Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Ezekieli 29:1-21

29  Vitin e dhjetë, ditën e dymbëdhjetë të muajit të dhjetë, fjala e Jehovait m’u drejtua:  «Bir njeriu, ktheje fytyrën nga faraoni, mbreti i Egjiptit,+ dhe profetizo kundër tij e kundër tërë Egjiptit.+  Thuaj: “Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Ja, unë jam kundër teje, o faraon, mbret i Egjiptit,+ përbindësh i madh deti+ që rri shtrirë në kanalet e Nilit,+ dhe që thua: “Lumi Nil është imi. Unë e kam bërë atë për vete.”+  Unë do të të vë grremça në nofulla+ dhe do të bëj që peshqit e kanaleve të Nilit të kapen pas luspave të tua. Pastaj do të të nxjerr nga kanalet e Nilit, ty dhe tërë peshqit që janë në to e që janë kapur pas luspave të tua.  Më pas ty dhe tërë peshqit e kanaleve të Nilit do t’ju lë në shkretëtirë.+ Ti do të flakesh në fushë+ dhe nuk do të të mbledhin, e askush nuk do të të marrë. Unë do të të jap si ushqim për bishat e tokës dhe për zogjtë e qiellit.+  Atëherë të gjithë banorët e tu, o Egjipt, kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai,+ sepse mbështetja që dhanë, ishte si një kallam për ata të shtëpisë së Izraelit.+  Kur ata të kapën për dore, ti u theve+ duke u çarë gjithë shpatullën. Kur ata u mbështetën te ti, u theve+ dhe bëre që mesi i tyre të dridhej.’”+  Prandaj, kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: “Ja, unë do të sjell mbi ty një shpatë+ dhe do të shfaros njerëz e kafshë.+  Kështu, Egjipti do të kthehet në rrënojë e në shkreti,+ dhe atëherë kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai, sepse ai thotë: ‘Lumi Nil është imi. Unë e kam bërë.’+ 10  Prandaj, ja, unë jam kundër teje dhe kundër kanaleve të Nilit.+ Unë do ta katandis Egjiptin në një gërmadhë, në një vend të thatë dhe në një shkreti+ nga Migdoli+ deri në Sienë,+ madje, deri në kufi me Etiopinë. 11  Nëpër të nuk do të kalojë as këmbë njeriu+ e as këmbë kafshe,+ dhe për dyzet vjet do të mbetet i pabanuar.+ 12  Unë do ta kthej Egjiptin në një shkreti mes vendeve të shkretuara.+ Për dyzet vjet, qytetet e tij do të jenë shkreti në mes të qyteteve të shkretuara.+ Unë do t’i shpërndaj egjiptianët nëpër kombe të ndryshme dhe do t’i hallakat vend më vend.”+ 13  Megjithatë kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: “Në fund të dyzet vjetëve+ do t’i mbledh egjiptianët nga popujt ku janë shpërndarë,+ 14  do t’i kthej ata që ishin robër, do t’i çoj prapë në vendin e Patrosit,+ që është vendi ku i kanë rrënjët, dhe atje do të bëhen një mbretëri e papërfillshme. 15  Ajo do të bëhet më e papërfillshme se mbretëritë e tjera, dhe nuk do të ngrihet më mbi kombet.+ Unë do ta pakësoj numrin e tyre, aq sa të mos nënshtrojnë më kombe.+ 16  Shtëpia e Izraelit s’do t’i drejtohet më Egjiptit si burim sigurie.+ Ajo do të bëjë që të mos kujtohet më faji i saj kur shkonte pas tij.+ Kështu ka për ta marrë vesh se unë jam Zotëria Sovran Jehova.”» 17  Vitin e njëzeteshtatë, ditën e parë të muajit të parë, fjala e Jehovait m’u drejtua: 18  «Bir njeriu, Nabukodrezari,*+ mbreti i Babilonisë, i nisi forcat e tij ushtarake kundër Tirit,+ dhe ato bënë një shërbim të madh. Të gjitha kokat u bënë tullace, kurse supet u bënë mish.+ Mirëpo as ai, as ushtria e tij nuk morën ndonjë shpërblim+ nga Tiri për shërbimin që kishin kryer, duke u sulur kundër tij. 19  Prandaj, kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Ja, unë i jap Nabukodrezarit, mbretit të Babilonisë, Egjiptin.+ Ai do të marrë pasuritë e tij, do të bëjë plaçkë+ dhe do të zërë pre të madhe. Ky do të jetë shpërblimi për forcat e tij ushtarake. 20  Si shpërblim për shërbimin që bëri, duke u sulur kundër Tirit, unë i dhashë Egjiptin, sepse punoi për mua,+—thotë Zotëria Sovran Jehova. 21  Atë ditë unë do të bëj që të dalë një bri* për shtëpinë e Izraelit,+ dhe ty do të të jap rast të hapësh gojën mes tyre.+ Atëherë kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.’»

Shënime në fund të faqes

Shih shënimin tek Ezk 26:7.
Briri i një kafshe përdoret shpesh në Bibël si simbol i forcës, fuqisë ose autoritetit.