Ezekieli 39:1-29

39  Ti, o bir njeriu, profetizo për Gogun,+ dhe thuaj: “Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Ja, unë jam kundër teje, o Gog, kryeprijës i Meshekut+ dhe i Tubalit.+  Unë do të të kthej mbrapsht e do të të tërheq.+ Do të të sjell nga viset më të thella të veriut+ dhe do të të çoj në malet e Izraelit.  Do ta hedh harkun nga dora jote e majtë dhe do të bëj që të të bien shigjetat nga dora jote e djathtë.  Ti, trupat e tua ushtarake dhe popujt që do të jenë me ty, do të rrëzoheni në malet e Izraelit.+ Do të bëj që t’ju hanë zogjtë grabitqarë, shpendët e çdo lloji dhe bishat e fushës.+  Ti do të biesh në mes të fushës,+ sepse unë kam folur,—thotë Zotëria Sovran Jehova.  Unë do të dërgoj zjarr mbi Magogun+ dhe mbi ata që banojnë të sigurt në ishuj.+ Atëherë njerëzit kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.  Kështu do ta bëj të njohur emrin tim të shenjtë mes popullit tim, Izraelit, dhe nuk do të lejoj më që emri im i shenjtë të përdhoset.+ Atëherë kombet kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai,+ i Shenjti në Izrael.+  Ja, kjo do të ndodhë dhe do të bëhet,+—thotë Zotëria Sovran Jehova.—Kjo është dita për të cilën kam folur.+  Atëherë banorët e qyteteve të Izraelit do të dalin, do t’u vënë zjarrin e do të djegin armatimet, shqytet, mburojat e mëdha—me harqe, shigjeta, mëzdrakë, heshta—dhe me to do të bëjnë zjarr+ për shtatë vjet. 10  Nuk do të sjellin dru nga fusha dhe nuk do të mbledhin dru zjarri nga pylli, sepse do të bëjnë zjarr me tërë këto armatime.Do të grabitin ata që i grabitnin+ dhe do të plaçkitin ata që i plaçkitnin,—thotë Zotëria Sovran Jehova. 11  Atë ditë do t’i jap atje Gogut+ një vend, një vend për t’u varrosur në Izrael, luginën e kalimtarëve, në lindje të detit, e cila do t’ua mbyllë rrugën shtegtarëve. Atje do të varroset Gogu dhe tërë turma e tij, e ai vend do ta quhet Lugina e Turmës së Gogut.+ 12  Shtëpisë së Izraelit do t’i duhen shtatë muaj për t’i varrosur, që të pastrojë vendin.+ 13  Varrimin do ta bëjë tërë populli i vendit, dhe kjo gjë do të bëjë bujë ditën kur unë të marr lavdi,+—thotë Zotëria Sovran Jehova. 14  Do të caktohen disa burra që ta përshkojnë vendin vazhdimisht, dhe së bashku me kalimtarët, do të varrosin trupat e atyre që kanë mbetur mbi faqen e dheut, që ta pastrojnë. Do të kërkojnë pa pushim deri në fund të shtatë muajve. 15  Ata që do të përshkojnë vendin, nëse shohin një eshtër njeriu kur të kalojnë, do t’i vënë pranë një shenjë, derisa varrmihësit ta kenë varrosur në Luginën e Turmës së Gogut.+ 16  Edhe qyteti do të quhet Hamonah.* Kështu, ata do të pastrojnë vendin.’”+ 17  Në lidhje me ty, o bir njeriu, Zotëria Sovran Jehova thotë kështu: “Thuaju shpendëve me çdo lloj krahu dhe tërë bishave të fushës:+ ‘Mblidhuni dhe ejani. Mblidhuni rreth e qark flijimit që po bëj për ju. Do të jetë një flijim i madh në malet e Izraelit+ dhe keni për të ngrënë mish e keni për të pirë gjak.+ 18  Do të hani mishin e të fuqishmëve+ dhe do të pini gjakun e prijësve të tokës: desh, qengja të vegjël,+ cjep e dema të rinj,+ tërë kafshët e majme të Bashanit.+ 19  Do të hani dhjamë sa të ngopeni+ e do të pini gjak sa të deheni nga flijimi që do të bëj për ju. 20  Në tryezën time do të ngopeni me kuaj e kalorës, me njerëz të fuqishëm e lloj-lloj luftëtarësh,—thotë Zotëria Sovran Jehova.+ 21  Unë do ta tregoj lavdinë time mes kombeve. Tërë kombet kanë për ta parë gjykimin që kam zbatuar+ dhe dorën me të cilën i kam goditur.+ 22  Kështu, që nga ajo ditë e tutje, ata të shtëpisë së Izraelit kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai, Perëndia i tyre.+ 23  Gjithashtu, kombet kanë për ta kuptuar se ata të shtëpisë së Izraelit shkuan në mërgim+ për shkak të fajit të tyre, sepse u treguan të pabesë me mua, e prandaj unë e fsheha fytyrën time nga ata,+ i dhashë në duart e armiqve të tyre dhe ata ranë të gjithë nga shpata.+ 24  Unë bëra me ta siç e meritonin papastërtia dhe shkeljet e tyre+ dhe e fsheha fytyrën time nga ata.’ 25  Prandaj, kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Pikërisht tani do t’i kthej robërit që janë marrë nga Jakobi+ dhe do të kem mëshirë për tërë shtëpinë e Izraelit.+ Unë do të tregohem xheloz* për emrin tim të shenjtë.+ 26  Ata do ta kenë mbajtur poshtërimin e tyre+ dhe tërë pabesinë që kanë treguar ndaj meje,+ kur të banojnë të sigurt në tokën e tyre,+ dhe askush të mos i trembë.+ 27  Kur t’i kthej përsëri nga popujt dhe t’i mbledh nga vendet e armiqve të tyre,+ unë do të shenjtërohem mes tyre para syve të shumë kombeve.+ 28  Ata kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai, Perëndia i tyre, që i çova në mërgim nëpër kombe të ndryshme dhe që do t’i mbledh sërish në vendin e tyre,+ duke mos lënë më atje asnjë prej tyre.+ 29  Unë nuk do ta fsheh më fytyrën time nga ata,+ sepse do të derdh frymën time mbi shtëpinë e Izraelit’,+—thotë Zotëria Sovran Jehova.”»

Shënime në fund të faqes

Që do të thotë «turmë».
Ose «do t’i përkushtohem vetëm emrit tim të shenjtë».