetë Perëndia do t’i japë atij lavdi,+ madje do t’ia japë menjëherë. 33  Fëmijë të vegjël,+ edhe për pak kohë jam me ju. Do të më kërkoni dhe ashtu siç u thashë judenjve, po ju them edhe juve: ‘Atje ku shkoj unë, ju nuk vini dot.’+ 34  Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin. Ashtu siç ju kam dashur unë,+ ta doni edhe ju njëri-tjetrin.+ 35  Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.»+ 36  Simon Pjetri e pyeti: «Zotëri, ku po shkon?» Jezui iu përgjigj: «Atje ku po shkoj unë, ti nuk më ndjek dot tani, por më pas do të më ndjekësh.»+ 37  Pjetri e pyeti prapë: «Zotëri, pse nuk të ndjek dot tani? Unë do të jap shpirtin për ty.»+ 38  Jezui iu përgjigj: «Ti do të japësh shpirtin për mua? Me të vërtetë po të them se, para se të këndojë gjeli, ti do të më kesh mohuar tri herë.+

Shënime në fund të faqes