Ezekieli 37:1-28

37  Dora e Jehovait erdhi mbi mua,+ më çoi jashtë nëpërmjet frymës së Jehovait+ dhe më vuri në mes të rrafshinës,* që ishte plot me eshtra.+  Pastaj më vuri të kaloja afër eshtrave, që ishin gjithandej, dhe ja, në sipërfaqen e rrafshinës kishte shumë e shumë prej tyre dhe ato ishin shumë të thata.+  Ai më tha: «Bir njeriu, a mund të kthehen në jetë këto eshtra?» Unë ia ktheva: «Ti e di,+ o Zotëri Sovran Jehova.»  Ai më tha akoma: «Profetizo para këtyre eshtrave dhe thuaj: “O eshtra të thata, dëgjoni se çfarë thotë Jehovai!  Kështu u thotë Zotëria Sovran Jehova këtyre eshtrave: ‘Ja, unë po ju shtie frymë, dhe ju do të ktheheni në jetë.+  Do t’ju lidh me tejza, do t’ju mbush me mish, do t’ju vesh me lëkurë, do t’ju shtie frymë, dhe ju do të ktheheni në jetë.+ Atëherë keni për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.’”»+  Unë profetizova si më urdhëruan.+ Sapo profetizova, filloi të dëgjohej një zhurmë, një rrapëllimë, dhe eshtrat filluan t’i afroheshin njëra-tjetrës.  Unë pashë që ato u lidhën me tejza, u mbushën me mish dhe u veshën me lëkurë, por frymë nuk kishin.  Ai më tha prapë: «Profetizoji erës. Profetizo, o bir njeriu, dhe thuaji erës: “Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Eja, o erë, nga të katër anët,* dhe fryj mbi këta të vrarë,+ që të kthehen në jetë.’”»+ 10  Unë profetizova si më urdhëroi ai, dhe fryma hyri në to dhe ato u bënë të gjalla e qëndruan në këmbët e veta,+ duke formuar një ushtri shumë, shumë të madhe. 11  Ai më tha akoma: «Bir njeriu, këto eshtra janë tërë shtëpia e Izraelit.+ Ata thonë: ‘Eshtrat tona janë tharë dhe ne i kemi humbur shpresat.+ Jemi ndarë plotësisht nga njëri-tjetri.’ 12  Prandaj, profetizo dhe u thuaj: “Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Ja, unë do t’i hap varret tuaja,+ do t’ju nxjerr që andej, o populli im, dhe do t’ju çoj në vendin e Izraelit.+ 13  Kur t’i hap varret tuaja dhe t’ju nxjerr prej tyre, o populli im, ju keni për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.+ 14  Unë do të shtie te ju frymën time. Ju do të ktheheni në jetë+ dhe unë do t’ju vendos në tokën tuaj. Atëherë ju keni për ta marrë vesh se unë, Jehovai, kam folur dhe e kam bërë’,—thotë Jehovai.”»+ 15  Fjala e Jehovait m’u drejtua akoma: 16  «O bir njeriu, merr një shkop+ dhe shkruaj në të: ‘Për Judën dhe për bijtë e Izraelit, shokët e saj.’+ Pastaj merr një shkop tjetër dhe shkruaj në të: ‘Për Jozefin, shkopin e Efraimit,+ dhe për tërë shtëpinë e Izraelit, shokët e tij.’+ 17  Më pas afroji me njëri-tjetrin, që të formojnë një shkop të vetëm, dhe ata do të bëhen një gjë e vetme në dorën tënde.+ 18  Kur bijtë e popullit tënd të thonë: ‘A nuk do të na tregosh se çfarë kuptimi kanë këto gjëra sipas teje?’+ 19  ti u thuaj: “Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Ja, unë po marr shkopin e Jozefit dhe të shokëve të tij, fiseve të Izraelit, të cilin e mban në dorë Efraimi, dhe do ta vë mbi shkopin e Judës. Unë do t’i bëj ata një shkop të vetëm,+ dhe ata do të bëhen një gjë e vetme në dorën time.’” 20  Dhe shkopinjtë në të cilët do të shkruash, mbaji në dorë para syve të tyre.+ 21  Pastaj thuaju: “Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Ja, unë po marr bijtë e Izraelit nga kombet ku kanë shkuar, do t’i mbledh nga çdo cep dhe do t’i çoj në tokën e tyre.+ 22  Do t’i bëj ata një komb të vetëm në vend,+ në malet e Izraelit, dhe mbi të gjithë ata do të mbretërojë një mbret i vetëm.+ Ata nuk do të jenë më dy kombe dhe nuk do të jenë më të ndarë në dy mbretëri.+ 23  Nuk do të ndoten më me idhujt e tyre të pështirë,* me idhujtarinë e tyre të neveritshme dhe me tërë shkeljet e tyre.+ Unë do t’i çliroj nga të gjitha vendet ku kanë banuar e ku kanë mëkatuar, dhe do t’i pastroj.+ Ata do të jenë populli im dhe unë do të jem Perëndia i tyre.+ 24  Shërbëtori im, Davidi, do të jetë mbret mbi ta,+ dhe të gjithë do të kenë një bari të vetëm.+ Ata do të ecin sipas vendimeve të mia gjyqësore,+ do të respektojnë ligjet e mia+ dhe do t’i zbatojnë.+ 25  Ata do të banojnë në vendin që i dhashë Jakobit, shërbëtorit tim, ku banuan paraardhësit e tyre.+ Atje do të banojnë+ përgjithmonë+ ata, bijtë e tyre dhe bijtë e bijve të tyre, dhe Davidi, shërbëtori im, do të jetë prijësi i tyre jetë e mot.+ 26  Unë do të bëj me ta një besëlidhje paqeje,+ dhe ajo do të jetë një besëlidhje e përjetshme.+ Unë do t’i vë atje, do t’i shumoj+ dhe do ta vendos shenjtëroren time mes tyre, që të mbetet brez pas brezi.+ 27  Tabernakulli im do të jetë mbi ta.+ Unë do të jem Perëndia i tyre, dhe ata do të jenë populli im.+ 28  Kur shenjtërorja ime të jetë mes tyre brez pas brezi,+ kombet kanë për ta marrë vesh se unë, Jehovai,+ po e shenjtëroj Izraelin.’”»

Shënime në fund të faqes

Shih shënimin tek Ezk 3:22.
Fjalë për fjalë «erërat».
Shih shënimin tek Ezk 6:4.